
Bomba e “New Yorker”: Kush janë shqiptarët e fshehur pas projektit të Kushnerit?
përgatiti Avokat Altin Goxhaj
Revista amerikane zbulonse pothuajse 25% e projektit zotërohet nga biznesmenë shqiptarë, por identitetet e tyre fshihen pas një strukture offshore. Nga jahti i Rothschildit te Sazani, ndryshimi i ligjit, 125 milionë dollarët e Zvërnecit dhe protestat kundër Ramës.
-Kush janë shqiptarët pas projektit miliarder të Jared Kushnerit?**
Kjo është pyetja e madhe që shpërthen pas investigimit të ri të revistës prestigjioze amerikane The New Yorker.
Gazetari Dexter Filkins sjell një të dhënë që deri tani pothuajse kishte munguar nga debati publik shqiptar:
Afro 25% e projektit zotërohet nga biznesmenë shqiptarë, por emrat e tyre fshihen pas një korporate offshore.
Kush janë?
Pse nuk shfaqen publikisht?
Çfarë marrëdhëniesh kanë me qeverinë?
Dhe pse shqiptarët njohin Jared Kushnerin dhe investitorët e huaj, por “nuk njohin shqiptarët që qëndrojnë pas një pjese të projektit”?
Ky është zbulimi që e ndryshon krejt historinë.
Sepse deri tani debati është zhvilluar kryesisht rreth një pyetjeje:
“Çfarë kërkon Jared Kushner në Sazan dhe Zvërnec?”
Pas investigimit të New Yorker, lind një tjetër:
-Cilët shqiptarë janë brenda marrëveshjes? Gjithçka nisi në jahtin e Rothschildit
Historia që rindërton New Yorker nis në verën e vitit 2021.
Edi Rama ndodhet në superjahtin “Planet Nine” të financierit Nat Rothschild.
Në bord janë edhe “Jared Kushner dhe Ivanka Trump”. Grupi shkon drejt Sazanit.
Kushner dhe Ivanka magjepsen nga ishulli.
Disa muaj më vonë nis të marrë formë projekti për zhvillimin e “Sazanit dhe Zvërnecit”.
Një projekt gjigant turistik me hotele, rezidenca luksoze, marina dhe golf, të cilin New Yorker e vendos në një shkallë investimi prej rreth:
4 Miliardë Dollarë!
Artikulli evidenton edhe një personazh tjetër të rëndësishëm: “Richard Grenell”
Sipas Filkins, ish-i dërguari amerikan në Ballkan kishte nxitur Kushnerët të investonin në Shqipëri.
Pra kemi një zinxhir që nis të bëhet gjithnjë e më interesant:
Rothschild → Rama → Kushner&Ivanka → Grenell → Sazan → Zvërnec.
Pastaj ndryshoi ligji
Në shkurt 2024, mazhoranca shqiptare ndryshoi legjislacionin, duke hapur mundësi për zhvillime turistike luksoze në zona të mbrojtura.
Pak javë më vonë, Jared Kushner publikoi projektin e tij.
Kjo kronologji “nuk provon” se ligji u ndryshua posaçërisht për projektin.
Por krijon një pyetje që qeveria shqiptare duhet ta sqarojë: A e dinte qeveria për projektin e Kushnerit përpara Ndryshimit të Ligjit?
Nëse po, atëherë duhet bërë publike e gjithë kronologjia e kontakteve, dokumenteve dhe negociatave mes qeverisë dhe investitorëve.
125 milionë dollarë për tokën e Zvërnecit
Pastaj historia bëhet edhe më e rëndë.
Sipas New Yorker, në prill 2026 një kompani e lidhur me projektin, bleu nga biznesmeni “Artur Shehu”, toka në Zvërnec për rreth: 125 milionë dollarë. Por pronësia mbi një pjesë të tokave kontestohej nga banorë të zonës.
Dhe çështja nuk mbeti vetëm një konflikt mes familjeve dhe biznesmenit.
New Yorker raporton se prokurorët shqiptarë, në dokumente gjyqësore, kanë ngritur dyshime se toka mund të jetë përfituar në mënyrë të paligjshme përmes falsifikimit të dokumenteve.
Kjo “nuk provon fajësinë e Shehut”, dhe nuk ka provë publike se Kushner apo partnerët e tij kishin dijeni për falsifikimet e pretenduara kur u krye transaksioni.
Por lind një pyetje elementare: “Kush e verifikoi pronësinë para se të paguheshin 125 milionë dollarë?!”
Por zbulimi i madh është tjetër!
Mes miliarda dollarëve, emrave ndërkombëtarë dhe konfliktit për tokën, New Yorker hedh një informacion që mund të rezultojë shumë më i rëndësishëm për Shqipërinë. Sipas Filkins: “Pothuajse një e katërta e projektit është në pronësi të biznesmenëve shqiptarë…”
Por ka një problem.
Nuk dimë kush janë.
Sipas artikullit, identitetet e tyre fshihen pas një korporate offshore.
Dhe pikërisht këtu duhet të fillojë investigimi shqiptar.
Jo me teori. Me dokumente.
Kush janë pronarët përfitues?
Përmes cilave kompani kontrollojnë aksionet?
Në cilin juridiksion janë regjistruar? Kush i përfaqëson? Kur kanë hyrë në projekt? Sa kanë investuar? Dhe çfarë marrëdhëniesh ekonomike apo institucionale kanë pasur më parë me shtetin shqiptar?
Sepse këtu nuk bëhet fjalë për një restorant apo hotel të zakonshëm.
Bëhet fjalë për një projekt shumë miliardësh që prek Sazanin, Zvërnecin dhe një nga zonat bregdetare më të ndjeshme të Shqipërisë.
Protesta që doli nga Zvërneci
Dexter Filkins nuk e ka shkruar këtë histori vetëm nga Amerika.
Ai erdhi në Shqipëri. Shkoi në Zvërnec. Takoi banorët. Dhe marshoi mes protestuesve në Tiranë.
Aty pa edhe transformimin politik të konfliktit.
Protesta kishte nisur kundër projektit.
Por, kur gazetari amerikan mbërriti, kërkesat kishin shkuar shumë më larg.
Nga: “Ndaloni projektin!?” te: “Largimi i Edi Ramës dhe ndryshimi i sistemit politik.”
Një prej të intervistuarve ia përmbledh Filkinsit: “This is much bigger than Jared Kushner now.”
Dhe kjo fjali mund të jetë çelësi i gjithë historisë.
Sepse çështja nuk është më vetëm Jared Kushner.
Nuk është vetëm Sazani.
Nuk është vetëm Zvërneci.
Është pyetja se “Kush i zotëron, kush vendos dhe kush përfiton nga territori shqiptar.”
Kush janë shqiptarët?
Tashmë kemi një emër që e njeh e gjithë bota: “Jared Kushner.”
Njohim investitorët e huaj.
Njohim Edi Ramën.
Njohim Richard Grenellin.
Njohim Artur Shehun.
Njohim shifrën prej 125 milionë dollarësh.
Njohim projektin prej miliardash.
Por sipas New Yorker, në tavolinë janë edhe “biznesmenë shqiptarë që zotërojnë pothuajse një të katërtën e projektit”.
Dhe pikërisht ata nuk i njohim.
Prandaj pas investigimit të New Yorker, pyetja e parë që duhet t’i drejtohet qeverisë dhe kompanive të projektit është vetëm një:
Kush janë pronarët shqiptarë? Dhe derisa të dalin emrat, dosja e Sazanit dhe Zvërnecit ka një kuti të zezë në mes të saj:
Pronësinë Shqiptare të Panjohur
Marrë nga Muri i FB, Avokat Altin Goxhaj, 15 shtator 2026