
“Ave Cezar!” – Një poezi për dinjitetin dhe rezistencën e shpirtit
nga Anila Toto
Ave Cezar! – Poezi nga Lazër Radi
Gladiatorë!
Gjamët e urrejtjes mbi ju i kam derdhë,
jo për fatin e keq të skllavit,
as për mallkimin e ndëshkimit,
veç për at qëndrim të ulët
të nënshtruem e lajkatar,
atje poshtë, n’fund të arenës:
Ave Cezar! Ave Cezar!
Ave Cezar!?
I përgjakuni gjakatarin përshëndet,
n’triumfin e vdekjes!
Dhe ai gisht ogurzi, kthye poshtë,
në teh të shpatës a në bri të demit,
mbytun në gjak ju lan varë…
Dhe ju prap,
n’grahmat e mbetuna të jetës,
ulërini me sa frymë keni si të marrë
atje n’fund të arenës:
Ave Cezar! Ave Cezar!…
Savër, 1984 (Muret e Muzgut, 1993)

Gladiatorë!
Gjamët e urrejtjes mbi ju i kam derdhë.
“Gladiatorë!”
Poezia nis me fjalën “Gladiatorë!”, e vendosur si një thirrje e fuqishme dhe e shoqëruar me pikëçuditëse për të evidentuar efektin thirrmor të vargut, por e vendos menjëherë lexuesin në një atmosferë lufte, sakrifice dhe përballjeje. Kjo thirrje nuk është thjesht një emërtim, ajo vjen si një apel, një thirrje për qëndresë dhe një përcaktim simbolik i figurave që do të shfaqen në poezi. Fjala “gladiatorë” na prezanton njerëz që nuk janë të zakonshëm, por luftëtarë të një beteje të vështirë, heronj që përballen me rrezikun ekstrem: dhimbjen vdekjen po edhe padrejtësinë. Arena e gladiatorëve shfaqet si metaforë e një situate të caktuar, e një ekzistence të paracaktuar, por më shumë jam e bindur se është fjalë për arenën e jetës, ku njeriu vihet përballë provave të mëdha e ku duhet të luftojë për të mbrojtur dinjitetin, të vërtetën dhe ekzistencën e tij.
Në vargun e dytë që vjen më pas: “Gjamët e urrejtjes mbi ju i kam derdhë”, përcillet një ngarkesë e fortë emocionale, shpirtërore dhe mbijetese. Vargu ka edhe një jehonë antropologjike: “gjama” lidhet me një traditë të lashtë shqiptare të vajtimit kolektiv, ku dhimbja individuale bëhet dhimbje e komunitetit. Kështu, poezia mund të kalojë nga “unë” te “ne”, nga plagosja personale te kujtesa e një populli. Më pëlqen veçanërisht kontrasti “Gladiatorë – gjamët”: njëra fjalë sjell luftën, tjetra vajtimin. Aty ku ka luftë, ka plagë; aty ku ka plagë, lind gjama. Kjo e bën vargun jo vetëm të ashpër, por edhe tragjik.
Folja “kam derdhë” përcjell jo vetëm dufin, lodhjen, durimin dhe qëndresën, por e konkretizon edhe urrejtjen, e cila duket sikur shpërthen si vullkan shpirtëror dhe emocional që derdhet mbi të tjerë. Kjo krijon një figurë të fuqishme metaforike dhe një atmosferë të tensionuar shpirtërore.
“Gjamët e urrejtjes” nuk shprehin vetëm zemërim individual, por mund të nënkuptojnë edhe një dhimbje të akumuluar, të lindur nga një konflikt shumë i thellë njerëzor.
Në këtë mënyrë, vargu i parë ndërton menjëherë arenën simbolike të poezisë, sepse gladiatorët janë ata që luftojnë, ndërsa urrejtja bëhet një forcë që ata e mbajnë mbi shpatullat e tyre. Pas kësaj thirrjeje të fuqishme fshihet një pyetje më e thellë: “Çfarë dhimbjesh kanë kaluar këta njerëz që mbajnë një ngarkesë të tillë? Sa dhimbje duhet të mbajë njeriu mbi vete për të mos u dorëzuar?”
Prandaj, “Gladiatorë!” funksionon si një fjalë nyje e poezisë. Ajo paralajmëron një botë konflikti, qëndrese, guximi dhe mbijetese. Luftë dhëmbë për dhëmbë deri në vdekje!
Nëse nisemi nga një logjikë e thjeshtë, Cezari lexohet si simboli i pushtetit absolut totalitar në Shqipëri, ndërsa “i përgjakuni” si njeriu që ka kaluar përmes dhunës, burgut, frikës dhe poshtërimit. Gladiatori nuk është më vetëm metaforë poetike, është vetë poeti, janë bashkëvuajtësit e tij. Janë njerëzit që jetojnë në një arenë politike ku pushteti vendos kush është fajtori, kush është armiku dhe cili duhet të heshtë.
Me sa mësova nga historia e jetës së autorit: nga internimet e burgosjet e pafundme, nga keqtrajtimet e torturat; nga egërsia dhe tmerret e komunizmit, poezia lidhet me përvojën e autorit në kontekstin e regjimit komunist. Kështuqë: gladiatorët, Cezari, gjakatari, i përgjakun, gishti ogurzi, triumfi i vdekjes, grahmat e fundit të jetës; marrin një dimension të vërtetë historik e autobiografik shumë më të fortë. Cezari mund të lexohet si simbol i pushtetit absolut, ndërsa “i përgjakuni” si njeriu që ka kaluar përmes dhunës, burgut, frikës dhe poshtërimit, duke e çvendosur kuptimin e poezisë përtej komunizmit në një përmasë më universale.
Poezia “Ave Cezar!” e Lazër Radit është poezi me ngarkesë të fuqishme historike, politike, psikologjike dhe njerëzore. E shkruar në Savër më 1984, është botuar vite më vonë në vëllimin “Muret e Muzgut”. Kjo poezi me figurën e gladiatorit dhe arenën romake, ndërton një metaforë të thellë mbi njeriun e shtypur, mbi pushtetin absolut dhe mbi deformimin e dinjitetit njerëzor nën dhunë. Pra… “Gladiatorë!” shërbejnë si një metaforë simbolike, ku të burgosurit dhe të përndjekurit e regjimit paraqiten si gladiatorë, ndërsa arena romake shndërrohet në metaforë të sistemit represiv, ku njeriu lufton për mbijetesë e dinjitet.
Ave Cezar! Ave Cezar!
Ave Cezar!?
I përgjakuni gjakatarin përshëndet,
n’triumfin e vdekjes!
Këtu vargu bëhet edhe më ironik, tragjik dhe filozofik. Sidomos përsëritja e thirrjes “Ave Cezar! Ave Cezar!”, e ndjekur nga “Ave Cezar!?”, krijon një lëvizje ngritëse nga përshëndetja rituale drejt ngritjes së revoltës. “Ave Cezar!” është përshëndetje, por në këtë kontekst nuk është përshëndetje e drejtëpërdrejtë.
Është një përshëndetje e detyrueshme, po edhe si një tallje e të nënshtruarve në burg, një gjest që i bëhet pushtetit në formë mëshire, edhe atëherë kur pushteti të çon drejt vdekjes, edhe pse unë e shoh edhe si tallje, si ironi dhe si urrejtje.
Sepse mposhtja fizike nuk ka lidhje me mposhtjen morale!
“I përgjakuni gjakatarin përshëndet.” “I përgjakuni” – një metonimi, që merr formë metaforizimi për viktimën, për të burgosurin, për të përndjekurin, për njeriun e dhunuar. “Gjakatari” është gjithashtu një epitet me vlerë simbolike, që përfaqëson dhunuesin dhe pushtetin represiv, e që të dy lidhen përmes fjalës “gjak”. Në një lexim njerëzor dhe veçanërisht empatik, ajo që të dhemb më shumë s’është vetëm vdekja e gladiatorit, por poshtërimi i tij i nënkuptuar.
E këtu kemi një paradoks moral.
“I përgjakuni”, – pra viktima, përshëndet gjakatarin, pra atë që e ka torturuar, masakruar, denigruar e gjakosur. Raporti viktimë–xhelat përmbyset në një skenë absurde. Njeriu që duhej të mallkonte nga thellësia e shpirtit… përshëndet!!! E kjo dhemb! Cezari mund të fitojë arenën, por ajo fitore është bosh, sepse është ngritur mbi gjak.
Nga ana tjetër mund të perceptohet si një analizë të thellë e psikologjisë së njeriut nën terror. Kur frika zgjatet pafund, dhe njeriu mund të fillojë e t’i përshtatet asaj. Ai mëson të heshtë, të përkulet, të duartrokasë, madje edhe të lëvdojë atë që e shtyp. Kështu lind një nga format më diabolike të dhunës: jo vetëm kontrolli i trupit, por pushtimi i ndërgjegjes. Njeriu mund të mbetet gjallë fizikisht, por nisë të humbasë lirinë e brendshme. Këtu vargjet marrin tjetër logjike.
“Dhe ju prap,
n’grahmat e mbetuna të jetës,
ulërini me sa frymë keni si të marrë
atje n’fund të arenës:
Ave Cezar! Ave Cezar…!”

Kjo pjesë është ndoshta kulmi tragjik dhe ironik i poezisë, sepse, pas gjakut, shpatës dhe vdekjes, gladiatorët ende flasin. Dhe pikërisht kjo e bën skenën edhe më të dhimbshme.
“Dhe ju prapë”, ku fjala “prapë” është shumë domethënëse. Tregon përsëritjen e një rituali të dhunshëm: edhe pas gjithçkaje që kanë përjetuar, të përgjakurit detyrohen të vazhdojnë të luajnë rolin që pushteti u ka caktuar.
Këtu kemi një hiperbolë: “ulërini me sa frymë keni, si të marrë, atje në fund të arenës”, pra në fund të botës… Edhe ulërini: “Ave, Cezar!” Por “ulërima” nuk është thjesht dhimbje. Ajo mund të lexohet si revoltë, dëshpërim dhe dëshmi, ose, në mendjen time si lexuese, më vjen si një ndjesi ku autori dënon servilizmin dhe mbështetjen që i bëhet dhunuesit…
Poezia ka dy psikologji paralele: dinjitetin dhe nënshtrimin.
Në planin antropologjik, poezia na vendos përballë një pyetjeje të madhe: Çfarë i ndodh njeriut kur jeton gjatë nën frikë? Përgjigjja e Lazër Radit është e dhimbshme, sepse ai nuk mundet kurrsesi të mësojë të jetojë duke humbur gradualisht një pjesë të vetvetes. Mund të mësojë të heshtë, të përshtatet, por jo të përkulet. Kështu, dhuna në burgjet komuniste nuk shkatërroi vetëm trupin; ajo u përpoq të ndryshojë edhe karakterin, kujtesën dhe ndërgjegjen e individit.
Nga pikëpamja filozofike, poezia shtron pyetjen: Ç’është më e rëndë, vdekja fizike apo humbja e dinjitetit? Gladiatori mund të vdesë në arenë, por poeti na sugjeron se ekziston edhe një vdekje tjetër, vdekja shpirtërore e njeriut që ka humbur aftësinë për të thënë “jo”. Kjo është arsyeja pse poezia nuk flet vetëm për vdekjen, ajo flet për një nocion më madhështor se kaq, ajo flet për çmimin e lirisë së brendshme.
Në fund, përsëritja “Ave, Cezar! Ave, Cezar!…” bëhet një dëshmi kundër Cezarit të çdo sistemi shoqëror. Poezia ka një figuracion të pasur e të përqendruar në pak vargje shpërthyese.
Alegoria e arenës, simboli i Cezarit, gladiatorit, gjakut dhe gishtit, ironia, antitezat, apostrofa “Gladiatorë!”, përsëritja e “Ave, Cezar!” dhe kontrastet midis jetës dhe vdekjes, viktimës dhe gjakatarit, pushtetit dhe nënshtrimit, krijojnë një strukturë dramatike. Poezia lexohet pothuajse si një skenë teatrale, ku njeriu hyn në arenë, përballet me pushtetin, merr vendimin e vdekjes, por edhe në grahmat e fundit, flet me dinjitet, sepse unë si lexuese dua ta shikoj gladiatorin kurrësesi si viktimë të dorëzuar, por si një njeri që deri në çastin e fundit ruan një hapësirë të brendshme lirie.
Fakti që poezia është shënuar “Savër, 1984” i jep një peshë të veçantë. Arena romake nuk mbetet vetëm një skenë e largët historike. Ajo merr një jehonë konkrete nga realiteti shqiptar të kohës së komunizmit dhe nga përvoja e vetë autorit. Për këtë arsye, “Ave, Cezar!” mund të lexohet si një dokument shpirtëror i një epoke, ku njerëzit u vunë në provë përballë frikës, dhunës dhe detyrimit për t’u nënshtruar.
Por poezia flet për dinjitetin, revoltën dhe urrejtjen, jo për nënshtrimin! Ajo flet për gladiatorët! Në fund mbetet zëri, sepse gladiatori ende bërtet. Dhe për sa kohë që ekziston zëri, ekziston edhe një copëz lirie. Trupi mund të mposhtet, por fjala mund të mbijetojë. Cezari mund të fitojë arenën, por nuk mund ta zhdukë përgjithmonë dëshminë e atij që vuajti.
Kjo është gjurma më e fortë që “Ave, Cezar!” lë në shpirtin e lexuesit: një ndjenjë dhimbjeje të ndërthurur me revoltën, por edhe me besimin se dinjiteti njerëzor mund të mbijetojë edhe në kushtet më çnjerëzore, sepse pushtetet mund të ndryshojnë, por prova e dinjitetit njerëzor mbetet gjithmonë e njëjtë.