back to top
22.5 C
Tirana
E hënë, 13 Maj, 2024

Radi i munguar i Kulturës Shqipe – nga Rei F. Hodo

Gazeta

Rej F. Hodo
Rei F. Hodo
Radi i munguar i Kulturës Shqipe
nga Rei F. Hodo

Tek “Ndjenja tragjike e jetës”, portugezi Unamuno na mëson se “nuk mjafton të kurosh murtajën, duhet të dish edhe ta vajtosh”. Mbështetur tek arsyeja, mbërritur tek realiteti, Ne, shqiptarët e kohës së sotme, nuk mjafton të kurojmë injorancën, duhet ta zhdukim atë, edhe pse ndoshta sëmundja është vetë kushti për progresin.
“Kujtesa është themeli i një personaliteti individual, ashtu si tradita është themeli i personalitetit kolektiv të një populli”, të cilin, vetë ne, me kontributet e vazhdueshme, kemi arritur ta shterpëzojmë në një mënyrë të tillë që zgjidhja për ta rikthyer në gjendjen e mëparshme ose edhe më mirë, duket shumë e largët.
Prej kohësh bluaja skicat të pafundme që të mund të më shërbenin për të mbërritur tek ky material, tek këto mendime, duke i parë njëherazi edhe si domosdoshmëri shprehëse, edhe si domosdoshmëri këshillimi. Njohja fillestare me një individ kaq gjithëpërfshirës është krejt e thjeshtë dhe me një ndjenjë fillestare mospërfilljeje e pse jo, aspak tolerante. Megjithatë, si çdo herë, edhe në këtë moment, ndodhi që të jetë pikërisht ai mendim i nxituar i yti që rikthehet tek ti për të vërtetuar të kundërtën, për të të bërë të ndjehesh fajtor e të pranosh gabimin.
Lazër Radi erdhi tek unë nëpërmjet të tretëve, atyre që mesa duket, aq më tepër në rastin kur nuk ndodhen fizikisht, u bie hisja e njohjes për të tjerë. Thënë thjeshtë, me Lazër Radin do të ishte Migjeni, ai që do të më njihte së pari.

Lazer Radi / Vepra e Plotë Qershor 2019
Lazer Radi / Vepra e Plotë Qershor 2019

“Nji verë me Migjenin” është ndoshta dëshmia më e plotë dhe rruga e besueshme për të njohur njëkohësisht dy personalitete që kanë forcuar një vend të pakonkurueshëm në letërsinë dhe akoma më gjerë, në kulturën shqipe. Sipas kalorësit të madh të veprës së L. Radit, të birit, Jozefit, ”Nji verë me Migjenin” asht vepër e dyfishtë, shkrue midis memuaristikës letrare dhe studimit dhe trajtue me realizëm, korrektesë po edhe adhurim. Nji vepër e shkulun përdhunshëm prej heshtjes e shpërfilljes, të cilën autori andrroi tanë jetën me e pa të botueme.” Një libër si ky të krijon mundësinë për të kuptuar hendekun e madh që është krijuar, nga pikëpamja intelektuale, mes dy kohëve që i kemi si kufij gjatë këtij materiali. Duhet marrë parasysh se Radi punoi dhe krijoi kryesisht përgjat viteve ’20-’30.
Më tej, nisi të zgjohej interesi për këtë figurë, kontributi i së cilës në vetë formësimin e kësaj të fundit, kishte qenë i jashtëzakonshëm. “Në çdo moment të jetës sonë kemi një qëllim dhe ai komplotohet nga sinergjia e veprimeve tona. Dhe në një farë kuptimi, njeriu është më shumë njeri sa më shumë unitet të ketë veprimi i tij” dhe si vijim i këtij mendimi, Njeriu dhe Radi s’mund të mos qëndrojnë krah njeri-tjetrit duke përplotësuar kështu vetvetet e tyre, për sa kohë “të jesh njeri do të thotë të jesh diçka konkrete, unitare dhe thelbësore; do të thotë të jesh diçka”.
Të paktë janë ata që sot, të plotë mund të njohin veprën e shkruar të Lazër Radit, kolanë e cila u mbyll me botimin e vëllimit të katërmbëdhjetë “Letërkëmbimet”, vepër e cila iu prezantua lexuesit në panairin e librit nga “Botimet Jozef”.
Nga një vramendje e pasforcuar, duke i kaluar në një sitë diagonale të gjitha librat, të rezulton se memuaristika, studimi, proza, poezia dhe përkthimi formojnë një nga kolanat më të plota të kulturës së munguar të shoqërisë sonë. Padyshim, edhe autorë të tjerë kanë kolana të pasura të cilat kanë vendin e tyre dhe i vijnë në ndihmë lexuesit dhe studiuesit vendas.
“Trilogjia e jetës” ku përfshihen “Mjegullnaja e nji kohe të largët – Prizreni”, “Gjurma t’nji ditari të djegun – Shkodra” dhe “Vorbulla t’jetës universitare – Roma” si dhe “Shqipnia në vitet ’30 – Kujtime dhe shënime” janë vepra të cilat në themelin e tyre kanë pasqyrën më të plotë të Shqipërisë së fillim-shekullit të shkuar. Figura që e formuan njeriun e ri, mendime të sjella mendjesh me plot idealizëm, realitete të hidhura në sytë e të rinjve që kërkonin shpresën e ndryshimit dhe dëshminë e përparimit janë disa nga fenomenet që mund të ndeshësh në këto katër vepra.

