back to top
15.5 C
Tirana
E diel, 14 Prill, 2024

Lazër Radi – intelektuali që triumfoi mbi ndëshkimin… Gjovalin Kola

Gazeta

Shkrimi i Gjovalin Kolës
Shkrimi i Gjovalin Kolës

Lazër Radi –

intelektuali që triumfoi mbi ndëshkimin…

nga Gjovalin Kola

Ndër intelektualët e parë të burgosur,
prej nëntorit të vitit 1944,
e të diplomuar në Universitetet e Europës,
ishte edhe Dr. Lazër Radi…

Tashmë është bërë i dukshëm dhe shqetësues një defekt i institucioneve dhe opinionit tonë publik. Puntorët e mendjes që krijojnë vlera të mirfillta, shpesh punojnë dhe jetojnë pa vëmendjen e duhur. Fare rrallë ndodh që vepra e tyre të bëhet objekt i analizave serioze për të vënë në spikamë rezultatet, veçoritë dhe ndihmesat individuale. Për xhelozi, për nëvleftësim a mosdashje, këtyre individëve, jo aq të shumtë në numër, zakonisht nuk ua pohojnë meritat në mënyrë publike sa janë gjallë… po kështu, edhe vlerësimet për këtë kategori janë të pakta dhe rastësore. Dhe ngjan pastaj që njerëz të tillë ndrrojnë jetë pa përjetuar frytin e ligjshëm të punës së tyre, pa pasur shpërblimin moral nga institucionet shkencore, arsimore dhe publiku, për të cilin kanë punuar e krijuar një jetë të tërë. Kjo shkujdesje duket më tepër e vrazhdë, kur është fjala për intelektualë që për shkak të bindjeve të tyre politike u burgosën dhe u persekutuan nga regjimi komunist. Jo për faj të tyre, por të kohës në të cilën jetuan dhe të një fati botëror, këta njerëz përbëjnë “brezin e ndëshkuar”. Dhe ky ndëshkim në Shqipëri ka qenë më i tmerrshëm se në gjithë Lindjen Komuniste.
Dr. Lazër Radi, që vdiq para pak kohësh, është njëri ndër këta intelektualë shqiptarë, që kaloi për afro gjysëm shekulli kalvarin e këtij ndëshkimi. Por duke lënë pas një vepër të denjë intelektuale, ai ka dëshmuar edhe triumfin mbi kët ndëshkim të pashembullt.
Publicisti, studiuesi, përkthyesi dhe juristi Lazër Radi (1916-1998), është një shembull i rrallë i punës krijuese. Nga viti 1993 deri te libri më i mbramë “Nji verë me Migjenin” (1998) ai publikoi 15 tituj librash. Një rast i pazakontë ky tek ne. Çdo vit ai ka shkruar dhe botuar mesatarisht 3 libra! Sigurisht, kjo krijimtari e gjerë në fushën e poezisë, publicistikës, kujtimeve, shënimeve dhe atë të përkthimit, nuk është rezultat i vetëm këtyre 5-6 viteve të fundit, kur atij iu lejua botimi. Lazër Radi ka qenë nji penë e njohur e viteve ’30-’40, derisa erdhën në pushtet komunistët në 1944. Ndër intelektualët e parë të burgosur, qysh në nëndor të atij viti, të cilët ishin diplomuar në Universitetet e Evropës Perëndimore ishte edhe Dr. Lazër Radi. Ai kishte mbaruar me rezultate të larta Universitetin La Sapienza të Romës dhe qe kthyer në Shqipëri me gradën e doktorit të shkencave në Jurisprudencë. Nga viti 1944 deri në vitin 1991, kur ai u kthye përfundimisht në Tiranë, jeta e tij kaloi nëpër burgje dhe interrnime, me privacione dhe mundime të panumërta. Të njëjtin fat pat edhe familja dhe të afërmit e tij.
Vitet ’90,  e gjetën Radin me shpirt të ri, optimist për ndërtimin e demokracisë në Shqipëri dhe me përvojë të madhe jetësore. Ishte një intelektual erudit që donte të realizonte plotësisht veprën që kishte ëndërruar prej vitesh, por tashmë mjerisht i kishin mbetur pak vite për të jetuar. Dhe për të rifituar kohën e humbur, jo për faj të tij, ai punoi me një vrull të pazakontë për një njeri në moshë të thyer. Këtë e dëshmojnë botimet e tij.

Visari dhe Eda në 1993, me Elsienë dh Lazrin
Lazri, Elsie dhe Visar dhe Eda Zhiti në 1993

Në vitin 1993, ai publikoi librat “Muret e Muzgut” dhe “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” të autorit Jevrem Bërkoviq, përkthyer nga gjuha serbo-kroate; kurse një vit më pas dy libra të tjerë: “Rrëfim për Dinej e Dibrës” dhe “Misteret e një Ministri”, që të dy shënime biografike. Më 1995, do të dilte në dritë një tjetër libër i përkthyer “Jeta dhe Zakonet e Shqiptarëve” i Mark Milanit. Në vitin 1996, u botuan tre libra të tij: “Epopeja e Njeriut”, përkthim i një vepre të Martin dhe Mirash Ivanajt, “Njeriu i rrugës së gjatë”, shënime biografike dhe vëllimi poetik “Shpresa vdes e Fundit”. Një vit më pas Dr. Lazër Radi ishte autori që publikoi një numër rekord librash, duke e krahasuar edhe me shkrimtarë të huaj. Ato ishin librat e përkthyer “Qytete dhe Fantazma” i Jovan Duçiq; Platoni “Vepra”, vëllimi me poezi “Anzave të Sharrit”, novela “Apologjia e tretë e Sokratit” si dhe dy tituj të tjerë me kujtime “Gjyqi Special” dhe “Shqipëria në vitet ’30”.

Migjeni dhe Lazër Radi, Pukë 1936
Migjeni dhe Lazër Radi, Pukë 1936

Së fundi doli në qarkullim libri i tij po me kujtime “Një verë me Migjenin”, së bashku me memuarin tjetër “Shqipëria në vitet ’30”, ku Dr. Radi bën pothuaj një histori të letërsisë shqipe me të dhëna dhe interpretime të argumentuara për drejtime dhe rryma letrare, për autorë dhe vepra të rëndësishme të asaj periudhe, ky për Migjenin është një tjetër kontribut në këtë fushë të kulturës sonë. Për objektin dhe vlerat e tij të veçanta, “Një verë me Migjenin” meriton shqyrtime të mëtejshme filologjike. Megjithatë, le të themi përmbledhtas se ç’përfaqson ky libër në opusin e Radit dhe në literaturën që merret me kuptimin dhe interpretimin e letërsisë. Ky është nji libër që vjen nga rinia e tij e hershme e që lidhet me një figurë të rëndësishme të letërsisë shqipe: Migjenin. “Një libër mjaft interesant, i cili kontribuon në ndriçimin e figurës së poetit më djalosh të letërsisë shqipe… një vepër e ngjeshur në dashur dhe adhurim…” shkruan në hyrje të këtij botimi, Jozef Radi, i biri i autorit. Libri i Lazër Radit “Një verë me Migjenin” i shton letërsisë dokumentare shqiptare një vepër me rëndësi të veçantë. Ai sjell një ndihmesë të çmuar për njohjen e mëtejshme të personalitetit dhe të veprës letrare të njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj të letërsisë shqipe të këtij shekulli (Millosh Gjergj Nikollës – Migjenit 1911-1938). Duke u mbështetur në njohjen e drejtpërdrejtë me Migjenin, në verën e vitit 1936, që ata kaluan së bashku në Pukë, autori jep dëshmi pothuaj krejt vetjake për të, mjaft prej të cilave të panjohura edhe prej studiuesve të tij, Nga gjërat më me interes të këtij libri janë të dhënat rreth jetës individuale të Migjenit, vetive të tij karakterologjike, rreth raporteve që krijonte me realitetin shoqëror, me kolegët dhe dashamirët, ndjesitë e tij, detajet që sillen se si ai përballonte sëmundjen dhe tronditjet shpirtërore për shkak të saj. Kujtimet e Radit duket se kanë më tepër vlerë edhe për njohjen e burimeve  të formimit kulturor dhe letrar të Migjenit, për ndikimet që kanë lënë gjurmë tek ai si shkrimtar, për procesin krijues që i përshtatej temperamentit të tij, etje. Libri sjell edhe një kronologji të botimeve të Migjenit, të kronikës së shtypit pas vdekjes së tij, si dhe mendimin kritik shqiptar që nga vdekja e Migjenit më 1938 e deri në vitet ’90. Autori mban përgjithësisht qëndrim kritik ndaj mendimit letrar që ka përcjellë veprën letrare, sidomos mbas vitit 1944 e këndej. Libri ndihmon për të ndriçuar më mirë edhe botkuptimin ideollogjik të Migjenit, rreth të cilit janë bërë spekullime të mëdha nga kritika dhe historiografia zyrtare komuniste në Shqipëri. Libri “Një verë me Migjenin”, i Lazër Radit çel nji shteg të ri më premtues për të shkuar më pranë Migjenit njeri dhe artist…

Related Images:

More articles

3 KOMENTET

  1. Mirjam Deponte
    Sa më shumë kalon koha aq më shumë rritet vlerësimi për këta martirë të kombit shqiptar që u njollosën për pesëdhjetë vjet. Faji i tyre i vetëm ishte se ata e deshën Shqipërinë, dashuri që e paguan me mundin e gjakun e tyre.
    I paharrueshëm kujtimi i tyre.
    Marrë nga muri i fb. 29 janar 2014)

  2. Pjetër Delia
    Jozef, nuk jam dakort me atë që thua se je vetëm nji admirues i thjeshtë i poezisë… ti më njeh e nuk e them me ta ba qefin, por je nji talent i vërtetë, është zor me i pëlqye vetja nji poeti, por është gabim edhe me e nënvlersue veten, diferencën e bën edhe krahu i fortë me të mbështetë… Arti është shumë i çuditshëm… mund të jetë dikush gjenial e nuk bën rrugë… mund të jetë dikush i dobët e shitet për gjenial… Ti duhet të ngulësh këmbë deri në fund…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.