back to top
31.2 C
Tirana
E martë, 14 Korrik, 2026

Revolucioni Flamingo – nga Dhurata Kola Kaloshi

Gazeta

Shqipëria nuk është në Shitje!
Shqipëria nuk është në Shitje!
Revolucioni Flamingo
nga Dhurata Kola Kaloshi
Çdo lëvizje e madhe nis si një histori lokale

Mund të nisë nga një individ i vetëm,nga një grup qytetarësh, nga një rast dhune etj.
Kështu nisi edhe ajo që tanimë nga mediat ndërkombëtare ka nisur të artikulohet si “Revolucioni Flamingo”.
Fillimisht, protesta nuk ishte politike. Ajo lindi si reagim ndaj projekteve të planifikuara në Sazan dhe Zvërnec, mes shqetësimeve për dëmet e mundshme ekologjike dhe transformimin e zonave të mbrojtura në hapësira të destinuara për zhvillime turistike.
Por siç ndodh shpesh, ishte një ngjarje e vetme ajo që e ndryshoi rrjedhën e debatit.
Pamjet e dhunës ndaj një protestuesi në Zvërnec tronditën opinionin publik.
Çështja papritur nuk ishte më vetëm pronësore, dhe mjedisore. Ajo u kthye edhe në një debat mbi të drejtën për të protestuar, mbi raportin mes pushtetit dhe qytetarit, mbi mënyrën se si merren vendimet që prekin pasuritë publike dhe pronën e qytetarit.
Kjo është arsyeja pse protesta filloi të tërheqë vëmendje përtej kufijve të Shqipërisë.
Megjithatë, pyetja që na mundon sot është më e madhe se vetë protesta: a mund të shndërrohet Revolucioni Flamingo në një lëvizje me ndikim afatgjatë?
Historia tregon se kjo nuk është e pamundur.
Lëvizja globale për klimën e nisur nga Greta Thunberg arriti të vendosë krizën klimatike në qendër të debatit politik ndërkombëtar.
Protestat e Standing Rock në Shtetet e Bashkuara ndryshuan mënyrën se si diskutohen të drejtat e komuniteteve lokale dhe ndikimi mjedisor i projekteve të mëdha.
Lëvizja Chipko në Indi arriti të ndikojë drejtpërdrejt politikat pyjore të vendit.
Asnjëra prej tyre nuk pati sukses vetëm për shkak të protestave, por ato patën sukses sepse krijuan një ide që mbijetoi përtej protestës.
Këtu qëndron edhe sfida e Revolucionit Flamingo.
Nëse mbetet vetëm një kundërshtim ndaj një projekti të caktuar, ndikimi i tij mund të jetë i kufizuar në kohë dhe përtej kufijve. Por nëse arrin të shndërrohet në një lëvizje për mbrojtjen e natyrës, transparencën e vendimmarrjes dhe pjesëmarrjen qytetare, atëherë mund të lërë gjurmë shumë më të thella.
Një tjetër sfidë është raporti me politikën.
Me kalimin e ditëve, protestës iu bashkuan edhe kërkesa politike. Disa slogane shprehën pakënaqësi jo vetëm ndaj qeverisë, por ndaj të gjithë klasës politike. Kjo mund ta forcojw por edhe dobësoje këtë lëvizje njëkohësisht.
Nga njëra anë, ajo i jep protestës karakter qytetar dhe e mbron nga identifikimi me një parti të vetme. Nga ana tjetër, sa më shumë që debati zhvendoset nga flamingot, lagunat dhe mjedisi drejt figurave politike, aq më e vështirë bëhet që kauza të mbetet universale, dhe mbështetja që ka marrë të mos shuhet.
Opinioni jashtë kufijve mund të mos ketë interes për konfliktet politike shqiptare, por mund të kuptojë menjëherë shqetësimin për biodiversitetin, mbrojtjen e habitateve natyrore apo të drejtën për të protestuar pa dhunë.
Në këtë kuptim, flamingoja, shndërrohet në një simbol, i cili nxit debatin mbi atë se kush vendos për fatin e pasurive natyrore dhe deri ku duhet të shkojë zhvillimi ekonomik.
Ndërkohë, KM ka deklaruar se projekti do të zbatohet. Politikisht, kjo do të thotë se pushteti nuk ka ndërmend të tërhiqet për momentin. Por historia tregon se shumë projekte të shpallura si të pashmangshme janë rishikuar, ndryshuar ose pezulluar nën presionin e opinionit publik, proceseve ligjore dhe debatit shoqëror.
Për këtë arsye, suksesi i Revolucionit Flamingo nuk do të matet domosdoshmërisht me rezultatin e protestës së radhës.
Ai do të matet me aftësinë për të ruajtur fokusin te kauza, për të mbledhur ekspertë, juristë, ambientalistë dhe qytetarë të zakonshëm rreth një vizioni të përbashkët. Do të matet me aftësinë për të mbijetuar edhe pasi emocionet e momentit të jenë zbehur.
Lëvizjet që ndryshojnë historinë janë ato që arrijnë të ndryshojnë mënyrën se si një shoqëri mendon për të ardhmen e saj.
A do të arrijë Revolucioni Flamingo të krijojë një kulturë të re qytetare, ku natyra, transparenca dhe interesi publik të mos konsiderohen më pengesa për zhvillimin, por pjesë e pandashme e tij?

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.