Lazër Radi - Vepra e Plotë
Lazër Radi – Vepra e Plotë

Në kushtimin që i paraprin veprës së pestë, Radi zgjedh të shkruajë “N’emën t’atyne që s’guxuen me i rrëfye të vërtetat e tyne…”. E mandej, në mbylljen e librit, ai përpiqet të realizojë sentencën e asaj ç’ka me mund i është dashur ta përmbledhë në gati pesëqind faqe. “Vitet tridhjetë qenë vërtet vite të begata si në kulturë, në emancipim, në letërsi po edhe në divulgimin e koncepteve filozofike, shoqnore e kulurore. Sot, duke e kundrue kët “epokë t’artë” nga naltësitë e harresës dhe keqinterpretimit gjysëshekullor, duhet kohë që ajo m’u trajtue me vlerat e saj t’papërsëritshme.” Në këtë vepër, përpos studimit dhe thërrmimit që autori i bën çdo fenomeni të kohës, ai lë të kuptojë se nevoja e studimit të kësaj periudhe është domosdoshmëri morale e jona. Sërish sipas Unamunos, “fakti kryesor është se kureshtja lindi nga nevoja për të ditur për të jetuar” por nevojat e atj brezi mbërritën pak më tej, fundin e të cilëve mund ta kuptoni vetëm pasi të keni kaluar nëpër rropullimat e faqeve.
Ç’ka vjen më tej në kolanën e tij, janë fillimisht përpjekjet për lëvrimin e letërsisë së mirfilltë artistike, me vëllimin dedikuar prozës e poezisë, gjini të cilën jam përpjekur ta përqafoj në artikullin “Mos ma trazoni vetminë e Lazër Radit”.
Lazër Radi është dëshmitari i ditur, i pajisur me logjikën e nevojshme për të njohur vlerën e provës dhe të ngjarjes, për të racionalizuar veprimin dhe gjendjen, për të përforcuar bindjen si pasojë të arsyes, të njohjes së vlerës së unit vjetak. Është rrëfimtar publicist, me aftësinë e mospërfshirjes në ngjarje por duke i ndenjur besnik prezantimit të çdo detaji, të çdo momenti dhe duke mos ngurruar edhe të mbajë qëndrimin e tij atëherë kur nevoja është për këtë të fundit është domosdoshmëri.
Para se të prek edhe kontributin e tij në shqipërimin e autorëve të huaj, do doja të përmendja dy veprat e fundit të kolanës, duke dashur të paraqes ç’ka mbërrin tek unë e besoj tek çdokush. Tek “Ditare dhe shënime, 1991-1997” dhe tek “Letërkëmbimet” përpos çdo përshkrimi të saktë, të bie në sy rregullsia e jetës si veprimtari formësuese e si fenomen përditshmërie. Edhe në këtë rast, nuk mbeten pas personazhet me të cilat ndodh të njihesh për herë të parë.
Shqipërimi i Frojdit, Jungut, Jevrem Berkoviçit apo i të tjerëve duket se e ka plotësuar figurën e Radit në kuadrin e një intelektuali që nuk përvetëson dijen por gjen kurajën të shmangë vetveten dhe ta përcjellë atë tek masa.
E ç’ka duhet mëshuar më së shumti është fakti se nevoja për të tillë individë është dëshpërimisht e madhe, është e shpejtë dhe e patjetërsueshme. Veç intelekti formëson mendimin e pjekur e të nevojshëm për shoqërinë. Duket sikur me deviza të tilla rikthehemi andej nga ku nuk duhet të rikthehemi por e vërteta është e patjetërsueshme.
Figura e Lazër Radit por padyshim edhe e të tjerëve të cilët lumnuan Vitet e Tridhjeta shqiptare, duhet të jenë në themelin e interesit studimor jo vetëm të atyre që pretendojnë të njohin kulturën që i përfaqëson por edhe për të vendosur në vend ç’ka nuk është. Qëllimi tek ne ka justifikuar çdo mjet por injorancë është e pamundur për ta justifikuar. Injoranca është kronike, është tjetërsim identiteti dhe kjo i shërben veç paditurisë.
E në fund ngjan se Radi i jeton si duhet vargjet e Aragonit, duke i marrë në buzë ato. “Po ndahem nga ju si ai valltari që ngrihet për herën e mbramë/ Mos i mbani mëri nëse nuk arrin të fshehë shpirtin e lënduar/ Të tjera dhurata nuk kam veç atyre të kësaj drite të mpakur/ Fryjini prushit o njerëz të së nesërmes/ Radha juaj të flisni”.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.