back to top
6.5 C
Tirana
E hënë, 9 Dhjetor, 2024

Akademikët e Urrejtjes ose Mjerim Intelektual i Nashove të rinj… – polemikë nga Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 2015
Jozef Radi 2015

Akademikët e Urrejtjes ose

Mjerim Intelektual i Nashove të rinj…

polemikë nga Jozef Radi

Kur një miku im më nisi linkun e shkrimit “Idhuj të Zgavërt” pata njëfarë hezitimi për lexim. Qysh në titull kishte diçka ndjellakeqe, ogurzezë, sepse mbas “idhujve pa krena”, “idhujve të rremë” autori i shkrimit kishte sajuar edhe “idhujt e zgavërt” pra diçka e gërryer, e brejtur, e kalbur, boshe dhe duke pasur edhe njëlloj përcaktimi mjaft të qartë ndaj artikullshkruesit… e se çfarë përfaqëson si pronar i portalit “Peisazhe…” (i njohur tashmë për mënyrat “pikante” si i trajton problemet letrare apo këndvështrimet që hedh mbi problemet kulturore), nuk prisja asgjë të mirë o së paku diçka të ekuilibruar, po kurrsesi një batërdi të këtij tipi, ku njeriu sharron i lumtur degën në të cilën ai qëndron…
Shkrimi është tipik i atyre që janë edukuar qysh në gjenezë me gjuhën e drunjtë dhe me një dozë bajagi të madhe urrejtjeje, për të cilët si ndjekës i vëmendshëm në kohë i proceseve të trasformimit të “Homos Novus” mendoj se janë thuajse të pashërueshëm. Nëpër gjithë tekstin, fund e krye, thellë e në dukje ka një përdhosje abstrakte, çka të lejon të mendosh se autori as ka lexuar gjë për atë çka flet, sepse “nuk e gjen për bè” ndonjë vepër o ndonjë titull së paku, ndonjë perifrazë o ndonjë autor! Asgjë fare! Çka na dëshmon se duke mos lexuar asgjë vetë, thjesht na sjell fjalë të dëgjuara, të kopjuara a copëza bisedash kafenesh e ndoshta edhe mejhanesh të mbështjella me “strukturën akademike të urrejtjes…” dhe pse me një dozë të degraduese që ia shton dukshëm sharmin e një daciobaoje shkrimit. E gjykova si tejet të padobishëm një debat qytetar me dikë që ndjehet “si nukël intelektual metropoli jashtë qendrës” që rreket të na shpalosë me një sens superioriteti mjerimin e një akademiku të jashtëm, (mbasi akademizimi i brendshëm shërben thjesht si firma rrogtarie) të një “intelektuali” me syze kaq të errta, thua se ia ka punue teneqexhiu Xoxe, sa me krijoi bindjen se veç veten shihte nga brenda tyre. Autori me kthjelltësinë e një arrogance të bleme nga gjysma e parë e jetës, na shfaqet edhe si operativ, edhe si hetues, edhe si gjyqtar, edhe si prokuror, edhe si polic po me kenaqësi të rrallë bën ushtarin në plotonin e pushkatimit, ndaj gjithçkaje të krijuar në “realitetin e lirisë” së 32 viteve. Ku vendos kryefjalën “mediokre” si kryefjalë për t’ia “lehtësuar vedit” barbarinë… Na lind pyetja: çfarë di ky studiues mbi të shkruarit e një vepre letrare? Çfarë kushtesh duhet të përmbushë apo të mos përmbushë një vepër letrare sipas tij, për të qenë vepër e marrë në konsideratë e që të mundet t’i heqë sado pak sharmin e dacibaos që e ka munduar kaq shumë autorin…?!
E në një lexim të dytë e më të qetë, shkrimi me hiqte mallin e një “kollosi të letrave të realsocit” njëfarë Nashoje që e pat urrejtjen kryefjalë patollogjike, ndoshta i shkreti pse qysh herët qe rekrutuar me pseudonim dhe ia donte detyra… kështuqë edhe autorin e këtij shkrimi tejet të pa nivel s’po e quaj XY, si personazhi ipotetik të tij, që e fut nën bajonetën e sh(krimit), por duke e ndjerë si një matrioshkë për lehtësi trajtimi po e emërtoj Nashua i New Yorkut…
Meqë vëmendja ime është e lidhur kryesisht me shkrimin, po merrem me një trajtim fluturues mbi tekstit e autorit në fjalë, të cilin po e paraqes me ngjyrë të kaltërt…

Visar Zhiti - Kartela të Realizmit të Dënuar
Visar Zhiti – Kartela të Realizmit të Dënuar

***
Ja një gjë që po ndodh rëndom dhe që nuk e gëlltit dot, por edhe që më lë të dyzuar në gjykim, prandaj dua ta ndaj me ju.
(Sqaroj se gëlltitja është proces i sforcuar i të ushqyerit. Pra, autori nuk ha as përtyp, thjesht gëlltit, si pasojë na lejon të mendojmë se nuk është mësuar të hajë normalisht, të përtypë, të shijojë e të tresë…. dhe s’besoj aspak në dyzimin e tijnë gjykim. Përkundrazi, është aq i plotë e aq i dëndur me vetvete sa vazhdon gjatë gjithë tekstin me idenë e shpërlarjes së trurit. Mbasi nuk e gëlltit dot kët të vonën, të hershmen tashmë e ke bërë të vetën kaherë e si duket kërkon bashkëshokë në çorbën e re…)
Të marrim personazhin fiktiv XY, intelektual të periudhës së mbretërisë, ose edhe të viteve të Luftës, që ka pasur një farë veprimtarie letrare dhe ka shkruar e botuar, por pa shkëlqyer.
(Një njeri që mban mbi supe nofkën “intelektual” e gëzon edhe tituj akademikë me korespendencë, s’ka pse krijon personazhe ipotetikë e fiktivë, po merr emra konkretë, merr tekste konkrete, thotë fjali konkrete e racionale, gjykon me shigjetën e balancës edhe në mirëbesim, mban qëndrime të qarta, kupton kohën dhe kohrat dhe sigurisht ndërfut edhe referenca prej të spikatunve që e nderojnë për të ndjerit intelektual… Ky është studiuesi edhe intelektuali simbas shumë parametrave. Pushkatimet e robërve të luftës, tashmë kanë marrë fund, e nuk mund të vazhdohet me pushkatime në në turmë, po guxohet e lexohet, mbrrihet në emra dhe vepra konkrete, e jo dokrra hini… Ne për fat ua kemi lexue edhe me detyrim atë përlloçjen gjysëmshekullore që rrekeni me e mbajtë në kambë si letërsi, kur ia kishit vendosë drynin kohës edhe mendjeve… po kët gjendje tashma e ka marrë lumi…)
I njëjti intelektual angazhohet politikisht kundër komunizmit ose thjesht shpallet armik i regjimit dhe pastaj përfundon në burg dhe i hiqet emri nga çdo përdorim publik. Vepra e tij dëbohet nga bibliotekat dhe dorëshkrimet rrezikojnë t’i zhduken.
(Ky: “i njëjti intelektual…,” cili është, sepse unë mundem t’ju dhuroj lista tejet të gjata me emra tejet të nderuar, me vepra tejet të vyera, me sakrifica tejet sublime që mund ta marrin “me shqelma” kët hallakatje e hardallisje dashakeqe edhe ty bashkë… Plejadat e tyre janë aq të nderuara, sa po nisem nga ajo pjesë e tyre ikur prej realiteteve shqiptare e që bënë emër në universitet e njohura të botës, mjaft të përmend Jusuf Luzaj, Arshi Pipa, Martin Camaj, Namik Resuli, Tahir Kolgjini, Lin Delia, të cilët lanë edhe vepra solide dhe e gjithë kjo kavërdisje zhurmuese e bie si të ishte prej rëre… Po mundem gjithashtu të përmend si “XY” edhe Sejfulla Malëshovën, Mark Ndojën, Kin Dushin, Kasem Trebeshinën, Petro Markon që ishin pjesë e frymës së Pushtetit po që vuajtën tejet keq prej tij…Te kjo “XY” nuk besoj se bëj gabim po të kujtoj se mund të futen edhe korifej si Anton Harapi, Lazër Shantoja, Et’hem Haxhaidemi, Mitrush Kuteli e Lasgush Poradeci me vepra të përmendura edhe pse të dëbuar nga letërsi e të përjashtuar për të mos ekzistuar; gjithashtu mundem t’i konsideroj sëbashku në vepra po edhe në akte heroike të sakrifikimit në altar të letrave edhe figura si Qemal Draçini, Musine Kokalarin, Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi, Genc Leka, Bilal Xhaferri, Havzi Nela… edhe ata na lënë jo vetëm vepra po edhe dinjitët të mjaftueshëm për t’u ndjerë krenarë me ta e për t’iu rikthyer lexime, që nuk mplaken… Kështu, nuk janë kurrsesi për t’u lënë mbas dore edhe figura si Astrit Delvina, Zef Zorba, Lazër Radi, Zef Pllumbi, Mustafa Greblleshi, Kudret Kokoshi, Lek Pervizi, Beqir Haçi, Visar Zhiti e plot të tjerë që na dhuruan përpos vuajtjeve të medha edhe një fuqi për ta përballuar peshën e kohës, në sjelljet e tyre letrare dhe jo letrare… Edhe ata që i mbajtën veprat e tyre në sirtare të padeklaruara, i shkruan në kujtesë apo i tjetërsuan duke i shkruar në gjuhë të huaja si: Robert Prifti, Primo Shllaku, Frederik Reshpja, Henrik S. Gjoka, Jamarbër Marko, Uran Kostreci, Leka Tasi, apo përkthyes që për ju janë asgjë me shumë veçse XY, por që lanë mbas dore veprën e tyne dhe u morën me madhështinë e artit të përjetshëm si Pashko Gjeçi, Mit’hat Araniti, Nikollë Dakaj, Vexhi Buharaja, Mark Dema, Guljelm Deda,  Jusuf Vrioni…
Pa harruar sa vepra, sa dorëshkrime janë djegur, janë sekuestruar, janë tjetërsuar për çudi, këta kollosë qëndrojnë sot e gjithë ditën në këmbë, përkundër urrejtjes, përkundër heshtjes e përkundër shkrime të këtij niveli nga akademikë që e firmosin pa dhimbje mjerimin e tyre. Këta që shënova ishin krejt pak por ata munda t’i rrok ashtu fluturimthi kujtesës…)
Grupe të fuqishme, edhe politike edhe kulturore, identifikohen me trashëgiminë e XY dhe vendosin t’ia (ri)botojnë veprën. Dalin kështu botime të reja, ndonjëherë luksoze dhe të shtrenjta, me tekstet e lëna prej atij autori.
Le të supozojmë tani se këto tekste janë artistikisht të dobëta, të papërpunuara, madje disa as që e meritojnë të botohen. Merita e tyre është se janë të XY, i cili tani gëzon statusin e një shenjti laik – rreth tij organizohen konferenca, jeta e tij studiohet në shkolla dhe emri i tij pagëzon rrugë dhe institucione.
Në të gjithë këtë perifrazim cinik e të një dashakeqësi e epërme… me gjoja grupe të fuqishme politike… identifikohen, i botojnë e ribotojnë në trajta luksoze… vepra artistikisht të dobta, të papërpunuara… Fjalia kërcet më së shumti, sepse nuk e shoh gjëkundi frymë, e mund të them se e kundërta e vërteta… se veprat janë botuar kryesisht me iniciativë të autorëve në të gjallë të tyre, të familjarëve të tyre në mungesë e ndonjë Instituti që ka botuar modestisht diçka prej këtyre veprave… Paragjykimi është i flagrant… meqë “as që meritojnë të botohen…”! Kush na je ti mor zotni që na paske kët përcaktor… apo të ka mbetë ndonjë metastazë censori nga koha e kontrollit të madh e ndalimeve të mëdha! Po kur qenke kaq i thukët në kompetencë profesionale në jep ndonjë titull që të vijmë në ndihmë e mos ta lëmë mjerimin tënd solitar…!! Sepse shoku Nasho i New Yorkut, cila vepër të paska qëlluar aq dobët sa ta paske prishë stomakun, ose më mirë cilën vepër na paske lexuar e së paku t’i ndrisje disa rreshta edhe në atë qesëndinë tënde…!! Po ti as për të parën e as për të dytën s’ke gjë ndër kthetra… thjesht qëllon në turmë kush ta hajë, ta hajë… ti e bëre detyrën!
Sikur të mos kish ndodhur persekutimi prej regjimit të Hoxhës, XY me shumë gjasë do të kish mbetur një emër mes të shumtëve, në historinë e letërsisë shqipe. Vepra e tij – e gjykuar vetëm letrarisht – jo vetëm është mediokre, por edhe artistikisht e prapambetur. Tekstet e tij kanë ngjyra të forta folklorike dhe ndjekin e ndjellin një estetikë arkaike.
(Një dënimi i padrejtë, simbas konceptit të kësaj Matrioshke të Nashos, na qenka arsye për të bërë emër me rëndësi…!! Hajde, Akademos hajde…! Po mos e zbrit kaq poshtë stekën! Sepse gjithë epitetet ndjekëse janë të një niveli fyes që pak dallojnë prej zhargonit të rrugës… A e di o Akademosi i Nashos se këtë ligjëratë fund e krye, pa asnjë retush e kam kaluar me dhimbje kur isha gjimnazist në vit të tretë në vitet 1974-75. A e kupton se sa mjerim ke në vetvete, edhe thjesht me kët perifrazim që e kam të gdhendur në kujtesë kur flitesh për “letërsinë reaksionare” të Fishtës, Koliqit, Shantojës, Harapit dhe Haxhiademit. Ti sot për fatin e keq tëndin shfaqesh edhe pa maskë në kohë Pandemie…)
Megjithatë, biografia politike e XY, fati i tij njerëzor dhe detyrimi moral që ne sot ndiejmë ndaj tij, për shkak të persekutimit që ia bëri regjimi totalitar, i ndërhyjnë fort në statusin e veprës – aq sa t’i bëjë shumë prej nesh të hezitojnë, kur vjen puna për ta thënë se ajo vepër është përgjithësisht mediokre. Kjo, sepse ashtu do të ndiheshim sikur po e vazhdojmë, sot e kësaj dite, persekutimin e një viktime të regjimit të djeshëm.
(Aaaaa… këtu je tejet fantastik! Ju jeni pjella e mediokritetit më spektakolar në historinë gjysëmshekullore, dhe befas na hezitoni ne shpalljen e mediokritetin ndër të tjerë! (Perlë fantastike, o Akademosi i Nashos) Dhe befas na je shfaqur në shumës veta e parë, kur thuajse brohoret: “…detyrimi moral që ne sot ndiejmë ndaj tij… bën që shumë prej nesh të hezitojnë…” Me thënë të vërtetën ti po shan për qejf, sa po të ha palla, e ku e ke atë “Ne” e keqardhjes dhe hezitimit… Së paku bjer disi në paqe me mendimet tua!! “Ne-ja” na lejon të besojmë se shkrimi nuk është tjesht i juaji po i një konklavë të gatuar me urrejtje dhe përçmim… pse jo edhe me mjaft frikë… ndërsa fraza e mëposhtme i vë kapak kësaj punë, sepse dje XY paska qenë viktimë e dhunës, e sot viktimë e fiktivitetit tuaj letrar! Po zbute pak atë teh urrejtje… se çdo pelerinë që vesh tingëllon bajate dhe e sforcuar!
Mbyllja është solemne! Befas bëhesh babaxhan deri në dhimbje. E vërteta është se ajo që “gjoja ju” (ne tekst ne) nuk dëshironi të ndodhë ka tashmë legjitimitetin institucional)
Ndërkohë, është vënë në veprim një mekanizëm që ushqehet nga ky lloj ekuivoku, dhe që e rrit artificialisht vëmendjen ndaj veprave të një historie të tillë. Gjenden fonde për botime të reja dhe për konferenca përkujtimore, deri atje sa të krijohet – artificialisht – një autor fiktiv.
(Ndërkohë përgadit terrenin për një sulm frontal, por më parë kërkon të japë atmosferën sikur na qenkan ca kasta institucionesh, ministrish, universitetesh, media apo operatorë kulture… që kanë marrë përsipër ngjarje të mëdha… çka përben një mashtrim të ulët… në shumicën e rasteve kanë qene vetëm iniciativa private botuesish, familjarë e të afërm, grupime shoqërore e asgjë më shumë… Fakt është se gjatë këtij viti qe 120 vjetori i lindjes se Haxhiademit, dhe 45 vjetori i vrasjes së Vilson Blloshmit Genc Lekës, dhe sigurisht reagimi menjëherë mbas ngjarjes së fundit dëshmon më së miri se ky njeri i edukuar me urrejtjen dhe mashtrimin, një krijesë pa bosht human nuk mundet ta superojë të keqen me të cilën është gatuar…)
Krijohet edhe një kastë institucionesh dhe operatorësh të kulturës që specializohen në këto marifete, dhe që synojnë ta zëvendësojnë qarkullimin dhe konsumin letrar me performativitetin e eventeve përkatëse; sepse ashtu edhe sigurojnë më lehtë fonde.
Brezi më i ri, që nuk i kupton mirë manovrat institucionale dhe lojërat e pushtetit kulturor, merr në duar vepra të cilat nuk arrin dot t’i vlerësojë – sepse i gjen të palexueshme. Por brezi i ri, ngaqë nuk ka përvojë kulturore, do të priret që të bëjë veten me faj; ose në rastin më të keq, të gjykojë se letërsia e traditës nuk bën për të.
Është objektivisht e vështirë t’i ngjallësh publikut të sotëm interes për, të themi, Et’hem Haxhiademin ose Zef Skiroin; dhe aq më tepër për gjithfarë dorëshkrimesh, ditarësh dhe letërsi të tjera sirtarësh, që vijnë prej autorësh me histori personale të dhimbshme. Rreziku gjithnjë mbetet që tradita të shndërrohet në depozitë interesash privatë dhe periferikë, ose në një arkiv të glorifikuar eventesh me valencë kryesisht politike. Ka edhe revista kulturore që i konformohen këtij modeli dhe u bëjnë vend të madh, në faqet e tyre, “rikuperimeve”, shoqëruar me intervista me të afërmit, miqtë dhe fëmijët e miqve.
(Dhe ja, dhëmbi i helmët i një deliranti me kontribute tejet mediokre, mbasi sillet e përsillet befas merr kurajo të mbllaçisë dy emra, dy kollosë që e kanë kapërcyer tashmë Provën e Kohës: Haxhiademin dhe Skiroin… E si të mos mjaftonte vdekja e të parit në kushte tragjike… dhe mohimi egërshan i veprës së tij, autori s’mund të mos shfaqej mbi tank, si Dhëndri i dikurshëm i Kinostudios, që nën modele konkrete të hedhë llurbën e rradhës mbi të pambrojtur, ndërkohë që ca më sipër qe lodhur në përgjërime, keqardhjeje e gjoja dhimbjeje…
O mjeran! Po Haxhiademi edhe i vdekur, edhe i zhdukur, edhe i pavarr, edhe i përjashtuar nga të gjitha hierarkitë e thurura nga Nashot e së djeshmes e së sotmes e mbajti në këmbë lavdinë në atë jetë po edhe në këtë jetë… Ti bëre mirë që dole nga XY dhe shkove te Haxhiademi, sepse kur njeriu kërkon t’ia bëje varrin vetes… rreket t’i heqë gurin e themelit një kështjelle!)
Rreziku i këtij relativizimi varet drejtpërdrejt nga paaftësia masive e publikut për të njohur vlera letrare dhe kulturore, e kombinuar me shtysën ndonjëherë të papërballueshme për konformim. Tek e fundit, askujt nuk i kushton gjë, sot, të shpallë vend e pa vend se XY paska qenë i madh, i paarritshëm, sublim, i hatashëm, i jashtëkohshëm, etj.; në një kohë që e kundërta vjen me kosto të mëdha relacionale. Kjo shpjegon edhe pse veprat e këtij XY-së i gjen shpesh me parathënie nga autoritete kulturore, gjithfarë akademikësh e profesorësh me tuje, të cilët nuk kursehen në lëvdata, edhe pse të vetëdijshëm se po nxjerrin bullshit nga goja (ndonjëherë edhe nga hunda).
Ku përfundojnë pastaj këto vepra? Në bibliotekat e akullta të institucioneve, në zyrat luksoze të ministrave dhe të drejtorëve, në sallat e heshtura të pritjeve dhe të përcjelljeve; në selitë e selitura të OJQ-ve dhe të instituteve të kulturës. Me siguri një pjesë u dërgohen edhe bibliotekave të shkollave, si dhuratë (“bujare”). Janë libra që nuk i lexon dhe që nuk do t’i lexojë kush; dëshmi politikash kulturore dhe vullnetesh të mira, që kanë dhënë efekte të kundërta nga të synuarat.
(Po kush je ti, mor mjeran që me kaq guxim e kollajllëk na e paragjykon të sotmen dhe të nesërmen… Kush je ti që pllakos mandatën, se gjoja na qenkan: “…libra që nuk i lexon dhe që nuk do t’i lexojë kush…” Prej cilës profeci o prej cilës fallxhore e ke stisur këtë fjali që askush nuk gjen guxim të shprehet kësisoji… Vetëm ato krijesa që besojnë se pesha e urrejtjes së bartin mund t’i madhështojë ndërsa mendojnë dhe më e keqja shprehen kështu…)
Askush nuk ka të drejtë të dyshojë, a priori, për qëllimet e atyre palëve, që kërkojnë të ruajnë dhe të restaurojnë traditën – aq më tepër kur kjo ka qenë sakatosur nga politikat totalitare; por ka një art, një masë dhe një takt edhe në zhvarrosje – dhe nguti, ose instrumentalizimi shpesh rrezikojnë të ngrenë në këmbë zombies.
Në mbyllje të kësaj mbivendosje fragmentare mbi shkrimin (palaçollëk) të Nashos së New Yorkut mund të them se ishte një reagim “a pelle”. Ndoshta një shkrim më serioz e më i gjatë, një mbivendosje më e kujdesshme mbi këtë trakt të së keqes, mundet ta ndihmojë edhe ata që janë të ushqyer me doza të dukshme urrejtje në rtë shprehur, e s’kanë qoftë edhe një fishek drithedhës në tekstet e tyre…
Habia ime, si e një lexuesi të thjeshtë shtron pyetje: Pse asnjë titull? Asnjë vepër? Asnjë analizën e diçkaje sado të vogël të autorëve… pse i pushkaton sërish në grup? Sigurisht sepse nuk i njeh dhe as është i zoti të shkruajë asnjë mendim personal të kthjellët… kjo më shtyn të mendoj edhe diçka tjetër: se shkrimi në fjalë s’është çeshtje një individi të vetëm por më gjerë. Besoj të jetë i punuar nga nji strukturë, e cila lëviz në disa rrafshe! Në një lexim të ftohtë e thuajse asnjanës, ndjen se s’ka frazë që s’e ka helmin e dikurshëm të realsocit ndaj gjithçkaje humane, po njiherësh e ndjen edhe hijen e Nashos, tashmë edhe si stafetë e shpërndarë në realitete të përtejme…
Sigurisht, nëse shkrimi do të kishte sadopak ekuilibër, mund të hante arsye, debat po edhe një trajtim më solid profesional e të mbështetur në fakte… Si shkrim i zhbilancuar nuk meritonte konfrontim leal, thjesht e kerkonte një konfrontim të cilin unë e bëra mbi tekstin e autorit, ndoshta edhe me ndonjë teprim… kjo, pse gjuha e urrejtjes së tij ndjehej në çdo frazë, (çka dëshmon inferioritet sepse unë do të doja që autori ta barabiste hijen e tij me dritën e së paku këtyre 50 emrave që përmenda), dhe sado që u mundova nuk e shpëtova dot veten nga një dozë përçmimi e cinizmi… Pra, sado që u përpoqa ta frenoj veten diçka më ka dalë dore, po gjithsesi është rrjedhojë e jo qëllim… Në përfundim ë duhet t’i kujtoj artikullshkruesit (o artikullshkruesve) se doza e helmit e marrë prej shkrimesh të tilla në kohë të gjatë edhe pse më ka imunizuar mjaft, nuk më ka lejuar të jem i pandjeshëm ndaj tyre…)
23-24 korrik 2022

Fragmente te shkrimit u moren nga linku i meposhtem … https://peizazhe.com/2022/07/21/idhuj-te-zgavert/

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.