E dua popullin dhe atdheun tim… – Letra e Bilal Xhaferrit, mbasi kaloi kufirin

Gazeta

Bilal Xhaferri me kunatin Selfo Hoxha dale në Greqi pas arratisjes (1969)
Bilal Xhaferri me kunatin Syrja Hoxha në Greqi pas arratisjes (1969)
E dua popullin dhe atdheun tim…
Letra e Bilal Xhaferrit, mbasi kaloi kufirin

Një jetë e tërë e dënuar në heshtje, një talent i mohuar dhe një atdhe që e detyroi të largohej prej tij.
Letra e Bilal Xhaferrit është një akuzë tronditëse ndaj një regjimi që nuk mjaftohej t’u merrte njerëzve lirinë, por u merrte edhe dinjitetin dhe të drejtën për të jetuar e krijuar. Ai u largua nga atdheu, por atdheun nuk e tradhtoi kurrë. Tragjedia e tij mbetet një plagë në kujtesën tonë kombëtare.
Diana Hysenbegasi

Letra e Bilal Xhaferrit “Prita pothuaj dy vjet që ju ta rishikonit qëndrimin. Ju jam drejtuar dy herë me letër, por qe e kotë. Më në fund, pas këtyre dy vjetëve të rënda durimi dhe pas një jete të tërë që më iku duke pritur, duke shpresuar se do të më përkrahnit dhe do të më trajtonit si duhet, pas humbjes së të gjitha lidhjeve që kam pasur me jetën letrare, me njerëzit, me artin tim, të cilëve u kushtova gjithçka, vendosa të iki nga atdheu dhe të emigroj në vendet e huaja.
Jam në gjendjen e njeriut që i mbetet vetëm një gjë: të hidhet në rrotat e trenit. Dhe tani, duke luftuar me jetën time, po pranoj, që të ekzistoj akoma i gjallë, edhe arratisjen, gjë që më duket njëlloj sikur të hidhem në rrotat e trenit.
Nuk jam i implikuar në asnjë çështje politike, me asnjë fuqi të huaj dhe me asnjë lloj organizate, me asnjë lloj presioni. Por ndiej vetëm fatin tim të hidhur.
Unë jam njëri që kam dhënë prova se e dua këtë vend, e dua këtë popull dhe jam përpjekur tërë jetën në fushën letrare, në kushtet më të vështira. Jo për një gabim timin taktik, po për qëllim të keq, ju më privuat plotësisht, më mohuat, më zhdukët për së gjalli si letrar.
Sidoqoftë, përsëri unë do të mbetem ai që isha: një njeri që e do deri në fund popullin dhe atdheun e vet dhe nuk e tradhton kurrë këtë popull dhe atdheun e vet, edhe po të emigroj larg.
Kuptohet, për veprimin tim përgjigjem vetëm unë. Asnjë tjetër nga njerëzit e mi, nga farefisi im, nga miqtë dhe shokët e mi nuk ka dijeni dhe nuk mund të jetë fajtor për këtë çështjen time.
Për mundësinë praktike të arratisjes u detyrova të bëja me vete vetëm një njeri, Syrja Hoxhën, i cili braktisi familjen vetëm sepse mendon se, po të arratisem unë, patjetër do të arrestohet, pasi organet e Sigurimit të Shtetit do të kuptojnë që jam arratisur me ndihmën e tij.
I vënë përpara dilemës që ose të vijë me mua, ose të më denoncojë mua, ai vendosi të vijë, sepse edhe jeta e tij është bërë e rëndë dhe e vështirë në fshat, ku e shikojnë si njeri armik.”
Bilal Xhaferri, 30 gusht 1969

Letra e Bilal Xhaferrit mbas arratisë...
Letra e Bilal Xhaferrit mbas arratisë…

Bilal Xhaferri, lindi më 2 nëntor 1935, në Ninat të Konispolit. Më 2 nëntor 2026 u shënua 91-vjetori i lindjes së tij.
Kjo letër e datës 30 gusht 1969, u la nga Bilal Xhaferri në postën greke të policisë kufitare, ku u dorëzua pas arratisjes nga Shqipëria. Sot ruhet në dokumentet arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit për shkrimtarin.
Dosja dokumenton rreth 23 vjet përndjekje, nga viti 1963 deri në vdekjen e tij në SHBA, më 1986. Survejimi përfshiu veprimtarinë letrare, korrespondencën dhe rrethin miqësor, përfshirë marrëdhënien me Musine Kokalarin.
Fashikulli 2/A nr. 98, i deklasifikuar nga AIDSSH më 22 nëntor 2018, është i hapur për studiuesit dhe të interesuarit, sipas përcaktimeve të ligjit nr. 45/2015./m.d/
Marrë nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991
3 Nëntor 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit