back to top
24.5 C
Tirana
E enjte, 3 Tetor, 2024

Sot Lazër Radi është 105 vjeç… – nga Jozef Radi

Gazeta

Lazër Radi, qershor 1991: Ju paça miqtë e mi!
Lazër Radi, qershor 1991: Ju paça miqtë e mi!

Sot Lazër Radi  është 105 vjeç…

nga Jozef Radi

Sot Lazër Radi do të ishte 105 vjeç…
Nji fundjanar të dimnit të ashpër prizrenas, bash n’zemër të Luftës së Parë Botnore, kur Shqipnisë po shtyheshin me ia hangër edhe ato pjesë të mbetuna nga Kasaphana e Londrës, lindi ma i mbrami pesë fëmijëve të familjes Radi… Lazri!
Fati, që e ndoqi jetën e tij i ka pasë tana llojet e ngjyrave, po unë mendoj se e zeza ka dominue, po natyra e tij pozitive dhe optimiste ma s’shumti ka pranue grinë…
Ai, si njeri i fatit u ngjit e i preku me dorë t’vet si naltësitë e admirueshme edhe humnerat e frikshme të jetës së vet…
Në fund të fundit, të tanë i nënshtrohemi fatit… e ai s’mund të bante përjashtim…
Kush e ka njoftë, sigurisht vazhdon me e ruejtë n’kujtesë pamjen e tij; kush s’e ka njoftë s’ka humbë ndonji gjà të madhe… pse mrekullia e së thjeshtës ishte pjesë thelbsore e filozofisë së tij; ata që e kanë dashtë, e që sigurisht s’janë të paktë, e ndjejnë mungesën e tij, edhe pse asht nji mungesë për të cilën ai na ka lanë çilsin, ndaj kthehet e vjen shpesh ndër ne, na fshik me at magjinë e fjalës së tij dhe… vazhdon mbi gërmuqshëm tue ngà n’at biçikletën rrëshkele, çuditnisht ngjyrë bari, n’nji udhëtim që s’ka të mbaruem; ata që s’e kan dashtë, kanë qenë të shumtë, po s’e kanë dashtë për nji arsye krejt të thjeshtë, sepse kanë qenë e kanë mbetë t’urdhnuem prej shtetit, mos me e dashtë… e këtu besoj se ia vlen me kujtue, bash sot, në të 105 vjet të tij fjalën e nji qerrexhiu të zakontë, kur u ba demaskimi i tij publik, në tetor të vjetit 1982-in, ku ai me nji kurajo të pazakontë, bani apologjinë ma t’lavdishme të jetës së vet. Mbas dy orësh të tejet ashpra me akuza barbare e mbrojtjesh dinjitoze… befas e merr fjalën qerrxhiu Sefedin Balla e me at pafajsinë e tij prej katundari myzeqar tha në mes të sallës: “Ore po qy, qenka burrë i mençëm, shumë i meçëm, s’e paskam ditur… E dini ça e dinjam unë kët babam këtu… E dinjam të tërrnur…! Po qy na qenka aq burrë i mençëm, sa s’paska faj as Partia që e ka sjellur këtu…!” Sekretari i partisë, Petraq Nushi, i cili qe edhe organizatori i kësaj maskarde, e urdhnoi me ton qerrexhiun të ulet në vend dhe i bani thirrje sallës që kush ka ndonji gja konkrete le ta thotë, përndryshe: “ky njeri na jep ujë me bisht të lugës, edhe neven këtu lart…!”
S’e di nëse qerrexhiu i shkretë kishte ndërmend me e sha a me e lëvdue tim atë, po di me thanë se s’ka fjalë ma përcaktuese për At Njeri se sa shprehja: “Po qy qeka kaq burrë i mençëm, sa s’paska faj Partia…”
 .

Lazer Radi gjate punes...
Lazer Radi gjate punes…
Jeta e Lazër Radit, i përket pesë qyteteve: ma s’pari Prizrenit të tij, së dyti Shkodrës, së treti Romës, së katërti Tiranës e së fundi Lushnjes…
Çdonjeni prej këtyne qyteteve ka shkrue e shenjue n’jetën e këtij njeriu, diçka shumë t’randsishme…
Prizreni, asht qyteti lindjes, qyteti i dashnisë së tij të amshueme… Prej moshës 14 vjeçare kur e braktisi, Ai s’mujti me u kthye kurrë ma n’qytetin e vet të zemrës, prej t’cilit e shkulën përdhunshëm… Ai s’mbrriti me dashtë kurrë nji tjetër qytet aq sa e desh Prizrenin e tij, andrrën e tij ma t’madhe, me e pa pjesë të Shqipnisë, ai i kushtoi nji libër dashnie e dhimbjeje qytetit te vet…
Shkodra asht qyteti i rinisë së tij, asht qyteti që i dha hovetet e marra po edhe formatin intelektual, i dha iluzionet po edhe seriozitetin e së nesërmes, i dha nji rreth të gjanë shokësh e miqsh që do të banin histori secili në t’mirë e t’keq, Shkodra i dha kulturën, humorin dhe shpirtin e saj, i dha gjithçka mundet me i dhanë nji qytet, n’udhkryq t’ujnave të mëdha…
Roma u shfaq para tij me magjinë e Perëndimit.
Ishte qyteti në t’cilin u fut si nji djalosh me ide pak utopike, me u largue prej saj si nji intelektual i formuem e i spikatun. Roma ia mbushi përplot dritë e andrra shpirtin e tij. Edhe pse ndodh, që çka të jep nji qytet si Roma, s’asht fort e shijshme për vendin tand…
Prej Rome ai zbriti në Tiranë, me shënimin mbi derën e zyrës së tij avokat Dr. Lazër Radi… të cilin shumë shpejt iu desh me e harrue thuej për 50 vjet ….
Tirana e priti n’nji kohë të vështirë. Ndoshta n’nji prej kohnave ma të vshtira të historisë shqiptare… Aty ku kishte nisë shpresa e tij ma e madhe, do të zente fill kalvari ma i gjatë i jetës së tij…
E megjithatë, Ai u mbeti besnik idealeve të lirisë dhe emancipimit të shoqnisë shqiptare… Mbeti kundërshtar i asaj utopie që do ta pllakoste rruzullin për nji gjysë shekulli, dhe pranoi me u pague taksë si askush ideve t’veta… 46 vite burg dhe internim!!
E megjithatë, Tirana u bà edhe vendi mikpritës, mbas kthimit nga sketërra.
Ditët e sprasme të Lazër Radit do të mbesin dëshmia ma e gjallë e nji njeriu të paepun, i cili edhe pse n’kufijtë e përtejmë, kur shokët e tij parapëlqenin tespihet, ai zgjodhi dëshirën me jetue “alla grande”…
Në Tiranë ai do të shkruente, do t’botonte, do t’polemizonte, në mbrojtje çeshtjesh të randsishme kombtare, do të fliste e do të priste miq e shokë naga e gjithë bota… Tirana u ba për të: Feniks i ngjallun prej hinit…!
Veçse Tirana, ven n’paranteza nji qytet tjetër fort të randsishëm të jetës së Lazër Radit: Lushnjen, e për me qenë ma specifikë, kampin e interrnimit Savër, në të cilin ai kishte me kalue gati tridhjetë vite të jetës së vet… Lushnja si qyteti i ndëshkimit intelektual, asht qyteti i stocizmit e harresës, qyteti i familjes dhe përkushtimit që u banë objekti ma i randsishëm i jetës së tij. Lushnja asht qyteti, në të cilin ai asnjiherë s’mujti m’e shfaqë vedin n’përmasat se kush ishte e sa vlente… N’at qytet, njashtu si Sokrati u thoshte dishepujve të vet, që kërkojeni të bukurën edhe te ma e shëmtuemja pjesë e jetës, te Lushnja e ndëshkimeve të veta, Lazër Radi kërkoi dhe e gjeti të bukurën. Aty nisën mjaft pre shkrimeve e përkthimet e tij që kishte me u botue ma vonë, aty ai krijoi at vepër modeste, aty pati mjaft miq e shokë që edhe sot e kujtojnë me respekt e dhimbje, po edhe mjaft hije të zeza që ia nxinë edhe ma tëpër të zezën e jetës… Lushnja, ka mbetë dëshmia ma sublime e mosepjes së Njerit përballë së Keqes…
Këto pesë qytete, janë Ferri, Parajsa dhe Purgatori i Njeriut Lazër Radi…
.
Lazer Radi me djemte Jozefin dhe Luciano dhe nipat Ferdinad dhe Françesko - Tirane 1991
Lazer Radi me djemte Jozef dhe Luciano
dhe nipat Ferdinand dhe Françesko – Tirane 1991
Në kët rrugtimin 82 vjeçar jete, Lazër Radi do t’i takonte me qenë nxanës i Shtjefën Gjeçovit, i Shtjefën Kurtit, i Lazër Lumezit, i Eqerem Çabejt, i Simon Rrotës, i Ernest Koliqit, i Skënder Luarasit, i Selman Rizës; shok klase i Pashko Gjeçit, i Arshi Pipës, i Qemal Stafës, i Xhemal Brojës, i Kol Ashtës, i Haki Tahës, i Qamil Grezdës, i Spasse Trimçevit, i Elez Brahës, i Androkli Kostallarit, i Gjovalin Lukës; mik i Vangjel Koçës, Kol Bib Mirakës, i Migjenit, i Musine Kokalarit, Qemal Draçinit, Andrea Varfit, i Beqir Valterit, i Tahir Kolgjinit, i Hasan Dostit, Ali Ypit; do të ndante ditët si bashkvuajtës me Mirash Ivanajn, Mit’hat Aranitin, Jakov Milajn, Mihal Zallarin, Nedin Kokonën, Guljelm Dedën, Mikel Koliqin, Hekuran Zhitin, Lek Pervizin, Spiro Gjokën, Tahsin Spahiun, Ibrahim Sokolin, Mark Temalin; mbas 90-s do të takonte e do te lidhte miqësi me Robert Elsienë, Taf Pervizin, Petro Vuçanin, Dilaver Dinen, Nermin Vlorën, Marash Merrnaçaj, Drita Ivanajn, Gjon Sinishtën, po edhe me Pjetër Arbnorin, Visar Zhitin,  Liza Vorfin, Agim Shehun, Vehbi Skënderin, Kozeta Mamaqin, Rudolf Markun,  Gëzim Hajdarin, Leka Ndojën, Agim Mustën, Kozeta Zylon, Hazir Shalën e mjaft e mjaft të tjerë… dëshmi e rrugës nëpër të cilën kishte ecë e vazhdonte me rrjedhë jeta e këtij Njeriu…
Sot Lazër Radi asht 105 vjeç… 105 vjeç asht në çdo ditë të ktij viti…
Gjithkush ka të drejtë me e kujtue njashtu si e mban , gjithkush mundet me e takue në kujtesë të vet, e me e ftue për nji kafe, me e ndigjue me vemendje n’at rrëfimin e tij t’rrjedhshëm e patëkeq, me e falenderue thjesht për kënaqsinë e atij takimi… tashma të kapluem prej kohnave që nguten me hikë…
Lazër Radi na përshëndet të tanve ne që e njoftëm dhe e deshtëm, dhe vazhdon mbi at biçikletën e vjetër rrëshkele që shpesh e linte rrugës…
N’se e sheh ndokush, përshëndeteni, n’se mundeni – ndihmojeni, pse ai vazhdon me e pasë krejt të lehtë me ba miqsi, me e rrëfue bukur jetën e vet, aq sa me u mahitë cilindo prej nesh… Sepse ai dinte me qeshë me gjithçka, edhe me veten e tij, pse ai dinte me e lanë harenë e vet lehtësisht ndër shpirtnat e të tjerve…
Kët gjà, pakkush si Ai mundtte!!
.
Dr. Lazër Radi (1916-1998)
Dr. Lazër Radi (1916-1998)
*Ky shkrim asht botue dhjetë vite të shkueme (2011), tue e lexue për të satën herë, s’mujta mos me ia ndryshue ndonji fjalë, qoftë edhe për faktin se tashma kanë kalue 10 vjet. Kët shkrim e kam aq të dashtun, sa s’mundem mos me e përcjellë pa ia luejtë ndonji fjalë, qoftë edhe përvjetorin… j.r.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.