Një dritë semafori ndizet… fiket… – tregim nga Laura Olldashi

Gazeta

Laura Olldashi
Laura Olldashi
Një dritë semafori ndizet… fiket…
tregim nga Laura Olldashi

Starti për nisje.
Ritmi i muzikës është më i shpejtë se tingulli i gërmave që trokasin gishtat. Aq sa edhe fjalës, kur shkruhet, i merret fryma.
Kuptoj që trupi ishte kthyer shumë brenda vetes, sa edhe një hap përpara dukej si një botë e vogël që rrëzohej.
Dhe nuk ishte vetëm kjo.
Dalëngadalë, moslëvizja, përsëritja e së njëjtës, apo zmbrapsja ishin kthyer në zona të miat, aq sa edhe gjymtyrët kishin filluar të shkurtoheshin.
Ecja sa nuk ecja.
Po të kisha vazhduar kështu, kishte mundësi të shkoja drejt vdekjes. Prandaj duheshin gërshërët e forta që ta ndërprisnin udhën. Jo për një bosh, por për motive të reja; shpresa të vogla, sa fijet e dritës.
Dhe ndodhi.
Pak diell mbi sy… det diku në horizont, e kuqja mbi trup dhe njerëz, njerëz në vazhdim.
Më kishin munguar njerëzit. Të bukurit, që ngriheshin në majë të gishtërinjve për t’u puthur, ata që ribëheshin nga fillimi, kur vetja nuk i pëlqente më. Njerëz të lindur me liri dhe me një atdhe të plotë.
Kisha menduar që nuk do t’i njihja kurrë dhe t’i shihja mbi tokë ishte gjëja që më ishte dashur.
Ndoshta njeriu ëndërron sipas varfërisë së tij.
Vend i vogël, ëndrra të vogla.
Edhe ndryshimi ynë i ngjan fiks atij; kishte forcën e një stërmundimi të madh, ndërsa shpresat për të ndryshuar ishin grimca. Por as transformimi nuk është i njëjtë. Ne të varfërit i besojmë ndryshimit vertikal, ndërsa kush lind i lirë, lëviz dhe rritet horizontalisht. Dhe është kjo që të çon të prekësh veten dhe të të mjaftojë.

Një dritë semafori fiket dhe ndizet. Jam në pritje të një ngjyre për të shkuar në anën tjetër. Pritja zgjat gjashtëdhjetë sekonda dhe lindin drita të vogla për t’u fikur përgjithmonë.

Sa i rëndësishëm është fillimi i jetës?!
I lindur horizontalisht, dritat ndizen brenda nesh; i lindur vertikalisht, dritat vezullojnë jashtë. Jam përpara tij dhe pres ngjyrën për të bërë kalimin nga pozicioni vertikal në atë horizontal. Këtu nuk ka asnjë dritë jeshile që të më hapë udhën. Duhet jetë e tërë dhe nuk di nëse mjafton. Është si të ecësh kundër rrjedhës së ujit.

Ja edhe Ingridi është këtu, me trupin e saj të gjatë, kaq larg nga unë, dhe përsërit:
-Po të mos më pëlqente jeta ime, do ta kisha ndryshuar.
Kur ia kisha bërë vetes këtë pyetje?
Pyetëm me parcela, por jo mbi sipërfaqe të tëra.
Kjo situatë nuk më përket mua; më largon nga vetja, më bën të mos ndihem mirë. Prandaj ta mbylla derën edhe ty, që më vonë të vdes nga malli…
Por të gjitha këto janë reflektime të vogla përballë jetës së tërë. Dhe kohët e fundit as nuk pyetem më. I lë gjërat të përplasen mes tyre dhe të bëjnë çfarë të duan.

Unë nuk jam. Njëlloj si jeta ime që rri pa lëvizur përpara semaforit.
Kisha menduar që gjërat e vogla sjellin ndryshimin, por është e madhja që nuk e di ku shkon.
E thoshte edhe Oriola:
-Tani që e dimë, përse nuk fillojmë nga pika zero?
Nuk dua t’ia shemb shpresën, por ne nuk kemi pasur pikë zero. Kemi lindur shumë më mbrapa saj dhe startet tona nuk kanë nisur aty.
Sa personazhe të padukshme janë tek ne kur fillojmë jetën?
UNË mund të kem qenë zero vjeç, por UNË nuk bëhem nga UNË.

Kam një zhurmë në kokë.
Është ajo e tërheqjes së qerres së ekzistencës…

Kujtoj që diku në vetvete kam një vatër ngrohtësie. Fotografitë që janë brenda kërkojnë të prekin dritën dhe trupi im është rruga.
Një Saudade po lind nga ato. Dhe ajo pret mëngjesin me mua. Më pret kur pi kafenë, kur shihem në pasqyrë, kur rri dhe vëzhgoj pikën time zero. Më pret edhe kur i them vetes në autobus:
“Mos humb në horizonte.”
Pastaj ulet me mua në metronë e verdhë, më zbret në sy dhe shkruhet.

Fjalët nuk i kam parë si lotë, por ndiej rrëshqitjen e tyre mbi përruan që kanë krijuar në fytyrën time. Shpeshherë rrinë brenda syve, i mbushin plot. Aq sa edhe shkëlqimi i tyre e bën semaforin jeshil.

Është paradoks që kjo çmenduri e parapërfytyrimit të më bëjë kaq të lumtur.

Kam faqe në mendje, në libra. Faqe të shkruara, të pashkruara. Të bëra njësh me fotografitë. Shkruhen përditë nga një gjuhë që, si unë, është një zero e madhe për të gjithë botën, ndërsa për mua është vetë shpirti.

Edhe telefonata përfundoi keq. Zëri i burrit nga ana tjetër ishte prepotent. Ndoshta as nuk ishte i tillë. Vetëm që kishte lindur horizontalisht, me një atdhe të plotë dhe me gjuhën që i përkiste globit. Prandaj mund ta ngrinte zërin. Gjuha e privilegjuar ia lejonte. Ai nuk e dinte çfarë do të thoshte të rrije përpara semaforit dhe të mos ndizej kurrë jeshilja…
Pastaj kokëfortësia ime debaton gjatë, derisa në fund e qep gojën. Mbyll telefonatën për t’u strukur në rrjetën e mjerimit vertikal. Edhe emailet kanë mbetur kartela të bardha pa përgjigje.

Jam përpara semaforit.
Ndodh një ndryshim i jashtëzakonshëm. Aq sa nga buzët më shpërthejnë buzëqeshjet.
Ndizet ngjyra e verdhë!!!
Këmba e majtë bëhet gati për ecjen. E ndërpret mendimin që sapo ka nisur.
I thotë vetes:
“Të mos ta harroj.”
-Kujtoma pak më vonë, – i pëshpëris në vesh.
Dhe nxjerr dorën nga xhepi.
Shtrëngoj grushtin fort, pa u menduar. Mbas kaq kohësh ndiej frymëmarrjen time si për herë të parë.
Më në fund semafori jeshil.
Rruga është e gjitha e imja. Këmba e parë zbret nga trotuari. Mbas pak tjetra. Hapat fillojnë të nxitojnë dhe prekin fort asfaltin.
Pastaj zhurma e frenave. Një makinë përplaset mbi mua. Trupi fluturon në ajër dhe rrëzohet mbi rrugë. Sytë shohin veç një qiell të bardhë. Dora më lëviz ngadalë derisa hapen të gjithë gishtërinjtë.
Prej aty zbret ëndrra që shkon drejt anës tjetër…
Lauraolld
Milano, shtator 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit