back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 7 Nëntor, 2024

Dy kulturat e shoqërisë shqiptare nuk mund të bashkëjetojnë përgjithmonë – Ese nga Thanas L. Gjika

Gazeta

Thanas L. Gjika
Thanas L. Gjika

Dy kulturat e shoqërisë shqiptare

nuk mund të bashkëjetojnë përgjithmonë

Ese nga Thanas L. Gjika

Për këtë temë nuk ka studime të posaçme, por unë po guxoj të hedh disa mendime duke shpresuar se mund të tërheq vëmendjen e studiuesve të specializuar që merren e do të merren me historinë e lëtërsisë, të artit e të gazetarisë shqiptare dhe me historinë e shkencave shoqërore shqiptare të shekujve XVI-XXI. Me shkenca shoqërore shqiptare kuptojmë studimet e historisë së popullit tonë, studimet për historinë e letërsisë, të artit e të publicistikës, studimet në fushën e filozofisë, si dhe hartimin e teksteve shkollore të historisë e të letërsisë shqiptare.
Krijuesit e artit, letërsisë, publicistikës, si dhe studiuesit e shkencave shoqërore e marrin shtytjen e krijimtarisë së tyre të nxitur nga bindjet e tyre artistike, letrare, shkencore, politike, filozofike, fetare, shoqërore, etj.
Kur një krijues ka bindje demokratike, vepra e tij trajton probleme që u interesojnë masave të gjera të popullit dhe i interpreton ato në përputhje me interesat e këtyre masave. Këto vepra janë të mbushura me revoltë ndaj padrejtësive të pushtetit e të pushtetarëve, kur interesat e pushtetit dhe të pushtetarëve janë në konflikt me interesat e masave popullore. Këta krijues kërkojnë ndryshimn e gjendjes ekzistuese. Veprat e tyre janë jetëgjata si vetë populli, të cilit i shërbejnë. Kur krijuesi ka bindje jo demokratike, vepra e tij trajton probleme që lidhen me interesat e tij egoiste dhe në shërbim të politikës së pushtetarëve të kohës. Këto vepra janë të mbushura me egoizëm, servilizëm dhe propagandë. Ato kërkojë ruajtjen e statukuosë. Të tilla vepra nuk mund të jenë universale dhe as të përjetshme, sepse në to nuk trajtohen tema që interesojnë masat e gjera të lexuesve dhe nuk pasqyrohen me vërtetësi ngjarjet dhe heronjtë. Trajtim me vërtetësi të ngjarjeve dhe heronjtë e quajmë shprehjen e qëndrimit ideor dhe emocional të autorit në përkrahje të atyre ngjarjeve dhe heronjve të cilëve u përket e ardhmja. Kurse veprave që u mungon vërtetësia janë ato vepra ku autori shpreh qëndrimin e vet ideor dhe emocional në përkrahje të ngjarjeve dhe heronjve regresivë, të cilëve nuk u përket e ardhmja historike. Për ta konkretizuar mund të marrim çdo vepër të realizmit socialist, ku heroi qëndror është një komunist ose një sekretar partie që jepet si hero i së ardhmes në një kohë që dihet se sistemi shoqëror që e polli këtë hero s’kishte të ardhme, por shkonte drejt kapitullimit.
Shoqëria njerëzore ka synuar gjithnjë për të siguruar sa më shumë të drejta për sa më shumë anëtarë të saj. Hapi më i madh në këtë drejtim u krye me krijimin dhe zbatimin e kushtetutës borgjeze të të drejtave të njeriut, të drejta, të cilat gjatë shekujve XIX-XXI në vendet euroatlantike kanë ardhur duke u pasuruar, forcuar e përsosur gjithnjë e më shumë. Në ato shtete ku këto të drejta zbatohen me rigorozitet shohim se gjallon një kulturë e vetme kombëtare, e cila krijohet prej intelektualëve krijues shkrimtarëve, gazetarëve, artistëve dhe studiuesve të shkencave shoqërore, të cilët pavarësisht se mund të kenë bindje të ndryshme politike, pra mund të bëjnë pjesë në parti të ndryshme politike, ose mund të kenë bindje të ndryshme artistike e shkencore, pra mund të bëjnë pjesë në shkolla e rryma letrare artistike, ose shkencore të ndryshme, ata krijojnë së bashku një kulturë kombëtare, kulturën demokratike. Kjo kulturë i shërben zhvillimit dhe emancipimit të masave të gjera të popullit të vendit të vet dhe të popujve të mbarë botës.
Ndryshe ndodh në shtetet ku këto të drejta nuk ekzistojnë, ose ekzistojnë me shkrim, por nuk zbatohen në jetën e përditshme. Këto shtete janë jo demokratike dhe në jetën e tyre shoqërore gjallojnë dy kultura kombëtare, të cilat bashkëjetojnë, konkurojnë midis tyre dhe shpesh herë luftojnë njëra tjetrën. Qeveritë e vendeve jo demokratike ndihmojnë e përkrahin intelektualët krijues që i shërbejnë e i servilosen pushtetit. Këta me veprat e tyre publicistike, letrare, artistike dhe shkencore (në studime të historisë kombëtare, të historisë së letërsisë, në studime filozofike, në kritika letrare dhe në tekste mësimore të historisë dhe të letërsisë) përpiqen të përjetësojnë pushtetin e klasës/ kastës që është në pushtet. Kjo kulturë nuk është kulturë demokratike, nuk i shërben zhvillimit dhe përparimit të popullit të vet dhe aq më pak popujve të tjerë të botës. Në veprat që i përkasin kësaj kulture mbizotëron propaganda si në letërsi, në arte dhe në shkencat shoqërore.
Kultura tjetër, që konkuron me të është kultura demokratike, e cila gjallon përmes veprave letrare, artistike dhe publicistike, si dhe veprave shkencore historike e teksteve mësimore, ku nuk mbizotëron propaganda, por arti realist, vërtetësia, kurse në studimet e shkencave shoqërore mbisundon jo propaganda, por objektivizmi shkencor dhe historizmi. Kjo kulturë është kulturë demokratike sepse i shërben zhvillimit dhe emancipimit të popullit të vendit të vet, si dhe popujve të botës.
 
Fishta-Asdreni-Koliqi-Poradeci me personalitete ne Shkoder
Fishta-Asdreni-Koliqi-Poradeci me personalitete ne Shkoder

* * *

Në historinë e popullit shqiptar këto dy kultura kanë ekzistuar që në kohën e pushtimit turk dhe vijojnë të ekzistojnë deri sot, sepse gjatë gjithë kësaj kohe populli ynë nuk është qeverisur dhe nuk po qeveriset prej qeverish të vërteta demokratike.
Në jetën kulturore shqiptare, pra në letërsinë, artet, publicistikën dhe në shkencat tona shoqërore, që nga koha e Rilindjes e deri sot kanë konkuruar dhe konkurojnë dy kultura të ndryshme që përfaqësohen nga veprat e dy grupeve krijuesish dhe studiuesish.
Gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në gazetarinë dhe letërsinë e kohës u kristalizuan dy kultura, njëra që shprehte interesat liridashëse të masave të gjera të popullit shqiptar dhe tjetra që shprehte interesat e pushtuesit osman dhe të shtresës së nëpunësve shqiptarë që i shërbenin këtij pushtuesi, ose interesave të qarqeve shoviniste të shteteve fqinjë.
Shkrimtarët e gazetarët e rrymës së parë propagandonin nevojën e lirisë, arsimin shqip dhe përdorimin e alfabetit me shkronja të veçanta, ose latine. Kjo kulturë mori formë me veprat e klerikëve katolikë të shek. XVI-XVII si Marin Beçikemi (alias Marin Barleti), Gjon Buzuku, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani dhe u rigjallërua në shek XIX-XX prej Naum Veqilharxhit e më pas prej vëllezërve Frashëri, Faik Konicës, At Gjergj Fishtës, A. Z. Çajupit, etj. Përfaqësuesit e saj luftuan për nxjerrjen në dritë të identitetit kombëtar shqiptar, duke e shkruar gjuhën shqipe me alfabet të veçantë ose latin, duke mbledhur dhe botuar krijimtarinë popullore, duke himnizuar në letërsi, arte dhe gazetari figurën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe bëmat e trimave kryengritës. Në veprat e këtyre krijuesve shprehej hapur ose me nëntekst urrejtja ndaj pushtuesit, shovinizmit fqinj dhe shërbëtorëve të tyre.
Kurse kultura tjetër shprehte interesat e Portës së Lartë të Stambollit dhe shërbëtorëve të saj bejlerë ose nëpunës të qeverisë osmane, ose interesat e qarqeve shoviniste greke e sërbe. Përfaqësuesit e kësaj kulture nuk propagandonin idenë e lirisë, ata nuk kërkonin hapjen e shkollave shqipe, por kërkonin që gjuha shqipe të shkruhej me alfabetin arab, grek ose cirilik. Këtë kulturë e përpunuan shumë pak veprimtarë, të cilët ishin në shërbim të politikës së sunduesit osman ose të qarqeve shoviniste të shteteve fqinjë.
Gjatë viteve të shtetit shqiptar të pavarur (1912-1939) dy kulturat morën përmbajtje të re. Kultura jo demokratike u vu në shërbim të pushtuesve të huaj gjatë Luftës së Parë Botërore dhe gjatë viteve 1925-1939, në shërbim të Ahmet Zogut. Kurse kultura demokratike që shprehte interesat e popullit ironizoi mendimet dhe veprimet e gabuara të pushtetarëve të Qeverisë së Vlorës e asaj të Durrësit. Për t’u përmendur janë këtu pamfletet, portretet dhe skicat e Mihal Gramenos, ku pushtetarët turkoshakë u tallën me epitetin “Honxho-banxho”, kurse zyrtarët gjoja perëndimorë me epitetin “Xhongo-rokë”. Kultura demokratike u pasurua dhe me krijimtarinë satirike të At Gjergj Fishtës, Gjergj Bubanit, me artikujt, fjalimet dhe pamfletet e Fan Nolit, skicat e Nonda Bulkës, romanin “Doktor Gjëlpëra…” të Faik Konicës, tregimet e Ernest Koliqit, të Migjenit, si dhe me krijimtarinë e shumë këngëtarëve, muzikantëve, të Korit “Lira” të Korcës dhe të disa piktorëve.
Gjatë pushtimit fashist u punua për krijimin e kulturës profashiste me anën e disa gazetave si “Tomorri”, Tomorri i Vogël”, etj, e cila ishte kulturë jo demokratike. Kjo kulturë ishte thjesht propagandë gazetareske që u shoqërua me shumë pak krijime letrare e artistike. Në kundërshtim me të u zhvillua kultura antifashiste e cila pati dy krahë, krahun që përfaqësuan forcat nacionaliste dhe udhëheqësit e organizatës patriotike “Balli Kombëtar”, dhe krahun që krijuan forcat partizane komuniste. Të dy këto forca kishin buletine dhe gazetat e veta. Populli u këndoi pa dallim luftëtarëve e dëshmorëve të çetave partizane dhe të çetave patriotike nacionaliste, ballistë (shumë prej këtyre këngëve kushtuar luftëtarëve nacionalistë e ballistë u botuan në një vëllim më 2019). Kultura demokratike e krahut që krijuan forcat balliste dhe legaliste u fashit pasi Enver Hoxha hodhi poshtë Marrëveshjen e Mukjes të 3 gushtit 1943 dhe u shpalli luftë Ballit Kombëtar e Legalitetit duke i shpallur ato “forca tradhëtare”, me qëllim që në fund të luftës PKSh-ja të merrte pushtetin si forcë e vetme politike antifashiste. Qëllim që e realizoi në fund të nëntorit 1944.
Marrja e pushtetit politik prej Partisë Komuniste të Shqipërisë u shoqërua me forcimin e propagandës proqeveritare, me mbylljen e gazetave dhe revistave që synonin lirinë e shprehjes, me botimin vetëm të gazetave e revistave proqeveritare. Intelektualë, shkrimtarë e klerikë që mendoheshin prej udhëheqjes së partisë shtet se mund të kundërshtonin vijën e saj politike u vranë, u burgosën dhe u dëbuan nëpër kampe pune në internim. Me anën e Radio Tiranës, Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Lidhjes së Gazetarëve, Kinostudios “Shqipëria e Re”, Televizionit u forcua propaganda qeveritare në maksimum. Në letërsi dhe arte u kërkua me ngulm që të krijohej sipas normave leniniste të realizmit socialist, ku të dominonte figura e komunistit dhe e sekretarit të partisë si hero pozitiv, model i shoqërisë së re socialiste. Shqipëria u shpall shteti më demokratik në botë, ndonëse të drejtat e njeriut, e drejta e fjalës, e shtypit të lirë, e pluralizmit, demostratave paqësore etj. nuk ekzistonin fare.
Rilindja Kombetare Shqiptare
Rilindja Kombetare Shqiptare

.

Në të gjitha veprat letrare artistike dhe në veprat e shkencave shoqërore dukuritë e jetës duhej të interpretoheshin në përputhje me politikën e partisë shtet. Ky detyrim sillte shpesh herë shtrembërimin e së vërtetës historike. Konkretisht duke qenë se partia kërkonte që Lufta Antifashiste të trajtohej vetëm si luftë e Partisë Komuniste, në asnjë vepër letrare, vepër arti, ose film artistik nuk u trajtua rezistenca e 7 prillit 1939 dhe nuk u përmendën dëshmorët e saj. Po ashtu u mohuan Lufta Antifashiste e çetave nacionaliste e çetave të Ballit e të Legalitetit. Intelektualët me formim borgjez perëndimor dhe kleri, sidomos ai katolik, u paraqitën si forca reaksionare, kur dihet se intelektualë, mësues, ingjinierë, mjekë të formuar në botën perëndimore dhe klerikë si At Gjergj Fishta, At Shtjefën Gjeçovi, Dom Ndre Mjeda me shokë kishin luajtur rol përparimtar në jetën dhe historinë tonë kombëtare. Të tilla shtrembërime të realitetit në veprat letrare e artistike dhe në shkencat shoqërore në fakt ishin pjesë e krimeve të sistemit komunist.
Shkrimtarët që kishin krijuar para luftës sipas parimit realist, pas vitit 1944 me dashje a padashje, filluan të krijonin vepra të reja sipas parimeve të realizmit socialist. Në këtë rrugë filluan të ecin dhe shkrimtarë e artistë të rinj që e nisën krijimtarinë e tyre pas vitit 1945. U stimulua krijimi i veprave të realizmit socialist me dhënie lejësh krijuese dhe çmimesh të ndryshme, me dërgime jashtë shtetit, me përkthimin e veprave në gjuhë të huaja, etj.
Në rrugë të gabuar ecën edhe shkencat shoqërore. Filozofia marksiste nuk e vlerësoi moralin e krijuar gjatë përvojës së gjatë njerëzore. Filozofia marksiste ashtu si letërsia u përpoq ta edukonte shoqërinë përmes modelit të njeriut robot, një heroi si Leifen-i kinez, që ecën drejt përsosjes duke zbatuar mësimet e partisë dhe parimin marksist sipas të cilit njeriu i ri i socializmit duhej të luftonte në radhë të parë për interesin e përgjithshëm e pastaj për interesin personal. Harrohej se njeriu nga natyra është qenie interesi dhe në jetë ai lufton para së gjithash për interesin personal e familjar e pastaj për shoqërinë, mjafton që të mos bjerë ndesh me ligjet e shtetit dhe normat morale të shoqërisë. Pra, morali që kërkohej në veprat e realizmit socialist dhe në filozofinë marksiste ishte një moral jashtë karakterit njerëzor, moral fals, moral jo i shëndoshë. Njeriu i ri i socializmit, heroi pozitiv i letërsisë dhe arteve, nuk e kishte flakën e brendshme për ndryshimin e shoqërisë përmes luftës së të kundërtave duke pranuar mendimin ndryshe për të arrirë tek e përsosura. Nuk përkrahej, madje luftohej, njeriu i formuar me normat e moralit të shëndoshë që ishte krijuar gjatë shekujve. Kërkohej me ngulm krijimi i “njeriut të ri” të formuar vetëm sipas normave të moralit komunist, që ishte një moral fals. Kjo solli shkatërrimin e moralit të vërtetë te njeriu i socializmit. Në shërbim të kësaj pune u vunë krahas propagandës së përditshme të shtypit dhe Radio-Televiaizionit edhe të gjithë tekstet mësimore të historisë e të letërsisë. Kështu u krijua një armatë krijuesish të rinj që e njihnin me mungesa të mëdha historinë, letërsinë shqiptare dhe atë botërore, filozofinë, moralin njerëzor, një armatë e cila u bë propagandiste e politikës së partisë-shtet në arte, letërsi e shkencat shoqëroe.
Mirëpo figura e komunistit dhe e sekretarit të partisë si model i heroit pozitiv nuk mund të krijohej e të vihej në qendër edhe në veprat që trajtonin tema historike, pra në vepra ku pasqyrohej jeta shqiptare para krijimit të partisë komuniste. Të tilla vepra ku viheshin në dukje traditat patriotike të popullit tonë nuk mund të ndaloheshin me ligj. Kështu që partia-shtet u detyrua të lejonte që krahas veprave ku pasqyrohej jeta socialiste me hero pozitiv edhe hartimin e veprave me heronj të së kaluarës që nuk ishin komunistë, si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, rilindës të ndryshëm, luftëtarë që kishin dhënë jetën për liri kundër zgjedhës turke, italiane (para nëntorit 1941), etj. Heroi pozitiv, njeriu që mishëronte normat e moralit komunist nuk mund të sajohej si hero në veprat historike para formimit të PKSh-së, por as edhe në veprat humoristike, ku kritikoheshin veset e dobësitë njerëzore, dhe as në veprat lirike ku i këndohej ndjenjave të holla dashurore të njeriut.
Si pasojë ndodhi që disa shkrimtarë, piktorë, muzikantë, skulptorë, skenaristë, regjisorë të krijonin vepra të realizmit socialist, kur trajtonin tema nga jeta bashkëkohore dhe vepra thjesht realiste, kur trajtonin tema nga e kaluara historike, ose tema homoristike a lirike. Kështu që brenda kulturës shqiptare në vitet e diktaturës komuniste mbizotëroi kultura servile proqeveritare, por krahas saj gjalloi dhe një kulturë jo servile, që përbëhej prej veprash letrare e artistike realiste të krijuara jo sipas parimeve të letërsisë dhe artit të realizmit socialist. Këtu hyjnë edhe shumë përkthime veprash nga letërsia përparimtare botërore të sjella mjeshtërisht shqip prej përkthyesish të talentuar si Lazgush Poradeci, Skënder Luarasi, Zef Simoni, Robert Shvarc, etj. Midis veprave origjinale realiste mund të përmendim tregimet e Mitrush Kutelit, ciklin e romaneve “Rilindasit” të Sterio Spasses, romanin “Skënderbeu” të Sabri Godos, romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” bashkë me gjithë korpusin romanor me temë nga koha e Perandorisë Osmane të Ismail Kadaresë, romanin “Lëndina e lotëve” të Teodor Laços, etj; filma si “Nëntori i Dytë” e “Gjeneral Gramafoni” të Viktor Gjikës, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” e “Përrallë nga e kaluara” të Dhimitër Anagnostit, “Mësonjëtorja” i Muharrem Fejzos, “Kohë e largët” e Spartak Pecanit, “Udha e shkronjave” i Vladimir Priftit, “Ja vdekje, ja liri” i regjisorëve I. Muça e K. Mitro, “Balada e Kurbinit” i Kujtim Çashkut, etj. Përmendim këtu dhe vepra satirike si komedia “Karnavalet e Korçës” e Spiro Çomorës, romani humoristik “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” i Dritëro Agollit, shumë skica humoristike në revistën “Hosteni”, etj, si dhe shumë poezi lirike nga Vehbi Skënderi, D. Agolli, këngë lirike dhe këngë popullore lirike, ku nuk mund të sajohej një hero pozitiv si e donte partia shtet. Edhe në kinematografi u realizuan disa filma humoristikë si filmi “Karnavalet” i regjisorit I. Zhabiaku sipas komedisë “Karnavalet e Korçës të S. Çomorës, si dhe komeditë me temë aktuale “Kapedani” prej Fehmi Oshafit e M. Fejzos dhe “Dy herë mat” prej Bujar Kapexhiut, etj. Po ashtu pati realizime realiste në piktura dhe skulptura me temë nga e kaluar historike si tablotë murale të Zef Shoshit në Muzeu Historik i Krujës, “Beteja e Albulenës” e Lek Pervizit, etj dhe në skulpturë “Monumenti i Skënderbeut” i Janaq Paços në Krujë dhe ai i Odise Paskalit në Tiranë, “Monumenti i Pavarësisë” në Vlorë, etj.
Me dashje ose pa dashje partia-shtet, sponsorizoi edhe këto vepra dhe të tjera, që nuk po i përmendim, të cilat janë vepra që i përkasin kulturës demokratike dhe që kanë vlera të qëndrueshme artistike që nderojnë artin dhe kulturën shqiptare. Në këto vepra u zbatuan parimet e artit realist dhe jo normat e realizmit socialist, prandaj ato bëjnë pjesë në thesarin e kulturës sonë që do të jetojë përgjithmonë.
Po ashtu dhe në fushën e shkencave shoqërore pati studime të qëndrueshme lidhur me historinë e së kaluarës, pra të periudhës së Antikitetit, Mesjetës dhe Rilindjes, si dhe të historisë së letërsisë shqiptare të para vitit 1944. Ndihmesë të vyer këtu dhanë dhe shumë studiues të ish-Jugosllavisë si Fehmi Agani, Ali Hadri, Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova, Ali Aliu, Zekiria Cana e shumë të tjerë që punonin e krijonin në Krahinën Autonome të Kosovës.
Shumë e rëndësishme ka qenë gjatë viteve të diktaturës komuniste krijimtaria e disa poetëve, prozatorëve dhe piktorëve që krijuan brenda burgjeve të asaj kohe. Për këtë krijimtari partia shtet nuk foli kurrë dhe nuk pranoi se ekzistonte një kulturë e tillë demokratike krejt e pastër, kultura e burgut, që përfaqësohej prej krijimeve të të dënuarit e ndërgjegjes. Për nderin e kulturës demokratike shqiptare të atyre viteve të vështira, u shquan disa nga shkrimtarët e piktorët e burgosur, ose të internuar në kampe pune si piktori e rapsodi Lek Pervizi, poetët Frederik Reshpja, Pano Taçi, Trifon Xhagjika, Visar Zhiti, Lekë Tasi, piktori Maks Velo, romancieri Kasëm Trebeshina, Pjetër Arbnori, Lazër e Jozef Radi, Gulielm Deda (përkthyes), Mid’hat Aranitasi (përkthyes), Eugjen Merlika, etj. Këta krijuan ose përkthyen me rrezik koke vepra realiste me përmbajtje kundër shtypjes brenda mureve të burgjeve ferr e të kampeve të internimit. Krijimtaria e këtyre njerëzve përbën aspektin heroik të kulturës sonë demokratike që u zhvillua në vitet e vështira të diktaturës.
Këtyre veprave të shëndosha duhet t’u shtojmë edhe veprat e shkrimtarëve, poetëve dhe studiuesve që krijuan në diasporë pas arratisjes së tyre nga Shqipëria diktatoriale. Të tillë janë shkodranët e shquar Ernest Koliqi, Martin Camaj, Arshi Pipa, Lec Shllaku dhe Sami Repishti, vlonjati Isuf Luzaj, gjirokastriti Xhevat Kallajxhi, çami Bilal Xhaferri, korçarët Dhimitr Berati, Stavro Skendi e Vasil Germenji, krutanët Mustafa Merlika e Idriz Lamaj, beratasi Namik Resuli, dibrani Isa Elez Ndreu, lumjani Essad Bilali, etj.
.
Shkrimtarë Shqiptarë të  shek.XX
Shkrimtarë Shqiptarë të shek.XX
Ndërrimi i regjimit dhe botimi i veprave letrare dhe artistike realiste të krijuara në burgje, në kampe internimi dhe në arrati treguan se letërsia e realizmit socialist ishte një mish i huaj në procesin historiko-letrar e artistik shqiptar. Pikërisht veprat letrare dhe artistike që u krijuan në burgje bashkë me veprat realiste që përmendëm më lart përbënë kulturën demokratike shqiptare në vitet e sundimit të diktaturës komuniste. Kjo krijimtari përbën hallkën lidhëse midis letërsisë dhe artit shqiptar demokratik të Rilindjes e të kohës së pavarësisë me letërsinë dhe artin shqiptar demokratik të ditëve tona e të së ardhmes.
Veprat letrare artistike që u krijuan gjatë kohës së diktaturës sipas normave të realizmit socialist, mbas ndërrimit të regjimit diktatorial ndjehen të vjetëruara dhe askush nuk krijon më sipas atyre modeleve. Sot, të dënuarit e ndërgjegjes dhe shumë njerëz të mirëformuar si Agron Tufa, Çelo Hoxha, Kastriot Dervishi, etj kërkojnë që veprat artistike letrare ku është shtrembëruar e vërteta historik të mos pranohen si vepra të vlefshme arti, sidomos filmat socrealistë të mos trasmetohen në gjithë stacionet televizivë, por vetëm në një stacion dhe të shoqëruar me komente prej specialistëve.
Në Shqipëri pas ndërrimit të regjimit diktatorial duhej të arrihej krijimi i një kulture të vetme demokratike, por fatkeqësisht vijuan të gjallojnë ende dy kultura. Njëra demokratike dhe tjetra kultura servile e pushtetit, kultura jo demokratike. Kjo ndodhi sepse para ndërrimit të regjimit, udhëheqja e PKSh-së hartoi variantin shqiptar të planit Katovica që sajoi Mikail Gorbaçovi për sabotimin e procesit të ecurisë demokratike përmes pluralizmit partiak. Pas ndrrimit të regjimit u futën me urdhër të klanit Hoxha në partitë e reja politike shqiptare ish-komunistë, ish-sigurimsa dhe shërbëtorë të tjerë të regjimit diktatorial, për të degjeneruar proceset demokratike.
Zbatimi i planit Katovica në Shqipëri solli si pasojë krijimin e një klase politike me njerëz të korruptuar që shkelin lirinë e fjalës dhe kanë krijuar një shtyp e media që i shërben kryesisht interesave të saj. Tek ne pushtetin politik dhe pasuritë e vendit vijuan t’i gëzojnë edhe pas ndërrimit të regjimit besnikët e klanit Hoxha. Kjo situatë ka lejuar që në publicistikë, letërsi, arte dhe shkencat shoqërore propagandohet politika e kastës sunduese të shpërndarë në partitë e mëdha politike si Partia Socialiste, Partia Demokratike, Partia Republikane, Partia Lidhja Socialiste për Integrim, etj.
Ish-krijues të veprave letrare e artistike të realizmit socialist, duke mos dashur të kërkojnë falje për veprat që krijuan gjatë regjimit diktatorial, vijojnë t’i mbrojnë ato vepra, si vepra me vlera edukative, duke mos kuptuar se ky justifikim është një krim i ri, sepse ndihmon në ruajtjen e nostalgjisë ndaj diktaturës dhe enverizmit. Sot në krijimtarinë e tyre letrare dhe artistike këta krijues janë larguar nga kriteret e socrealizmit dhe përpiqen të krijojnë vepra të reja në përputhje me normat e realizmit botëror. Përpiqen t’u ngjajnë shkrimtarëve përparimtarë botërorë, duke i cituar e përmendur. Merren me trajtim temash filozofike, erotike, sociologjike, por gjithnjë duke mos i trajtuar, ose duke i trajtuar sipërfaqshëm plagëve që shkaktoi regjimi komunist. Për t’u dukur modernë trajtojnë tema dashurie e filozofike, por nuk dënojnë krimet e kohës së komunizmit dhe përpiqen të minimizojnë vlerat e letërsisë së shëndoshë demokratike që u krijua në burgjet shqiptare, në diasporë dhe brenda Shqipërisë diktatoriale prej krijuesve të guximshëm që krijuan e vijojnë të krijojnë edhe sot bashkë me krijues të rinj që i dënojnë krimet e komunizmit. Krijuesit e sotëm të kulturës jo demokratike që vijnë nga koha e diktaturës, ose bijtë e kuadrove të përkëdhelur të diktaturës, nga njëra anë përpiqen të nënvlerësojnë krijuesit e kulturës demokratike që krijuan në ato vite të vështira duke sjellë të dhëna biografike që ua njollosin karakterin e moralin këtyre krijuesve, kurse nga ana tjetër përpiqen të dëshmojnë se ata vetë kanë qenë përndjekur (ata ose prindërit e tyre) nga diktatura sepse u ishte kritikuar a hequr ndonjë poezi a tregim nga një vëllim poetik, ose përmbledhje me tregime.
Në rrugë edhe më të gabuar kanë ecur dhe ecin historianët që shkruan Historinë e Shqipërisë të shekullit të XX. Këta e ripunuan “Historinë e popullit shqiptar” të viteve 1912-1939 dhe të 1939-1991 dhe e botuan në vëllimet III dhe IV, botim i Akademisë së Shkencave, si dhe “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” edhe ky botim akademik i vitit 2008-2009. Në këto vepra për hartimin e të cilave morën rrogën dhjetra kuadro akademikë më shumë se dhjetë vjet, shumë dukuri, ngjarje dhe figura historike i interpretuan dhe i vlerësuan si më parë. Në këto vepra krimet e komunizmit nuk janë dënuar, madje nuk përmenden. Kjo tregon se klani Hoxha ka ende fuqi për të komanduar kuadrin shkencor të Akademisë së Shkencave të RSh-së, si dhe shumë krijues të artit e letrarsisë së sotme.
E thënë ndryshe, edhe sot në jetën shqiptare gjallon dykulturësia. Nga njëra anë gjallon kultura jo demokratike, e cila justifikon klasën politike dhe nuk i dënon krimet e komunizmit. Nga ana tjetët gjallon kultura demokratike që krijohet prej ish-të përndjekurve të ndërgjegjes dhe krijuesve të vjetër e të rinj, që kanë kurajo qytetare dhe i dënojnë krimet e komunizmit. Këta trajtojnë në veprat e tyre letrare, publicistike, artistike dhe shkencore probleme thelbësore të jetës shoqërore përmes realizmit si metodë krijuese, kurse në veprat shkencore zbatojnë me objektivitet parimet e historizmit shkencor. Për fat të keq kjo kulturë sot lëvrohet shumë pak brenda vendit për shkak se aty autorët e vërtetë demokratë nuk gëzojnë liri të plotë. Këta mund të botojnë libra në shtëpi botuese dhe shtypshkronja, por librat e tyre nuk popullarizohen dhe nuk vlerësohen si e meritojnë. Media aty është kryesisht në shërbim të klasës politike që i shërbën klanit Hoxha, prandaj kultura e vërtetë demokratike lëvrohet kryesisht në diasporë prej shkrimtarësh e gazetarësh të talentuar si Vehbi Bajrami, Dalip Greca, Ruben Avxhiu, Lek Pervizi, Jozef Radi, Elida dhe Skënder Buçpapaj, Fatmir Topçiu, Frank Shkreli, Astrit Lulushi, Roland Gjoza, Visar Zhiti, Anton Cefa, Ramiz Gjini, Andon Dede, Fritz Radovali, Ilir Levonja, Eshref Ymeri, Pëllumb Lamaj, etj të cilët botojnë kryesisht në gaztat “Dielli” e Illyria” (Nju Jork) dhe në ëebsite “Kuq e Zi” (Bruksel), “Radiandradi.com” (Itali), “VOAL.Ch” (Zvicër), “Fjala e Lirë” (Londër), etj. Kurse Adem Belliu, Këze Kozeta Zylo, etj kanë hapur stacione televizive në ShBA, etj. Disa të tjerë publikojnë shkrimet e veta në face-book personal dhe në libra me shpenzimet e veta, si politologët Shinasi Rama e Grid Rroi, pelazgologu Mathieu Aref, shkrimtarë e poetë si Rudolf Marku, Ylli Demneri, Petraq Risto, Gëzim Basha, Luan Rama, etj.
Kësaj kulture demokratike i përket e ardhmja, kurse kulturës servile proqeveritare do t’i vijë fundi shumë shpejt mbas krijimit të shtetit ligjor, kur Shqipëria do të hyjë në Bashkimin Europian. Në këtë bashkësi popujsh nuk do të jetë më i nevojshëm dhe as do të pranohet lëvrimi i kulturës servile ndaj pushtetit. Pushteti do të jetë pushtet demokratik i vërtetë dhe si i tillë do të stimulojë jo servilizmin dhe propagandën proqeveritare në media, art, letërsi, shkenca shoqërore e tekste shkollore, por lulëzimin e kulturës demokratike si kulturë e vetme në shërbim të mbarë shoqërisë shqiptare dhe europiane.
E parë në plan tipologjik (përsëritja e tipareve të një dukurie) dykulturësia shqiptare mund të themi se paraqitet nga njëra si rrjedha së një lumi me ujra të kulluar që rrjedhin drejt detit dhe nga ana tjetër një tërësi moçalesh me ujra të ndenjura që nuk rrjedhin e qëndrojnë në vend ku qelben. Kultura demokratike shqiptare, që u ka shërbyer interesave të popullit/ kombit, përbën ujin e kulluar i lumit që shkon drejt detit. Kjo kulturë ka vijimësi gjatë shekujve XVI-XXI. Ajo është përpjekur të zhvillohet në harmoni me përparimin shoqëror me aspiratat e popullit dhe të interesit mbarëkombëtar shqiptar. Kjo pasuri vlerash kulturore ka për t’u derdhur në thesarin e kulturës së përbashkët europiane.
Kurse kultura jo demokratike, kultura proqeveritare që u ka shërbyer klasave/ kastave në fuqi, që ka kërkuar të ruajë statukuonë e të sundojë si hegjemoni kulturore e nomenklaturave politike, përbën ujrat moçalore, që nuk kanë pasur e nuk kanë rrjedhje e vijimësi nga një kohë në tjetrën. Kjo lloj kulture është tharë e zhdukur gjithnjë. Kështu u tha e u zhduk kultura që mbështeti pushtetin perandorak turk, kultura që mbështeti shovinizmin fqinj, monarkinë zogiste, fashizmin dhe diktaturën komuniste. Kështu do të thahet si ujrat e moçalit edhe kultura e sotme jo demokratike që i shërben kastës në fuqi për ruajtjen e statukuosë. Kjo kulturë nuk ka të ardhme, nuk mund të bashkohet në thesarin e përbashkët të kulturës europiane.
Ecuria e sotme e kulturës demokratike shqiptare brenda Shqipërisë e në mbarë Ballkanin Perëndoimor dhe në diasporë tregon se populli ynë është popull krijues i shëndetshëm dhe pas formimit të shtetit kombëtar do të shpërthejnë edhe më fuqishëm energjitë e tij krijuese.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.