back to top
25.5 C
Tirana
E enjte, 3 Tetor, 2024

Në magjinë e festivalit në Mantova Dionis Qirzidhi (2006)

Gazeta

Dionis Qirxidhi, Titos Patriqios, Fariad
Dionis Qirxidhi, Titos Patriqios, Fariad

Në magjinë e festivalit në Mantova…

nga Dionis Qirzidhi

Përshëndetje për mikun tim  të mirë Dionisin…

Ky shkrim i gjatë por mjaft i ndjerë dhe i pasur në kulturë e në informacion i mikut tim të mirë nga Vlora, Dionis Qirxidhit, që jeton prej vitesh në Athinë, është përcjellje e nji evenimenti shumë të rëndësishëm kulturor që zhvillohesh në qytetin e Virgjilit, në Festivali i Leteratures së Mantovas… dhe bahet fjalë për shtatorin e vitit 2007, kur për herë të parë në ato takime të shumta ishin të ftuem katër shkrimtarë shqiptarë… Gëzim Hajdari, Besnik Mustafaj, Ornela Vorpsi dhe Fatos Lubonja…
Ditët e Mantovas ishin prej atyne që përsëriten rrallë, dhe që Qirxidhi me at aftësinë e tij zhbiruese dhe fotografuese e ka përcjellë në mënyrën ma të gjallë dhe ma pasionante… siç di veç ai t’i ndjekë dhe ti ndjejë këto ngjarje…
Ky shkrim i kahershëm asht botue në shtator të 2007 te gazeta Tribuna e Athinës…
Ajo çka desha të nënvizoj me dhimbje në kët paraqitje mbas gjashtë vitesh, asht se miku im Dionis Qirxidhi prej vitesh asht i paralizuem, dhe ato ditë  ndoshta qenë nga ma të bukurat e jetës së tij… Përcjellja e këtij shkrimi që s’më ka lodhur asnjiherë së lexuemi bahet me fotot e arkivit tim dhe asht e gjitha si shprehje e mirnjohjes sime për kët njeri të mrekullueshëm plot ide dhe andrra dhe me nji shpirt plot dritë, si shpirt fëmije.
Të përshëndes miku im i mirë Dionis! 13 shtator, 2013

Dionis Qirxidhi dhe piktori Nestor Jonuzi
Dionis Qirxidhi dhe piktori Nestor Jonuzi

Në magjinë e festivalit në Mantova nga Dionis Qirzidhi

Drejt qytetit të Virgjilit
Në çastet vendosa e fundit të shkoja në “Festivalin Europian të Letërsisë ” në Mantova. Javë më parë, biletën e avionit vajtje-ardhje e pata gjetur mjaft lirë, por hezitimi bëri që çmimi i biletës të trefishohej, ndaj s’më mbetej veç të merrja linjën detare. U ngushëllova me detit, dhe dhashë se vetëm kështu do t’a rindjeja atë me gjithë bukuritë, misteret, madhështinë dhe frikërat që fsheh.
Perëndimi dhe lindja e diellit të kundruara nga kuverta apo dritarja e barit me lanë ndjesinë se natyra imiton pikturën dhe shkula nga kujtesa peizazhet e Skënder Kamberit e Nestor Jonuzit, aq shumë të lidhura e të frymëzuara nga deti. Duket sikur deti ruan në kujtesë gjithë ngjyrat e ylberit. Ndaj e stolisim me ide dhe simbole, e zbukurojmë me kujtime të kaltërta nostalgjie, e nxijmë me shamitë e zeza të frikës dhe tragjedive. I zhytur në përballë kësaj gjendje shpirtërore, rikujtova Kristofor Kolombin që thotë se “…deti ngaherë na ndjell shpresat, si gjumi ëndërrat!”
Dhe vërtet kisha dremitur mbi kolltuqet e rehatshme, e kur zgjohem shoh dikë ulur pranë meje, që shkruante në kompjuter. Me bisht syri dallova një revistë ku qe fjala Egjeu… Rastësisht, kohët e fundit pata lexuar mbresa dhe shkrime të krijuesve grekë për detin Egje… Në çastin kur mbylli kompjuterin, dhe po bëheshim gati të zbrisnim, e pyeta se si mund të shkoja në Mantova. Më tha se kur të zbrisnim mund të më shoqëronte deri në stacionin e trenit, kështu gjeta rastin të shuaja kërshërinë se ç’e lidhte me Egjeun dhe të nisnim bisedën.
Kaq mjaftoi. U desh Egjeu që të miqësoheshim, e të na dukej sikur e njihnim njeri tjetri prej kohësh. Më ofroi kartvizitën ku lexova: Doktor Jorgo Tavlaridis – kimist, studjues shkencor i OKB-së për mbrojtjen e monumenteve të kulturës botërore. Kur mësoi se shkoja në Festivalin e Letërsisë në Mantova, i ndritën sytë dhe më shpalosi gjithë dashurinë e tij për artin e fjalës.
-Po e nis reportazhin me mbresa nga Italia – i them – a mund të regjistroj diçka prej jush.
-Me gjithë qejf – më thotë – letërsia dhe në mënyrë të veçantë poezia është pasioni dhe ëndrra ime.
-Së pari më thuaj diçka më shumë nga kartvizita.
-Kam lindur në Pali Faliro. Prindërit janë nga Azi e Vogël. Familja ime vizitonte vendet nga ata vinin dhe ishin të ndjeshëm, pasi vazhdimisht udhëtonin. Unë e ndjej veten si një marinar që gjithë jetën udhëton detrave. Para 29 vjetësh erdha në Itali të studjoj. Italia më pëlqeu dhe më mbajti peng. Aktiviteti si shkencëtar në programet e OKB-së, më bën që herëpashere të udhëtoj në Greqi, Egjypt, Izrael, Persi, Turqi, Shqipëri. Po, po edhe në Tiranë kam dhe shumë miq. Admiroj Ismail Kadarenë. Pra jam si një valixhe në dorën e udhëtimit. Ka dy kategori njerëzish në botë: njerëz që udhëtojnë për të jetuar dhe njerëz që jetojnë për të udhëtuar. Unë i përkas kategorisë së dytë. E dashuroj Ballkanin dhe vendet e Mesdheut po edhe botën arabe. Historia e njerëzve është e njejtë. Atë çka dashuroj tek njerëzit e kësaj treve është tradita dhe poezia. Po të tregoj një histori timen të parrëfyer.
Në Itali fillimisht studjova për art dramatik, ku edhe u diplomova. Punova fillimisht si aktor. Brenda meje, si ajo dashuria e parë, qe arti dhe poezia… Në njëfarë mënyre kjo përkon tash edhe me punën që bëj, sepse hulumtoj dhe studjoj monumentet dhe vlerat më të çmuara të njerëzimit. Vjet udhëtova në qytetet e krahinës të Kapodhiqeut në Turqi, në bregdetin e Detit të Zi, që për nga bukuria janë një mrekulli e rrallë. Njoha Persinë e famëshme që adhuron poezinë. Më shumë jam një antropolog që më pëlqen historia e kombeve.
-Me që ra fjala për Persinë, edhe unë njoh një poet persian Fareudin Fariat, që jeton në Athinë. Një ditë e pyeta: “Si është e mundur që Omer Kahjami, (i Rubairave, aq mrekullisht të përkthyera në shqip nga Fan Noli), të shkruante aq lirshëm dhe aq bukur për femrën dhe dashurinë. Më çudit se si ia lejonte feja këtë gjë?
-Mos i ngatrro dhe paragjyko gjërat. – ma ktheu Jorgo – Persët katër gjëra adhurojnë në jetë: poezinë, lulet, muzikën dhe dashurinë. Në pallatin e pashait në Hispasan do të gjesh afreske të shekullit të 4-të, që fatmirësisht s’u prishën pas revolucionit të Komeinit. Atje sheh valltare nudo, ku Pashai u përkulet dhe ju puth këmbën. Poeti Hafes në vitin 1400, nuk i këndon tjetër gjëje veç dashurisë dhe verës. Dhe sot në Shiras, vendlindja e tij, shkojnë qindra të rinj që falen tek varri i poetit të madh, duke mbajtur në njerën dorë librin recitojnë poezitë e tij dhe dorën tjetër e mbështesin mbi mermerin e varrit, ku është skalitur emrin i tij…
-Përse s’u takuam që në fillim të udhëtimit? – i them unë
-Do ritakohemi në Romë, ndoshta në Athinë, ndoshta dhe në Tiranë. Të thashë që jam një valixhe që udhëtoj ngahera. Jam i bindur se poezia do të na ritakojë. Në Romë nesër kemi “Natë të Bardhë” një organizim e mrekulli artistike ku njerëzit pa paguar mund të ndjekin veprimtarit e shumta për poezinë, muzikën, teatrin…
Po tashmë trageti ka mbrritur në Ankona dhe me Jorgon vazhduam bashkë gjer tek stacioni i trenit ku u ndamë në kahe drejtime të ndryshme: ai tek magjitë pafund të “Natës së bardhë” në Romë, kurse unë drejt qytetit të Virgjilit, mikpritësit të edicionit të dhjetë të Festivalit të Letërsisë.

Mantova 2006 Qirxidhi, Lubonja, Radi, Hajdari
Mantova 2006 – Qirxidhi, Lubonja, Radi, Hajdari

Mantova – dashuri me shikimin e parë
Para se Gëzim Hajdari të më ftonte në Mantova, tek sistemoja shënimet e mia për Seferis, veçova vlerësimet e tij për Virgjilin. Po kështu bëra edhe me shënimet e kont Ugolinit për zbulimin e mrekullive të Butrinti. Në shënimet e mia hodha pasazhin e tij: “Ndërsa një puhi ere më sillte kundërmimin e fortë të luleve të fushës, ndjeva të më pushtonte një dëshirë e thellë emulacioni: ia kisha zili veprës së Shlimanit, zbuluesit fatmadh të Mikenës…”
Virgjili, duke ndjekur bërthamën historike te gojdhënave se trojanët e shpëtuar nga Troja e rrënuar shkuan dhe në viset e Jonit, arkeologu Ugolini shkruan: “ndërsa cikli i bëmave historike të zhvilluara rreth Trojës pati si këngëtar Homerin, Butrinti dhe ngjarjet që ndodhën aty u kënduan kryesisht nga Virgjili… Enea, duke u endur me shumë mundime nga një det në tjetrin, në pritje që të përmbusheshin të parathënat: që të ndërtonte në Romë muret e një “Troje të re”, qe ndalur në Butrint”
Seferis, në kujtimet dhe bisedat me Eliotin ka vlerësim të lartë për Virgjilin e “Eneidën” e tij të famshme. “Thonë – shkruan Seferi – se kur Apostulli Pal i nisur  nga Kreta për në Itali kërkoi ta drejtonin tek varri i poetit dhe qau para tij.”
Këto shënime i gjeta në bllokuin tim pa ditur se mundtë shkoja një ditë në vendlindjen e poetit të pavdeshëm Virgjilit, Mantova, e cila do t’më bënte ta dashuroja e ta hymnizoja që me vështrim të parë.
Gjatë udhëtimit nga Ankona në Mantova, ripashë fotografitë e bëra me Gëzim Hajdarin në Vlorë. Ishte diçka e bukur, e ndjerë, shpirtërore, një aventurë poetike ardhja e Hajdarit gjatë kësaj vere. Më pat trishtuar dhe e vuaja shpirtërisht kur shkruante se “kudo në botë i kam lexuar poezitë,/ vetëm në atdheun tim s’i kam lexuar…” E mora në telefon dhe i them se po shkoj në vendlindje, në trevën e poetëve Ali Asllani, Fatos Arapit, Petro Markos dhe të poezisë lirike labe! Eja në Vlorë për të rizgjuar kujtesën e dallgëve, xhixhivalleve dhe guralecëve në Ujin e Ftohtë, e do ta ndjesh se do të kënaqesh e frymëzohesh. Gëzimi në çast merr vendimin dhe më përgjigjet se të nesërmen do të vinte atje. Në Vlorë e pritën me lule, e rrethuan me dashamirësi lexuesit e poezisë, pedagogët e universitetit, parodistat e mirënjohur dhe së fundi bashkë me Nestor Jonuzin organizuam një program të plotë televiziv në “Amantia” për njohjen e poezisë dhe poetin të shquar Gëzim Hajdari.
Kur e shkruaj “poet i shquar” askush të mos më keqkuptojë e të bëhet xheloz dhe askush të mos dyshojë për ç’ka shkruaj. Pasi shprehja “poet i shquar”, s’është e imja por vlerësim i bërë nga dhjetra kritikë të njohur të poezisë italiane, greke e amerikane e më tej. Në veçanti këtë vlerësim e gjeta tek fletë volantet, gazetat, revistat e shumta që shpërndaheshin në Festivalin më të madh evropian të Letërsisë Botërore, me pjesmarrje të herëpashershme të mjaft nobelistave. I përzgjedhur me kritere të rrepta artistike, i ftuar dhe i programuar të flasë dy herë në festival, mundësi që nuk e ka kushdo. Emocionalisht këtë vlerësim e përjetova tek biseda njerëzore me studentet Aleksandra Aitini e Anxhela De Marko, të ardhura enkas nga Napoli, tek lexuesit, tek gazetarët e tek admiruesit e shumtë të poezisë së Gëzimit që kërkonin të bisedonin me të, t’i merrnin autografe e t’a intervistonin. Aty ndjeva bukurinë e dhimbjes se poezia është shtëpia e tij.
Në Mantova njoha nga afër me Jozef Radin. Me Gëzim Hajdarin e lidhte një miqësi që në vitet e gjimnazit e mandej në Gulakun shqiptar, në Savër ku e patën interrnuar familjarisht. Jozefi eseist, studjues, përkthyes, me një poezi të ngrohtë shpirtërore, komunikuese. Poezia është pjesë e jetës së tij, pjesë e struktures të mendimit estetik për të bukurën, të kultivuar nga i ati sokratian, që shpesh i thoshte se “gjithkund, ndoshta edhe tek shëmtimi duhet ta kërkosh dhe ta gjeshë të bukurën. E merr spunton nga Savra dhe në poezinë e tij nuk gjen hakmarrje, urrejtje, veçse dhimbje të universalizuar të një tragjedie që trasformohet e poetizohet në shpresë…
M’u mbushën sytë me lotë kur duke bërë shaka Jozefi më thotë se për ta vrarë vetminë Gëzimi ka raste që më telefonon edhe tre-katër here në ditë.
-Në mërgim, të mos kisha pranë shpirtërisht Jozefin, do të isha çmëndur! – thotë Gëzimi për mikun e tij poetin dhe përkthyesin. Gëzimi shton se këtë miqësi të kahershme e ka shpirtëzuar edhe përmes një poezie.

Shkrimtarja Ornela Vorpsi
Shkrimtarja Ornela Vorpsi

Sekreti i suksesit të festivalit
Ecën nëpër rrugët dhe rrugicat e Manovës shtruar me zaje të rrumbullakët lumi dhe ndjehesh i rrethuar nga magjepsia e natyrës virgjiliane, nga arkitektura e veçantë e ndërtesave, kështjellave, monumenteve të kulturës që mbrohen dhe ruhen me fanatizëm. Pozon para skulptures të bronztë të Rigoletos, simbol i qytetit dhe sjell ndërmend dhimbjen e tij për Xhildën tek opera e Verdit. Viziton kopështin përrallor të Gonzagëve, ku shkruante Torkuato Tasso.
Çdo hap është gjurmë në histori dhe kulturë, gjurmë në përjetësi…
Çdo ndërtim i është përshtatur me fanatizëm karakteristikave të një qyteti kontësh e princash. Ecën e të del kisha e Santa-Maria della Vittoria, San Sarnada, Santa Paola, San Francesco… plot pesëdhjetë të tilla në mjediset e të cilave zhvilloheshin për pesë ditë, jo pak po rreth treqind takime të Festivalit. Para atyre portave të mëdha, mendon sëpari se mund të takosh ndonjë murg apo prift, por të pret buzagaz një djalosh me xhinse e këmishë të kaltër, apo ndonjë studente me emblemën e Festivalit bluzën e saj të bardhë. Me mirësjellje të ofrojnë fletëvolantin e programit dhe informacionin e nevojshëm për çka dëshiron të ndjekësh. Janë tetëqind studentë vullnetarë të organizuar nga e gjithë Italia aty në Mantova… Është Virgjili, ky bashkues i madh, që afron popujt dhe racat, që hap për të gjithë portat e kulturës, vërtet ai në shkroi në latinisht, por njësoj u flet si italianëve edhe mbarë botës. Është e pabesueshme, por në Manova gjatë këtyre ditëve “hahet” më shumë libra se sa bukë!”
Kudo, sheshet, teatrot, sallat e shtëpive të princave me piktura të çmuara janë përplot me njerëz të etur që dëshirojnë të njohin poetët e shkrimtarët, të flasin e të pijnë një kafe me ta, të lexojnë librat e tyre dhe të rrëfejnë ngjarje që mund të bëhen libra. Ardhja në Mantova konsiderohet për çdo krijues si evendiment në jetën e tij. Mjedisi ka magjinë e komunikimit të sinqertë, njerëzor e të lirshëm, si me autorët më të shquar të letërsisë italiane po edhe asaj botërore. Mund të pish kafe me Elia Malagòn, të bisedosh me Eduardo Sanguinetin, ta fotografosh nga afër Erri de Lucën, t’i shprehësh një opinion kundër Aleksandro Bariccos, të bësh një copë rrugë me Salvatore Niffoin, t’i bësh një kompliment Ornela Vorpsit për veprën e saj të suksesshme, të drekosh në të njejtin restorant me nobelisten Elie Wiesel, o me autorët bestseller P.D James e Vikram Seth. Në akord shpirtëror me shkrimtarët e njohur, takon e njeh preferencat e planet e tyre krijuese, fjala vjen polakun Jurij Druznikov e shoh mes një grupi studentësh që e shohin në dritë të syrit për ç’ka u thotë. Kandidat Nobel i emigruar në vitin 1987, në Amerikë, pedagog i Universitetit të Kalifornisë, aty mëson se romanet e tij kapin tirazhin 250.000 kopjeve, dhe se romani i vitit, “Madonna fromm Russia”, ka historinë aventoreske të poeteshës ruse, Lily Bourbon…
-Po mandej çfarë djalli do të shpiket në botë pas postmodernes? – pyet Sanguineti në librarinë e madhe të festivalit mes vajzash të bukura që i afrohen e derdhin flokët mbi dorën e shkrimtarit që jep autograf…
Pak më tej dëgjoj Yasmina Khardo (Mohamed Moulesseoush), autorin e librit “Teroristë? Jo vetëm arabët”, që thotë se ai shkruan për të thirrur ujin, për të luftuar sterotipet perëndimore e për t’i drejtuar lexuesve të periferive për fatin e Lindjes së Mesme. Unë shkoj në thelb të problemit sepse terrorizmi është termi më abuzues në një pjesë të botës. Një mendim të ngjajshëm ka dhe Rafik Skhami që ka lindur në Damask dhe shkruan gjermanisht për jetën e intelektualit arab, i cili duhet të gjejë mënyrën që të flas me popullin e vet, të thotë të vërtetën në shtypin arab, megjithëse dihet se është tepër e vështirë, pasi bie ndesh me autoritetet”
-Me dikë më ngjan ky portret, dhe s’po e sjell në kujtesë? – pyes miqtë e mi
-Është Tahar Ben Jelloun, nga Maroku. Jeton në Paris. – më thotë Gëzimi.
Dhe në çast i afrohem se librin e tij “Baba, ç’është racizmi?” i vlerësuar nga Kofi Annan me çminin “Global Tolerance Award” e kam prezantuar për lexuesit shqiptarë në Greqi. Jo vetëm pas ngjarjeve të Parisit me emigrantët e brezit të dytë apo të tretë frankofonë, por pas daljes në skenë të Lë Penit ai është sot ndër autorët më të lexuar në Francë. Duke imagjinuar dialogje me vajzën e vet, apo vajza me e-maile me një djalë bolonjez, apo europian trajton problemet më të mprehta sociale si racizmi, bota arabe, feja islame e gjer tek konflikti i fundit izraelito-libanez, duke e konsideruar domosdoshmërinë e shkrimtarit në dialogun e civilizimeve dhe probleme akute të kohës që jetojmë. Nëse s’e bënë këtë gjë, ai s’e kryen mirë as detyrën e tij si shkrimtar.

Qirxidhi dhe Cigani i Fizarmonikes
Qirxidhi dhe Cigani i Fizarmonikes

Cikërrima mantovane
Festivali qe si një ofertë që bëhej për të gjetur atë që preferon kulturën, librin, informacionin, por dhe spektaklin poetiko-muzikor, humorin e vallëzimin. Sheshi i madh Castelo ka Nobelistin Amartya Sen, që të flet për konfliktin e kulturave, që sipas tij as që egziston. Mendimi tij, si një nga ekonomistët më të njohur në botë, është se nuk duhet të brutalizojmë pluralizmin në koshiencën tonë. Demokracia, për të cilën shumë flasin sot, duke nënkuptuar monokulturën, të mos harrojmë se pluralizmi presupozon multikuturalizmin, si imperativi të epokës sonë.
Në Palazzo Ducale, populli i letërsisë në këmbë apo ulur mbi bar, më shumë i mbetur jashtë për mungesë vendi, dëgjonin në altoparlant, monologon mbresëlënës të nobelistit, Dario Fo. Fliste për gjyshin, për babanë, për nënën dhe gruan imagjinare, për motrën e vëllanë, për prologun e tv-së, për çensurën në kokën e tij, për vështirësitë e rinisë së sotme për të gjetur rrugën në show bisinessit. Me batutat, plastikën e fytyrës së tij, me  ironi dhe sarkazmën, Dario Fo e bënte popullin e letërsisë të qeshte, të gëlonte, të kënaqesh e të shpërthente në duartrokitje mirënjohëse.
Festivali ishte një si ofertë që të bëhej për të gjetur letërsinë jo vetëm si art i të rriturve, por organizatorët me zgjuarsi kanë menduar dhe për fëmijët që ende s’kanë nisur të lexojnë, nëpërmjet lodrave siç ishte një buf i madh butaforik i lyer me tutkall dhe fëmijtë duke thirrur hidhnin copëza letrash shumëngjyrëshe, në të cilat ishin portretet e gjithë të ftuarve të festivalit.
Me Jozefin, ndalemi dhe dëgjojmë këngët e një fizarmoniçistit të verbër, cigan i ardhur nga Ballkani, të cilit kur i thashë se vij nga Greqia, ia nisi këngës “Se agapo”.
“Mantova është lulja e kulturës evropiane” – na thotë Julia Kristeva, shkrimtarja bullgare që jeton në Paris.
60 mijë bileta të shitura; 10 mijë të ardhur nga Italia e nga e gjithë bota; 800 studentë vullnetarë në dispozicion të informacionit dhe shërbimeve të Festivalit; 60 përqind e shpenzimeve të bëra të sponsorizuara nga firma e agjensi private.
Ndërsa bëja këtë bilanc, solla në kujtesë Poetekën e Durrësit, jo që ta kopjojë, por të përfitojë nga kjo përvojë, për mënyrën e thithjes së dashamirëve të letërsisë nga gjithë shtresat e shoqërisë e në veçanti nga shkollat e universitetet e vendit… Sepse një festival nuk sjell vetëm kulturë e art por dhe zhvillimin ekonomik vendit organizator.  Më habit fakti pse Greqia është pas në veprimtari të tilla. Do të qe vërtet një mrekulli sikur organizimi i një tjetër forme, të bëhej në ishullin Lesbos, vendlindje e së famshmes Safo dhe të mrekullueshmit Elitis.

Poeti Gëzim Hajdari dhe kritikja Elia Malagò
Poeti Gëzim Hajdari dhe kritikja Elia Malagò

Mantova e sivjetme – sukses i letërsisë shqipe
Edicioni i dhjetë i ngjarjes më të madhe letrare në Itali i kushtonte vëmendje shkrimtarëve dhe kulturës ballkanase, si në tematikën e imazhet e tyre lirike duke i vënë të dialogojnë me zëra të tjerë.
Gëzim Hajdarin, që siç shkruhet në broshurën e festivalit “një nga poetët më të mëdhenj në botë”, kishte përballë studjuesit Ugo Fracassa. Ornela Vorpsi, e cila para pak muaj më pare pat fituar çmimin Grinzane Cavour, qe bashkë me shkrimtarin dhe analistin Fatos Lubonja, në bisedën “Shqipëria mes fatit dhe destinacionit”. Në Palazzo D’Arco ditën tjetër s’do të gjeje vend për të ndjekur bisedën e Lubonjës “Dantja i lexuar nën diktaturë”.
Para se sa të niste takim ulemi pimë një kafe bashkë dhe e pyes përse kjo temë?
-Janë meditime intelektuale e morale të mia për të. Dua t’i jap në sensin e fatit që është se kam lindur në Shqipëri dhe që për 17 vjet isha në burg. Fati u bë destinacioni dhe synimi im për t’u bërë shkrimtar. Dante si poet ka kontributin e vet, sepse u bë një shoqërues në rrugën time. Breza të burgosurish nga viti 1945 e deri 1988 patën kopjuar disa herë Ferrin e Dantes. Një Dante i masakrosur së bashku me ne në një udhëtim dhe me Virgjilin tek të vdekurit në Ferr, Dante u bë shkaku që të përvetësoj më mirë italishten. Letërsia është një lloj praktike e ushtrimit të lirisë, veçse në se mbesim në këtë gjëndje ajo nuk është liri e “vërtetë”. Se letërsia të hap të gjitha hapsirat e lirisë, por dhe të jep gjithashtu krahë për të fluturuar në këto hapsira. Pra liria është në proçesin e fluturimit dhe në përballimin e rreziqeve prej fluturimit”

E intervistova Fatosin për “Gazetën Tribuna” që do ta botojmë në numrat e ardhshëm. Ndërsa Ornela Vorpsi që jeton në Paris, ka përzgjedhur të shkruaj italisht. Ndjehem shqiptare – thotë Ornela – por atdheu im është atje ku ndjehem më mirë, atje ku gjej qetësinë time. Atdheu është proçesi im krijues.
Përse bukuria e femrës duket si diçka e jashtëzakonëshme në prozën e saj, veçse shoqërisht e dënueshme? Se deri dje, shpjegon Ornela – në vendet e Mesdheut egzistonte një raport midis bukurisë dhe dyshimit. Në prozën time këtë vision kërkoj të jap domethënie se bukuria femërore mbasi adhurohet, në të njëjtën kohë dënohet.
Nga takimet më interesante ishte dhe dialogu i Gëzim Hajdarit e Jozef Radit me Besnik Mustafajin. Gëzimi e takon Besnikun pas 14 vjetsh, nga koha kur redaktonte vëllimin e tij të parë me poezi. Të katërt ndenjtëm bashkë në të dy ditët në shoqëri me autoritetet e vendit, intelektualë e mjekë të njohur dhe miq të Shqipërisë.

Hajdari - Mustafaj - Radi Mantova 2006
Hajdari – Mustafaj – Radi – Mantova 2006

Në Kishën Viktoria plot me dashamirës të artit, Gëzimi elokuent foli për misionin e krijuesit që afron kulturat e brigjet, analizoi krijimtarinë dhe dualizmin politikan-poet, recitoi në italisht, në ciklin poetik të përkthyer nga vetë ai, ndërsa Besnik Mustafaj poezitë i deklamoi në shqip. Mes pyetjeve të shumta që ju bënë ishte dhe ai i misionit të poetit dhe të politikanit. Besnikun e pata dëgjuar dhe në Berat në bisedë me Tito Patriqion, ku i tregoj këtë çast nga jeta e tij si krijues: Isha mbasador në Paris nga viti 92-95-ën. Në vitin 1993, takova poetin e madh Oktavio Pas. Poetin që e admiroja dhe ai ishte 25 vjet diplomat e ambasador ato dy vjet në Paris. E pyeta se si ia bën një ambasador e njëkohësisht poet kur është i detyruar të shkruaj e të shkruaj raporte për qeverinë. Poeti m’u përgjigj: “Poeti përzgjedh fjalët që parapëlqen si më cilësore për t’i përdorur në poezi. Nëse këto fjalë i konsumon për të shkruar raportet atëhere nuk do mbetej asnjë fjalë mandej për poezinë. Gjuha për ne egziston që të shprehim ankthet tona e jo për raportet. Sekretaria ime, e cila ia ka marrë dorën dhe i shkruan mirë raportet, pasi i sjell tek unë, i firmos pa i lexuar. Se po t’i lexoja ato përherë kam frikën e koracionit…” Në këtë pozicion skizofrenie jam edhe unë. “Dosjet e punës s’i marr kurrë me vete në shtëpi, po as dorëshkrimet e poezive s’i marr kurrë në zyrë… Politika, është si një fabrikë tepër interesante, e cila prodhon ankthe, po njëkohësisht justifikon edhe pozicionin tim si politikan….”
Ndër të tjera shkrimtari Mustafaj tha se: “Poezia është diçka egoiste, personale, mediton i vetmuar, ndërsa si Ministër dhe politikan duhet të marrësh vendime kolegjiale, herë herë edhe jashtë dëshirës tënde!”
Në fund të takimit, në emër të Gazetës “Tribuna”, lexuesve të saj, miqve të mi krijues në Athinë, gjeta momentin t’u dhuroj një buqetë me lule e t’i përshëndesja në italisht pjesëmarrësit, duke u çuditur se si pas kaq vitesh fola pa shumë gabime gjuhën e Dantes. Siç duket më foli shpirti për kënaqësitë e shumta që më dhuroi ajo zonjë hijerëndë, e quajtur Mantova, për atë sukses të letërsisë, të shkrimtarëve dhe të gjithë kulturës shqiptare. Mustafaj, atë buqetë me lule ia dhuroi në shenjë respekti e mirësjelljeje Kryetares së Bashkisë të Mantovës, Fiorenza Brionit.
Orët magjike të Mantovës, ikën sa hap e mbyll sytë. Ndahemi me mall me Gëzimin, pasi të nesërmen ai është ftuar në një konferencë në Bolonja; Besniku niset për në Panairin e Barit ku së bashku me Kryeministrin Berisha, do takojnë Prodin e mandej do të përgatitet për fjalën në OKB. Ornela do të rikthehet në çerdhen e saj në Paris, Fatosi në andrallat e dilemat për postin e propozuar në Tiranë, kurse unë së bashku me Jozefin marrim udhën e kthimit drejt Ankonës.
Rrugës e ndjeja veten të dehur dhe të hutuar nga magjia e vendlindjes së Virgjilit dhe bukuria e miqësisë së sinqertë mes krijuesve…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.