back to top
9.5 C
Tirana
E shtunë, 6 Dhjetor, 2025

Shpirti femnor shqiptar i shekullit XXI, përmes poezisë… – parathanie nga Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 2021
Jozef Radi 2021
Shpirti femnor shqiptar i shekullit XXI, përmes poezisë…
parathanie nga Jozef Radi

Nji antologji poetike asht nji përmbledhje poezishë o autorësh, shpesh e organizueme simbas do kritereve të përcaktueme qartë qysh në nisje, ku munden m’u përfshì krijime të seleksionueme prej nji o disa autorësh, që zakonisht kurohen prej nji redaktori o eksperti të materies, i cili mbasi ka përcaktue thelbin dhe frymën e antologjisë, përzgjedh me kujdes krijuesit po edhe tekstet e tyne, të cilat i gjykon si ma të spikatunat me u përfshi në projektin e tij.
Pra, kriteri bazë: me përzgjedhë e me bashkue diçka të randësishme e njiherit me dëshmue shije të rafinueme, sens objektiv e frymë paanësie (edhe pse poezia mbetet gjithnji subjektive). Mandej, për çka ke përcaktue n’synimin tand, mbetesh gjithnji i besimit se kjo vepër e gjanë (jo e plotë) ka me shkue te lexuesi shqiptar si nji dhuratë e shejtë, n’nji kohë kur dashnia për librin e n’veçanti për poezinë, jeton stinë jo fort të begata…
Historia e kësaj antologjie e ka marrë shtysën prej nji portali kulture: radiandradi.com, të cilin e drejtoj prej vitesh. Me kohë, ai jo vetëm ka fitue autoritet ndër lexues, po m’ka mbajtë vazhdimisht në kontakt me rrjedhat ma të freskta poetike, n’nji hapësinë gjithnji e ma t’gjanë krijimesh e botimesh cilësore. Me kohë nisa me kuptue ose ma mirë me e ndje (asht fjala ma e saktë), se poezia femnore (e krijueme prej vajzave dhe grave shqiptare) po merrte nji përhapje të gjanë, e po sillte nji hop cilësor të dukshëm, pra, ndodheshim përpara nji shpërfaqjeje jo të zakonshme letrare, çka më shtyu me mendue e me reflektue gjithnji e ma thellë.
N’se poetet shqiptare të shekullit të XX, numroheshin me gishta t’nji dore… kah fundi i shekullit kjo situatë nisi me u përmbysë.
Në vjetin 2019, mbasi prej kohësh isha ndër hullitë e këtyne rrjedhave poetike të hapsinës shqiptare po edhe ma gjanë; mbasi kisha paraqitë herë mbas here cikle poetike të mjaft autoreve të reja e kisha marrë pjesë edhe në ndonji juri vlerësimesh, më shndriti ideja se nji afrim i këtyne energjive pozitive dhe autoreve nën nji kopertinë, kishte me kenë nji dëshmi përbashkuese emocionante, po edhe nji shteg i randësishëm me e ndjekë kët fenomen, që po shpalonte me guxim grueja shqiptare në respekt të kulturës dhe emancipimit shoqnor…
Eksperienca e fitueme me botimin e Antologjisë së Lirikave Botnore nën titullin: “Veç mundem me të dashtë njashtu siç je…” u ba nxitje entuziaste me e nisë e me i dhanë frymë këtij projekti, që me thanë të drejtën, na u desh me iu futë nji pune kambëngulse. Isha i bindun se poezia shqipe, në kontakt me qendrat e mëdha të kulturës botnore, po fitonte jo veç ngjyra të vyeshme po edhe zgjanonte mushknitë e saj emancipuese. Kah fundi i vjetit 2019, bash këto eksperienca, më shtynë me krijue nji listë autoresh, po edhe me ndjekë rrjedhat poetike dhe sukseset e tyne si mbrenda edhe jashtë hapsinave shqiptare.
Nji punë jo fort e lehtë!
S’kishim as klube letrare, as organizime serioze, as revista mirëfilli letrare, as konkurse të vërteta, as tribuna ku të lexohej, të bisedohej, të debatohej, të kritikohej e të mbrriheshin konkluzione rreth asaj çka po shpaloste poezia femnore dhe si po përhapej kjo frymë drite.
“Antologjia e shpirtit femnor shqiptar, të shekullit XXI”, nisi si nji projekt që lypte kohë e përkushtim. Mundem me thanë se ishte guri i parë i nji ngrehine, dhe besoj se ka me vazhdue m’u përtrì e m’u naltue ndër kohna…
Mbasi kishim mbarue redaktimin dhe kishim përgaditë për botim librin e parë të Desantila Rranxa “Arie t’krisuna”, (botue nën mbiemnin Qerimaj) ia shpreha asaj idenë e kësaj antologjie të mundshme, që sigurisht kërkonte kohë, sakrifica dhe entuziazëm. Kët gjà ajo jo vetëm e mirëpriti dhe e përkrahu po edhe iu ba bashkëudhëtare e vyeshme…
E kështu, nisi kjo punë seriozisht.
Ma s’pari hartuem nji listë të poeteve të paraqituna në portal, mandej nisëm tue lexue, tue gërmue po edhe tue pyetë lexues të vëmendshëm të poezisë! U grumbullue mjaft material për punë; u skedue secila dhe krijuem nji ide jo të vakët që na bindi për realizimit e projektit tonë.
Menduem nji letër konfidenciale, paksa e përgjithshme për secilën autore, ku t’i shpjegonim thukët projektin në fjalë, kriteret e përzgjedhjes, mënyrën e organizimit, kohën e zbatimit dhe shpresën e ndonji sponsorizimi. Tue përcaktue se na duhesh: nji cikël i përzgjedhun poetik me 10 deri në 15 krijime, nji biografi sintetike si edhe nji foto, me i dëshmue vedit seriozitetin e fillimit të këtij kantieri.
Dhe… nuk vonuen përgjigjet.
Nji shumësi emnash, prej atyne që kishim ftue në antologji e pritën me entuziazëm, pat prej atyne që e justifikuen mospjesëmarrjen me mosbesimin ndaj antologjive në qarkullim, dikush s’u ndje në naltësitë e kësaj pune e do tjerë folën me heshtje… Fillimisht ftesës iu përgjigjën 11 autore, edhe mbrenda harkut të dy muejve numri i tyne shkoi në 16!
Mjaftueshëm me ia nisë punës!
Nji antologji e çfardolloji qoftë, asht ma s’pari përgjegjësi para vedit, mandej para të përzgjedhunave dhe në fund përpara ndjeshmënisë dhe reagimit së lexuesit! Kur i nisesh rrugës së nji antologjie, e para gjà që duhet me mendue, kushdo që e merr përsipër, asht debati që ajo ka me zgjue: pakënaqësia e përzgjedhjes, tepria e vlerësimit, xhelozia e kolegëve po edhe mënyra e prezantimit të secilit. Gjithnji e kemi pasë në konsideratë: trajtimin rigoroz, vlerësimin objektiv, (edhe pse poezia len hapsina të pakufishme subjektiviteti), dashamirësinë ndaj secilës autore, (me ndonji plus me qenë stimulues), po ajo çka asht e randsishme m’u nënvizue mbetej fakti se shpirti femnor shqiptar i tri dekadave të fundit kishte pësue nji përshkallzim cilësor e nji amplitudë ngjitëse sa ishte e pamundun mos me mbërritë te esklamacioni…
Dhe besoj se kët gjà ka me e dëshmue ma së kjarti, kjo antologji!
Deri n’mars të vjetit 2020, kishim punue me bindjen se materiali i mbledhun ishte i mjaftë për antologjinë. Së bashku me Desantilën, kena folë për gjithçka të re të hasun rrugës dhe me kujdes e kena trupzue në projekt. Harxhuem edhe mjaft kohë me grafikat e ndonji kopertine të mundshme të antologjisë. U banë edhe disa bocete… po tashma, pranvera e 2020, (Marsi i Luftës), hapi nji kapitull të randë për mbarë njerëzimin! Covid 19, po merrte jetë të pafundme njerëzore, tue e ndry botën n’hapsinat e banesave e tue krijue nji dëshpërim të madh e të panjoftun për humanizmin…
E si kish me i pshtue kësaj së Keqeje, projekti i Antologjisë Femnore!?
Mandej koha ka rrjedhë pa shumë entuziazëm. Gjithçkafja pësoi nji depresion të pashmangshëm e të frikshëm. Dashamirë, përkrahës të antologjisë s’po dukeshin kund… dhe veç kah mesi i vjetit 2024, iu rikthyem diskutimeve me Desantilën, rreth njasaj andrre të mbetun në sirtar dhe e vendosëm me iu rikthye me forcë punës së mbetun në mesrrugë.
Ndërkohë, ajo kishte fillue dhe ishte në fazën përmbyllëse të studimeve universitare në Londër, për Letërsi në Anglisht e të Shkruemit Krijues (2021-2024), kështu kët sukses përmbyllës të jetës së saj, e quejtëm vlerë të shtueme të Antologjisë, që kishte xanë pluhun, n’pritje stinësh ma t’hareshme…
Për thuejse tetë muej iu përveshëm punës. Iu rikthyem rrjedhave poetike, shkruem letra të reja e bamë ftesa, përcaktuem kritere të reja, ndamë detyra dhe punuem e komunikuem intensivisht në distancë, përgjat gjithë kohës…
Përcaktuem rregulla të reja pune: çdo autore kishte m’u përfaqsue me 11 poezi, (dhjeta na u duk numër fort rrumbullakues, duhesh diçka ma e tehtë…). Rradha e vendosjes n’antologji u gjykue mbi rend alfabetik mbi bazën e emnit të autores, mbasi s’kishim asnji emën të ngjajshëm (mbiemna po). U ba ndonji çvendosje n’emën të fqinjësisë poetike. Secili prej nesh do të përcaktonte poezitë e parapëlqyeme të tij, mandej përmes bisedave debatuese u vendos përfundimisht. Çdo autore shoqnohej me nji biografi të ngjeshun, shoqnue me nji tekst përmbledhës, i lidhun me ciklin e paraqitun, si edhe nji fotografi të çdo autoreje. Desantila, (tashma si e profesionit) mori trefishin e autoreve për tekstet përmbledhëse! Për “Parathanien” ramë dakort me folë mbasi të mbarohej krejt puna. Ku ajo kishte me referue anën analitike të teksteve, kurse unë anën historike të krejt kësaj pune… kjo gjithnji përmes nji mirëkuptimi shembullor që na e diktonte stima reciproke!
Un-i kishte me pasë ma pak pushtet se Ne-ja…

"Kjo Botë Shpirtnore..." Antologji Poetike nga Jozef Radi & Desantila Qerimaj
“Kjo Botë Shpirtnore…” Antologji Poetike nga Jozef Radi & Desantila Qerimaj

E ndërsa i afroheshim plotnisë së kësaj vepre, numrat tashma kishin ndrrue frikshëm. Nga 17 autore në nisje ishin ba 29, pjesa ma e madhe e të cilave, rreth dhjetë ishin të Shqipnisë: Asja, Arjola, Bukra, Barija, Erenestina, Emmy, Enkeleda, Ilirjana, Marsela e Zhaneta; Kosova përfaqësohej me katër autore Donika, Manjola, Naimja e Vlora; Italia e Amerika me katër autore: Ada, Denada, Griselda e Herman; Ailda, Albina, Elida, Erina, (tri të fundit ishin vendosë në Amerikë, ndërsa përgaditej ky libër!!) Greqia me dy poete: Ardita dhe Jasmina, të tjerat jetonin në Zvicër, Angli, Austri, Belgjikë e Suedi… Nji gjeografi e dhimbshme emigrimesh poetike, (s’besoj se ka nji të dytë ndonji vend tjetër), po edhe nji dëshmi e fuqishme e lidhjes së këtyne autoreve me gjuhën, atdheun dhe letrat shqipe.
Diçka që vlen m’u nënvizue në krejt opusin e këtij hulumtimi kambngulës e kësaj pune që ka kërkue vite m’u realizue, asht edhe gjuha e përdorun e autoreve. Si nji ogur, mund të thuhet se gegnishtja asht baza gjuhësore që ka përdorë ma e shumta e autoreve.
Sigurisht, s’ka kenë aspak ky qëllimi dhe as tendenca e këtij projekti. Te përzgjedhja e autoreve asht kqyrë ma së shumti cilësia poetike krijimeve. Edhe pse pa nji kod të përcaktuem, gegnishtja e autoreve asht pjesë e suksesit të kësaj antologjie. Disa prej tyne kanë ndjekë specifikat e veçanta të origjinës: (si poetet e arealit shkodran, ato të Kosovës apo të Malsisë së Gjakovës, po edhe disa që e kanë ndje dhe përcjellë ambëlsinë poetike të gegnishtes, tu’e eksperimentue me sukses ndër vargjet e tyne.)
Tash po ia vemë çatinë kësaj ngrehine poetike, që me guxim e pa teprì po e quejmë: t’pashoqe! Ishim ma se të bindun se mbrenda saj do të jetonin krijesa të bukura, vargje të shprehuna me teh të shpirtit, të vërtetat e mëdha t’nji kohe dhe asaj bote që u ra për hise me jetue secila, shumica të shkapërdame gjithkah ndër  rrugë emigrimesh.
Mbetemi të bindun se kjo derë tashma asht hapë e ka me e vijue magjinë e këtij mijëvjeçari. Ajo ka me vazhdue me ftue, me pritë e me përcjellë ndër kohna frymën, energjinë, shpirtin dhe sakrificat e pafundme të grues shqiptare…
Jozef Radi, qershor 2025

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.