back to top
16.5 C
Tirana
E martë, 14 Maj, 2024

Mrì Dedja e Merrnaçajve – Nana e Nik Marash Merrnaçaj – nga Pertefe Leka

on

|

views

and

comments

Jozef Radi Mri Dedja e Merrnaçajve
Jozef Radi – Mri Dedja e Merrnaçajve
Mrì Dedja e Merrnaçajve – Nana e Nik Marash Merrnaçaj,
Dëshmori i Parë i Mërgatës Shqiptare në luftë kundra komunizmit

nga Pertefe Leka

20 Janar i vitit 1990, New York.
Familja antikomuniste Merrnaçaj, ishin të parët në protesta përpara OKB-së. Të bashkuem me shumë të tjerë ngritën zanin, përpara një institucioni, që mbron Paqen në botë, për Liri, Demokraci e Drejtësi.
“Nika, djali em u ka prì ma i pari me flamurin e me altoparlanta protestave, kena shkue si familje n’OKB e kena ba gjithë ditën e lume protestë…”
Kur Nika lajmëron ditën tjetër: “Mamë më duhet me shkue patjetër në Detroit… me vazhdue protestat…!” Kësaj here nana Mri nuk ia miraton të birit: “Ruaju Nikë se shkon!”
Kishte marrë vesh se atje në nji restorant ishin mbledhë komunistët… ajo si nanë e nuhati situatën. I njihte kurthet e tyne, e parandjeu të keqen, se kishte pësue shumë prej dhunës e krimeve tyne, kujtoj Shkodrën e Malsinë se çfarë të zezash u kishin sjellë.
Në telefon i lutet të birit: “Lene njat punë, e mos e shtyj…!” Ishte ajo nanë që e ndoqi djalin në protestë, por e mendoj ma gjatë….
N’atë kohë në Shkodër kishin fillue demostratat. Në 14 Janarin të po atij viti, po burgoseshin të rijtë shkodranë, për bustin e Stalinit. Të gjithë po e kuptonin se kësaj të keqeje po i vinte fundi, po prap se prap zemra e Mrìsë parandjeu diçka jo të mirë: Asht thanë gjithmonë “Mos u baftë ajo, çka mendon nana” kujtoi vitin 1959, kur Mrìa me Nikun në djep ngarkue, po kalonin kufinin në acarin e atij dimni të tmerrshëm. Në atë ecje të frikshme trupi i saj ishte ba akull. E mësueme me vuejtje bani çmos ta ngrohte foshnjen me frymën e saj e nuk e la të bahet “Shtatore” si ajo e Migjenit për ta knaqë Diktatorin…
Tue mendue se bisha e plagosun vret ma shumë, ishte rranjosë thellë në vetëdijen e saj se duhet me u ruejtë prej tyne. I dalin parasysh ata që e lanë jetime e nuk donte as sesi të përsëriteshin ato gjama te fëmijët e nipat e saj. Donte që djemtë të ishin ma të vemendshëm në ndeshje me to.
Në vendin ma demokratik në botë, sigurimi kishte penetrue e vepronin në fshehtësi. Askush në Malsi e as në Shkodër nuk po hakmerreshin edhe pse ata vazhdonin me vra. Shqiptarët e mirë donin paqë mes vedit, paqë me botën e larg luftës klasore.
Çfarë parandjeu nana Mrì, ajo ndodhi, e plagosen në shpirt nanën e vuejtjeve të mëdha …djali kollos u ba Flamur, në tokën e Statujës së Lirisë. Nji vit ma vonë edhe katër nana të tjera patën po atë fat… U përgjak Shkodra e 2 Prillit 1991, mori jetën e katër engjejve, katër të rinj u bashkuan, me Nick Merrnaçajn pishtar. Të gjithë bashkë u shpallën “Martirë të Demokracisë”
(Shteti Amerikan ka caktue në nderim të Nick Merrnaçaj: “Ditën e Lirisë së Shqiptarëve në Amerikë”, dhe prej Pranverës së vitit 1990, çdo vit në muajin Maj, Bashkia e Yonkers-it dhe Komuna e Westchester-it valvit krah flamurit Amerikan edhe Flamurin Kuq e Zi, duke e kujtuar me Proklamatë aktin heroik të Nick Merrnaçajt, me motivacionin: “Dëshmori i Parë i Mërgatës Shqiptare në Luftë Kundra Komunizmit”
Shteti Shqiptar në vitin 1993, e ka nderuar veprën e tij me titullin “Martir i Demokracisë” me Motivacionin “Luftoi gjithë jetën në mërgim kundra ideologjisë komuniste, duke rrëmbyer ndër të parët djem të Diasporës në Amerikë Flamurin e Luftës për Demokraci”
Sot, shkolla e Mesme e Tamarës, në Kelmend, mban emrin “Nick Merrnacaj”.)

Mrì Dedja me famullitarin e Kishës "Zoja e Shkodrës", në Hartsdale - Dom Pjetër Popaj
Mrì Dedja me famullitarin e Kishës “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale – Dom Pjetër Popaj

***
Shtëpia e Bardhë e ringjall kujtimin e tij, e vlerësoi aktin heroik, duke e përkujtue, “Te Dita e lirisë!”
Çdo vit, Nanë Mria merr pjesë te “Dita e Lirisë”, ku rrethohet nga shumë miq e shokë të djalit dhe personalitete vendore. Ndër to i kishte ba përshtypje nji burrë me pamje malsori: “M’përshndeti, po më merr n’grykë e po m’thotë: ‘Ti je nana ma e njoftun e ma historike ndër shqiptarët e krejt këtij vendi’ Tue pyet kë pati përreth, mori vesh se Ai ishte Mark Gjonaj. Ai ishte malsori që më kishte folë te Dita e Lirisë”… (M. Gjonaj, anëtar këshilli i Distriktit 13 të NY) u ndie e vlerësueme prej këtij njeriu të mirë, por edhe nga të tjerë. Emni i saj po i kalon kufijtë e familjes, po bahet e njoftun, shumë po e thërrasin, Nana Mrì.

***
E takova Zojën Mri, kur promovohej libri “Mri Dedja e Merrnaçajve”, në Kishën “Zoja e Shkodrës”, në New York.
Një kreshnike e bjeshkëve të Kelmendit nderohej nga personalitetet vendor të shtetit, gazetarë, prelatë, mësues, shkrimtarë, miq e shokë…
Shumë të ftuem dhanë përshtypjet ma t’mira, prekse, nga njohja që kishin rreth heroinës. Nga auditori kishte bashkëvendas që u përfshinë në diskutimet që vërtetonin fjalët e saj të shkrueme në libër. Të gjithë bashkë krijuan atmosferë të ngrohtë. Mbesa Mikejla si Zanë mali, foli me gjuhën e Gjyshes, prezantonte ligjëruesit, të cilët i drejtoheshin sa auditorit aq edhe Zojës Mrì, sikur donin të merrnin aprovimin për vërtetësinë e ngjarjeve. Kur Mrìa u çue në kambë me përshëndetë të ftuemit, pata fatin ta takoj. Me shumë vëmendje i ndigjova ligjëruesit, të cilët e naltësuen Malsoren e thjeshtë si nji misionare, ndaj kur u ndodha para saj, m’u duk sikur kisha përpara nji Shejtore. U shtanga, edhe pse isha afër moshës saj, pak fjalë ndrrova, duke shprehë respektin tim në shenjë nderimi.
Nuk e di sa shumë përqëndrimi im u ngulit në ata referate të gjata dhe përthitha aq sa u shndërruan në emocione, deri në lot. E impresionueme, kur u ktheva në shtëpi me Librin në dorë, m’u duk sikur erdhi me mue edhe Mria dhe nuk më bahej me e lshue librin mënjanë, pa e ndigjue nga goja e saj tregimin dhe nisa shfletimin menjiherë. Pa llogaritë kohën, leximi rrëshqiti aq shpejt, sa as vetë s’e kuptova. Ku ma dha Zoti tan at forcë, sa arrita t’i shkruaja edhe dy fjalë brenda natës, sa për ndjesinë e parë me premtimin se do të shkruaja ma gjatë për çfarë mësova.

Mrija me fëmijtë e saj Leka, Vera, Liza e Lula
Mrija me fëmijtë e saj Leka, Vera, Liza e Lula

***
Nga rrëfimi i Mrìsë…
Nanën Mri e bindën me tregue për jetën e saj: Un, Mri Dedja, e bija e Dedë Gjon Bajraktarit edhe e mbesa e Gjon Lucit, jam le n’vjetin 1939, me 12 Mars. (Mueji i pagëzimit tim, rituali asht krye prej padër David Picit.)
Fisnikja Mrì kishte shumë me thanë…
Me historitë e saj u ndërtue një vepër dokumentare, nga arkitekti i fjalës bukur, shkrimtari e sociologu i gegnishtes letrare Jozef Radi. (I lindur e rritun internimeve nga prindër intelektualë, ai ka ecë në rrugën e të atit, Dr. Lazër Radi, ku me nji punë titanike, po plotëson kolanën e gjatë të botimeve, babë e bir Radi) Si mik i familjes Merrnaçaj, ai pati vullnetin e dëshirën me i ndigjue ndodhitë nga goja e një Malsoreje sojnike, që u rrit në Majat e Alpeve, në Kelmendin e përmendun, në Vuklin e trimave. Zoja e Madhe rrëfen me gjuhën e të parëve, të pastër si uji i bjeshkëve, flet me krenari për ata që nderuan Fisin e Derën. Mburret me trimat që trimnisht mbrojten katund e malsi.
Për çka kishte ndigjue, për të parët e saj, dëshmon me fjalën e besës në gojë, për gjyshin, Gjon Uc Bajraktarin me të vllanë të cilët në luftime e në mbrojtje të trojeve të veta, mbetën në fushën e betejës, ku u vranë edhe shumë ushtarë turq. Ata burra që zbatuen ligjin e maleve, kishin lanë porosi edhe për anmiqtë e vramë me i respektue, dhe vorret e tyne me i ruejtë, derisa të vijë ndokush me i marrë robtë e tyne, tue i konsiderue ushtarë të pafajshëm se “me luftue i ka nisë dikush tjetër” që përputhet me trashigiminë e fjalëve të urta “anmikun mos e duej, por nderin ia ruej!”

***
Mrìa në kujtimet e saj nuk harron vitin 1945
“Dimni i ardhjes së komunistëve në Kelmend ka qenë i tmerrshëm, nji dimën me borë, ngricë e fortunë!”
Këtu fillojnë edhe vuejtjet e pesëvjeçares Mrì…
I jati Dedë Gjoni, me vllazën e të tjerë kanë dalë në grup, mos me pranue shkje e komunistë në Kelmend, sepse ishin në dijeni për krimet e tyne. Përballja me ta, solli pasoja tragjike për fisin e Bajraktarit.
Asht drithëruese të kujtosh at moment, kur ajo ka përjetue ngjarjen ma makabre të jetës saj; shtëpinë duke u djegur me të atin mbrenda, që karbonizohesh nga flakët, nji Oso Kukë i dytë. Po ashtu edhe axhën tue e mblue të gjallë në dheun e ngrimë, para syve të familjarëve të mbetun jashtë pa strehë në at dimër kallkan… Pasoja edhe ma të randa po vinin. Gjyshja Ndoce me nusen e re, Shuke, nana e Mrìsë dhe dy vëllaznit e vegjël të saj mbetën, të kërcënuem nga vorfnia dhe sëmundjet…
“Shkuem për nji copë bukë deri në Breg të Matës, kena ba tre dite në kambë…!”
Mungesa e shërbimit mjekësor rrëmbeu edhe dy djemtë, pa u rritë mirë, që ishin shpresa e vetme me vazhdue emnin e familjes.
Simbas zakonit, mbas vdekjes së djemve vinte largimi i resë nga shpija… Monologu i burrneshës Ndoce asht pjesa ma tronditëse, asht një monolog që të prek thellë në shpirt, asht një shpërthim i mbijetesës i durimit mbinjerëzor, asht nji protestë ndaj atij regjimi tiran që po instalohej deri në majat e thepisuna të Kelmendit. Janë fjalët e gjyshës Ndoce, kur i doli nusja nga shpija:
“Ma kane vra burrin e kam qindrue, m’i kanë vra djemtë e kam durue, m’kanë dekë nipat e s’e kam dhanë vedin, m’i kanë internue tanë robtë e shpisë e kam besue se kthehen nji ditë, po me kthye renë n’gjini e me t’u mbyllë dera e shpisë për s’gjalli s’e kisha besue kurrë!!” Me t’u dridhë toka nën kambë kur ndigjon shpërthimin e durimit të Ndoces stoike, bijë Hoti, që mbante emën burri sepse ishte e vetmja vajzë që lindi në at familje, por që e ndoqi mallkimi: “T’u mbylltë dera!”
E Mrìa e rritun jetime me gjyshen në shtëpi, e martuen të re, pa mbushë 16 vjet. Doli nuse pa stoli nusënie, iku me krye mbrapa, tue lanë shpinë e pasuninë të djegun me babën mbrendë… “Gjysë nuse” – i tha gjyshja, por mori me vete visaret e traditës, që i gjeti dhe i mësoi edhe ma shumë në fisin e Merrnaçajve.
U rrit në shtëpinë e Merrnaçajve, ku u përshtat sepse aty gjeti po ato zakone si në shtëpinë e vet. Gjeti cilësitë ma themelore të familjes patriarkale; me ndigjue të urtët, me ruejtë nderin e konakut; me besë, bujari e mikpritje, me pasë guximin dhe përgjegjësinë për punën dhe me i mbrojtë ato cilësi të mira për dinjitetin vetjak e të fisit. Gjeti kunatën e madhe, Dranden, që e këshillonte e i rrinte afër si nanë, e cila i mësoi të punonte edhe Xhubletën, që ja shtonte shumë vlerat si nuse në konak të ri. At relike të trashigueme që e ruen edhe sot. Në harmoni me të gjithë pjesëtarët, ajo eci bashkë me to në rrugë të vështira, në shtigje të rrezikshme, afër apo larg, nga një vend në tjetrin: nga Vukli në Pshtan te Merrnaçajt, nga Trieshi në Tuz, deri larg në NY… Besonte në vendimet e burrave, kur i gjykonin vendimet bashkarisht. Mrìa e shumëvuejtun në gjini, pa mbushë 20 vjet, e martueme me dy fëmijë fillon maratonën e ecjeve të gjata, largohet familjarisht pa e ditë se ku, mes terrorit, për jetë a vdekje, kur bota festonte Krishtlindjet e vitit 1959. Me djepin në shpinë, ecte në acarin e atij dhetori, për të mbërritë diku… E dinte se në çdo shteg, që do të kapërcente do ta nxirrte në trojet shqiptare, në Triesh, tokë përtej kufinit shtetnor e marrun padrejtësisht.
Kudo ku shkuen me familjen e madhe, ruejtën kodin e familjes. Fisnikja Mrì pati fatin, sepse gjeti në atë familje me disa kunorë sjelljen e burrave të njerzishëm, ku përmendej me respekt emni i grues. Edhe kur ishin vetëm me fëmijët, vazhdonin marrëdhanjet familjare, t’i mbanin si të shejta ato vlera të traditës, të përshtatuna me kohën dhe duke e forcue edhe ma shumë kultin e mirënjohjes e të bamirësisë. Kështu Mrìa e Marashi përballuen së bashku ditë të mira po edhe të vështira.
Çifti Mrì-Marash u banë nji. Në momentet e fundit të jetës, Marashi si nji orakull u la amanet fëmijëve, Zojën e shpisë, burrneshën siç e respektonte Ai vetë, nanën e tyne hallemadhe dhe shumë këshilla të vlefshme për harmoninë familjare… Zojës së vet i kërkoj të mbajë edhe mbas vdekjes së tij, dy filxhanat e kafes mbi tavolinë, stafetë e vazhdimësisë. Kafet t’i pinte ajo vetë, se aty do të shihte hijen e gjallnisë të Marashit; Kështu e dyzueme me nji barrë detyrash do t’i drejtonte punët e familjes me mbarësi, ashtu sikur ishin bashkë në nji dashni, që nuk do të shterronte edhe mbas vdekjes tij.)
Mrìja iu përshtat edhe kushteve të vendeve, ku shkoi e jetoi, pa lanë mënjanë zakonet dhe traditën e kulturës saj, duke ruejtë at pasuni shpirtnore nga vendlindja. Kishte marrë pak klasa në shkollë, sepse ia ndërprenë vazhdimësinë, por ishte rritë me këshillat e besimit prej gjyshe Ndoce e nanës Drande. Kudo që shkoi edhe në NY ndoqi ato qendra, që shpërndanin dritën e religjionit të saj shpirtnor, ku njohu nga afër predikuesit e Paqës me cilësi të vyera. Ajo i përmendë me emra: Dom Zef Oroshi, Dom Rrok Mirdita, Dom Pjetër Popaj, kujton fjalët e bukura njerëzore të tyne që e gjallnonin dhe ia përsosnin besimin.
Si besimtare e përkushtueme i ishte dhanë rasti të udhëtonte në vende të shejta: Nuk e harronte pritjen e përzemërt të At Danielit që i shoqnoi në grup në Genazano, ku kishte fluturue Zoja e Shkodrës e ikun prej turqëve. Takimi me Nuncin Apostolik në Romë, ku kishte ndigjue nga afër fjalimin e Papa Gjon Pali i Dytë. Përqafja me Nanë Terezën botnore, kur erdhi në NY, e cila i foli shqip, kur mori bekimin e saj.
Mbas humbjes djalit, iu ofrua vizita në Jeruzalem, në varrin e Shenjtit, që i dha dritë njerëzimit, e kjo e gjallnoi shpirtnisht… Nga këto takime në vazhdimsi përsoste betimin për të vërtetën – “Për besë t’Zotit”. Mendja e saj ushqehej në vazhdimësi në ato qendra, ku predikuesit me kulturën e tyne, të përgatitun në universitete bashkohore, ishin mësuesit e saj, të cilët ligjëronin shqip. Mësimet e tyne ishin të dobishme jo vetëm për besimin katolik, por si filozofë e sociologë ata preknin probleme shoqnore, etikën, mirëkuptimin në forcimin e harmonisë familjare e ma tej…
Për çdo mësim që merrte prej njerëzve të ditun shprehte Mirënjohjen, duke evidentue virtytet e trashëgueme, të cilat i manifestonte në marrëdhaniet njerzore. Gjithmonë me fjalën e mirënjohjes në gojë: “T’u rritë ndera!”
Nuk mori pjesë në ndonji kuvend kombëtar si Tringa e bajraktarit të Grudës, që ishte organizatore e grave dhe pjesëmarrëse në Kuvendin e Greçës.
Por mësojmë prej Mrìsë historitë që i ka tregue gjyshi për Greçën, nji vend midis Selcës e Trieshit, ku u bashkuen të Urtët:
“Mbas luftës n’Sukë të M’kushit, do kohë ma vonë asht ba edhe Kuvendi i Greçës. Në bjeshkët e Selcës, në mburojën shkambore të Greçës, ndodhet nji ledinë me barë t’butë bjeshke edhe me nji lis gjigand me degë të mëdha.
Nën hijen e njatij lisi, burrat e malsisë u mblodhën edhe hartuen – Memorandumin e Greçës – drejtue Portës së Naltë për njohjen e kombit shqiptar.” – janë fjalët e Mrisë
Kështu Mria mundi me njoftë ngjarjet e kohës të tregueme prej parardhësve dhe të jetueme prej saj. Kjo ishte shkolla e Mrisë, që vinte e pasunohej… Shtëpia e saj larg vendlindjes në NY, ishte si nji Institucion. Te Merrnaçajt hynin e dilnin personalitete të mirënjohun nga Kosova, që zoja e shpisë, i priste e i përcillte me zemër të bardhë, i rrethonte në sofrën e ngrohtë, me “bukë, krypë e zemër”. Ata nuk vinin me hjekë mallin e “kaçamakut tradicional”, por mblidheshin me bisedue për problemet e kombit. Mrìa mësonte nga bisedat e tyne edhe kur iu shërbente si amvisë e papërtueme.
Si malësore e traditës dhe bashkohore, si bashkëshorte e besës, Zojë shtëpie e palodhun, gojambël e mikpritëse, edhe kur e gëzoi Zoti me 6 fëmijë dhe i shtoheshin punët, ajo s’e ndali zakonin, mbeti derëhapun gjithmonë. Me fjalën e mikpritjes në gojë: “Mirë se ju ka prue Zoti!” me buzën në gaz, priste e përcillte jo vetëm miq të rrethit familjar, por edhe shumë mysafirë të dobishëm nga trojet Shqiptare. Aty ulesh kambëkryq Anton Çetta, humanisti i pajtimit, i Urti Dr. Rugova, shkrimtari Pjetër Arbërori, që i rezistoi gjatë kalvarit komunist…
Miku i familjes Merrnaçaj, i persekutuem me burg e internim nga regjimi i kohës, Dr. Lazër Radi, në atë familje bani nji punë të vyeme. Aty gjeti të ruejtun nga Marashi librin e anmikut ma të egër të shqiptarëve, Mark Milanit, i cili i përgatitun mirë ushtarakisht, luftoi ballë për ballë me malsorët që nuk kishin mbarue akademi ushtarake, por kishin shpirtin trimnor tradicional të lirisë, kishin besën e nder në mbrojtje të trojeve mijavjeçare. Këto beteja e banë Mark Milanin të njihte bukurinë fizike dhe forcën e karakterit malsor, virtytet e nalta: Besë, Trimëri, Nder e Harmoni Fetare.
I mundun në shumë beteja prej malësorëve trima, Milani i bindun për shpirtin vetëmohues të atyne që i pati përballë në luftime, i çmoi dhe ua vuni në dukje virtytet dalluese duke shkrue me konsideratat ma të nalta për shqiptarët.
Vepra e nji anmiku që ngriti nalt vlerat e shqiptarëve u përkthye nga Dr. Radi: “Jeta dhe Zakonet e Shqiptarëve”
Përmendja e emnit të M. Milanit, të ngacmon kujtesën te “Lahuta e Malcisë” përshkrimi i këtij përsonazhi historik, nga At Fishta, si anmik i betuem i shqiptarëve asht përshkrue në disa kangë:

“Mbasi u dha n’Nokshiq kushtrimi// se n’Sutjeskë shkau kish dalë// se shkjaut vendin ia ki falë// n’at Berlin Krajl edhe Mbret// a nis Marku e muer përpjetë//…” Atë Fishta

Kur në NY, në vitet ‘80, u organizue Koferenca kushtue figurës madhore të At Gjergj Fishtës, familja Merrnaçaj u aktivizue. Me bujarinë e saj Zoja Mrì priti e përcolli për nji javë shumë studiues, oratorë, kur po zhvilloheshin takimet, për figurën ma të ndritun kombëtare të njohun edhe ndërkombëtarisht.
Kështu Merrnaçajt e mbajtën të ngrohtë vatrën familjare edhe në mërgim, banesa e tyne dallohet me dy flamuj, at shqiptar dhe atë amerikan, që valviten në ballkonin e shtëpisë. Këto simbole kombëtare i banin ma të lidhun me problemet e komunitetit. Si atdhetarë të flaktë edhe pse në vend të huej, nuk ndaheshin nga Vatranët.
Siç tregon Zoja Mrì, ata ishin kontribues dhe abonues të pandarë të Gazetës Dielli. Anëtarë të ndërgjegjshëm dhe miqtë ma të afërt të drejtuesve si Inxh. Agim Karagjozi, apo gazetari “i kuvendshëm’’ siç e quen Mrija, të ndjerin Dalip Greca… Me krenari mburret në kallximet e saj për Markun, që po ecën në rrugën e axhës Marash, i cili ka vazhdue me kontribue për Vatrën, për çështjet e bashkimit dhe harmonisë gjithëshqiptare.
Ajo u habit nji herë, kur i sollën ftesë të veçantë, për të marrë pjesë në nji konferencë përkujtimore, si përfaqësuese e nji familje antikomuniste. Mbledhja ishte organizue prej Nacionalistëve në NY. Mrìa si dëshmitare e vërtetë, do të dëshmonte për çfarë ajo kishte përjetue. Ishte e besueshme se fjala që del nga shpirti, nuk ka moshë, por ka urti, për këtë ajo do të vazhdojë të tregojë…

Mrija me plisin e Malsorëve
Mrija me plisin e Malsorëve

***

Mrìa asht grue e thjeshtë, paqësore në shpirt, kudo që shkoi krijoi marrëdhanie të sinqerta me njerëzit, duke kapërcye ndarjet fetare, etnike, zakonore… Kur jetuen në Tuz, ishte kojshi me shkinat e besimit ortodoks, kaluen me mirësjellje edhe pse i dinte damet e shkaktueme nga politika malazeze.
E martoi vajzën me nji djalë grek, dhe ishte e kënaqur, tue kapërcye kështu anmiqësitë që njiheshin me autoritetet greke.

***
Mrìa jetoi në nji pallat në N.Y., me familjen e Sanijes, myslimane, ku ndihmonin njena tjetrën. Kur Marashi, i rregulloi nji defekt çesme në apartamentin e saj, Sanija i përgatiti bukën kollomoqe me kryqin përsipër, siç e bante vetë Mria. Ishte shenjë mirënjohje të vlerësonte besimin e tyne. Mrìa e Marashi mbeten pa fjalë e të habitun, s’po e besonin veprimin e saj, U paqëtuen tue mendue se sa i afron njerëzit kjo sjellje njerëzore, që tejkalon ndasitë.
Kur bani krushqi me familjen Shkreli tha: “do halle t’vjetra me shkrelanë i kem pasë, por djali kambënguli…” Pengesat u kapërcyen, miqësia u forcue me dy lidhje martesore të lumtuna.
Djali i saj, Nika si antikomunist nuk shkoj në protestë me armë, por me Flamurin Shqiptar pa yll, për drejtësi njerëzore. Komunistët në theqafje e vranë, por askush nuk e ndoqi zakonin e gjakmarrjes… e përballuen me lot nën zà, e me miq të shumtë.
Këto veprime në nji familje malsore, që evoluoi në shërbim të bashkëjetesës paqësore mes njerëzve, mes popujsh, vlerësohen se iu përmbajtën logjikës së ditës, të kohës e të progresit…
Shumë drama të randa kaloi në jetë Mrìa, por në shpirt, kudo që shkonte, mbarte me vete një brengë në zemër, për ata që mbetën në dorë të së keqës, nanën pa fëmijë, gjyshen në vetmi, vllanë e Marashit në burg dhe familjen e tij nëpër internime. Për kunatën e madhe, Dranden, i mbeti kryet mbrapa për te. Ajo me vajzën Diella, mbetën jashtë karvanit të arratisjes. I shoqi i saj Nikolla, djali i madh i Merrnaçajve mbeti burgjeve. Gjithmonë mendja i rrinte te familja e Drandës në internim në Tepelenë dhe bante çmos si ta ndihmonte me ia zbutë sadopak vuejtjet, sepse e kishte heqë vetë, tiraninë e të paudhëve.
(Por vuejtjet në internim po shtoheshin atëhere, kur nana e Nikollës – Mrikë Markja, mbërrijti në NY, e tërhequn nga djemtë e tjerë të arratisur. Zbritja e saj në JFK i surprizoi gazetarët: nji grue 100-vjeçare vjen nga nji udhëtim i gjatë… Mrika me kurajo u dha përgjigje – këtu kam djemtë me familje e due me dekë afër tyne – Lajmi i gazetave shkoi deri te presidenti amerikan Ford i cili urdhnoi: “Grues shqiptare njiqindvjeçare t’i jepen menjiherë dokumentet amerikane!”
Për këte veprim bujar të Presidentit Ford djali i saj i internuem, Nikolla, merr dënimin e dytë në Shqipni, edhe 10 vjet burg…)
Shumë të tjera që tregon Mria me një kujtesë brilante, i kalon kufijtë e familjes, e fisit e shoqnisë që e njohin. Tashti do të ndigjohet në rreth ma të gjanë. Ajo në të vërtetë nuk asht nji person publik, por shembulli i mirë, si simbol i gruas qëndrestare në përballje me forcën e të keqes që solli koha, e bani të tillë. Me këtë ndriçim mendor dhe përsosje shpirtnore, e njerzishme me çdo kend, ra në sy të studiuesve.
Padër Kolë Berisha kishte shkrue për jetën e saj. Mbi bazën e këtij libri, gazetari Ndue Ukcamaj i mori nji intervistë të gjatë Mrisë, duke e përjetësue në librin “Lotët e Françeskut dhe rrëfimet e Mrisë”. Të tjerë, si Ilir Buçpapaj me dokumentarin “Flamurtarët e Vuklit” dhe kohë pas kohe, ishin të interesuem gazetarë nga Shqipnia mbas viteve ‘90-të…
Miku i familjes, shkrimtari Jozef Radi, me durim e vullnet të hekurt ndigjoj deri në detaje rrëfimet e Mrisë nga mosha 5 vjeçare e deri 84. Si sociolog, e psikologjisi Mrinë, e lexoi nga afër shpirtin e pastër të malsores stoike. E regjistroi tregimin e saj në shumë orë, duke e shtruar me kujdes bisedën me nji etikë të admirueshme në gegnishten e Majës Kelmendit. Pati zotësinë me ngritë godinën e rrëfimeve të saj në nji vepër 400 faqesh: “Mri Dedja e Merrnaçajve”

Mrija me nji nip të saj Padër Gazmend Tinaj
Mrija me nji nip të saj Padër Gazmend Tinaj

***
Mjeshtërisht Radi i erdhi për fije dialektit gegë, të ruejtun aq pastër prej Mrisë, e cila kudo që shkoi nuk përdori sikur nji fjalë të huaj në të folmen e saj. Ndaj vepra asht konkluzioni i gjithë atij rrëfimi të gjatë, si para Ungjillit, nga goja e nji Qëndrestareje, sikur ishte e stërvitun në oda kuvendesh. Mjeshtri i fjalës artistike pati durimin dhe kambënguljen me ndigjue deri në fund, të vërtetat e nji jete të trazueme. Ndaj gjuha e autorit asht harmonizue natyrshëm me gjuhën e heroinës, e ruejnë po at uniformitet gjuhësor të dialektit verior, të pandryshuem. Me at paskajoren e artë e të amël të gegnishtes që s’mund ta heqësh kurrë nga përdorimi. Me frazeologjinë e pasun e fjalët e urta me ndjesi të theksueme emocionale, që të nxisin për mirë. (bane si burrat – i thanë Marashit pak ditë mbas vdekjes djalit… Ai shkoi në dasëm e filloi vallen i pari, mos me ia prishë gëzimin e dasmorëve…)
Të gjithë personazhet të përfshimë në libër flasin nji gegnishte të pastër, që asht transmetue edhe te pasardhësit, edhe pse me një qendrim të gjatë në vend të huej.
Të gjitha këto ia përforcuen mendimin shkrimtarit të gegnishtes letrare, Jozef Radi të nxjerri përfundimin se: “Gjuha shqipe asht ma e fortë se vetë shqiptarët!”

***
Në harmoni me tekstin, librit i prin piktura, “Portreti i Mrisë”, punue me profesionalizëm nga Anthony Perdoda. Piktori ia ka shkrue krenarinë Fisnikes në ballin e gjanë si kreshtë mali. Ia ka theksue në gjoks shejën e besimit. Dy dritat ndriçuese, janë sy që flasin, kanë nji vështrim depërtues, plot energji, të mbushun me shpresë. Zotësia e piktorit artist në at portret të bukur ka reflektue botën e saj të mbrendshme, që të ban të mendosh, se ke përpara një personazh me bindje hyjnore, por me kambë në tokë.
Ky evoluim i dukshëm në portretin pikturë, i mirëstudiuem nga artisti, merr kuptim pasi përputhet me titullin postulat: “Zoja e Hekurt me Shpirt Florini”
(Të kujton pikturat “Motra Tone” dhe “Angjelina” të Kolë Idromenos. (Angjelina, asht Zoja e Palokë Kurtit, vajza e Anastas Papanikut nga Çamëria, te ardhun në Shkodër)
Zoja Mrì sot aktive edhe pse në 85 vjetorin e lindjes, ajo nuk do ta humbasi kurrë jetëgjatësinë edhe kur mos të jetë fizikisht, sepse figura e saj asht gdhendë e përjetësue tani, në vepra arti!

Familja Merrnaçaj në ditën e Promovimit të librit kushtuar Mrisë
Familja Merrnaçaj në ditën e Promovimit të librit kushtuar Mrisë

***
Më figurën e Mrisë si simbol, Radi ka fuqizue karakterin e gjithëvirtytshëm e të papërkulun, të gjithë atyne nanave, motrave… që i kanë ba ballë trimnisht vuejtjeve të diktaturës dhe nëpërmjet tyne, mendja i fliste, me shlye edhe nji detyrim shpirtnor të tij: “Në figurën e Mrìsë “kam të mshehun edhe borxhin ndaj nanës teme, Vitore Vushmaqi – Radi, nji kelmendase në shpirt… Me nji jetë përplot vuejtje e sakrifica, ajo nuk pranoi kurrqysh me e rrëfye jetën e vet… Ndaj përmes bisedave të pafundme me Mri Dedjen, jam mundue me realizue diçka prej t’pathanave të nanës teme…” – shkruen me dashni nane, Jozef Radi
Në pak rreshta të biografisë saj, asht përmbledhur një histori me shumë ngjarje. Për qëndresën që kishte përjetue, Zoja Vitore, nji nanë dinjitoze, tradicionale, e shkollume, do të duheshin volume të tana të shkruheshin për me tregue. Por Ajo fisnike e sakrificave të mëdha nuk foli, i mori me vete vuejtjet e saj, si duket e kishte mendue thellë mos me i përmendë dhunuesit, mos me u dhanë shkaktarëve të vuejtjeve të saja, kënaqësinë e dëshirueme, nuk donte t’i bante pjesë të jetës saj, edhe pse e arriti theqafjen e komunizmit.
Janë edhe shumë të përvujtuna të tjera të heshtuna por faktet, realitetet e asaj periudhe historike të luftës klasore vazhdojnë të shkruhen.

***
Kështu nga rrëfimet e Mrisë dalin në pah shumë Sojnike. Secila ka historitë e veta të veçanta, janë ato malësore, janë ato burrnesha, që përshkruejnë Edith Durham dhe Rose W. Lane në veprat e tyne.
Gjyshja Ndoce del si nji trimneshë e rrallë. I bani ballë shumë vdekjeve, djegieve, vorfnisë skamjes dhe vetmisë… e s’u përkul, por kur iu mbyll dera, shpërtheu në nji protestë shpirtnore sa tundi malet…
Halla Rosë e motra e Gjon Ucit (e mbetun në luftime, kundër turqëve), veshi çakçirët, mori pëlqimin e familjes burrit me shkue në gjini – “me pshtue robtë e shpisë së vet” – të zëvendësonte punët e vllazënve, derisa të rriteshin 3 djemtë e mbetun jetima.

***
Drandja, kunata e madhe e shtëpisë, e cila nuk iu bashkue kolonës së arratisjes në dhjetor 1959, ndoqi të shoqin, Nikollën, në burgjet e internimet të Shqipnisë, lindi e rriti fëmijë atje me mundime të mëdha e të tjera… Mrìa nuk len pa përmendë, edhe sokoleshën, Marije, nusen e djalit të vramë, “Martir i Demokracisë”, që vejnoi me djalin jetim pa u shkëputë shpirtnisht nga familja ku kishte hy nuse.

Autorja Pertefe Leka në bisedë me heroinën e librit, Mrì Dedjen.
Autorja Pertefe Leka në bisedë me heroinën e librit, Mrì Dedjen

***
Nji galeri heroinash që i bashkon një qëllim: të mos humben vlerat njerëzore, të mbahet nalt nderi i familjes malsore. Përshkrimi i këtyne trimneshave, plotëson të pathanat e atyne që vuejtën, por nuk nuk mujtën me rrëfye…
Të gjitha i përkasin historisë, e nuk do të harrohen kurrë.

***
Nga tregimet e Mrisë njohim se familja e saj dhe vetë ajo ishin institucion bamirësie, mirënjohjeje me etikën e mikpritjes të trashëgueme.
Nuk ishte as gjeografe as historiane, por prej saj, njohim emna vendbanimesh në Malësi, emra fisesh të përmendun, personazhe historikë, ngjarje dhe data të shënueme. Njohim zakonet e trashëgueme, kodin e familjes patriarkale, ligjet e kanunit në evoluim, bashkjetesën fetare. Njohim etikën, e përshëndetjeve të bukura, që shprehin respekt me amëlsinë e të folunit, randsinë që i japin fjalës me mend në bisedat e disiplinueme, në odat e kuvendeve, njohim egërsinë e luftës klasave që solli doktrina sllavokomuniste deri në kundërshtime të mëdha sociale me rrëmbime të pasunive private. Njohim vitin e mbrapshtë 1997, nji luftë e nxitun prej atyne që përherë kanë krijue trazime, me përça shqiptarët. Nji luftë ku pati viktima, siç tregon Mria, ishte plagosja e Markut, i lindun e i rritun internimeve. Si gjithmonë, shpirtmirësia e Mrì-Marashit, të gatshëm e të pakursyem, bajnë ma të mirën me tërhjekë nipin familjarisht në NY… e shpëtuen prej asaj dalldisje të shfrenueme me vra njerëz të pafajshëm. Por mbi të gjitha nga tregimet e Mrisë njohim Demokracinë Amerikane, që shqiptarët e të tjerë ndihen të barabartë në SHBA: ngrejnë famurin shqiptar, dalin në protestë të bashkuem e demostrojnë për liri e drejtësinë e vendeve nga vijnë, hapin shkolla në gjuhën e tyne, krijojnë shoqata patriotike, publikojnë gazetat në gjuhën shqipe për problemet kombëtare. Ndihen të barabartë ku u vlerësohen meritat dhe nuk i ndalon askush që të ngjiten me zotësitë e tyne në instancat ma të nalta drejtuese. Përveç gjithë këtyne të drejtave e lirive që gëzojnë emigrantët, familja Merrnaçaj ka marrë vlerësim dhe nderim të veçantë nga personalitete të shtetit ma të fuqishëm në botë, për aktin heroik të djalit tyne, Nick Marash Merrnaçaj.

 

 

 

Related Images:

Share this
Tags

I ke lexuar?

Kontesha Bengazina – nga Lazër Radi – Pjesë nga Libri “Vorbulla t’Jetës Universitare” (Roma)

 Nji prej historive ma të bukura studentore, të rrëfyeme mjeshtrisht prej Lazër Radit në librin autobiografik: “Vorbulla t'jetës Universitare”, ku ai me at sinqeritetin e tij...

Katalogimi i Veprës së Plotë të LAZËR RADIT

  Katalogimi i veprës së plotë të LAZËR RADI  Materiali që paraqesim asht nji bibliografi e thuejse krejt Veprës së Plotë të Dr. Lazër Radit, botue dhe...

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin – nga librat e Lazër Radit

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin nga librat e Lazër Radit Kanuni dhe teza e doktoraturës Mbasi mbylla llogarinë me Procedurën Civile, në mënyrën ma të...

Te rejat

More like this

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.