Pse mendoj se Edi Rama nuk do të largohet lehtë nga pushteti – nga Ervina Toptani

Gazeta

Ervina Toptani
Ervina Toptani
Pse mendoj se Edi Rama nuk do të largohet lehtë nga pushteti
nga Ervina Toptani

Në politikë, pushteti nuk humbet domosdoshmërisht kur humbet popullaritetin dhe as rrëzohet prej protestave në rrugë për të kundërshtuar qeverinë. Pushteti fillon të lëkundet realisht kur dobësohen mekanizmat që e mbajnë në këmbë, të cilat janë: shumica parlamentare, besnikëria e strukturave politike, interesat që e rrethojnë dhe aftësia për të kontrolluar axhendën institucionale. Pikërisht për këtë arsye mendoj se Edi Rama nuk do të largohet lehtë nga pushteti, pavarësisht pakënaqësisë qytetare dhe krizës politike që po përjeton qeverisja e tij.
Kjo nuk lidhet me ndonjë paprekshmëri të kryeministrit siç mendojmë rëndom, por me natyrën e pushtetit që ka ndërtuar ai vetë dhe me dobësinë e forcave që synojnë ta sfidojnë. Në Shqipëri, pushteti nuk është thjesht administrim institucionesh. Ai është shndërruar ndër vite në një sistem marrëdhëniesh politike klienteliste sikurse dhe marrëdhënie ekonomike klienteliste, ku interesat, varësitë dhe besnikëritë krijojnë një strukturë që nuk shpërbëhet me të njëjtën shpejtësi me të cilën shpërthen zemërimi publik.
Fitorja e 11 majit 2025, dhe shumica prej 83 mandatesh në Kuvend i kanë dhënë Ramës një avantazh të konsiderueshëm institucional. Kjo shumicë i mundëson të administrojë krizat pa u detyruar të negociojë vazhdimisht mbijetesën e qeverisë. Protestat mund ta trondisin legjitimitetin politik, por nuk e përmbysin vetvetiu një shumicë parlamentare. Për këtë duhet të ndryshojë edhe vetë raporti i forcave brenda strukturës së pushtetit.
Një nga elementet që shpjegon qëndrueshmërinë e Ramës është pikërisht konsolidimi i këtij sistemi. Një parti që ka fituar disa mandate radhazi nuk është vetëm një forcë elektorale, ajo ka ndërtuar struktura territoriale, marrëdhënie politike dhe interesa që e bëjnë më rezistente ndaj presionit të jashtëm. Përballë saj, pakënaqësia qytetare, sado e madhe, duhet të shndërrohet në një forcë të organizuar dhe në një alternativë që mund të fitojë besimin e shoqërisë.
Por këtu shfaqet dukshëm përgjegjësia e opozitës. Për vite me radhë, opozita nuk ka arritur ta shndërrojë pakënaqësinë ndaj qeverisë në një projekt bindës qeverisës. Ekziston një dallim thelbësor mes të qenit kundër një kryeministri dhe të qenit alternativë për të qeverisur një vend, gjë e cila në Shqipëri mungon bindshëm. Një pjesë e qytetarëve nuk i beson më qeverisë, por nuk identifikohet as me opozitën ekzistuese. Të rinjtë që protestojnë nuk dëshirojnë domosdoshmërisht të bëhen pjesë e strukturave politike të konsumuara por kërkojnë ndryshim thelbësor në të dy kampet.
Kështu krijohet paradoksi i politikës shqiptare: shoqëria kërkon ndryshim, por forcat politike nuk arrijnë t’i japin këtij ndryshimi një formë të besueshme.
Pikërisht për këtë arsye protestat e të rinjve kanë një rëndësi që shkon përtej përplasjes së zakonshme mes mazhorancës dhe opozitës. Ato shprehin pakënaqësi ndaj korrupsionit, mungesës së meritokracisë, cilësisë së arsimit dhe mungesës së perspektivës ekonomike. Në thelb, të rinjtë nuk kundërshtojnë vetëm vendimet qeveritare, por një realitet që u krijon ndjesinë se e ardhmja e tyre është vendosur pa pjesëmarrjen e tyre.
Megjithatë, fuqia morale e një proteste nuk përkthehet automatikisht në fuqi politike. Që të prodhojë ndryshim, ajo duhet të ruajë vazhdimësinë, të artikulojë kërkesa të qarta dhe të krijojë një formë përfaqësimi që nuk e tradhton arsyen e lindjes së saj. Përndryshe, energjia qytetare rrezikon të konsumohet në përplasjet e momentit ose të përvetësohet nga aktorë politikë që nuk përfaqësojnë aspiratat e saj.
Një tjetër instrument i rëndësishëm në mbrojtjen politike të qeverisjes është argumenti i integrimit europian. Rama e ka lidhur vazhdimësinë e mandatit të tij me përgjegjësinë për ta çuar Shqipërinë drejt Bashkimit Europian. Por integrimi nuk është pronë e një kryeministri apo e një partie. Ai është interes kombëtar dhe duhet të mbijetojë përtej çdo qeverie. Europa nuk kërkon vetëm stabilitet politik, por edhe sundim të ligjit, luftë kundër korrupsionit, pavarësi të drejtësisë dhe institucione që nuk varen nga vullneti i individëve.
Në këtë kontekst, hetimet dhe zhvillimet që kanë përfshirë figura të rëndësishme të pushtetit, përfshirë ministra e zëvendëskryeministra, kryetarë bashkish e të tjera figura politike e kanë bërë edhe më të mprehtë çështjen e marrëdhënies mes politikës dhe drejtësisë. Natyrisht, hetimi nuk është dënim dhe përgjegjësia penale përcaktohet nga gjykata të cilat prej dekadash tashmë pas hetimesh të stërzgjatura nuk japin dënime të merituara. Por përgjegjësia politike është edhe më e gjerë: ajo lidhet me transparencën, administrimin e fondeve publike dhe mënyrën se si pushteti i përgjigjet kontrollit institucional. Një qeveri nuk mund ta trajtojë çdo kërkesë për llogaridhënie si sulm politik.
Edhe reagimi ndaj protestave është një provë e rëndësishme e kulturës demokratike të pushtetit. Shteti ka detyrimin të ruajë rendin, por nuk mund ta ngatërrojë rendin publik me heshtjen qytetare. Dhuna nuk mund të justifikohet nga asnjë kauzë sepse kur pushteti e percepton kritikën si kërcënim dhe kundërshtimin si armiqësi, mund të ruajë kontrollin për një kohë, por thellon ndjeshëm distancën me shoqërinë.
Atëherë, çfarë mund ta ndryshojë realisht këtë situatë? Një lëvizje qytetare e qëndrueshme, një opozitë që arrin të ofrojë alternativë përtej retorikës së largimit të kryeministrit, zhvillime konkrete të drejtësisë dhe mbi të gjitha ndryshimi i raporteve të interesit brenda vetë shumicës qeverisëse. Pushtetet e konsoliduara nuk lëkunden vetëm nga presioni i kundërshtarëve, por kur ata që i mbajnë në këmbë fillojnë të vënë në dyshim vazhdimësinë e tyre.
Arsyeja pse mendoj se Edi Rama nuk do të largohet lehtë nuk është pse ai është më i fortë se shoqëria, por pse kundërshtimi ndaj tij ende nuk është shndërruar në një forcë të strukturuar që mund ta zëvendësojë.
Shqipëria nuk ka nevojë thjesht për largimin e një kryeministri. Ka nevojë të kapërcejë një model politik ku pushteti personalizohet, institucionet dobësohen nga varësia politike dhe qytetari kujtohet si burim legjitimiteti në zgjedhje, por shpesh harrohet si subjekt i së drejtës gjatë qeverisjes.
Ndryshimi nuk bëhet real vetëm kur një njeri largohet nga zyra e kryeministrit. Ai bëhet real kur ndryshojnë mekanizmat që mundësojnë përqendrimin e pushtetit, kur institucionet fitojnë pavarësi dhe kur askush nuk mund ta konsiderojë shtetin vazhdim të vullnetit të vet politik.
Problemi më i madh i Shqipërisë nuk është kush e mban pushtetin, por çfarë e lejon atë pushtet të qëndrojë, të zgjerohet dhe të mos japë llogari.
Marrë nga Muri i FB, Ervina Toptani, 30 tetor 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit