
Kohë kumtesh të rënda –
Tri poezi nga Dhurata Kola Kaloshi
Kjo kohë
Ç’është kjo kohë kumtesh të rënda,
faraonësh në kërkim të pavdekësisë.
Tehe thikash rrëshqasin mbi lëkurën e së ardhmes,
koha nxiton,
lëvizja ngadalësohet.
Mbi fosile zërash,
hidhen themelet për një kohë bashkëfajtorësh,
zhytur në të njëjtin thes me farën e marrëzisë,
me gishtin e akuzës gjithnjë ngritur.
Epokë brezash të ushqyer me dilema,
me dritën të fikur në zemër,
mbetur në stacionet pa udhë,
humbur në udhët pa stacione…
Përballje kambanash mbi mjegulla,
ditët shtrydhen si re të copëzuara,
njerëzit si menhirë në pritje
të revolucioneve të pambaruara.
Sinoptikane
Do të ketë qiell pa re, re pa qiell do të ketë,
reshje gurësh do të lëshohen mbi dhe,
me to do të ngrihen mure të larta,
mbi gërmadhat e urave të shembura.
Do të ketë stuhi pa erë, erë pa stuhi do të ketë,
rrugët s’do të jenë më rrugë, do të jenë gropa,
ku do të varrosen vargjet e poetëve,
mes reshjesh yjesh pa net,
mes reshjesh netësh pa yje.
Do të bjerë dëborë mbi hi,
hi do të bjerë mbi dëborë.
Ditët do të jenë ditë stinësh të humbura,
stinët do të jenë stinë ditësh të rëna…
Asgjë personale
Ai beson në pavdekësinë e tij.
I rrethuar prej fytyrash të lëtyra,
vështrime të përunjura gjarpërinjsh,
gojë të gatshme të mbyten nga vetëpërtypja,
ai beson në frutat e frikës.
Asgjë nuk ndodh,
deri në ditën kur ndodh derdhja e frutave në bulevard,
shkëputur nga degët e rënduara të pemëve,
si një zgjim nga këmbanat, në ditën e fundit të botës.
Ai akoma nuk do ta besojë ngadhënjimin e humbjes së tij.
Në orët e fundit do të marrë valixhet
e si një kurtizane do të shkojë udhëve të botës,
duke ofruar çfarë i ka mbetur ende pa shitur,
duke shitur çfarë i ka mbetur ende pa ofruar.
Pastaj, me gjuhën e tij prej qymyri,
do t’i nxijë harabelat,
lejlekët do t’i akuzojë për agjentura,
do ta mallkojë kohën që u ngjiz nga koha,
e që ngadalë i pëshpërit në vesh:
asgjë personale,
gjërat ndodhin…
2025