
Ose largohesh, ose qetësohesh!
nga Robert Aliaj Dragot
Kjo është dikotomia e autoritarizmit që prodhon me efikasitet të lartë, sidomos tani, që është në hall. Ky më duket edhe çasti kur pushtetit i bien maskat nga mbipesha e kohës. Edhe deklarata e kryeministrit se “… as 500.000 veta nuk keni ç’më bëni, sepse kam 800.000 të tjerë me vete”, s’e shoh fare si gabim retorik. “Unë kam 800.000 njerëz me vete”, – është pronësi mbi këta njerëz. Ose këta njerëz janë gomerë, ose kryeministrit i duket vetja autentik. Sepse qytetari shqiptar po kthehet në variabël të llogaritjeve të sovranit. Është lojë numrash, është luftë, është nxitje kundra njëri-tjetrit, të mos them, luftë civile.
Është e vështirë ta mendosh që një sovranitet kaq brutal në formulim publik është e vështirë të mos kuptosh kërcënimin elektoral që thuhet me zë të lartë para kamerave pa asnjë mbrojtje, kjo ndodh zakonisht kur pushteti arrin fazën e tij terminale. Zvërneci vetëm e bëri të dukshëm këtë kontradiktë strukturore që Shqipëria postkomuniste nuk e ka zgjidhur kurrë. Kujt i përkasin asetet publike, sepse një shtet që shet, i jep me qera, zhvillon tokat, pyllin, bregdetin ose i fal pa konsultim publik, pa transparencë, me një dekret koncesioni ai nuk qeveris, thjesht administron pasuritë private, por me fasadë institucionale. Mirëpo kjo gjenerata e re po i kupton këto gjëra që sistemi i dypartiak shqiptar është thjesht bashkëpronësi PS-PD – oligopol politik ku vetë qytetarët i kthen vetëm në votues të marrë peng me 20.000 ose 50.000 lekë nuk e di se si, o ndoshta nga budallallëku. Çfarë është kjo ekonomi turizmi në fund të fundit, si industri kryesore, që na prezantohet si shpëtim, është një formë tjetër varësie? Do shpëtojë ekonomia shqiptare me disa vende pune si kamarierë, recepsionistë, roje plazhi me kontrata sezonale, kategori e tretë, pa perspektiva akumulimi, nuk dua fare t’i nënvlerësoj si punë, por thjesht s’mund ta mendojmë se do shpëtojmë nga kjo gjë. Vende tjera me burime turistike jo të ngjashme, po 100 herë më potenciale ekonomike, e trajtojnë turizmin si ndihmës. S’po përmend këtu Greqinë me 6.000 ishuj, kur ne një ishull copë-copë që e kishim, e falëm. Apo Kroacia nga vendet fqinj, që ka shumë ishuj dhe turizëm shumë të zhvilluar. Unë nuk kam asgjë personale, thjesht kjo betejë duhet të rikthejë kuptimin e fjalës “publike”: “tokë publike”, “interes publik”, “vendimmarrje publike”, pak si rikthim te çdo protestë mbetet episodike dhe kjo duhet të jetë shumë e qartë për secilin.
“…Se ç’e shembën mercenarët
prokurorët dhe gjyqtarët / se ç’e shtypi korrupsioni
qeveri që s’bjen nga froni/ se ç’e prenë se ç’e vranë
ç’e shkretuan anembanë/ merren fermat me hashash
me drejtësi deledash/ nën thundrën e mjerimit
mes Belgjikës Perëndimit/ çirrem digjem i vrerosur
i penduar, çarmatosur / as i gjallë, as i varrosur
pres një shenjë e pres një dritë / që të kthehem pas një ditë
në të ëmblën Shqipëri / ku kupton që je njeri / e ku më hodhi Zoti…”