Mbretëresha ilire, Teuta (231-228 p.K.) – nga Paulin Zefi

Gazeta

“Mbretëresha ilire, Teuta
“Mbretëresha ilire, Teuta
Mbretëresha ilire, Teuta (231-228 p.K.)
nga Paulin Zefi

*Iniciatori: Marin Mema;
*Skulptori: Julian Muçollari;
*Personi që e solli në Lezhë: Paulin Zefi,
*Personi që përzgjodhi vendndodhjen: Pjerin Ndreu;
*Konsulent shkencor: Neritan Ceka;
*Financimi i statujës: Shqiptarët e zakonshëm, të cilët ju përgjigjën nismës së Marinit për mbledhjen e fondit;
*Financimi i piedestalit dhe rehabilitimi i hapësirës: Bashkia Lezhë.

*Përshkrimi teknik:
Lartësia totale e monumentit: 8.70 m: 3.25 m i përkasin piedestalit dhe 5.45 m është statuja prej bronzi.
Pesha: 1.270 kg.
Përbërja e materialit: 85% bakër (Cu), 5% kallaj (Sn), 5% zink (Zn) dhe 5% plumb (Pb). Ky është një aliazh i përzgjedhur për të krijuar një sipërfaqe të qëndrueshme, me karakteristikë të veçantë estetike dhe patinim të kontrolluar.
Ngjyra: Statuja është trajtuar me një ton patine të gjelbër-blu (verdigris), të ngjashëm me ngjyrimin karakteristik të Statujës së Lirisë në New York City, duke synuar një pamje elegante, monumentale dhe të harmonizuar me mjedisin panoramik të “Rânës së Hèdhun”, në Shëngjin.

*Përshkrimi artistik:
Statuja monumentale e Mbretëreshës Teuta ndërthur figurën mbretërore me simbolikën ilire dhe elemente të frymëzuara nga trashëgimia arkeologjike e trevave ku ajo ka patur bërthamën e shtetit të saj. Prosopografia e Mbretëreshës, veçanërisht portreti i fytyrës, paraqet një grua të re, me tipare harmonike dhe bukuri të theksuar. Fytyra është trajtuar me linja të buta e të ekuilibruara, duke ndërthurur delikatesën femërore me një shprehje të qetë, të sigurt, dinjitoze dhe shumë autoritare. Kurora mbi kokë përforcon statusin e saj mbretëror dhe identitetin e figurës si sunduese, duke e vendosur portretin e Teutës në qendër të kompozimit monumental. Ajo nuk shërben vetëm si shenjë e pushtetit, por edhe si element vizual që e dallon figurën e mbretëreshës dhe i jep asaj një prani solemne e autoritare. Parzmorja bashkon funksionin luftarak me atë ceremonial, duke shprehur fuqinë ushtarake dhe autoritetin mbretëror. Ndërsa brezi i gjerë dekorativ, së bashku me motivet rrethore, rozetat, relievet dhe format gjeometrike, është frymëzuar nga repertori ornamental i objekteve metalike prej bronzi dhe argjendi, të zbuluara në Tumat ilire të Shqipërisë Veriperëndimore dhe në pjesën shqiptare të Malit të Zi. Pelerina e gjatë dhe e valëzuar, që zbret në mënyrë të lirshme përgjatë trupit, krijon një kontrast të fuqishëm me karakterin e fortë të armaturës. Lëvizja e saj e trajtuar në mënyrë dinamike i jep statujës ndjesinë e një figure në ecje dhe e lidh siluetën mbretërore me hapësirën përreth. Në të njëjtën kohë, pelerina e zgjeron vizualisht figurën dhe i jep monumentit një karakter solemn, monumental dhe ceremonial. Në dorën e majtë, mburoja ilire simbolizon mbrojtjen dhe fuqinë e Mbretërisë Ilire të Ardianëve, e cila në vitin 230 p.K., nën Teutën, kur arriti kulmin e fuqisë, shtrihej nga lumi Neretva në Veri dhe deri në Gjirin e Korintit në Jug. Dekori i mburojës me rrathë koncentrikë e radialë krijon një kompozim që evokon perëndinë kryesore ilire, diellin, dhe rrezatimin e tij, duke e shndërruar mburojën në një simbol të forcës, dritës dhe qëndrueshmërisë. Në dorën e djathtë, heshta ngrihet vertikalisht si shenjë e autoritetit dhe vendosmërisë, ndërsa gjarpri i mbështjellë rreth saj, që në vlerësimin tim është elementi më madhështor, përfaqëson totemin ilir dhe lidhjen me botën simbolike e mitike të lashtësisë (sot, Ora e shtëpisë). Në tërësinë e saj, statuja e paraqet Mbretëreshën Teuta si një figurë të fuqishme mbretërore, ku armët, veshja, ornamentika dhe atributet simbolike bashkohen në një gjuhë të vetme artistike. Çdo element kontribuon në ndërtimin e një imazhi monumental që synon të evokojë pushtetin, autoritetin, identitetin dhe kujtesën historike të Mbretërisë Ilire të Ardianëve.

*Kjo kryevepër artistike përfaqëson një simbol të jashtëzakonshëm të së kaluarës sonë të lavdishme dhe që do të shërbejë si një pikë shumë e rëndësishme referimi për të ardhmen…
Tani e kanë rradhën: Bardhyli, Grabosi I, Aleksandri i Madh, Kleiti, Glauku, Pirro, Longari, Bato I, Monuni, Mytili, Agroni, Skerdilaidi, Pleurati II dhe Genti…
Marrë nga Muri i FB, Paulin Zefi.
Lezhë: 17.09.2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit