Bekimi poezi nga Charles Baudelaire

0
17
Baudelaire (1821-1867)
Charles Baudelaire (1821-1867)

Kur gjej kohe e merrem me Baudelaire-n

nga Jozef Radi

Baudelaire asht poet acid…
të grryen e të shkatrron dhe as i bahet vonë për ty e për askënd…
po njiherit edhe të nalton e të mrekullon…
Shpesh ia kam përsritë vedit se asht mirë mos me u ngatrrue me të,
po thjesht me iu avitë njashtu kadalë e djallzisht s’asht fort keq,
sigurisht nji tundim i ambël e me pasoja…
Shpesh jam mundue me e mbrritë po edhe kam vuejtë ma shpesh
prej njatij stërmundimi të pafundmë me e pru sa ma gandull
poezinë e tij në gjuhën teme…
Jam rropatë ndër vite e diçka m’ka mbetë në thes prej tij,
po kam përshtypjen se Ai kurrë s’ka me qenë i plotë…
sepse Baudelaire njashtu si të rrënon
njiherit asht edhe magjik n’at energjinë
e n’at stuhinë që s’i  askush ndryn në shpirtit e tij…
Poezinë “Bekimi” e kam lexue e punue qindra herë,
e po aq herë kam qenë i pakënaqun prej përkthimit të saj,
pse mendoj se në kët poezi gjendet dëshmia ma e plotë e vlerës së këtij poeti…
Besoj se mundim i madh i jemi ka me mbetë
edhe kënaqsi e kujdo qe merr guxim me e lexue…
9 prill 2014

Pablo Picasso - Poeti dhe Ma Jolie (gruaja me kitare)
Pablo Picasso – Poeti dhe Ma Jolie (gruaja me kitare)

Bekimi

poezi nga Charles Baudelaire

(Lulet e së Keqes)

Përktheu Jozef Radi

Njatherë, kur me dekret fuqish hyjnore
kësaj bote t’mërzitshme iu shfaq Poeti
e trembun, plot mallkime nanë e tij
nyjtoi grushtet, krahët e n’ashk Zotit iu lëshue:

“Oh! Ma mirë t’kisha sjellë nji çerdhe gjarpnijsh
se t’mëkoja me gji kët krijesë t’përdrequn!
Mallkue kjoftë njajo natë kënaqsish shterpe
kur barku jem ngjizi kët vuejtje t’pakufi,

Pse m’zgjodhe mue midis krejt njatyne grave
o veç me m’neveritë para t’mjerit, burrin tim,
pse s’mujta m’e zhdukë pa dhimbë mes flak’sh,
si nji letër dashnie kët përbindësh të squlltë,

Kam me ba gjithçka, t’rrjedhë urrejtja rr’nuese
mbi kët sajesë t’mallkueme të djallzive tua.
Mos u trazo, se njat llastar mjeran kam m’e spërdredhë ,
t’mos mundet me qit n’dritë ma sytha t’qelbun!”

Njashtu kërcnues, shkumzim’i urrejtjes së saj,
krejt i pandjeshëm ndaj frymës së përjetshme,
ma s’fundi te holokausti foshnjave u gatitën
turrat e destinueme për krime t’egra nanash.

Po n’kujdes t’nji Engjëlli të padukshëm,
ky kërthi i përzanun e dehun me drit dielli,
n’gjithçka që pinte e në gjithçka hante
gjente ambrozin dhe nektarin ngjyrëgjaku…

Dhe tallej me erën dhe prrallesh me retë,
këndonte gjith delir n’rrugë të Mundimeve,
dhe Fryma ngado ndiqte shtegtimin e tij,
e qante kur e shihte njashtu t’shlirtë si zog pylli.

Krejt njata që shtyhej me i dashtë e kqyrin me droje,
e zemër tuj marrë prej urtisë s’tij, hynin n’garë
kush mund t’ia shkulte atij ndonji ankim,
o n’trup tij, me e shijue krejt egërsinë e tyne,

N’bukë e n’venë caktue për buzët e tij,
përzjenin bashk’ me hinin pshtymat e ndyta,
n’hipokrizi kërcenin kur i prekte, e ndjeheshin n’faj
pse kambët i lëshonin ndër gjurm’ t’hapave t’tij.

Dhe grueja e tij shkonte tuj uluritë n’sheshe publike:
“Aq e bukur ndjehem sa duhet t’adhurohem,
e kam me u ba si ata idhujt e lashtësisë,
si ata me u prarue pse baras me ta ndjehem.

Do dehem me narden, me temjan, me mirrë,
me përgjunje, me mish e venë, ta dijnë se dhe unë
mundem njashtu tuj qeshë me e rrëmbue njat zemër
që m’adhuron, me krejt nderet që u përkasin Perëndive…

E lodhun ndër k’si farsash të mbrapshta,
do ta mbështes dorën time t’ashpër e të fortë,
e me thojtë e mi si shtrigë, kam me e shkye
rrugën derisa të mbrrijë te ajo zemra e tij,

që fort i ngjan nji zogu t’vogël që dridhet e përplitet,
e kam me ia shkulë njat zemër të ndezun prej gjoksi
e kam me ia hjedhë, kafshës sime ma të zgjedhun
pse veç ajo due ta shijojë e kërkush tjetër …

Drejt qiellit ku syni i tij shenjon nji fron lavdie,
Poeti krejt i qetë ka me ia shkulë fundin flatrave,
dhe gjama e vetëtimavee njatij shpirtit shndritës,
ka me ia kputë shikimin njerzve t’egërsuem:

Qofsh i bekuem, ti o Zot që e lejon vuejtjen
rregullatore hyjnore të poshtërsive tona
thelbin ma të ndritshëm e ma t’efektshëm
në gatitjen e t’fortëve për kënaqsit’ e shenjta.

E di, ti i ke ruejtë nji vend edhe Poetit
n’rradhët ma fatlume të Legjioneve të tua,
ku ti t’Parë e ke, n’festat e amshueme
të Fronit, të Virtytit dhe Sundimit…

E di, dhimbja asht e vetmja liri, në t’cilën as toka
e as ferri s’do të munden me e kafshue kurrë,
E me ia rrënue njatij kunorën mistike,
duhen taksue krejt kohnat e krejt galaktikat.

Edhe perlat e humbuna të Palmirës së lashtë,
metalet e panjoftuna, krejt margaritart e deteve,
punue prej duerve tua s’kanë me mjaftue kurrë
për njat kunorë njaq t’bukur, n’dritë vezulluese;

do t’jetë njajo drita e vërtetë e votrës së shenjtë
plot rreze që s’mbahen mend, e ku sy vdekatarë
n’kulm të shkëlqimit tyne, s’kanë me qenë tjetër
veç pasqyra t’zymtueme e krejt të përlotuna…

2012

Related Images:

Artikulli paraprakShqipja e Vjetër… Trashgimi e një Gjuhe të Vdekur?
Artikulli tjetërNjë inxhinier shqiptar mbrapa udhëtimit të parë të njeriut në Hënë nga Ruben Avxhiu
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.