Vetullbardhi – tregim nga Anton Çehov

Gazeta

Anton Çehov (1860-1904)
Anton Çehov (1860-1904)

(Aleksandri, vëllai i Anton Pavlloviç Çehovit, në kujtimet e tij të vitit 1911, shkruante se “në oborrin e Antonit jetonin tre qen të zinj, midis të cilëve dhe një kokëbardh me madhësi mesatare, të cilin vëllai im e përjetësoi në tregimin “Vetullbardhi”.
Mua, si dashamirës i natyrës dhe simpatizant i Çehovit, m’u duk i bukur… dhe duke qenë se nuk mbaj mend ta kem ndeshur në përkthimet shqip të këtij autori, e përktheva nga anglishtja. Duke mos qenë i fushës edhe mund të kem bërë gabime. Falje nëqoftëse ka!)
a.gjyshja

Ulkona e Bores
Ulkonja e Bores
Vetullbardhi – tregim nga Anton Çehov 
përktheu Avis Gjyshja

Ulkonja e uritur u ngrit të shkonte për gjueti. Para se të dilte lëpiu edhe njëherë lehtë tre këlyshët e saj të përgjumur që lëvizën dhe u ngjeshën edhe më fort pranë njëri-tjetrit.
Ishte pothuaj mars, kohë pranvere, por natën, si edhe në dhjetor, degët e pemëve mbuloheshin akoma nga bryma dhe bënte aq ftohtë sa ishte gati e pamundur të nxirrje edhe gjuhën jashtë. Ulkonja, megjithëse ndjehej shumë e dobët dhe nervoze, me shpresën se askush nuk do t’ia lëndonte të vegjëlit përsa kohë që do ishte larg, u mundua të shkëputej pa zhurmë. Aromat e gjurmëve të njerëzve dhe të kuajve, trungjet, turrat e druve dhe rruga e errët me plehrat mbi të e frikësonin ulkonjën. Asaj i dukej sikur nga ana tjetër e pyllit ulërinin qentë, kurse në errësirë prapa pemëve qëndronin njerëz të fshehur.
Nuk ishte më e re dhe nuhatja i qe dobësuar aq sa nganjëherë ngatërronte dhe aromën e një dhelpre me atë të një qeni dhe madje po për këtë arsye disa herë kishte humbur edhe rrugën, gjë që nuk i kishte ndodhur kurrë kur ishte e re. Për shkak të dobësisë, ajo nuk afrohej dot më tek kuajt dhe pelat si në kohërat e vjetra, bile nuk gjuante më as dele e as viça të mëdhenj dhe kohët e fundit ushqehej pothuaj vetëm me kërma. Ndërsa mishin e freskët e shijonte shumë rrallë, pothuaj vetëm në pranverë kur mund të kapte ndonjë lepur apo të futej në ndonjë stallë qëngjash të ndonjë fshatari aty rrotull.
Në rrugë, rreth tre milje tutje nga strofulla e saj, gjendej një barakë druri e cila përveç të tjerave ishte edhe si një farë vend pushimi për postierët e linjave të gjata dhe udhëtarët që i zinte nata rrugëve të asaj ane. Aty jetonte edhe kujdestari Ignat, një plak rreth të shtatëdhjetave, i cili pasi flinte gjithë natën, ditën, me një armë gjahu teke në duar, duke u kollitur dhe folur me vete, kërkonte për lepuj në pyllin aty afër. Në të ri, Ignati kish punuar si maqinist trenash, gjë kjo që i kish lënë dhe ca zakone të çuditëshme si përshëmbull kur donte të ndalonte diku i bërtiste vehtes “Stop motorr!” ndërsa kur duhej të ecte shpejt thërriste “Gjithë forcën para!” E po njëlloj, kur i duhej të kthehej mbrapsh, i bërtiste vehtes: “Gjithë forcën mbrapa!” Bashkë me të rrinte gjithmonë dhe një qen i zi e trupmadh, të cilin ai e thërriste Arapkë. Nganjëherë edhe këndonte, por kishte raste që këmbët i ngatërroheshin e rrëzohej (atëhere ulkonja që e shihte nga larg mendonte se atë e rrëzonte era!) dhe atëhere Ignati, i bërtiste vehtes gjithë inat e i thosh se “dole nga shinat!”
Ulkonja mbante mend që gjatë verës dhe vjeshtës së shkuar se pranë barakës kullosnin një dash dhe dy dele dhe jo shumë kohë më parë, kur kishte kaluar aty pranë, i kishte dëgjuar edhe të blegërinin në një ndarje që shërbente si stallë. Dhe tani, meqë ishte Mars, ndërsa po i afrohej barakës, ulkonja instinktivisht mendoi se patjetër që në atë stallë do të kishte edhe qengja të njomë. E torturuar nga uria, ajo përfytyroi se çfarë kënaqësie do të qe që të hante një të tillë, mendime këto që bënë që t’i kërcisnin dhëmbët e sytë t’i shkëlqenin si shkëndija në errësirë.
Kasollja e Ignatit, hambari, stalla e bagëtive dhe pusi ishin të rrethuara nga togje të larta bore. Gjithçka ishte e heshtur ndërsa Arapka, me shumë mundësi, duhej të ishte duke fjetur në hambar.
E ndihmuar nga grumbujt e borës ujkonja u ngjit mbi kasolle dhe me putra e hundë, filloi të gërvishtë çatinë prej kashte. Kashta qe e vjetër dhe e kalbur dhe ulkonja, duke ndjerë aromën e ngrohtë të plehut dhe të qumështit të deleve që i ngacmuan flegrat e hundës, gati u rrëzua brënda. Poshtë, blegëriu butë një qengj që duket se mbërdhihte. Ujkonja kërceu përmes vrimës dhe ra me të katër putrat mbi diçka të butë dhe të ngrohtë – ndoshta një dele – por në moment, diçka në stallë filloi papritmas të ulërinte, lehte e kuiste, delet vrapuan e u grumbulluan përballë dhe ujkonja e trëmbur, rrëmbeu gjënë e parë që i kapën dhëmbët dhe vrapoi të dilte sa më shpejt nga vrima ku ishte futur.
Ndërkohë Arapka, e cila e kishte nuhatur ujkonjën, lehu si e tërbuar, pulat u tmerruan dhe kakarisën fort dhe Ignati i zgjuar nga poterja, doli tek porta dhe i bërtiti vehtes.
-Gjithë forcën para! Bjeri sirenës!
Dhe pasi fërshëlleu si motor me avull bërtiti: “Ho-ho-ho-ho!” – thirrje që u u kthye mbrapsh nga jehona e pyllit.
Kur, qe larguar goxha nga stalla ku vazhdonte e gjëmonte poterja, ujlkonja që mezi vraponte me prenë në gojë, pa se preja, jo vetëm qe më e rëndë se ç’duhej të ishte një qëngj por dhe se ç’lëshonte ca tinguj e aroma të neveritshme që nuk ngjanin fare me ato të një qëngji. Dhe kur mendoi se qe larguar mjaftueshëm e gjithçka kish ngelur prapa, ulkonja u ndal dhe e lëshoi prenë gati për ta shqyer e për ta ngrënë…
Por papritur kërceu mbrapsh me neveri… Preja nuk ishte qengj, por një qenush i zi, njëlloj si Arapka, kokë madh e këmbëgjatë e me një pullë të bardhë në mes të ballit. Dukej se qe një këlysh i thjeshtë e injorant oborri. Dhe sikur të mos kishte ndodhur asgjë, qenushi u kthye, lëpiu kurrizin e plagosur, tundi bishtin dhe filloi t’i lihte ulkonjës. Ulkonja u skërmit kërcënueshëm dhe u largua prej tij. Ai vrapoi pas saj. Ajo pa për rreth dhe u skërmit përsëri. Këlyshi u ndal i hutuar dhe duke menduar se ajo po luante me të, ktheu kokën andej nga kish ardhur dhe sikur të donte të ftonte edhe nënën e tij Arapkën që të luante me të dhe ujlkonjën, lëshoi përsëri një lehje të shkurtër pyetëse e të gëzuar.
Kur ulkonja arriti tek strofulla ku prisnin këlyshët, pothuaj qe zbardhur, plepat dalloheshin qartë, shapkat qenë zgjuar dhe meshkujt e tyre, të trëmbur nga vrapimet e pakujdesëshme dhe lehjet e qenushit ngriheshin gjithë panik e potere nga ferrat.
-Pse dreqin vjen pas meje ky? – mendoi ulkonja e bezdisur nga këlyshi, -Duket se ai do që unë ta ha atë.
Strofulla ku gjendeshin këlyshët e ulkonjës, qe një gropë nën rrënjët e një pishe të madhe dhe të vjetër e cila qe shkulur para tre vjetësh nga një stuhi e dhunshme. Në pjesën e poshtme të gropës kishte myshk e gjethe të thara, ndërsa rreth e qark saj, plot eshtra kafshësh që dikur kishin shërbyer si ushqim e tani ishin lodra për të vegjëlit e ujkonjës. Këlyshët, të tre pothuaj njëlloj nga pamja, qenë zgjuar dhe duke tundur bishtat prisnin nënën e tyre buzë strofullës. Kur pa këlyshët e ujkut që po e shikonin me vëmendje, qenushi u ndal dhe filloi të lihte me zemërim.
Këlyshët as që ja u varën lehjeve të tij por u turrën nxitimthi tek e ëma e cila qe shtrirë mënjanë dhe po lëpinte një kockë të thatë e të bardhë kali dhe duke shtyrë njëri-tjetrin e duke shtypur me putra barkun e hollë, filluan të thithnin. Qe bërë ditë e ndërsa dëbora shkëlqente nga rrezet e diellit, qenushi vazhdonte të qëndronte pak larg dhe të lehte. E torturuar nga uria dhe nga lehja e qenit, ulkonjës filloi t’i dhimbte koka dhe instikti po e shtynte përsëri që t’i turrej të paftuarit e ta shqyente copash.
Tani, nën dritën e ditës, ajo e pati të lehtë të shihte se çfarë qeni qe ai. Balli i tij qe i madh dhe mbi të përveç pullës së bardhë kishte dhe një lloj gunge që e kanë vetëm qentë shumë budallenj. Kishte ca sy të vegjël, blu e të përgjumur dhe tërë shprehja e fytyrës së tij tregonte se vërtet ai duhej të qe kokrra e idiotit.
Ndërsa vetë qenushi, tani i ngjirur, i rraskapitur dhe pak si i turpëruar, duke parë se askush nuk pati frikë prej tij dhe madje as që ja varën fare, me çapa të matura, filloi, t’ju afrohej këlyshëve të ulkonjës.
Kur arriti afër tyre, qenushi u ul dhe në shenjë paqe, pasi shtriu këmbët e para e vuri kokën mbi to, filloi me një zë lozonjar:
-Ham, ham… Eëëëë- Ham… hamm..
Këlyshët e ujkut, që nuk po kuptonin se çfarë donte të thoshte kjo, vazhdonin të tundnin bishtat të pasigurt. Atëherë qenushi goditi njërin prej tyre me putër në fytyrë dhe këlyshi ja ktheu në sekondë në të njëjtën mënyrë. Qenushi, hezitoi për një moment, vështroi në mënyrë pyetëse, pastaj i dha një shtytje me hundë dhe vrapoi rrotull në dëborën e ngrirë. Këlyshët vrapuan pas tij, ai ra në shpinë dhe të tre u turrën mbi të dhe filluan ta kafshojnë, por duke e ruajtur që të mos e lëndonin, ashtu siç bënin edhe kur luanin me njëri tjetrin.
Koha kalonte, dielli vazhdonte të ngrihej e të ngrohte, shapkat që fluturonin pranë pishës së rrëzuar dukeshin si prej smeraldi në rrezet e tij, ndërsa loja e këlyshëve sa vinte e bëhej më e zhurmëshme dhe më e gëzuar. Kurse korbat që qëndronin në degët e pemëve, të mësuar të vidhnin ndonjë thërrime mishi nga ato që binte ulkonja, shikonin e nuk kuptonin gjë.
Si rregull, ulkonjat i përdorin pretë për të mësuar këlyshët se si të gjuajnë dhe kështu duke parë këlyshët e saj që ndiqnin e luftonin me qenushin në dëborën e ngrirë, nëna mendoi se ata po bënin pikërisht këtë gjë.
-Le të mësojnë, – tha me vehte dhe u shtri në anë të gropës.
Pasi luajtën gjatë, këlyshët hynë në vrimë dhe të lodhur siç qenë i zuri gjumi menjëherë. Po ashtu dhe qenushi, pasi kuisi nja dy herë nga uria, u shtri në diell jo larg strofullës. Dhe kur u zgjuan filluan të luanin përsëri.
Gjatë gjithë ditës deri në mbrëmje, ulkonja, që kërciste dhëmbët nga uria dhe përpiqej të brente një kockë të vjetër, vazhdonte të kishte në mendje atë aromën tërheqëse të qumështit të deleve dhe qengjin që blegëriu në kasolle një natë më parë. Këlyshët filluan përsëri të thithnin gjijtë e varur të nënës së tyre, ndërsa këlyshi i qenit, i cili qe po njëlloj i uritur, vrapoi rreth tyre dhe nuhati në dëborë.
-Unë do ta ha atë, – u tundua ulkonja.
Por kur ju afrua e po matej t’ia ngulte dhëmbët, qenushi mendoi se ajo donte të luante dhe i lëpiu hundën e i lehu butë. Në të kaluarën ulkonja kishte ngrënë disa qen, por era e këtij të fundit qe shumë e rëndë dhe me atë shëndet të keq që kishte, ulkonja u ndje e neveritur e nuk e duroi dot.
Me afrimin e natës i ftohti filloi të shtohej përsëri. Këlyshët qenë lodhur dhe nuk po luanin më dhe qenushi u ndje i vetmuar e u nis të shkonte në shtëpi.
Kur këlyshët i zuri gjumi, nëna e tyre doli përsëri për të gjuajtur. Duke u përpjekur të qëndronte sa më larg rrugës, ajo vrapoi tutje mbi akullin e mbuluar nga bora. Njëlloj si natën e kaluar, ajo përsëri alarmohej nga çdo tingull dhe ishte e frikësuar nga trungjet, prerjet, gëmushat e errëta të dëllenjave, të cilat në mënyrën se si qëndronin, ashtu në këmbë dhe veç e veç, i dukeshin, si qenie njerëzore që mezi prisnin t’i bënin keq. Papritur i zunë sytë diçka të errët, larg tutje në rrugë. Ngriti veshët dhe nguli sytë në atë pikë. Po, pa diçka që po kalonte përpara me të vërtetë, madje mund të dëgjonte edhe zhurmat e hapave të krijesës tjetër. Nuk dukej si vjedull. Duke mbajtur me kujdes frymën dhe duke ecur pa zhurmë në anë të rrugës, ajo ju afrua zonës ku dukej gjëja e errët, pa dhe njëherë me ngulm dhe njohu këlyshin vetullbardhë, i cili duke ecur ngathtazi, po shkonte në shtëpi.
-Mbase nuk më pengon këtë radhë – mendoi ulkonja dhe nxitoi përpara.
Por shtëpia ishte afër. Si dhe herën tjetër, duke shfrytëzuar togjet e borës, ajo u ngjit mbi çati. Vrima që kishte hapur dje ishte bllokuar me kashtë e me dy mahi të reja përforcuese dhe ajo duke pasur frikë se mos i prishte punë këlyshi që po vinte, filloi nxitimthi me këmbë e hundë të rihapte vrimën. Dhe në çastin kur aroma e avullit të ngrohtë dhe e plehut organik arriti në hundën e saj u dëgjua përsëri një e lehur përkëdhelëse e gjithë gëzim. Ishte këlyshi. Ai, si edhe ulkonja, kërceu në çati, u fut në vrimë dhe duke e ndier veten në ngrohtësinë e shtëpisë e duke njohur dhe delet e tij, lehu më fort se kurrë. Kjo zgjoi Arapkën, e cila në sekondë nuhati e alarmuar ujkonjën dhe lehu fort. Pulat filluan të kakarisnin e të fluturonin vërdallë, dhe në kohën që Ignati u shfaq në hyrje me teken e tij në dorë, ulkonja e frikësuar ishte larguar prej andej.
-Nxito! – i bërtiti vetes Ignati. -Nxito! Gjithë forcën para!
Tërhoqi këmbëzën… nuk shkrepi, e tërhoqi sërish… dhe përsëri nuk shkrepi, u përpoq për herë të tretë – dhe një shkreptimë flake e një bum shurdhues trëmbi atë dhe gjithë gjallesat e tjera. Me armën në njërën dorë e sëpatën në tjetrën, ai vrapoi të shihte se ç’qe gjithë ajo dreq potereje e madhe…
Pasi kontrolloi dhe pa përsëri vrimën e hapur në çati, Ignati u kthye mbrapsh në kasolle..
-Çfarë ishte? – pyeti një udhëtar, i cili kishte qëndruar atë natë në kasolle e qe zgjuar i tromaksur nga poterja e madhe..
-Çdo gjë në rregull – tha Ignati. -Asgjë me dëm. Vetullbardhi shkon që të flejë ngrohtë bashkë me delet. Vetëm se ai nuk vë mënd që të hyjë nga dera dhe gjithmonë përpiqet të futet nga çatia. Natën që shkoi e prishi çatinë dhe sonte e paska prishur prap. Qen budalla!…
-Ka ca vida mangut ai këlysh. Unë i urrej budallenjtë, – psherëtiu Ignati, duke u ngjitur në krevat. -Ejani, o njeri i Zotit – ju kthye të huajit. -Është herët për t’u ngritur. Le të flemë dhe ca!

***
Në mëngjes Ignati, gjithë inat, e kapi vetullbardhin dhe duke e kërcënuar me shkop i shkulte veshët dhe e pyeste ritmikisht:
-Pse nuk hyn nga dera ti! Pse! Pse…!
Marrë nga Avis Gjyshja, 3 nëntor 2025

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit