back to top
18.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Tixhja e Bërxullëve Leka Ndoja (libri “Pashket Katolike”)

Gazeta

Leka Ndoja 2013
Leka Ndoja 2013

Tixhja e Bërxullëve…

tregim nga Leka Ndoja

(nga libri “Pashket Katolike”)

Fatin, kasapin e Bërxullëve, Hatixhja e paditi në gjyq. Zanatin e tij e kishin zili gjithë qyteti e sidomos vendasit. Kjo arsye e kandisi Tatën e Tixhes që t’i thosh së bijës, rahat, ma rahat nuk ke ku t’zgjedhish, na kërkun gocën prej dere t’mirë oj goc. O Tixhe mishin e ke siguru, mush barkun e nuk fle me andrrat e Judit. Se Judi del ke shpija e t’vorfnit. Bërxullt jon familje me gjo, s’jon trok si ai bukroshi i Shkodrës që t’vijte rrotull e s’kish i dysh m’xhep. Kon ate kasaphonen ke qoshi, den babaden e kon, plonca për gjith Tironën jarebi kon shit e falë. I qajn ato kukurecët, ilahi. Shkoi dorën mbi tullën e pjekme nga dielli të grricë nga gjembat e limonit të egër që e kish pru fidanin pri Elbasani i biri, Fati.
Tixhja u prek dhe nuk vendosi menjiherë. I kërkoi tre ditë të mendohej. Dhe si vendosi do thoni ju?- U tha u bo lale, kshu qe e shkrujtme. Më tepër se kaq nuk mundi t’i thosh të jatit Tixhja, sepse mendoi Fati më doli po me emrin që dëshiron gjithë mileti, Fati? dhe qeshej para pasqyrës së komosë ku pasqyroheshin hurmat e skuqme të fund nëndorit.
Filluen dasmën me orkestër qysh të enjten ne e sosën të shtunën e të dielën e 5 majit. Vunë kunorë e shkuen e në xhaminë e Ethem beut për hajresile, si thosh Nurja, baba i Fatit dhondrit.
Të nesërmen Tixhen e nxorri Nurja, i vjehrri, në oborr dhe i tregoi nji tepsi të madhe me nji kapicë zorrësh bagëtie që qitshin avull e qelbshin erë. Ja, oj nuse kjo osht puna jote. Qe ku e ke gëlqeren e shueme, qe, ujë ke te vija sa të dush ne yrja byrja, jepi t’i lash, derisa të vijë Fati pri kasaphones, t’i kesh la e ti kesh gaditë për s’mari. Masnej masdite do t’i lidhim, t’i qepim ene t’i fusim m’furrë që t’i shesim te lokali i Qesëve, se ata kon kërkesë dyfish nishtina m’verë. Helbete raki sa të dush, po ene venë.
Ai, Fat (eh ç’fat) e vinte me la planca të shoqen gjithë ditën e s’e lente t’dilte pri dere, as të blinte linesët, kur i vijshin menstruacionet. E deshte? Me shpirt të du mi Tixhe, me shpirt të du. I thosh Fati asaj. S’ka njeri nuse si ky koc. Eh, ne dilte vetë e ia blente Fati të përmrenshmet se nuk kish besim që t’i mirrte e t’i provonte ajo ato sene në merkatin me separé se kish nigju sene të turpshme…
Ke mishi ti Tixhe, ke mishi se ai na ma frymën i thosh Merit, shitësit se do të shkonte në teqe, pastaj në karburant si pronar që ishte pasi të maronte therjet e viçave në kasaphone.
Flokët, Fati i linte të gjatë prapa ndërsa përpara i priste fare shkurt. Duhanin s’e pinte, as rakinë, po lekët i binte në shtëpi. I numëronte ndërsa hidhte m’grykë me gishtat në ajër ndonji copë plonci. Plonci si copë kadifje gri zhdukej n’atë grykë të modhe e ia nxirrte pak përpara mollën e Adamit. Fati fërkonte gjoksin, ose diku midis gjoksit e barkut, e lëshonte nji oh kënaqësie. Habitej Tixhja me atë qejf të burrit dhe e shihte pasi binin në shtrat që ryste buzët sikur desh të kapërdinte copë të tjera ploncash. Kjo e neveriti Tixhen qysh muajin e parë të martesës.
Të nesërmen lante zorrët Tixhja me sapllake n’oborr, sepse Fati i thosh, laj zorrët e keçit oj Tixhe e mos m’u tallahitë nëpër kojshi se ina derë e nershme no. Se Tixhja nisi me dalë përjashta nër komshi që edhe ata kishin dëshirë të njiheshin me të. Ajo ishte nusja e vetme që kishte hy në atë rrugicë se të tjerat kishin morrë fëmijtë dhe i kishin lanë burrat qyqe vetëm.
Atë ditë Tixhja lau gjithë zorrët e kecve, të lopve ne ish bò krejtiskrejti, nga flokët deri ke nallat pri drrase qi i hiqte rrëshqonë rrëshqonë, siç i thote nji fëmijë që e shihte ka dritarja e pallatit të kuq kundruall. Vinte gëlqeren në ujin e vijës në oborr dhe i lëshonte zorrët në lugun që ish apostafat për atë punë për të pastrue zorrët, po edhe mushknitë e bardha e të zeza.
Për dy vjet iu shkri rinia Tixhes si muti i bagëtisë mrenë në sapllaken me ujë në oborr ku ene hardhitë kishin mor ngjyrë ndryshk e vilet po ia farojshin zogu harabel ene pulat. Se Fati, si i thosh baba, majte pula fort, m’oborr.
Fati shkonte në punë dhe çonte nji nga çirakët e pikës së karburantit me nji bidon benzine super në shtëpi dhe me porosinë që të shihte se mos Tixhja e tij kishte dalë nga shtëpia e lapardhisej kushedi ku.
Tixhja në fakt me të hikë Fati në punë në mëngjes late sa late zorrë e plonca, i linte aty n’ujë të rrjedhës ene dilte nëpër komshije aty përgjatë rrugicës së Bërzullëve. Shkonte te shtëpia e italianes që kishte hapë nji aktivitet biznesi dhe dinte pak shqip. Ajo, në nji shtëpi që e kishte morrë me qira, me limoj e portokalle m’oborr merrej me biseda ene i thotë Tixhes që të vite e të punote si menaxhere në firmën e saj. Tixhes i pëlqeu propozimi… po hec e fol me Fatin i thosh ajo italjanes, që i falte parfume firmato siç i thosh ajo, që i vinin ka Italia.
I mori erë Fati Tixhes masi doli ka dushi ene i shkoi duhma e erës benzinës dhe ajo e zorrëve të bagëtisë.
-Çere ere osht kjo mi Tixhe, livando t’jashtme kush ta pru?
-Matilda komshia?
-Pse do me t’u vardisë me t’bo prostitutë ajo?
-Çere prostitute mer zullap, se unë nime ika nga t’lami ploncat e tyt eti.
Kështu nisi dyshimi i Fatit për Tixhen e zvjerdhja e Tixhes për Fatin. Qeka rob koti tha me vete i ditë Tixhja. Medet burri…
Në gjyq Tixhja u paraqit me të atin me nji minifund të shkurtë ku i dukeshin shenjat e vulat e drunit që i kish dhanë Fati dy net ma parë masi kish gjetë kapicën me zorrë të palame, që qelbte me erë gjithë oborrin e deri m’rrugicë. Kaq i kishte mjaftue Fatit që të merrte mashën me të cilën Tata nxirrte nga kusia në zjarr copat e mëdha të plancave të lopës ne i hudhte m’grykë nga i kullufiste me dy t’kapërdime poshtë m’stomak.
Trazote zjarrin me mashë dhe pastaj trazote kazanin në pirusti, e nxirrte fletët e pjancave ende të nxehtë ene Fati i hudhte m’grykë. Por kur erdhi nga puna e pa që Tixhja s’i kishte prekë me i pastrue dhe as që i kishte futë m’ujë të valuem ploncat mori mashën, i doli para m’rrugicë… sa ktheu nga italianija Fati e mori para me mashë b***ëve. Tixhja ulëriu sa lemerisi gjith lagjen. Në darkë u hodh nga muri e përfundoi te shtëpia e vet.
Fati hudhte copa ploncash m’fyt para gjykatësve që po rregullonin dosjen dhe shifte her mmas here ka Tixhja. Kjo ngrinte minifundin ne e shifte me përbuzje.
“Hë… plas mor qen, se s’je rob për gru ti. Plonci i lopës!”
“Plonci o i omël oj Tixhe, po kthe m’shpi e hudhte me shpinën e dorës flokët mrapa, Fati i Bërxullëve.
Gjykata dha vendimin e ndamjes dhe e dënoi me 1 milion lekë gjobë për shpenzimet e gjyqit Fatin e Bërxullëve.
Qy nga ajo ditë çdo mëngjes gjente nji boçe me kukurecë të ngrohtë poshtë shtëpisë Tixhja, dhe përsipër napës kishte nji hurmë të pjekun mirë, në vend të shenjës së pendesës së Fatit të Bërxullëve.

Botimi i Leka Ndojës
Botimi i Leka Ndojës

Kush është Leka Ndoja…

Leka Ndoja ka lindur në Tiranë në vitin 1962.
Ka kryer studimet e larta në Fakultetin Histori Filologji të Tiranës, dega Gjuhë-Letërsi në fillim të viteve ’90. Ka punuar si gazetar dhe skenarist në TVSH në vitet 1993-2002. Nga viti 2004 drejton “Qendrën e Studimeve Ndërshqiptare”. Ka botuar rreth 50 ese kulturologjike dhe “Traktatin e artit inteligjent”. Ka botuar tre vëllime me poezi; “Rrezja e territ” 1993, “Zaret u hodhën” 1996, “Këngët barbare” 1999, romanin “Motel El Salvador” 2002. Ka përgatitur librin “Vox populi” të Zef Malës 2002. Nga përkthimet, ka sjellë së pari vëllimin antologjik “Pambarimi” të G. Ungarettit, (Çabej 1997), si dhe ka botuar në revistat letrare cikle poetikë nga Xhon Kits, Karduçi, Montale, Quasimodo, Marinetti, Papini, Ted Hjuz, Masters, Hini etj. Ka përkthyer nga anglishtja dhe ka botuar librat albanologjikë “Shqipëria, çelësi kryesor i Lindjes së Afërme’ të Kristo Dakos 2003, ‘Epiri” N.G.L. Hammond QSN 2004, “Kanuni shqiptar” Margaret Hasluck 2005. Ka përgatitur komentarin e Skartacinit mbi veprën Komedia Hyjnore të Dante Alighierit përkthyer nga i ati Mark Ndoja. Tregimi i mëposhtëm është shkëputur nga libri me tregime në proces “Pashkët katolike”

Leka Ndoja ne 2014, mbrojti Doktoraturen me Studimin “Letersia shqipe e Diaspores (1944-1990)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.