Kur Savra bëhet fjalë – nga Gëzim Llojdia

Gazeta

Baraka sot... ku dikur përkthehej "Orlando i çmendun"
Barakat e Savres sot
Kur Savra bëhet fjalë –
nga Gëzim Llojdia

1.
Çfarë është Savra në Lushnjës?
Ka disa përgjigje për këtë pyetje. Dhe secila prej tyre të shpie në një kohë tjetër të historisë. Sot, Savra është një fshat dhe njësi administrative në bashkinë e Lushnjës. Por e shtrirë në fushën pjellore të Myzeqesë. Mirëpo, emri i saj nuk lidhet thjesht me një vendbanim të zakonshëm. Ky fshat ka dy medalje në kohë të ndryshme.
…Savra është e pranishme në historinë e Shqipërisë që prej shekujve të mesjetës. Më 18 shtator 1385, këtu u zhvillua Beteja e Savrës, një përplasje e rëndësishme mes forcave osmane dhe princit shqiptar Balsha II. Humbja e Balshës II shënoi një pikë kthese në zgjerimin e ndikimit osman në trevat shqiptare.
…Megjithatë, Savra mbart edhe një histori tjetër. Dhe një histori shumë më të afërt në kohë. Dhe më e dhimbshme e ende të gjallë në kujtesën e atyre që e përjetuan.
Savra njihet si një nga qendrat më të njohura të internimit politik gjatë regjimit komunist. Për shumë familje shqiptare, fjala “Savër” nuk evokon as fushën e Myzeqesë, dhe as betejën e vitit 1385. Ajo evokon internimin, vuajtjen, ndarjen nga vendlindja. Dhe një jetë të tërë të detyruar nën kontroll për shkak të biografisë.
Periudha e internimeve në Savër shtrihet nga viti 1954 deri në vitin 1991. Gjithsejt 37 vjet.
Pas mbylljes së kampit me tela me gjemba të Tepelenës në vitin 1953, regjimi aplikoi forma të tjera dëbimi dhe izolimi për familjet e konsideruara me “biografi të keqe”. Fusha e Myzeqesë u kthye në një nga hapësirat ku u vendosën këto familje, të detyruara të jetonin larg qyteteve, por dhe larg shtëpive të tyre. Dhe shpesh larg çdo mundësie për të ndryshuar fatin.
Kjo është ndoshta një nga anët më të dhimbshme të historisë së Savrës. Atje, ndonëse “hapësira gjeografike” ishte e hapur. Por liria ishte e kufizuar. Familje të tëra u vendosën në atë fshat myzeqar ku jeta u përcaktua nga rregullat, kontrollet dhe kufizimet e përditshme. Për to, Savra nuk ishte zgjedhje. Por vendi ku i kishte përplasur dënimi politik i regjimit. Në këtë mënyrë, Savra u bë një pikë në “hartën e heshtur të internimeve politike në Shqipëri!.
Por, sa njihet sot kjo histori?
Në kujtesën publike shqiptare flitet shpesh për diktaturën, flitet shpesh për burgjet, kampet e internimit dhe të dënuarit politikë. Mirëpo disa prej vendeve ku kjo histori u jetua ditë për ditë mbeten ende pak të pranishme në ndërgjegjen e sotme kolektive.
Savra është një prej tyre. Ajo nuk duhet parë vetëm si një pikë në hartën gjeografike të Lushnjës. Por duhet “lexuar” si një vend i mirëfilltë kujtese. Sepse pas çdo shifre ka njerëz. Dhe pas çdo dokumenti ka një familje. Si dhe pas çdo urdhri internimi qëndron një jetë e shkëputur me dhunë nga rrënjët e saj.
Viti 1991, shënoi fundin e internimeve. Me rënien e regjimit, familjet e dënuara fituan lirinë e lëvizjes. Por liria nuk e fshiu të shkuarën. Ajo mbeti e gjallë në rrëfimet e tyre. Dhe në fotografitë e zverdhura. Në dokumentet e vjetra arkivore. Por dhe në varret e atyre që nuk arritën ta shihnin ndryshimin, si dhe në kujtesën e fëmijëve që u rritën mes kufizimeve të internimit.
Më shumë se gjashtë shekuj ndajnë dy historitë e mëdha të Savrës. Njëra lidhet me betejën e vitit 1385. Tjetra me dhimbjen e internimeve komuniste. Të dyja dëshmojnë se një vend mund të jetë njëkohësisht një hapësirë thjesht gjeografike. Por edhe një arkiv i gjallë i historisë kombëtare. Savra sot duket e qetë, por kujtesa e saj nuk duhet të heshtë
Numri i të Persekutuarve
Numri i të internuarve në Savër.
Përgjatë dekadave llogaritet se kanë kaluar nga 2.000 deri në 3.000 persona (disa qindra familje në mënyrë të vazhdueshme).
Numri në shkallë kombëtare.
Në të gjithë rrethin e Lushnjës (përfshirë Savrën, Gradishtën, Gjazën, Dushkun etj.) kanë qenë të vendosur mbi 20.000 të internuar.
Profilizimi i familjeve.
Ishin kryesisht familjarë të figurave politike të para vitit 1944, intelektualë, tregtarë, klerikë, apo ushtarakë të arratisur jashtë shtetit. Ndryshe nga burgjet e zakonta, në internim merreshin familje të tëra (gra, fëmijë e pleq).
Rregullat e jetesës.
Të internuarit duhet të paraqiteshin 3 herë në ditë për apel te oficeri i Sigurimit të Shtetit (mëngjes, drekë, mbrëmje). Nuk lejohej largimi nga rrezja e fshatit pa leje të posaçme.

Lazer dhe Jozef Radi 17 Janar 1996
Lazer dhe Jozef Radi 17 Janar 1996

2.
Ferdinand Laholli Poezi shqip-gjermanisht

Kur Savra të bëhet fjalë
Poetëve të internuar Lazër Radi dhe Jozef Radi

Vargjet Tuaja
Fryma prek telat e padukshëm të frikës,
mendimi përgjon zërat e palindur.
Heshtja shkruan me bojën e durimit,
mbi faqet e padukshme të shpresës.
Vargjet tuaja pas portave të harrimit,
si zogj që kërkojnë një dritare qielli.

Armiqtë e Popullit
Dikush tund dosjen e tmerrit,
me akuza të reja
për emrat e internuar.
Askush nuk mban
ndonjë dosje
për vuajtjen tuaj.
Vetëm kujtesa,
arkivon gjithçka,
në mushkëritë e vargjeve të pashkruara.

Muret
Baraka ngrihet si një metaforë e zymtë,
ku dita troket me druajtje,
qielli hyn vetëm me gjysmë fytyre.
Brenda saj rritet një pyll i padukshëm,
ku vargjet fshihen mes gjetheve të kujtesës,
në këtë stinë ku gjallimi matet me durim.
Muret deshifrojnë heshtjen tuaj,
por nuk kallëzojnë askënd,
në mbrojtje të fatit të fjalës së pathënë.

Poetët e padukshëm
Ju ecni mes njerëzve,
si një libër pa kopertinë,
që askush nuk lejohet ta hapë.
Në sytë tuaj kalojnë stinë mendimesh,
si re që kërkojnë një qiell të lirë,
por ndeshin tela heshtjeje.
Në horizontin e shikimit tim vargu juaj
si një zog që mban brenda vetes,
hartën e fluturimit.

Kur Savra të bëhet fjalë
Një ditë Savra
do të jetë vetëm një fjalë
që do ta shqiptojmë lirshëm
dalë prej bunkerëve të shpirtit.
Dhoma do të bëhet kujtim,
jo kufi,
tre me tre metrat e saj:
masë force.
Dhe krahët e poezive tona,
të internuara gjatë në heshtje,
do të hapen me mall para çdo njeriu,
si fëmijë Atdheu.

3.
Këto poezi të Ferdinand Lahollit janë një vepër e kujtesës, e burgimit shpirtëror dhe e rikthimit të dinjitetit njerëzor përmes fjalës. Ajo i kushtohet Lazër Radit dhe Jozef Radit. Mirëpo, përtej këtyre dy emrave individualë, ajo përfaqëson fatin e trazuar të një brezi të tërë krijuesish, që u internuan, u censuruan dhe detyruan të heshtin.

4.
Në qendër të poezisë qëndron poeti përballë frikës, internimit dhe censures. Por edhe fuqia e patjetërsueshme e vargut për t’i mbijetuar shtypjes. Në këtë kuptim, Savra nuk është thjesht një hapësirë gjeografike. Ajo shndërrohet shkallë-shkallë në një simbol të internimit, të izolimit dhe të një epoke të tërë historike. Kjo metamorfozë kulmon në vargjet: “Një ditë/ Savra, do të jetë vetëm një fjalë,/ që do ta shqiptojmë lirshëm”.
Këtu ndodh një përmbysje ideore mjaft e bukur. Ajo që dikur përbënte një realitet të dhimbshëm dhe mbytës, një ditë do të mbetet vetëm si një emër në kujtesën historike.

5.
Poezia është e ndërtuar në pesë pjesë. “Vargjet”, “Armiqtë e popullit”, “Muret”, “Poetët e padukshëm” dhe “Kur Savra të bëhet fjalë”. Kjo strukturë krijon një lloj “udhëtimi poetik e shpirtëror”. Nis nga frika, kalon te akuza, muret e izolimit dhe padukshmëria e krijuesve, për të mbërritur më tej te çlirimi. Pjesa e fundit funksionon si kulm artistik dhe si një lloj profecie poetike. Poezia nuk mbyllet me disfatën apo me vuajtjen, por me fitoren, çlirimin e fjalës së lirë.

6.
Pjesa e parë shquhet si një nga më të arrirat e ciklit, veçanërisht përmes vargut: “Heshtja shkruan me bojën e durimit”.
Kjo është një metaforë tejet e fuqishme. Heshtja, e cila natyrshëm përfaqëson mungesën e zërit dhe të shkrimit, këtu merr rolin e vetë shkrimtarit. Por ajo nuk përdor bojë të zakonshme, por “durimin”.
Ajo plotësohet më tej nga figura e vargut pasues: “Vargjet tuaja pas portave të harrimit, si zogj që kërkojnë një dritare qielli.” Kjo gjetje mbarte një simbolikë të qartë. Vargu mund të jetë i burgosur fizikisht. Por natyra e tij vetjake kërkon me ngulm fluturimin. Zogu dhe qielli do të rikthehen si motive përgjat gjithë poezisë, duke ndërtuar kështu një fushë të pasur simbolike të lirisë.

7.
“Armiqtë e popullit”. Përplasja me gjuhën e diktaturës. 
Në këtë pjesë, poeti përballetdrejtpërdrejt me leksikun tipik të regjimit totalitar. Ai përdor një togfjalësh të ngarkuar me terrorin e kohës.
“Dikush tund dosjen e tmerrit, me akuza të reja, për emrat e internuar. ”Këtu “dosja” bëhet simboli kryesor i një sistemi burokratik e shtypës, i cili e zhvesh njeriun nga identiteti dhe e kthen atë thjesht në një emër, numër, akuzë apo dokument. Mirëpo, menjëherë pas kësaj vjen kundërvënia e fuqishme njerëzore: “Askush nuk mban ndonjë dosje, për vuajtjen tuaj.” Kjo nxjerr në pah njërën nga ideat më qendrore të veprës. Administrata totalitare mund të arkivojë akuzat dhe shpifjet, por është e paaftë të arkivojë dhimbjen e mirëfilltë njerëzore. Prandaj, vargu pasues:“Vetëm kujtesa , arkivon gjithçka” shërben si një nga shtyllat kryesore të së gjithë poezisë. Kujtesa ngrihet në nivelin e një arkivi alternativ të historisë kombëtare, një arkiv që nuk digjet e nuk tjetërsohet nga pushteti.

8.
“Muret”. Nga pengesë fizike në metaforë.
Te kjo pjesë, “muret” pushojnë së qeni vetëm mure fizike barake. Ato shtresohen në metafora të izolimit, frikës, censurës, ndarjes nga bota dhe pamundësisë për të artikuluar të vërtetën. Mjaft goditës është imazhi poetik: “Qielli hyn vetëm
me gjysmë fytyre.” Është një figurë figurative mjaft e fuqishme. Edhe vetë qielli simboli universal i lirisë dhe i pafundësisë nuk arrin të hyjë i plotë në hapësirën e mbyllur të internimit. Ndërkaq, vargjet: “Muret deshifrojnë heshtjen tuaj, por nuk kallëzojnë askënd” sjellin një paradoks mjaft interesant artistik. Muret shndërrohen në dëshmitarë të heshtur. Dhe ato shohin, kuptojnë dhe e ruajnë vuajtjen. Por, ndryshe nga spiunët e regjimit, abstenojnë nga tradhtia, ato nuk kallëzojnë askënd.

9.
“Poetët e padukshëm”. Identiteti i krijuesit të internuar.
Kjo pjesë e zhvendos vëmendjen nga hapësira gjeografike te identiteti dhe fati i poetit të internuar. Krahasimi i përdorur: “…si një libër pa kopertinë, që askush nuk lejohet ta hapë”. Është veçanërisht domethënës. Poeti ekziston, krijimi i tij është i gjallë, por atij i mohohet e drejta themelore për t’u lexuar e komunikuar me botën. Penda e tij nuk është e shterpë. Ai e mban “librin” brenda vetes, por është shoqëria ajo, që pengohet nga censura për ta shfletuar. Edhe metafora e “hartës së
fluturimit” e lidh natyrshëm këtë pjesë me figurën e zogut dhe qiellit të pjesës së parë, duke konsoliduar çështjen e motivit të përsëritur të fluturimit si përfaqësim të lirisë së paprekshme të mendimit poetik.

