
Familja Tasi – Krenari Shqiptare!
nga Denata Rroji
Rrallë me hasë n’historinë e shekullit të 20-të familje në Shqipëni që i dhanë vendit tyne gjithë kontributin e vyem intelektual, nga fortunat e historisë, fatkeqësisht edhe jetën e tyne në burgje dhe internime përgjat diktaturës komuniste. Kjo familje klasi, ka plot tri breza që vazhdon e kontribuon për vendin tonë.
Dinastia Tasi, asht nji nga familjet me të vjetra të Përmetit, e cila kishte nis tregtinë rreth viteve 1800, me Rumaninë. I pari i “Dinastise Tasi” njihej si një tregtar me za për zonën, i suksesshëm, i cili jetonte mes Rumanisë e Shqipnisë. Ai u martue me nji vajzë shqiptare, e mori në Rumani me jetu dhe kriju së bashku familjen dhe mirëqënien. Nga kjo martesë lindën dy djemtë Koço dhe Akil Tasi dy personalitete shqiptare që ende sot nuk kanë vëmendjen e duhun nga historia, gazetaria, shkenca dhe letërsia. I jati i dy djemve, ndahet nga jeta i ri, duke i lanë të dy ata shumë të vegjël.
Gruaja e mbetun e ve tashma, Polikseni, merr rrugëtimin e gjatë per t’u kthy në Shqipni, në atë kohë vetëm me transport kafshësh bëhej, duke marrë me vedi përgjegjësinë e një udhetimi të gjatë e të rrezikshëm, ngarku mall dhe gjà mbi kafshët, por përmbi gjithçka ngarku dy vocërrakët e saj, Koço dhe Akile Tasi, të cilët i kishte vendosë në dy shporta prej kashte.
Të dy fëmijët pa babë, u rritën nga kujdesi i dajave dhe i axhave, me nji edukatë të admirueshme dhe me dashuni për arsimim dhe për vendin e tyne.
Koço Tasi, i lindun në Rumani, jurist i diplomum në Romë, ishte deputet i parlamentit të parë shqiptar, që del pas Kongresit të Lushnjës. Ka kenë, po ashtu, Ministër i Drejtësisë dhe Prefekt i Gjirokastrës në momentet më të randa, kur ky qytet kërcënohej nga grekofilët. Koçoja ka kenë Guvernator i Kosovës, kur Kosova ishte Shqipni, dhe ideatori e themeluesi i administratës lokale të kësaj toke shqiptare.
Gazetari Agron Shala shprehet: “Është meritë e tij hapja e shkollave shqipe në tokat e çliruara (ku përfshihen edhe ato në Maqedoni). Ernest Koliqi, si ministër i Arsimit të Shqipërisë, vendosi të na i sillte mësuesit. Por, Koço Tasi u kujdes për objektet, financimin dhe mbarëvajtjen e mësimit. Teksa meritat e Koliqit së paku verbalisht çmohen, Koço Tasi është tërësisht i harruar.”
Koço Tasi pse ishte nji politikan dhe patriot i viteve ’20 , burgoset në burgun e Burrelit. Shkollimi, dija, kultura dhe përvoja e tij në politkë dhe administratë, i lindën si nevojë për me shkru idetë e tij të mbetuna peng, në veprën juridike “E Drejta”, të cilën askush nga akdemikët apo rrethet e interesuara për këtë fushë nuk e pa të “arsyeshme” me e botu si nji vepër të vyeme në fushën e jurispodencës. Veçse familjarët, askush tjetër nuk do ishin botuesit e kësaj vepre.
“Vepra e vogël” – kështu e quante Koço Tasi – e shkrueme në gegnisht, e pa dritën e botimit në mars të vitit 2011, nën kujdesin e të birit, Lekë Tasi. Te ky libër, i biri Lekë tregon se fletoret ku u shkrua “E drejta” i ranë në dorë në vitin nëntëdhjetë, falë ish-të burgosunit të Burrelit, Çaush Çoku, që sapo ishte liru.”
Nga “Gjyqi Special”, për krimet e luftës që u zhvillua në mars-prill 1945, Koço Tasit iu dha dënimi me vdekje e burg të përjetshëm. Ai bani 20 vjet burg duke lanë Burrelin në pleqni të thellë, në vitin 1965, pa mujt me marrë me vete ato çka pati shkru brenda dënimit fizik. Autori ndërroi jetë një vit më pas, në vitin 1966.
Vëllai i tij Akile Tasi, diplomum për degët “Gazetari dhe Shkenca Politike” në Romë, ishte nji ndër bashkëpunëtorët kryesorë të Faik Konicës te “Vatra”.
Ai ka punuar Drejtor i Bibliotekës Shqiptare, Ministër Kulture i Shqipënisë, si dhe ka udhëheq mediume profesionale, si “Bashkimi i Kombit”, ku kryeredaktor kishte emëru Gjergj Bubanin dhe redaktor Mustafa Greblleshin. Në këtë gazetë të përditshme, Mitrush Kuteli boton “Poemin Kosovar”.
Akileja do të vdiste në burg të Burrelit, sot asht i pavarr.

Kontributi intelektual i familjes Tasi nuk mbaron me kaq, por buron prej të parëve si ai uji që dhe pse ia prishin rrjedhën ai gufon si nevojë e natyrës për me u derdh e me përmbush misionin e tij burimor.
I biri i Koço Tasit, Napoleoni, njohës shumë i mirë i pesë gjuhëve të hueja, falë kësaj dhuntie dhe pasionit të pamatë ndaj letërsisë, përkthen “Sonetet” e William Shakespeare, John Keats-it, Lord Byron. Dhe pse vujti 8 vite burg ai vuejti dhe gjithë persekucionin psikologjik të çdo lindje të ditës së re dhe pse në “lirim”.
Tefta Tasi, e bija e Koço Tasit ndër kangëtaret e para lirike, ndër vajzat ma me nur dhe delikatesë në shfaqjet koncertore dhe në ambientet artistike, u shpërblye me vuejtje, për vite të tana, në kampet e internimit. Vajza me shpirtin dhe zanin lirik u përball me punët ma të randa dhe me luftën e ashpër të klasave duke nxitë popullin, njeriun e ri që po formohej, t’i shfaqnin haptazi urrejtjen, përbuzjen dhe gjuajtjen me gurë kur ajo shfaqej para tyne, si njeriu që nuk ishte i denjë për klasën e fshatarësisë, atje ku vuante internimin si “gruaja e deklasueme”.
Intelektualët e kësaj familje pasohen me djalin tjetër, Ylli Tasi, inxhinieri i shquem, i cili mbaroi studimet në degën ”Inxhinieri-Mekanike” në Tiranë. Ylli njihet për shpikjet inxhinierike përparimtare për kohën e tij, në nivel ndërkombëtar, motorët dhe pompat, të cilët do të lehtësonin industrinë dhe revolucionarizonin ekonoiminë në prodhimin e rrotave dhe pllakave.

E për rrjedhojë, inxhinieri Tasi shpërblehet me dy “Patenta” një europiane dhe një amerikane në lidhje me shpikjen më të madhe për kohën, të motorit pa kollodok. Një shpikje e thjeshtë, por shumë novatore për industrinë. Dhe ky shkenctar si familjarët, u shpërblye me vuajtje, dënim me burg dhe internim.
Sot, për fatin tonë të mirë jeton vëllai i tyne, artisti pamor, Lekë Tasi. Ai asht ndër njerëzit e rrallë që përjetoi disa sisteme mes vuajtjeve dhe andrrimeve. Çdo eksperiencë të ithët, Leka e përktheu në motive jete e zotësi me prodhue art. Ai meriton me jetue dhe plot vite si shembull i një idealisti dhe njeriu të rrallë.
Shkrimtari Stefan Çapaliku shkruan: “Lekë Tasi, u lind më 15 prill 1929, në Athinë. Leka, studion muzikë dhe në periudhën 1946-1967 punësohet si violonçelist në Radio, Filarmoni dhe më vonë në Teatrin e Operas. Me ashpërsimin e luftës së klasave, pushohet nga puna, dhe detyrohet me punu punëtor krahu, përkthyes dhe piktor. Në l975, internohet familjarisht në Grabjan të Lushnjës, ku kalon 15 vjet. Frut i kësaj periudhe të vështirë asht libri i tij me titull: “Grabjani rrëzë kodrave”, botue në vitin 2009.
Emërohet inspektor në Sekretariatin e Fesë më 1991, ku shërben deri në 1998. Pas vitit 1998, merret si artist i lirë me pikturë dhe letërsi. Merr pjesë në disa ekspozita pikture dhe shkrun artikuj në shtypin e ditës, duke u përqëndru më shumë në korrigjimin e shtrembërimeve të periudhës komuniste në historiografi. Ka botu gjithashtu një roman të shkurtë “Korridori me vetratë” më 2004 dhe “Dita e Durimit” më 2017. “Dy gjëra po shoh në internim: shpresa më vjen nganjeherë, ashtu pa e kërku, si një valë nga brenda që të qetëson dhe të thotë se nuk do të vazhdojë gjatë kjo punë. E dyta asht për mbramjen. I jam mirënjohës këtij cikli të vogël lodhjeje dhe ripërtëritjeje prej 24 orësh. Ai m’ńihmon me jetu, ma thërmon shkambin që m’asht caktu me mbajtë. Matem përditë me një cifël të tij dhe sa për pjesën që mbetet, ajo rri e fshehun te ditët që vijnë, e përzi gati gjithmonë me një kaltërsi shprese. Më mjafton me mendu për këto që kam përpara dhe këto që kam përpara, mbarojnë sonte.” (Lekë Tasi, “Grabjani, rrëzë kodrave”, Tiranë, 2009).
Ps. Në kujtim tandin dhe të familjes nga më të rrallat që ka Shqipëria, Sandra Aleksandra Tasi.
Informacion i mbledhun nga intervista ime me artistin Lekë Tasi si dhe nga arkiva e Jozef Radit, nga shkrimi i Stefan Çapalikut dhe i Agron Shalës.
Denata Rroji. 8 Janar, 2022