back to top
12.5 C
Tirana
E hënë, 14 Tetor, 2024

Para se të mbrrinte “Rilindja Demokratike” nga Migena Demirxhi

Gazeta

Numri i Pare i Gazetes RD
Numri i Pare i Gazetes RD

Para se të mbrrinte “Rilindja Demokratike”

nga Migena Demirxhi

Më 5 janar 1991, pas rreth pesë dekadash shtypjeje dhe censurë të ashpër komuniste, mungesës së të drejtës për të folur, shkruarndarë idetë dhe opinionet pa u përballur me ndëshkimin, u botua numri i parë i Gazetës Rilindja Demokratike”,  e cila u kthye në një tribunë refleksionesh mbi regjimin komunist e të shkuarës dhe mbi demokracinë e shumëpritur të së ardhmes.
Që në fillimet e instalimit të diktaturës, qeveria e re, u kujdes që të shtrinte kontrollin e saj mbi të gjithë institucionet e kulturës, gazetat dhe transmetimet në radio. Mediat ishin të kontrolluara nga pushteti i kohës. Për përmbajtjen ideologjike të tyre kujdesej Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë për propagandën, shefi i sektorit të shtypit apo Drejtoria e agjitacion-propagandës. Shtypi i shkruar dhe mediat, Televizioni dhe Radio ishin në shërbim të propagandës së shtetit.
Shtëpitë botuese, gazetat dhe revistat që botoheshin para ardhjes së komunistëve në pushtet u mbyllën. Revistat me emër si “Hylli i Dritës” apo “Përpjekja Shqiptare” , jo vetëm u ndaluan, por u hoqën nga qarkullimi të gjitha kopjet ekzistuese. Një komision letrar në Lidhjen e Shkrimtarëve, hartoi listën e veprave të ndaluara prej autorëve shqiptarë të paraluftës. Në listën e të librave që u hoqën nga qarkullimi dhe autorët e ndaluan, u përfshinë dhe emrat më të njohur të kulturës shqiptare, si: Ndoc Nikaj, At Gjergj Fishta, Faik Konica, Ernest Koliqi, At Anton Harapi, Musine Kokalari, Ali Asllani, etjerë.

Me ish-kolegë të RD-së
Me ish-kolegë të RD-së*

Organet e shtypit u vunë në kontroll të Partisë Komuniste, më vonë Partia e Punës. Shtypi qëndror përfshinte organin zyrtar të shtypit të Partisë,  “Zeri i Popullit”, dhe gazeta të tjera  si “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë”, “Puna”, “Mësuesi”, “Drita”, “Luftëtari” apo “Sporti Popullor” . Shtypi lokal perfshinte rreth 27 gazeta… “Zeri i Popullit” si organ qendror, si dhe gazetat lokale në dispozicion të komiteteve të Partisë së rretheve, ishin një element i rëndësishëm në propagandën e regjimin totalitar shqiptar.
Censura u shtri në të gjithë fushat e artit dhe jetës publike, me kontroll të rreptë mbi median, artin, letërsinë, kulturën dhe muzikën. Artistët dhe gazetarët u bënë objekt i përndjekjes dhe persekutimeve, si në rastin e Festivalit të 11-të të Këngës në Radio Televizion, kur udhëheqja e kohës dënoi festivalin dhe trupën artistike si një festival që përhapte kulturë borgjeze, duke dënuar, burgosur dhe dërguar në internim, një pjesë të madhe të trupës artistike.
Nebil Çika – i pushkatuar; Xhemal Farka – vdekur në tortura; Fiqiri Llagami – dy herë i dënuar; vdekur në burg; Musine Kokalari – e burgosur; Kolë Berisha – i pushkatuar; Aleks Mavraqi – i pushkatuar; Gjon Shllaku – i pushkatuar; Zoi Xoxe – i burgosur; Beqir Ajazi – i burgosur; Koço Semini – i burgosur; Petro Marko – i burgosur; Rrok Kolaj – vdekur në burg; Beqir Haçi – i burgosur; Zhan Gorguzi – i burgosur; Andon Frashëri – i burgosur; Kolë Tromara – i pushkatuar; Mitrush Kuteli – i burgosur; Lazër Radi – i burgosur; Akile Tasi – i burgosur; Lazër Shantoja – i pushkatuar; Guljelm Deda – i burgosur; Kristo Floqi – vdekur në burg; Kristo Krika – i burgosur; Gjergj Bubani – i burgosur; Ihsan Libohova – i burgosur; Pashko Gjeçi – i burgosur; Arshi Pipa – i burgosur; Selfixhe Ciu – e internuar; Marian Skanjeti – i burgosur; Et’hem Haxhiademi – i vdekur në burg; Fadil Kokomani – i pushkatuar; Fatos Lubonja – i burgosur; Vangjel Lezho – i pushkatuar; Niko Kotani – i burgosur; Trifon Xhagjika, Havzi Nela poetë, janë disa nga emrat që spikatën në fushën mediatike.
Liria e shprehjes në media e poezi i çoi ata drejt persekutimit, burgimit dhe vdekjes.
Totalitarizmi promovoi izolimin ekstrem dhe paranojën. Dënimi i gazetarëve, gjykimi, e jo në pak raste, ekzekutimi i tyre, ishin ndër mënyrat e mbytjes së fjalës së lirë, mendimit kritik, opinionit të pavarur dhe qasjes intelektuale ndaj realitetit.
Kjo është një ditë e të gjithëve! Gëzuar.

Foto nga arkivi. Me ish-kolegët e mi në RD nga vitit 1995, deri në 2005, Brikena Kamenica dhe Redin Hafizi gjatë ceremonisë së dekorimit të gazetës nga Presidenti Bujar Nishani.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.