Lazer Radi dhe dorshkrimet e tij - Saver 1989
Lazer Radi dhe dorshkrimet e tij – Kampi i Savres 1989

10.
“Kur Savra të bëhet fjalë”. Kulmi artistik dhe moral.
Kjo përbën pjesën më të rëndësishme dhe konceptuale të poezisë. Vetë titulli është përzgjedhur me kujdes artistik, pasi emri gjeografik “Savër” zhvishet nga kufijtë e tokës dhe lartësohet në një metaforë historike. Vargjet: “Dhoma do të bëhet kujtim, jo kufi”, janë ndër më të fuqishmet e gjithë ciklit. Këtu ndodh shndërrimi përfundimtar. Hapësira që dikur kufizonte e burgoste trupin, nuk ka më asnjë fuqi mbi shpirtin. Po ashtu, togfjalëshi: “…tre me tre metrat e saj: masë force”, sjell një përmbysje kuptimore mjaft të bukur. Tre me tre metra fizikisht përfaqësojnë një hapësirë tejet të ngushtë e mbytëse, por shpirtërisht ato shndërrohen në njësi matëse të qëndresës dhe dinjitetit njerëzor.
Në mbyllje, imazhi: “…si fëmijë Atdheu” e zhvendos poezinë nga fati individual te ndërgjegjja kombëtare. Poetët e dënuar burgjeve, ata të internuar fshtrave e kampeve të internimit nuk shfaqen më me etiketën stigmatizuese “armiq të popullit” siç i quante propaganda e kohës por si bijtë e vërtetë të Atdheut. Kjo përbën edhe triumfin dhe përgjigjen përfundimtare morale të poezisë mbi gjuhën e diktaturës.

11.
Poezia mbështetet kryesisht te metafora organike dhe simboli funksional, duke iu shmangur figuracionit të stërngarkuar e dekorativ. Simbolet kryesore që përshkojnë tekstin janë: Savra internimi, izolimi dhe kujtesa historike.
Muret-pengesa fizike, censura dhe kufizimi i lirisë.
Dosja – represioni institucional dhe burokratik.
Kujtesa- arkivi alternativ i së vërtetës
njerëzore. Këto simbole nuk qëndrojnë të izoluara. Ato ndërlidhen ngushtë me njëra-tjetrën duke krijuar një sistem unikal e të harmonizuar poetik.

12.
Një nga veçoritë më të rëndësishme të kësaj vepre është se ajo funksionon si poezi-dëshmi.

Ferdinand Laholli nuk përpiqet të japë një rrëfim të thjeshtë dokumentar apo kronologjik të internimit. Ai bën diçka më të thellë, shndërron dokumentin historik në imazh artistik. Përmes një vargu opozitash konceptuale, poezia ndërtohet mbi përplasjen e dy botëve. Bota e diktaturës (Realiteti Shtypës) dhe bota e artit (Liria Shpirtërore).
Kjo përplasje e vazhdueshme midis materiales shtypëse (dosja, muri, baraka, dhoma tre me tre) dhe shpirtërores çliruese (zogu, qielli, pylli i padukshëm, harta e fluturimit) përbën pikërisht boshtin estetik e ideor mbi të cilin ngrihet e gjithë struktura e poezisë.

13.
Cikli gëzon një arkitekturë ideore mjaft të qartë, një simbolikë të konsoliduar dhe një përmbyllje të mirëmenduar. Forca e saj artistike nuk qëndron te dramatizimi i tepruar apo te patetizmi, por te aftësia për ta lartësuar dhimbjen historike në metaforë universale. Trajektorja emocionale e poezisë e cila nis nga frika e izolimit dhe mbërrin te triumfi i lirisë është një nga arritjet e saj më të mëdha.
Nëse do ta përmbledh me një fjali të vetme: “Kur Savra të bëhet fjalë” është një elegji drithëruese për poetët e internuar, por njëkohësisht edhe një himn për fitoren e fjalës së lirë mbi muret, dosjet dhe harresën.
Edhe titulli mbetet gjetja më pëlqyeshëm goditëse e autorit. “Kur Savra të bëhet fjalë” nuk zbulon gjithçka që në krye të herës. Ai e dërgon lexuesin në një udhëtim zbulimi për të kuptuar se si një hapësirë e dhimbshme gjeografike çlirohet nga pesha e vuajtjes dhe shndërrohet në një simbol të paprekshëm të kujtesës sonë kombëtare.
Gazeta Destinacioni

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit