Shqipëria e 23 burgjeve e 48 kampeve të përqendrimit

0
14
Burgu i Spaçit
Burgu i Spaçit

Shqipëria e vogël

e 23 burgjeve dhe 48 kampeve të përqendrimit (sh)

Në kabinetet e Muzeut Historik Kombëtar u promovua albumi “Terrori komunist në Shqipëri”. Një përmbledhje për kujtesën tragjike të shqiptarëve që jetuan këtë periudhë. Parathënien e ka shkuar Drejtori i Muzeut, Luan Malltezi. Ndër të tjera Malltezi shkruan se “Historia e Shërbimit Sekret Shqiptar paraqet një pamje mjaft të rëndë për periudhën e sundimit komunist në Shqipëri. Nga të dhënat e arkivit të Ministrisë së Brendshme, rezulton se gjatë këtij sistemi u vranë 5.157 njerëz dhe vdiqën në burgje 9.052 vetë. U burgosën si të dënuar politikë 17.900 dhe u internuan me motive politike 30.383 të tjerë. Shqipëria e vogël kishte në ato vite 23 burgje dhe 48 kampe internimi…”
Ai e vlerëson këtë botim si një përmbledhje që përpiqet të vërtetojë nëpërmjet dokumenteve arkivorë se regjimi komunist shqiptar, një model i atij Stalinist, ka qenë ndër më të egrit në Evropë.
Faktet që përmban albumi janë fotografi dhe dokumente.
Albumi hapet me një shkresë urgjente të vitit 1944, në ditën e Çlirimit të Tiranës. Enver Hoxha urdhëronte me një mesazh urgjent Dali Ndreun se: “Të organizohen burgjet dhe fushat e përqëndrimit. Dhe të burgosen të gjithë ata elementë të akuzuar me faje të mëdha, me tradhti të naltë dhe bashkëpunim të haptë me okupatorin dhe gjithashtu me kriminelët e dorës së parë. Që gjithë robërit të mblidhen në kampin e përqendrimit…”. Fill në faqen e dytë të këtij albumi jepen data se kur është themeluar Shërbimi Informativ Komunist, 20 mars të 1943, që më vonë u njoh me emrin Shërbimi Informativ i Luftës (ShIL). Në disa nga këto foto janë prestarë të Organeve të Ministrisë së Brendshme, makinë kontrolli e Sigurimit të Shtetit dhe të burgosur nga Berati, së bashku me fotot e viktimave të para të organeve të diktaturës komuniste.

