
Dy jetë i fala për Shqipninë, e pak paskan kenë!
nga Çun Lajçi
E lash mbrapa Prizrenin.
Ura e Gurit mbeti fletë e hapun e kujtesës sime.
M’duhet m’u kthye nji ditë e me shfletue fletorën e harresës!
Në harkun e parë të urës heshtake, e lash të strukun shpirtin e Imer Prizrenit.
-Prit sa t’kthehem nga Shqipnia, – që të ngjitemi n’Kala, atje ku ende dëgjohen hapat e poetëve, hoxhallarëve e dervishlerëve të Lidhjes, asaj besatores shqiptare.
Mos u zgjo pa t’thirrë, i thashë, se kështu e kam lanë edhe Haxhi Zekën n’Mullinin e tij n’Pejë.
-Bluej drith se na duhet buka si Lidhja e Pejës! – e mos u zgjo pa zbritë kaçakët e Rugovës, se rrënohet Ura e Gurit e Peja ndahet gjysa-gjysë nga lumi!
M’kishte marrë malli për Tropojën.
Dojsha me zbritë n’Dragobi e me pi ujë Valbone, si kaçakët që dikur i përndiqte Kadri Mehmeti. Mall kisha me u ngjitë në Shpellën e Zharpit e me thirrë Sali Manin:
–Ma sjell nji bukë qerepi e nji pshere djath dhije, se nuk m’kthejnë kambët n’Rugovë!
Gjakovës po trupoja. Mbrapa meje kishin mbetë Peja e Prizreni. Gurët e kalldërmit n’çarshinë e vjetër po pëshpëritshin:
-Mos hip n’Urën e Tabakëve, se zgjohet Pashë Maxharri e gjuan me topa, ia thermon kullën Binak Alisë, përmbi Dri!
Në çast m’u kujtue kanga:
“Pashë Maxharri, mos gjuaj me topa,
se nuk çarten këto kullat tona,
plot me gjak pa u djergë Valbona”!
Çarshia m’i ndali hapat:
-Mos i zgjo mënitë e moçme – gjëmuen gurët – se zbresin malësorët e ia djegin kullat Abdullah Pashë Drenit, për besën e dhanë gabimisht!
-Ktheje mikun andej nga ka ardhë! S’ka besë me Maxharrin, mos e merr n’qafë veten e t’birin! – kishin çue fjalë malësorët.
Lumi Krena përkundej n’hijet e veta, e n’heshtje gjëmonte:
-Mos kalo harqeve t’urës, se Sylejman Vokshi asht përbetue – dy jetë me i pasë, të dyjat i jepi për Shqipninë!
Unë s’i ndëgjova pëshpëritjet e kalldërmit, as gjamët e harqeve. Si nji njeri që ka humbë rrugën, kalova mbi Urën e Tabakëve, tue shkelë mbi kujtesën e Gjakovës e tue ngjallë buçima:
-Largoje prej kullës Maxharrin! S’ka besë me pashallarë!
Kishte ra terri mbi Gjakovë – por jo terr i natës, terr i kujtesës ishte.
Nji plak rrinte ulë n’anë të urës, me nji dhi t’kuqe e me nji kec që thithte gjinin e nanës!
-I njef këta gurë, o bir? – më tha.
-Jo mirë, – i thashë, – Veç i ndiej, si nji kambanë që rreh diku thellë n’krahnuer.
Ai qeshi butë:
-Ajo kambanë asht Gjakova. Rreh sa herë dikush e kalon urën me shpirt, e jo me ngut! – tha, e keci blegeroi.
Pastaj heshti, si vetë ura. Lumi poshtë rridhte i qetë, tue bartë me vete hijet e harqeve – e m’u duk sikur po merrte drejt detit krejt kujtimet që s’kemi guxim me i mbajtë.
E ndjeva veten fajtor. Fajtor që ec e s’kujtoj mjaftueshëm. Fajtor që flas e s’di çka them. Fajtor i harresës!
Vonë zbrita n’Dragobi. N’Valbonë piva ujë. Te Shpella e Currit e thirra Sali Manin:
-Ura e Tabakëve s’ishte lodhë krejt, por ishte mërzitë nga harrimi.
Sylejman Vokshi t’ka çue selam:
-Dy jetë i fala për Shqipninë, e pak paskan kenë!
15.10.2025
Marrë nga Muri i FB Çun Lajçi, 16 tetor 2025