Zë i madhërishëm… – nga Visar Zhiti

Gazeta

Visar Zhiti
Visar Zhiti
Zë i madhërishëm…
nga Visar Zhiti
– në Ditën Përkujtimore të Viktimave të Regjimeve Totalitare –
Poezia e Lazër Radit “Ave Cesar”.

Rëndësi ka dhe ç’zgjedhim të kujtojmë dhe si, ç’përshëndesim dhe… edhe britma ka rëndësi…
Ave Cesar!
Ave Cesar! Nisi si një përshëndetje dhe u kthye në përshëndetje pushtetit…
Akuza nuk është vetëm kundër tiranit dhe tiranisë, por dhe ndaj nënshtrimit, frikës e servilizmit, edhe ndaj kujtesës së copëzuar keqas…
Ave Cesar…! – kujtoj një poezi therëse të shkrimtarit, poetit dhe studiuesit Lazër Radi, që u bëri ballë të gjitha burgjeve dhe internimeve të diktaturës në Shqipëri, që pas Luftës II Botërore e derisa ra perandoria komuniste.
E kam dëgjuar Ave Cesar-in e tij të na e lexonte vetë në një nga ato mbrëmjet, kur kisha shkuar ta takoja atje në internim, në Savër të Lushnjës, në barakën ku jetonte me familjen, aq të përzemërt e mikpritëse.
Kujtoj, u shtrua tryeza me ç’kishin, gjithsesi plot, u ulën djemtë dhe nuset, në krye si patriark Zotni Lazri me Zonjën, aty dhe unë, mysafiri i natës. Dhe kërkova të na lexonte diçka…
Për Lazër Radin më kishte folur dhe në burg bashkëvuajtësi im, dhëndri i tij, Dine Dine, u habit që unë dija për një dorëshkrim të Lazrit mbi Migjenin, me të cilin kishte kaluar një verë në Pukë, vëllai im më i madh e kishte gjetur dorazi monografinë, fshehurazi, e lexova dhe unë gjimnazist.
Lazër Radi ishte i ardhur nga Prizreni, se donte të studionte në Tiranë… vazhdoi Gjimnazin dhe në Shkodër… u laurua në Romë, në “La Sapienza” u doktorua në Jurisprudencë, u kthye në atdhe dhe iu përkushtua gazetarisë, letërsisë dhe përkthimit… dhe…
E kujtoj si tani kur Zotni Lazri po shfletonte fletoren e tij të poezive atë natë dhe nisi të na lexonte “Ave Cesar” me atë zërin me kantilenë si qiellore, të një qielli të plagosur, me retë në ngjyrën e flokëve të tij… madhështor, më saktë i madhërishëm. Jashtë ishte natë dhe diktaturë.
Kishte yje dhe spiunë.
“Ave Cesar” kumbonte zëri i Lazrit që shumë shpejt do të bëhej për mua:
Ave Maria…!

Memoriali i Viktimave të Komunizmit
Memoriali i Viktimave të Komunizmit

Dita e Kujtesës
Po sot, më 23 gusht, është dhe Dita e Kujtesës për miliona njerëz që vuajtën ose humbën jetën nën regjime totalitare, veçanërisht të nazizmit dhe të stalinizmit (kupto: të komunizmit)
U zgjodh kjo datë se më gusht 1939, Gjermania naziste e Adolf Hitlerit dhe Bashkimi Sovjetik i Stalinit nënshkruan Paktin Molotov–Ribbentrop. Publikisht ishte një marrëveshje mossulmimi, por kishte edhe protokolle sekrete me të cilat ata ndanin Evropën në zona ndikimi. Dhe… së bashku e sulmuan Poloninë.
Black Ribbon Day – Dita e Shiritit të Zi, kujtohet në Kanada, por dhe në SHBA, megjithëse këtu ka një ditë tjetër zyrtare, “National Day for the Victims of Communism” – 7 nëntor, kur shpërtheu revolucioni bolshevik në Rusi, 100 milion janë viktimat, më shumë se dy luftërat botërore bashkë…
Për këtë Ditë, zgjodha poezinë e Lazër Radit, e mora nga muri i fb të birit të tij, poet dhe ai, Jozef Radi.
Arena në poezinë e Lazrit është shoqëria dhe njerëzit vrasin njëri-tjetrin duke brohëritur për tiranin. Poezia kthehet në diçka ironike dhe tragjike:

“…I përgjakuni gjakatarin
përshëndet,
në triumfin e vdekjes!
Zëri i Poetit të burgjeve ende buçet mbi ditët si i grisur nga era:
Gjamët e urrejtjes
mbi ju i kam derdhë…
për fatin e keq të skllavit…
për at’ qendrim të ulët,
të nënshtruem e lajkatar…
…Dhe ju prap,
n’grahmat e mbetuna të jetës,
ulërini me sa frymë keni
si të marrë:
…Ave Cesar! Ave Cesar!”Poezia "Ave Cesar" e Lazër Radi (1984)Prap jeni me tiraninë? Edhe duke mos e dashur? Ishit me ata që shtypnin dhe jo me ata që shtypeshin? Dhe ishit vetë shtypësit? Edhe të shtypurit po vetë?!
Mashtrimi i madh…
Shqipëria vazhdon të protestojë, kërkon ndryshimin e vërtetë, të mbrojë natyrën e saj… por dhe natyrën e së vërtetës… të moralit… njeriu duhet të jetë i lirë në vendin e tij dhe të punojë për lumturinë, ku mund…
Gjithsesi nga andej që duket si rrënojat e një arene, diçka si fantazma e Lazër Radit kthen kokën e mjegullt… dhe buzëqesh…
Marrë nga Muri i FB Visar Zhiti, 23 gusht 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit