
Reportazh nga bregu matanë…
nga Emi Krosi
Bregu matanë, ishte një togfjalësh i “ndaluar” . Matanë bregut. Detit. Kufirit. Oqeanit. Matanë, çfarë kishte? Një e panjohur pikëpyetëse. Por, tashmë kufijtë kanë rënë. Globalizmi ka hequr çdo kufi, çdo pengesë, që ndante njerëzit/racat/kombet/ kulturat dhe shtetet. Secili mund të shkojë, atje ku dëshiron. Me pak para, me një çantë kurrizi dhe hapsirat sheshohen, muret bien, idhujt rrëzohen, tabutë thyhen.
* * *
Në udhëtimin përtej detit, në rajonin e Puljas, mbërrita në mëngjes herët. Dielli kishte larë dhenë. Një puhizë e fresktët dhe një kafe, me miqtë mikpritës dhe vazhduam drejt manastirit të San Xhovanit Rotondo-s, qyteti i Padre Pio-s që njihet dhe nga besimtarët e kishës katolike shqiptare.
[Padre Pio nga Pietralcina ose Francesco Forgione (Pietralcina, 25 maj 1887 – San Giovanni Rotondo – 23 shtator 1968)është Shenjtori katolik i mrekullive, i njohur si prift italian i Urdhrit të Kapuçinëve, Taumaturg, shërues apo doktor kishtar. Ndërroi jetë në San Xhovani Rotondo, Itali dhe Kisha Katolike e vlerëson si shenjtor duke kremtuar përvjetorin e largimit të tij në 23 shtator. Pelegrinët udhëtojnë çdo vit drejt manastirit në jug të Italisë, ku jetoi dikur Padre Pio dhe reputacioni i tij arriti majat, ndaj dhe në vitin 2002 u shenjtërua nga Papa Gjon Pali II, i njohur si Papa më popullor në histori].
* * *
Pas asaj mrekullie arkitekturore moderne, një vend plot selvi dhe gjelbërim, të mbush me qetësi dhe paqe, ndodhet në një shpat mali. Më pas, udhëtimi ynë vazhdon më në Jug, drejt Tranit një qytet sa i lashtë aq dhe turistik. Një port i vjetër dhe i vogël varkash private ku drekuam peshk të shijshëm. Historia dhe arkitektura jetonin kaq bukur bashkë. Ndërtesat e vjetra të pastra, të mbushura përplot me turistë. Një trashëgimi e mirëmbajtur që të mahnit.
* * *
Pastaj, rruga vazhdon për në Fasano. Një qytet i vogël në jug të Barit. Rrugë të shtruara me kalldrëm. Ballkone me simetri të njëjtë përballë njëri-tjetrit, por dhe rrugë aq të pastra me një trashëgimi kulturore dhe historike e kuruar dhe “mbrojtur” nga lakmia e globalizmit prej kullash dhe qiellgërvishtësve.
Qytetërimi i hershëm romano-italian, ku arkitektura e vjetër e kombinuar me modernen, rrethuar me gjelbërimin e agrumeve, plantacionet me perime, përreth detit të diellnuar Adriatik, me “shijen” dhe simbolikën e drurit të jetës të ullijve mesdhetarë si simbolika e poezisë dhe artit oral të këtyre popujve të bekuar nga Zoti.
* * *
Nëse Qytetërimi Italian është ndërtuar mbi atë Romak dhe gjuha italiane është vazhdimësi e kulturës latine (latinishtes) të standartizuar nga “Komedia Hyjnore” e Aligerit, ku vetë vazhdimësia e gadishullit italik, i ka themelet në këto qytetërime të vjetra, me shumë mbretëri të copëtuara dhe pas themelimit të shtetit, me gati 100 % të popullsisë së besimit katolik, ku shumë etër të kishës kanë ndërtur institucione kulturore/ artistike/ letrare/ sociale/ shpirtërore/ politike/akademike/ filologjike/ antropologjike etj., do të thotë që vazhdimësia e këtij shteti, përmes elementeve autoktonë etnike të romakëve të vjetër vazhdojnë sidomos në Jug, në ruajtjen e traditave shpirtërore, arkeologjike, rurale dhe agrogastronomike me një fanatizëm pa u “zhbërë” nga dominimi i modernitetit globalist, të pjesës tjetër të Italisë Veriut, ku zhvillimi modern ka dominuar përmes zhvillimit të kapitalizmit. Ndoshta quhet prapambetje. Ndoshta primitivizëm. Por, tregon se kujtesa popullore është arkiva më e mençur e mbijetesës….
* * *
Rruga për në Matera kalonte përmes tokave të thata me gurë, por fushë e pafundme me grurë të korrur. Diku, disa lopë dhe kuaj. Kudo toka të punuara e të sistemuara, me “gardhe” gurësh të stivuar me kujdes, gjatë gjithë rrugës, nga kishin ecur para mijëra vitesh, ushtritë e Çezarëve.

* * *
Teksa shihja frutin magjik ullirin, me trungjet e lashtë dhe degët krahëthyera përplot kokrra jeshile të vesuara që shkëlqenin si petale nën diskun e zjarrtë të diellit (frutin e bekur dhe të zgjedhur të perëndive pagane dhe Zotave të Olimpit) në të gjithë rajonin e Pulias, ku hapsira të pafundme tokash me ullinj sidomos, toka të thata me dy gisht dhè të punuara dhe ujitura me puse nëntokësore, mes rreshtave të sistemuara të mbjella me perime, që furnizojnë gjithë Italinë me çdo gjë bujqësore nga fermerët. Jo vetëm e puna e fermerëve dhe fshatarëve italianë, por kujdesi i shtetit me favore dhe impute bujqësore, por dhe taksë nafte të ulët, bën që prodhimet e tyre të shiten. Kush mbjell perime në tokën e tij, kompensohet nga shteti për shpenzimet. Pra, shteti është rregullatori, por edhe kontrollori apo dhe administratori që njerëzit këtu nuk ikin, por qëndrojnë, duke punuar, shkolluar, martohen dhe krijojnë familje dhe zhvillojnë brezat…
Shënim:(Falenderoj mikpritësit e mi,Familjen Njeçi, NikollëdheEla Njeçisi ftues, udhërrëfyes dhe ciceronë të njohjes me Jugun puliez të Italisë. Mirënjohje pafund për kohën tuaj, dashurinë dhe respektin tuaj të pakufi. Bekimet e mia!
©Copyright Emi Krosi.