Burgjet shqiptare - Burgu i Spaçit
Burgjet shqiptare – Burgu i Spaçit

Pas kësaj filloj rezistenca antikomuniste dhe proceset e para gjyqësore:
Më 20 janar 1945: Grupi luftarak antikomunist i Dedë Shabanit në Lezhë një përndjekje, e cila synonte të merrte Shkodrën, Lezhën dhe Shëngjinin.
Më shtator të 1946-ës nis kryengritja në Shkodër. Forcat antikomuniste sulmuan garnizonet ushtarake. Qëllimi ishte marrja e kazermave të ushtrisë komuniste dhe burgu i Shkodrës. Në përpjeke me forcat komuniste u vranë 33 antikomuniste dhe u dënuan rreth 200 të tjerë. Por cilat kanë qenë disa nga fjalët e fundit të këtyre të dënuarve të dënuar? Me urdhrin e Gjykatës së lartë Ushtarake në Shkodër.
Cin Sereqi tha: të fala familjes dhe të më rritin fëmijët. Bilbil Hani “Ju lutem të më jepni të falura Babës, motrës dhe gruas, dhe gruaja të vejë te motra në Tiranë, Revolucioni kështu i ka këto punë, të Rrojë Shqipëria.
Por pushkatimet nuk mbarojnë këtu. Në 1 mars të vitit 1945. Në kinema “Kosova” në Tiranë, u hap Gjyqi Special, i pari gjyq masiv. Më pas në gjyqin që u zhvillua në kinema Tomorri në shkurt të 1946-ës, u dënuan me vdekje ish-regjentët si: Padër Anton Harapi, Lef Nosi, Maliq Bushati, ish kryeministër etj. Pavarësisht terrorit komunist asokohe lindën dhe organizatat e para opozitare antikomuniste. Por të gjitha ato parti politike dhe shoqata kulturore profesionale që u krijuan pa miratimin e Partisë Komuniste u akuzuan për komplote, formimin e “organizatave terroriste”. Për shembull në janar 1946, Gjykata Ushtarake e Shkodrës nxori në gjyq 39 anëtarë të organizatës “Bashkimi Shqiptar”. 8 anëtarë u dënuan me vdekje, 6 me burgim të përjetshëm, 22 anëtarë me burgim nga 2 deri në 30 vjet dhe u liruan për mungesë provash 3 vetë. Nga grupi Socialdemokrat me drejtues i bë procesi gjyqësor: Musine Kokalari, Suat Asllani, Musa Disdari etj. Musine Kokalari, e bija e Reshatit dhe Hanushes, vjeç 28, lindur në Adna të Turqisë, banuese në Tiranë, librare me arsim të lartë në Romë, e pamartuar ishte një nga të dënuarat. Më pas dënimet filluan me gjyqet ndaj inxhinierëve dhe teknicienve të Shkollës Amerikane, të deputetëve, me këto vendime u rrënuan dhe ekonomistët së bashku me financierët. Inskenimi i radhës u bë në ambasadën sovjetike. Në të cilën u hodh një bombë, e cila nuk shkaktoi asnjë të vrarë apo të plagosur rëndë. Fill një ditë pas këtij inskenimi u mblodh Byroja Politike dhe u arrestuan 150 persona. Ndër të cilët 22 u fajësuan për “terrorizëm”. Më pas eshtrat e këtyre të pushkatuarve për inskenim u gjetën në një varrë të përbashkët.
Por ç’bëri sistemi i asokohe me shqiptarët e Kosovës dhe Çamërisë. A pati të persekutuar? Në fjalën e mbajtur në Pleniumin e Jashtëzakonshëm (1946) Enver Hoxha ndër të tjera theksoi se “A është në interesin tonë të kërkojmë Kosovën?Kjo nuk është progresiste… Të bëjmë ç’është e mundur që Kosovarët të vëllazërohen me jugosllavët… Ata që nuk e kuptojnë, ne kemi detyrë t’i luftojmë”.
Në masakrën e Tivarit (1945), u masakruan dhe u vranë në Tivar rreth 3760 partizanë Kosovarë, të cilët kaluan nga Prizreni, në Kukës, Pukë, Shkodër dhe Ulqin. Ata ishin të paarmatosur dhe të shoqëruar nga oficerë dhe ushtarë serb. Nga këta 2200 ishin nga Ferizaj dhe 1500 nga Prizreni. Kurse për shqiptarët e Çamërisë së persekutuar dhe të dënuar nga regjimi ndër të tjera në një nga dosjet e vitit 1946, në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme shkruhet se: “Çamëve u mungon koshienca revolucionare dhe mund të bëhen preh e reaksionit nga çasti në çast…”.
Sistemi komunist goditi dhe shkatërroi dhe klerikët. Gjatë viteve të diktaturës u pushkatuan 28 klerikë katolikë, vdiqën në burgje 29 dhe vdiqën nga torturat 19 klerikë. U burgosën dhe u internuan 93 klerikë katolikë. Ja çfarë shkruan Padër Gjon Shllaku më vitin 1946. “Lamtumirë m’i thoni shokëve dhe të gjithë të njoftunve. Rroftë Krishti mbret! Rroftë Shqipënia”. Pati dhe revolta në Spaç dhe Qafë të Barit.
E ndërkohë kur brenda vendit po ndodhnin tërë këto ngjarje, jashtë vendit vepronin disa organizata antikomuniste si: Blloku Kombëtar Indipendent (Romë, 1946). Balli Kombëtar (Regio Emilia,1945), Komiteti Shqipëria e Lirë, (Parisë,1949), Organizata kombëtare Lëvizja e Legalitetit (Kajro, 1946) etj.
Ideator i këtij botimi është drejtori i Muzeut, Luan Malltezi. Për botim është përgatitur nga Enver Kushi dhe Fatmir Boshnjaku. Botim i (Graphic Line-01, 160 faqe).
Krahas hapjes së Pavijonit të Genocidit në MHK, Ministria e Kulturës ka botuar një sërë veprash të autorëve të anatemuar nga diktatura komuniste si, Faik Konica,Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Musine Kokalari, Gjergj Bubani, Genc Leka, Havzi Nela, Vilson Blloshmi, Arshi Pipa, Beti Pipa, Uran Butka, Fatos Lubonja, Uran Kalakula, etj, dhe mendohet të shndërrojë në muze, burgun famëkeq të Spaçit.
Shqipëria kishte rreth 40 burgje të mbyllura dhe mbi 50 kampe me punë të detyruar dhe të dënuar për motive politike. Në këto burgje dhe kampe me punë të detyruar, kanë gjetur vdekjen 980 të dënuar politikë dhe 380 persona kanë pësuar trauma psikike. Pavijoni burg i Psikiatrisë në qytetin e Elbasanit trajtonte si pacientë kundërshtarët e diktaturës. Në këtë pavijon kryhej “Terapia e shuarjes së kujtesës, depersonalizimi dhe humbja e ndjenjës së realitetit për veten”.
Në Shqipëri u ngrit një sistem i tërë burgjesh, si në: Gjirokastër, Tepelenë, Vlorë, Korçë, Berat, Elbasan, Durrës, Tiranë, Burrel, Shkodër, Peshkopi etj.
Për gratë e dënuara ishin këta burgje: aneksi i burgut te vjetër të Tiranës, kampi i grave në Valias, burgu i artizanatit në Tiranë, i Kuçovës, Kosovës (Elbasan), Sharrës.

Musine Kokalari 100 Vjetori (1917 - 2017)
Musine Kokalari 100 Vjetori (1917 – 2017)

Një pusullë letërkëmbimi që Musine Kokalari i dërgon për dorëshkrimet, “ato plaçkat“, të nipit Platon Salim Kokalari, më 3 maj 1983
“I dashur Platon,
…Vetëm një gjë dua nga ty. Të vish, të marrësh ato plaçkat që të kam thënë. Mua, në këtë gjendje, do të më dukej sikur është një kënaqësi. Por nuk më duhet ta shtysh.
Sëmundjen e kam të rëndë dhe nuk dua gjithçka të merret nëpër këmbë. Mos mendo për të tjerët. Unë s’i kam kërkujt borxh dhe askujt s’i kam kërkuar ndihmë, as lehtësi, as jam ankuar që mbeta e braktisur. Kur ata që të kanë në dorë, të varrosin për së gjalli, 38 vjet me radhë pa të drejtë, është e kuptueshme se asnjeri nuk do të rrezikohet. Ju m’u ndodhët në një çast të rëndë. Ju faleminderit dhe për këtë dua që ajo që mund të shpëtojë të bjerë në duart tuaja…” Kjo është lutja që Musine Kokalari i dërgon në një pusullë letërkëmbimi, për dorëshkrimet, “ato plaçkat“, të nipit Platon Salim Kokalari, më 3 maj 1983. Në gusht të po atij viti, Musineja vdiq në dhomën e saj të internimit, në Rrëshen. Dikushi, ai që e varrosi trupin e saj, një mirditor, banor i Rrëshenit, pas “aktit politik…” u dënua.

Ministër i Kulturës, Visar Zhiti
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Visar Zhiti gjatë promovimit tha se ky album është dëshmi e masakrës në diktaturë që nënkupton një dhunë të përditshme atëherë por dhe qëndresën njerëzore, hapur dhe fshehtazi, fshehtas dhe me kryengritje, prania e të gjithëve ne këtu, një pjesë të dalë nga burgjet apo familjarë të atyre që nuk janë më, unë që po flas, të gjithë së bashku, jemi një mbërritje, një sfidë kolektive, një triumf mbi ferrin e së kaluarës, që meriton shkëputje totale, por kujtesë. Të kujtojmë tmerrin që të mos ketë tmerre.
“E shkuara nuk ndreqet dot, e tashmja po, në shërbim të së ardhmes. Së pari të mos t’i lëmë vend mes nesh antinjeriut. Ne, personazhet e këtij albumi, bashkë me ata që nuk janë përfshirë dot në të, bashkëvuajtës të shumtë, i përkasin lirisë dhe demokracisë së këtij vendi, si pararojë e gjakosur, jemi themel i moralit dhe i qëndresës dhe pas kryengritjeve tona në burg, protestat e para të studentëve, revoltat qytetare morën nga dufi ynë, ne u bashkuam dhe, me t’u përmbysur diktatura komuniste, nisëm rrugën e demokracisë me ëndërr Europën dhe Amerikën. Ne jemi me ata që janë me ne, për një Shqipëri europiane, sa më larg fjalës uzurpuese dhe mashtruese “socializëm”, tha ndër të tjera Zhiti.
(Shekulli, 7 maj, 2013)

Related Images:

Artikulli paraprakOsho – Liria dhe Dashnia
Artikulli tjetërTë persekutuemit politik a kanë pasqyrë…? Fritz Radovani
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.