back to top
13.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Prill, 2024

“Tradita nuk âsht kulti i hínit, por respekt për zjarrin” – Gëzuar Ditën e Verës – nga Bukurosh Dylgjeri

Gazeta

Dita e Verës - 14 Marsi
Dita e Verës – 14 Marsi
“Tradita nuk âsht kulti i hínit, por respekt për zjarrin” –
Gëzuar Ditën e Verës – nga Bukurosh Dylgjeri

Të gjithë shokët bâjn Dit’ Vere
dimni për mu s’ka t’maru’
ç’janë kto lajme, kto habere
i mjeri unë si kam msu’… Isuf Myzyri

Interpretime të ndryshme mbi zanafillën e adhurimeve të Hyjneshës Zana dhe Ditës së Verës (ripostim i përmirësuar)

Bukurosh Dylgjeri
Bukurosh Dylgjeri

Nëpërmjet shkrimeve të herëpashershme, disa autorë – që dreqi e di nga se janë ndikuar – bëjnë përpjekje të pareshtura për t’ia asgjësuar vlerat Elbasanit, si: festat, këngët, personalitetet… dhe t’i konsiderojnë ato si sajesa gjithëshqiptare, pra: të askujt. Kështu, këngët tona qytetare përmenden si këngë të “Shqipërisë së Mesme” dhe jo të Elbasanit, (njëjtë sikur këngët shkodrane t’i quanim “Këngë të Shqipërisë së Veriut”, apo këngët korçare t’i quanim “Këngë të Shqipërisë jugore” etj).
Kështu po veprohet prej tyre edhe me festimet e Ditës së Verës, duke i dhënë asaj ngjyrime të përgjithshme dhe, kur vjen puna te ruajtja e saj vetëm në Elbasan, ata përmendin detaje të dorës së dytë të festës, siç janë ëmbëlsirat, lulet, paqartësia e caktimit të datës 14 mars, vegjoret e duarve etj. që fundja janë më pak të rëndësishmet.
(Nuk ka qenë traditë jona; Nata e Verës, karnevalet, parakalimet e nxënësve të shkollave të ndryshme, vendosja në duar e veroreve apo vegjoreve. Mbase këto janë shtuar për efekte komercializmi).
Unë mendoj se kultura shpirtërore e Elbasanit me rrethina, bashkë me kulturën shpirtërore të krahinave të tjera, formojnë kompleksitetin e larmishëm të kulturës së përgjithshme shqiptare, e cila është e mahnitshme.
Megjithatë, përkujtimi i hyjneshës antike Zana, festimi i saj kahâne dhe transmetimi i vijueshëm te brezat, janë argumentet më domethënëse që vërtetojnë se jemi zotër në këto troje, edhe pse pushtimet e huaja bashkë me religjionet monoteiste apo laicitetin e imponuar, as që e gërvishën madhështinë e kremtimit tonë të lashtë për hyjneshën Zana. Dhe ky nuk është lokalizëm i sëmurë provincial, por respekt për prejardhjen dhe vazhdimësinë tonë mbi këtë hise të Tokës, ku kemi lindur brez pas brezi.

Ballakumet e Elbasanit
Ballakumet e Elbasanit

“Beteja” për ta tjetërsuar mitin e Zanës prej kohësh ka marrë zjarr dhe autorë të ndryshëm me shkrime të gjata rreth kësaj teme, po përpiqen të na mbushin mendjen se ky mit, pra, i Zanës dhe festimeve të Ditës së Verës, i takon krahinës së Çermenikës (Crna Nika) në Librazhd, e trajtuar prej tyre si Zana e Çermenikës(!) ose Zana e Kandavisë, apo edhe më tej.
Ja vlen vërtet të lëvdohet çdo përpjekje që bëhet për verifikimin e festave tona të lashta, si argumente të fuqishme të autoktonisë sonë në këto troje.
Por, pse festohet në Elbasan e jo më në Çermenikë, ata nuk i japin përgjigje ose thonë se këtë festim e sollën malësorët e Çermenikës që populluan fushat rreth Kalasë së Elbasanit 100 – 200 vjet më parë!?
Duhet të sqarojmë se hinterlandi rreth e përqark Kalasë së Elbasanit ka qenë i populluar me banorë vendas që para pushtimit osman. Sipas regjistrave osmanë për popullsinë të vitit 1491, sanxhaku i Elbasanit ishte më i populluari nga gjithë sanxhaqet e territoreve europiane të pushtuara (Rumelia), (“Shqiptarët dhe trojet e tyre”, M. Tërnava, fq. 481, referuar B. Hrabak, “Poljoprivredna proizvodnja…” 36), çka na bën të besojmë se popullsia e Elbasanit ka qenë aty, e shpërndarë e nuk erdhi nga askundi.
Pas rindërtimit të kalasë në vitin 1466 nga osmanët, kjo popullsi u shtua me ardhës nga krahinat përqark, për shkak të zhvillimit të jetës urbane aty (zejtaria, tregtia etj).
Gjithashtu, nuk shpjegohet pse çermenikasit na e paskën sjellë në Elbasan këtë traditë dhe vetë më nuk e festojnë!?
Në funksion të shkrimeve të tyre këta autorë sjellin shpjegime për vende dhe toponime mbi mitin e Zanës në fshatrat e Librazhdit të sotëm, si: Kuturman, Tokëz, Dorëz, Gizavesh dhe zona ku bashkohet përroi i Rrapunit me lumin Shkumbin në Librazhd, por që këta fshatra nuk bëjnë pjesë në krahinën e Çermenikës. Edhe vetë krahina e Çermenikës me fshatrat Funars, Zdrajsh, Filoq, Gurakuq, Orenjë etj. nuk bën pjesë në Kandavi.
Makrotoponimi antik Kandavia (Kunavia apo Candavie), përfaqëson një unitet territorial, që zë fill në zonat malore nga Liqeni i Ohrit për të vijuar në malësinë midis lumenjve Shkumbin dhe Devoll (Qafë-Thanë, Mokërr, Qukës, Bërzeshtë, Polis, Shpati etj).
Pra, mendoj që është e pakuptimtë të thuhet në të njëjtën kohë, Zana e Çermenikës dhe Diana (Zana) e Kandavisë.
Duhet theksuar se miti i Zanës te shqiptarët, ishte i pranishëm edhe te romakët me Dianën, te helenët me Artemisën, te persët me Ishtar etj. Por, për ne shqiptarët, ky mit dhe festimi me adhurime në formën më të larmishme është i prekshëm e ruhet ende i gjallë vetëm në Elbasan, ndërsa tek të tjerët ka mbetur si rudiment i gojëdhanave.
Fakti që pothuajse në të gjithë shkrimet për hyjneshën Zana dhe Ditën e Verës nga autorë të ndryshëm, nuk përmendet madhështia që elbasanasit e ruajtën fort si një gjë të çmuar këtë festë, na çudit dhe na xhelozon me xhelozinë e tyre. Kam lexuar mjaft prej këtyre shkrimeve mbi Ditën e Verës, por ndjej keqardhje ta them se shumica e tyre janë futja kot, rendje pas imagjinatave dhe fantazive boshe, një lloj yshtje e tyre e çuditshme plot hedonizëm egoist, pasi rrallë dhe shkurt përmendet adhurimi ynë pagan për Zanën, hyjneshën tonë të begatisë etj.
Dita e Verës është ndoshta i vetmi festim pagan që ka mbijetuar për bukuri vetëm në këtë zonë. (Prushi ruhet i pashuar nën hí vetëm në vatrën ku ka qenë i ndezur zjarri).
Koha do ta tregojë se ç’fsheh nëntoka e kësaj zone dhe të bekuar do të jenë ata që do të deshifrojnë mitet, legjendat, festat tona pagane, toponimet, gojëdhanat…
Në shkrimet e autorëve të ndryshëm mbi mitin e Zanës apo Ditën e Verës, thirren në ndihmë historianë, krijues e gjuhëtarë të nderuar, të cilët mbështeten në hamendësime dhe interpretime gjuhësore e historike, por që nuk e përmendin asnjë herë të vetme, të vetmin dokument autentik, siç është Tabela Peutingeriana (hartë romake), që përcakton bindshëm vendndodhjen e tempullit të Zanës. Kësaj i referohet Eqrem Çabej, i cili që në vitin 1942, cilëson në revistën kulturore “Hylli i Dritës” se: “…m’u n’afërsi të Partinëvet, Kandavët kishin një tempull aq të rëndësishëm të Dianës (lexo: Zanës), që ndodhet mbi rrugën Egnatia, përbri shtegut në Lindje të Scamp-as (Elbasanit).”
Kjo është fare e kuptueshme për cilindo, që tempulli i kësaj hyjneshe apo perëndeshës Zana (së cilës romakët i dhanë formën e tyre Diana), ka qenë i pranishëm fare afër Elbasanit, pikërisht në vendin e quajtur sot Rrapi i Mansit apo Ledhja e Madhe e dikurshme. Ky vend ndodhet në lindje të Elbasanit dhe mbi rrugën e sotme automobilistike, e cila është mbishtresëzim i udhës antike Egnatia, vend të cilin elbasanasit e adhurojnë ende sot.
Gjithashtu, duhet të kemi parasysh që fiset antike ilire të Partinëve e Kandavëve takoheshin mu në luginën e rrjedhës së mesme të lumit Shkumbin, pra në Elbasanin e sotëm, ashtu siç shkruhet në Tabelën romake. Ndërsa udha antike Egnatia nuk ka kaluar asnjëherë nëpër Çermenikë.
Megjithatë, unë besoj se miti i Zanës është festuar edhe në Çermenikë, Polis dhe Shpat apo edhe në vende të tjera të Ilirisë antike (Dukagjin: T’shitoftë Zana!!! Himarë, Opojë të Prizrenit etj), por, gjithashtu besoj se jo rastësisht kreu i këtij zinxhiri festimesh, adhurimesh dhe nderimesh të hyjneshës Zana apo Ditës së Verës, u ruajtën me kaq fanatizëm vetëm në Elbasan.
(postuar fillimisht në mars 2016)
b. d. Elbasan, 13 mars 2024

*Lejohet shpërndarja (share), por ndalohet kopjimi, riprodhimi i plotë ose i pjesshëm për publikim në print ose online.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.