
Kur Samanta numëron mungesat, politika e 36 viteve numëron milionat!
nga Bujar Vreto
Ka momente kur një fjali e thënë nga një vajzë e re vlen më shumë se qindra fjalime politike. Ka momente kur nuk të duhet as podiumi, as propaganda, as premtimi elektoral, sepse realiteti flet vetë.
Dje foli Samanta, vajza e Niko Toçkës nga Uraka e Librazhdit, studente në Tiranë. I foli shpirti. I foli dhimbja. Dhe, mbi të gjitha, i foli dinjiteti.
Ajo foli për kullat që ngrihen në Tiranë, për apartamentet që kushtojnë qindra mijëra euro dhe për pamundësinë e një studenteje për të pasur një shtëpi të sajën. Në atë fjali të thjeshtë fshihet një dramë e tërë shoqërore, një brez që studion dhe punon njëkohësisht, që sapo mbaron leksionet shkon në punë, sepse orët që duhet t’ua kushtonte librave, provimeve dhe formimit profesional ia merr mbijetesa. Ata nuk po sakrifikojnë pak. Po sakrifikojnë vitet më të bukura të jetës së tyre. Dhe shpesh e bëjnë këtë për një pagë që mezi mjafton për nevojat bazë.
Prindërit e tyre nuk janë më mirë. Disa janë larguar në emigracion dhe jetojnë me mallin e fëmijëve, të tjerë punojnë tokën, bëjnë dy e tre punë, por përsëri nuk arrijnë tu sigurojnë fëmijëve një të ardhme të sigurt. Prodhuesi i vogël shqiptar përballet me një treg ku konkurrenca shpesh deformohet nga mallrat që hyjnë në mënyrë të paligjshme apo shmangin detyrimet doganore. Ndërsa ata që mbeten në qytet pa mundësi punësimi, shpesh përballen me një ndihmë ekonomike që nuk mjafton për të jetuar me dinjitet.
Kjo është Shqipëria reale. Shqipëria që punon, që sakrifikon dhe që pret.
Përballë saj kemi Shqipërinë tjetër, Shqipërinë e kullave, të apartamenteve qindra mijëra euroshe dhe të privilegjeve që për familjet e zakonshme mbeten ëndrra të paarritshme. Disa familje mund t’i dërgojnë fëmijët të studiojnë në Angli, Amerikë, Suedi e vende të tjera, me shpenzime marramendëse, ndërsa fëmijët e familjeve që mezi sigurojnë bukën duhet të punojnë menjëherë pas leksioneve.
Flasim për shifra prej 500 mijë paundësh, 500 mijë eurosh apo 500 mijë dollarësh. Shifra që për një student si Samanta apo mbi 90% e popullit nuk janë thjesht të mëdha, por të paarritshme, shuma që mund të kapërcejnë vlerën e dy apartamenteve në Tiranë, të cilat një familje e zakonshme mezi do të mund ti ëndërronte.
Dhe pastaj, në mënyrë paradoksale, disa nga ata që dalin para studentëve për të bërë selfie, na flasin për vështirësitë e rinisë. Sa ironike! Studenti punon pas leksioneve për të paguar jetesën, ndërsa fëmijët e disa prej njerëzve që kanë qenë në pushtet apo pranë pushtetit kanë mundësi të shpenzojnë shuma marramendëse për shkollimin dhe jetën jashtë Shqipërisë.
Nëse pasuria është krijuar ndershmërisht, le ta gëzojë kushdo. Por nëse ajo është produkt i korrupsionit, i abuzimit me pushtetin apo i vjedhjes së pasurisë publike, nuk duhet ta kërkojmë te biznesi i ndershëm i qytetarit. Ajo duhet kërkuar te llogaritë bankare, te kompanitë offshore, te pasuritë e paluajtshme dhe te asetet e fshehura brenda e jashtë vendit.
Prandaj dua ta them shumë qartë edhe këtë, mbështes protestën e studentëve, mbështes të drejtën e tyre për të protestuar dhe e konsideroj zërin e tyre një nga shpresat më të mëdha të këtij vendi. Por distancohem dhe kërkoj prej tyre që edhe ata të distancohen plotësisht nga çdo djegie, shkatërrim apo dëmtim i pronës private.
Mos digjni biznesin e njeriut që ka punuar me djersën e tij. Mos shkatërroni dyqanin e atij që ka marrë kredi. Mos digjni lokalin e atij që ka kursyer gjithë jetën për ta ngritur. Mos dëmtoni pronën e qytetarit të ndershëm. Sepse prona private e ndershme nuk është armiku juaj.

Armiku i shoqërisë është korrupsioni, abuzimi me pushtetin, klientelizmi, pasuria e pajustifikuar dhe politika që për 36 vite ka krijuar një sistem ku shumë njerëz të ndershëm mbeten në fund të radhës, ndërsa të lidhurit me pushtetin gjejnë gjithmonë një derë të hapur. Mos e drejtoni zemërimin te ai që punon. Drejtojeni te sistemi që ka lejuar grabitjen.
Pasuria e vjedhur nuk është në dyqanin e qytetarit që proteston. Ajo, nëse ekziston, duhet kërkuar aty ku është fshehur, në bankat e huaja, në kompani guackë, në offshore, në pasuri të paluajtshme, në investime jashtë vendit dhe në çdo aset që nuk justifikohet nga të ardhurat e ligjshme.
Këtu qëndron edhe përgjegjësia e institucioneve, jo të bëjnë sikur nuk shohin, por të hetojnë, të verifikojnë, të sekuestrojnë pasurinë e paligjshme dhe ta kthejnë te qytetari atë që i është marrë qytetarit. Sepse Shqipëria nuk ka nevojë për hakmarrje. Ka nevojë për drejtësi.
Dhe këtu kthehemi te fjala e Samantës. Ajo nuk kërkoi një revolucion kaotik. Ajo kërkoi të ketë një të ardhme, të mund të blejë një shtëpi me punën e saj, të studiojë pa u detyruar të punojë deri vonë dhe të jetojë në një Shqipëri ku profesionalizmi të ketë vlerë. Kjo është kërkesa më normale e një të riu.
Por çfarë i kemi dhënë rinisë për 36 vite? Shpesh i kemi lënë vetëm një zgjedhje të hidhur, O ik jashtë, o mëso të mbijetosh këtu. Kjo nuk është e ardhmja që meriton Shqipëria.
Ironia bëhet edhe më e madhe kur disa deputetë shkojnë në protestë, bëjnë një selfie me studentët dhe largohen. Disa prej tyre janë pjesë e një politike që ka pasur 36 vite kohë për ta ndryshuar këtë vend, por sot shfaqen para të rinjve si shpëtimtarë. Studentët nuk kanë nevojë për selfie me shpëtimtarë të vonuar. Kanë nevojë për një sistem që nuk i detyron të punojnë për të mbijetuar ndërkohë që duhet të studiojnë, për një shtet ku diploma të hapë dyer, jo një telefonatë politike, për një ekonomi ku puna të shpërblehet dhe administrata të funksionojë mbi bazën e meritokracisë.
Prandaj, pas 36 vitesh, duhet të kemi kurajën të themi se problemi nuk është vetëm individi. Problemi është sistemi që prodhon të njëjtën pabarazi, pavarësisht se kush ndërrohet në pushtet.
Shqipëria nuk ka nevojë për një tjetër ‘97, nuk ka nevojë për një tjetër 21 Janar, nuk ka nevojë për dhunë, djegie e shkatërrim dhe as për kthim te diktaturës. Ka nevojë për liri, demokraci, drejtësi, barazi para ligjit, treg të lirë, profesionalizëm dhe meritokraci.
Ka nevojë për një shtet ku askush të mos jetë mbi ligjin, ku pasuria të justifikohet, korrupsioni të ndëshkohet, prona e ndershme të mbrohet dhe pasuria e paligjshme të konfiskohet. Ka nevojë për një vend ku i riu të mos ketë nevojë të njohë një deputet për të gjetur një vend pune dhe ku fëmija i një familjeje të thjeshtë të mund të bëhet profesionist i madh vetëm sepse është i aftë, punëtor dhe i arsimuar.
Kjo është Shqipëria që duhet të ndërtojmë.
Prandaj Samanta nuk foli vetëm për veten. Foli për mijëra studentë, për prindërit që punojnë në emigracion, për fermerin që lufton për të mbijetuar, për familjen që jeton me ndihmë ekonomike dhe për të gjithë ata që nuk kanë pasur kurrë luksin e privilegjit. Zëri i saj duhet dëgjuar, jo për t’u përdorur politikisht, por për të ndryshuar politikën.
Sepse kjo rini nuk kërkon lëmoshë. Kërkon mundësi. Nuk kërkon pasuri të grabitur. Kërkon të fitojë me punën e saj. Nuk kërkon të djegë pronën e tjetrit. Kërkon të ketë një pronë të vetën. Dhe nuk kërkon të bëhet milionere me politikë. Kërkon të jetojë me dinjitet nga profesioni i saj.
Kjo është diferenca mes një proteste që shkatërron dhe një proteste që ndërton. Dhe kjo është arsyeja pse duhet ta dëgjojmë rininë.
Sepse kur një studente si Samanta flet me kaq dhimbje, nuk është vetëm një politikë që duhet të reflektojë. Është një sistem i tërë që duhet të japë llogari për mundësitë e mohuara, për pabarazinë e rrënjosur dhe për shpresat e vjedhura të një brezi.
Kur Samanta numëron mungesat, politika e 36 viteve numëron milionat. Njëra lufton për të ardhmen, tjetra duhet të përgjigjet për të shkuarën dhe për të tashmen.
Zoti e bekoftë këtë rini të mrekullueshme! Zoti e bekoftë çdo familje që punon me ndershmëri! Dhe Zoti e bekoftë Shqipërinë që meriton shumë më tepër se një të ardhme të përcaktuar nga oligarkia, privilegji dhe politika e vjetër.