Deluzionet apo gënjeshtrat e Edi Ramës – nga Nosh Mernacaj

Gazeta

Nosh Mernacaj, N.Y. - SHBA
Nosh Mernacaj, – N.Y. – SHBA
Deluzionet apo gënjeshtrat e Edi Ramës
nga Nosh Mernacaj

Ka kaluar pak më shumë se një vit nga zgjedhjet e fundit. Në ato zgjedhje, edhe pse të manipuluara, një numër i konsiderueshëm njerëzish e mbështetën me gjithë zemër. Në atë periudhë elektorale, Edi Rama u kujtua edhe për diasporën, meqë tashmë ajo do të mund të votonte. Ai zhvilloi fushatë në shtetet ku jetojnë shqiptarë, duke organizuar takime me diasporën. Edhe pse shumë veta protestuan kundër tij, shumë të tjerë u mblodhën për ta parë nga afër “Mesinë shqiptar”. Madje, paguanin para për të marrë pjesë në ato takime. Si ta humbim këtë rast unik!
Sa shumë ka ndryshuar në më pak se dy vjet!
Shqipëria u çua në këmbë. I madh e i vogël. Nga Shkodra në Konispol. Edhe socialistët më të flaktë i vunë flakën zemërimit të tyre. Rama i sheh, por bën si i verbër. I dëgjon, por bën si shurdh. Me siguri ndihet edhe pak i zhgënjyer nga ata mbështetës që dikur thoshin: “As drita as ujë nuk duam, mjafton të fitojë Rama.” Dashuria pa kushte ka marrë fund. Ideologjinë socialiste e ka zëvendësuar interesi për familjen dhe mbijetesën. Njerëzve iu janë hapur sytë.
Po ashtu, kohët e fundit Rama ishte në New York për mbledhjen e OKB-së, por kësaj here jo vetëm nuk e dëgjoi njeri as në sallat e OKB-së, por askush nuk u tregua i interesuar ta takonte. U detyrua të organizonte një takim larg syve të diasporës, në ishullin e Staten Island. Pjesëmarrësve, sipas disa të dhënave, iu ofruan para. Thuhet se shuma arrinte deri në 1.000 dollarë.
Një protestë sa madhështore aq edhe e bukur pushtoi Tiranën për muaj me radhë, por Rama vendosi të përdorte të njëjtën formulë si më parë. Në fund të fundit, nëse një metodë ka funksionuar gjithmonë, përse ta ndryshosh?
I mori në tallje. I shau. I shpërfilli.
Por kësaj radhe duket se kjo formulë nuk po funksionon më.
Nga njëra anë i quan studentët të paditur, ndërsa nga ana tjetër kërkon dialog me ta. Unë për vete, nuk do të doja të dialogoja me njerëz që i konsideroj të paditur.

Protestat e Studentëve Shqiptarë - tetor 2026
Protestat e Studentëve Shqiptarë – tetor 2026

Por mirë, zoti Rama. Nëse këta të rinj nuk dinë, ashtu siç thoni ju, a nuk është ky një dështim i sistemit arsimor që ju dhe qeveria juaj drejtoni? Po tani që kanë dalë në mbështetje të studentëve edhe pedagogët, a do ta merrni parasysh mendimin e tyre, apo as ata nuk dinë? A nuk janë këta pedagogët që dikur ju kanë dhënë mësim edhe juve!
Dhe një gjë nuk e kuptoj. Çfarë rëndësie ka nëse studentët janë nga Tirana apo nga “periferia”, siç u shpreh Rama dje? A nuk kanë të drejtë të protestojnë edhe ata që nuk jetojnë në Tiranë? Akoma me luftën e klasave ju?
Një ditë tha: “Nuk më ka kërkuar kush dorëheqje.”
Po këngën “Rama jepe dorëheqjen!” nuk e ke dëgjuar? Sepse e ka dëgjuar e gjithë bota.
Shoqëria shqiptare, me të rinjtë në pararojë, shpërtheu. Jo vetëm që nuk duron më, por edhe gënjeshtrat nuk i ha më askush. Madje, edhe mediat e huaja që dikur të thurnin elozhe, tashmë e kanë parë fytyrën tënde të vërtetë.
Do të thosha “turp”, por e di se nuk ke turp. Do të thosha “kriminel”, por këtë tashmë e dinë të gjithë.
Prandaj po të them vetëm kaq:
Tregohu i zgjuar, të paktën këtë herë, dhe ik!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit