back to top
23.5 C
Tirana
E hënë, 29 Prill, 2024

Imzot Gjergj Meta – kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë – nga Frank Shkreli

Gazeta

Imzot Gjergj Meta - Ipeshkëv i Rrëshenit, President i Konferencës Ipeshkvnore
Imzot Gjergj Meta – Ipeshkëv i Rrëshenit, President i Konferencës Ipeshkvnore
Imzot Gjergj Meta – kryetar i Konferencës
Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë
nga Frank Shkreli

Kisha Katolike Shqiptare me udhëheqje të re Imzot Gjergj Meta
Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë:
Takime me krerët e feve – Të gjithë për të mirën e përbashkët të Shqipërisë!
Një mësim dhe shembëll i mirë edhe për politikën shqiptare

Me 20 të muajit shkurt, në selinë e Konferencës Ipeshkvnore ka zhvilluar punimet Asambleja e përgjithshme e ipeshkvijve të Kishës Katolike të Shqipërisë, për të shqyrtuar veprimtarinë e zakonshme të Kishës vendore dhe asaj universale dhe për të zgjedhur udhëheqjen e re të Kishës Katolike Shqiptare për tre vitet e ardhëshëm, sipas portaleve kishtare.
Njoftohet se zgjedhjet e reja përfunduan përzgjedhjen e Ipeshkvit të Dioqezës së Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, detyrë të cilën deri me atë datë e kryente Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkëv i Arqipeshkvisë Metropolitane të Shkodër-Pultit. Përveç kryetarit të konferencës Ipeshkvnore, në udhëheqjen e re të Kishës Katolike Shqiptare, Imzot Simon Kulli, ipeshkvi i Dioqezës së Sapës, është zgjedhur Zëvendës-Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe Imzot Giovanni Peragine, Administratori Apostolik i Jugut, është zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, gjithashtu me një mandat prej tre vitesh. Në atë takim, të 20 shkurtit që kaloi, ishte tepër domethënëse pjesëmarrja në atë asamble e ipeshkvijve të Kishës Katolike Shqiptare në Kosovë dhe në Tivar nën Malin e Zi: Imzot Dodë Gjergjit, Ipeshkëv i Prishtinë-Prizrenit dhe Imzot Rrok Gjonlleshajt, Arqipeshkëv i Tivarit. I pranishëm ishte edhe Imzot Luigi Bonazzi, Nunci Apostolik në Shqipëri.

Udhëheqja e re e Kishës Katolike Shqiptare - Në mes Imzot Gjergj Meta - Ipeshkëv i Rrëshenit, President i Konferencës Ipeshkvnore. Imzot Simon Kulli - Ipeshkëv i Sapës, Zv/President i Konferencës Ipeshkvnore dhe Imzot Giovanni Peragine - Administrator Apostolik i Jugut, Sekretar i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore.
Udhëheqja e re e Kishës Katolike Shqiptare – Në mes Imzot Gjergj Meta – Ipeshkëv i Rrëshenit, President i Konferencës Ipeshkvnore. Imzot Simon Kulli – Ipeshkëv i Sapës, Zv/President i Konferencës Ipeshkvnore dhe Imzot Giovanni Peragine – Administrator Apostolik i Jugut, Sekretar i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore.

Në ditët që pasuan zgjedhjen e tij në krye të Kishës Katolike Shqiptare, si President i Konferencës Ipeshkvnore, Imzot Gjergj Meta, hapi i parë që ndërmori në detyrën e re, ishin takimet me udhëheqsit e komuniteteve të tjera fetare në Shqipëri – një gjest ky shembullor i traditës më të mirë të bashkjetesës, tolerancës dhe vëllazërimit fetar ndër shqiptarët. Sipas të dhënave në portalet përkatëse, Imzot Gjergj Meta, zhvilloi takime kortezie me bashkvëllezrit e tij fetarë – me Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, me Kryegjyshin e Kryegjyshatës Botërore, Baba Edmond Brahimaj, Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos dhe me Kryetarin e Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë Pastor Ergest Biti. Në rolin e tij si President i Konferencës Ipeshkvnore të Kishës Katolike Shqiptare, Imzot Gjergj Meta është takuar edhe me Sekretarin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë z. Genti Kruja dhe me Kryetarin e Komitetit të Kulteve z. Klodian Bulku. Njoftohet se në qendër të këtyre takimeve të Imzot Gjergj Metës me udhëheqësit e tjerë të komuniteteve fetare në Shqipëri, ishin “Marrëdhëniet vëllazërore ndërmjet komuniteteve të ndryshme fetare, bashkëpunimi për të mirën e përbashkët të popullit dhe mbarëvajtjen e shoqërisë” ndërsa citohet Imzot Gjergj Meta, të ketë thënë se, Veprimi i përbashkët mes të gjitha komuniteteve është për të kontribuar në të mirë shoqërore të vendit tonë. E mira e një komuniteti të caktuar, është e mira e përbashkët, ka thënë ai, sipas Radio Vatikanit në gjuhën shqipe.
Është kjo frymë bashkëpunimi – për të mirën e përbashkët dhe për të mirën e popullit dhe Kombit shqiptar në përgjithësi – që Imzot Gjergj Meta ka këmbëngulë edhe më përpara gjatë viteve me mesazhin e fortë të vëllazërimit, se: “Nëse është e vërtetë që Evropa nuk na pranon, sepse në Shqipëri ka myslimanë, atëherë unë nuk dua të shkoj në Evropë, sepse preferoj ta kaloj jetën me miqtë e mi të zemrës me të cilët jam rritur, kam ndarë të mirën e të keqen, më janë gjendë e u jam gjendë, por të cilët shpallin një kredo të ndryshme nga e imja, se sa të jetoj me një holandez, a gjerman, a francez me të cilin shpall të njëjtën kredo. Nëse në Evropë nuk më pranojnë bashkë me fqinjin tim, i cili shkon në xhami, refuzoj ofertën e vazhdoj jetën!”

Imzot Gjergj Meta ne takimet me kreret e komuniteteve fetare shqiptare
Imzot Gjergj Meta ne takimet me kreret e komuniteteve fetare shqiptare

Imzot Gjergj Meta – I sapozgjedhur President i ri i Konferencës Ipeshkvnore i Kishës Katolike Shqiptare – Frank Shkreli: O zot, ky është vendi ynë, na ndihmo! | Gazeta Telegraf
Sa për kujtesë të lexuesit, ishte Asambleja e Përgjithshme e Konferencës Ipeshkvnore e Shqipërisë, që me 15 Nëntor të vitit të kaluar, ka miratuar një deklaratë me shkrim, drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe Kryeministrit të vendit që të shqyrtojnë seriozisht dënimin me ligj të dukurive të “krimit të apologjisë” të komunizmit në Shqipëri, siç e quajnë udhëheqësit e Kishës Katolike në Shqipëri fenomenin e shfaqjeve nostalgjike për ish-regjimin komunist dhe liderin e saj Enver Hoxhën, në Shqipëri. Besoj se është përgjegjësi fetare, morale dhe shoqërore që edhe komunitetet e tjera fetare në Shqipëri të shfaqin gjithashtu shqetësimet e tyre më të thella mbi këto dukuri të krimit të apologjisë, si të papranueshme dhe të dënueshme, në nivelet më të larta qeveritare e shtetërore. Kjo do të ishte një provë e bashkëpunimit të vërtetë midis komuniteteve fetare për të mirën e përbashkët të popullit dhe për mbarëvajtjen e shoqërisë me mbështetjen e të gjitha komuniteteve për një thirrje të tillë – për të kontribuar për pajtim, në të mirë shoqërore të vendit dhe të Kombit, duke kërkuar dënimin e krimeve të komunizmit dhe ballafaqimin me të kaluarën komuniste në Shqipëri. Në fund të fundit, ishin komunitetet fetare në Shqipëri ato që e pësuan më keq nga komunizmi. Heshtja ndaj këtij fenomeni nuk u ka hije! Apologjetët e komunizmit nuk duhet të tolerohen më në nivelet më të larta të qeverisë, shtetit dhe në sistemin e drejtësisë në Republikën e Shqipërisë, me bazë ushtarake të NATO-s në territorin e saj. Mjaft është Mjaft! Frank Shkreli: Kërkohet dënimi i “Krimit të Apologjisë” të Komunizmit në Shqipëri | Gazeta Telegraf
“Në një klimë mjaft miqësore, Ipeshkvi Gjergj Meta u prit në ambientet e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë nga Haxhi Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Gjatë takimit dypalësh, Imzot Meta theksoi rëndësinë e veprimit të përbashkët mes të gjitha komuniteteve për të kontribuar në të mirë shoqërore të vendit tonë. E mira e një komuniteti të caktuar është e mira e përbashkët dhe aplikimi në shoqëri i vlerave fetare duke ruajtur laicitetin, është rruga e duhur për një vend më të mirë,” nënvizoi Imzot Meta.
“Takimi me kreun e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Baba Edmond Brahimaj u zhvillua në një klimë mjaft të këndshme dhe miqësore. Në bisedat e rastit, udhëheqësit përkatës, kujtuan kontributin e shquar që këto dy komunitete kanë dhënë në etapat e ndryshme historike të shtetformimit për vendin tonë. Baba Edmond Brahimaj duke uruar përzemërsisht Imzot Meten për detyrën e re, kujtoi bashkëpunimin e çmueshëm që ka karakterizuar në vite këto dy besime”.
“Imzot Gjergj Meta dhe Fortlumturia e Tij Anastas Janullatos shprehën vullnetin dhe dëshirën e përbashkët për të çuar më tej dialogun dhe mirëkuptimin midis komuniteteve fetare”.
“Një vizitë kortezie zhvilloi edhe me Kryetarin e Komitetit të Kulteve Z. Klodian Bulku. Gjatë bisedës me të, Imzot Meta rinovoi gatishmërinë e bashkëpunimit mes Kishës dhe shtetit. Ai gjithashtu duke shprehur vlerësimin maksimal për rolin e shtetit, shprehu domosdoshmërinë e koordinimit të sfidave dhe problematikave mes palëve, të cilat qëndrojnë nën mbikëqyrjen e këtij institucioni”.

*Burimet dhe fotot për këtë reportazh nga portalet: Konferenca Ipeshkvnore e Kishës Katolike Shqiptare, Radio Vatikani dhe Ipeshkvia Rreshën
Frank Shkreli

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.