Protesta e një barake… – refleksion për një mungesë… nga Jozef Radi

Gazeta

Gra dhe vajza te Savres...
Gra e vajza te Savres pas 30 vitesh… Motrat Spahiu e dyta ne te djathte ulur, e katerta ne te majte ne kembe
Protesta e një barake…
Refleksion për një mungesë nga Jozef Radi

Kjo është një nga 7 barakat e famshme të kampit të internimit të Savrës. Një karakatinë trishtuese, e abandonuar, por gjithsesi në këmbë… e që mendoj se mund të jetë kartvizita më e denjë e një kampi internimi që ka funksionuar me të ndëshkuar të regjimit komunist, prej vitit 1954 deri në vitin 1991.
Prej vitit 1991, barakat e Savrës mbetën në mëshirë të fatit, mbasi shumë prej banorëve të internuar u larguan masivisht (shumica jashtë Shqipërie), por pati mjaft prej atyre që jetuan edhe për shumë vite të tjera aty, e ndonjë vazhdon të jetojë ende sot në ato barakat e një kohe, kur njeriu nën peshën e diktaturës, ndjehej krejt i pavlerë mbasi trajtohej i përjashtuar nga çdo e drejtë, sado elementare.
Kjo barakë e katandisur, mbetet sot dëshmia më përfaqësuese e së vërtetës së ndryshimeve në këto 36 vjet postdiktaturë.
Nëse komunizmi për lavdinë e vet të përjetshme, u kujdes përmes burgjeve dhe kampeve të internimit; postkomunizmi u kujdes në veçanti që asnjë gjurmë e krimeve të komunizmit të mbetej gjallë dhe e dukshme.
Pikërisht kjo barakë shkatarrinë, po edhe 7 të tjerat rreth saj, sot janë monumenti me demokratik i këtyre 36 viteve.
Dikur, shteti shqiptar mori përsipër të bënte ekuilibrin social të padrejtësive, përmes parullës: “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”… më pas nuk u gjet as kohë e as arsye të bënte një “mea kulpa” e të përpiqej, qoftë edhe në mënyra formale, që e vërteta e diktaturës dhe ndëshkimi ndaj saj, të mos mbetesh vetëm në suazën e fjalëve, premtimeve dhe mashtrimeve, me të cilat në të vërtetë u ballafaqua i gjithë populli, por në mënyrë të veçantë ata që pësuan padrejtësisht përdhunimet e diktaturës, pësuan të njëjtën gjë edhe prej surrogato-demokracisë…
Kjo godinë me dërrasa, pupulit, kartoserë dhe eternit (i rrezikshëm për jetën) mund të qe riparuar e të shërbente si muze, sikur shteti i që firmos projektet milionare të oligarkisë të obligonte cilindo prej këtyre
sejmenëve të pushteti 36-vjeçar, që së bashku me ndonjë resort, të riparonte një barakë internimi, e cila ta mbante veten gjallë edhe si muze, po edhe nëse do të ishte e mundur të ndihmonte ndonjë familje në nevojë, që e ka vuajtur gjithë periudhën e diktaturës në kampin e Savrës…
Kjo jo që s’ka ndodhur, po as mund të ndodhë!!
Sot në qendër të vëmendjes së pushtetit është fasada e lirisë, vjedhja e vuajtjeve, manipulimi i së vërtetës si dhe trajtimi komiko-tragjik i një realiteti makabër.
Kam vërejtur kohët e fundit, njerëz që vërtetë kanë lindur dhe vuajtur në kampet e internimit, por që familja e tyre u ka shërbyer me aq zell diktaturës, duke mbushur dosjet e bashkvuajtësve të tyre! Është vërtet e turpshme, kur lexon dosjet dhe sheh si ciceronë vuajtjesh familjarë të dosjexhive!
Kaq poshtë paska rënë Kartagjena!
Sigurisht diktaturat bëhen jetëgjata nga pjellat dhe viktimat e saj, por s’mundet askush t’ia faturojë këtë mjerim asaj shtrese, e cila edhe sot e ka të pacënuar dinjitetin dhe fisnikërine, ndaj edhe mblidhen ashtu modestisht e përkujtojnë tragjedinë, vuajtjet po edhe gëzimet e vogla të një kohe të përbashkët, jashtë frymës së manipulimit dhe cinizmit të një pushteti të ndërtuar mbi demagogjinë, fallsitetin dhe mashtrimin…
I falenderoj gjithë miqtë e mi të Savrës, që më ftuan të jem me ta në Savër, me datën 20 gusht 2026, por sinqerisht ju them se shpirtërisht jam me ta aty… e ju përqafoj secilin përmes këtj statusi!
jozef radi, 19 gusht 2026

20 gusht 2026 - takimi i përvitshëm i Banorëve të Kampit të Savrës
20 gusht 2026 – takimi i përvitshëm i Banorëve të Kampit të Savrës

Kjo është një nga shtatë barakat e kampit të internimit, në Savër të Lushnjes. Me date 20 gusht 2026, aty organizohet një takim i shumë prej atyre që kanë vuajtur në atë kamp… Kjo është një kartolinë dhimbjeje, në respekt të gjithë atyre që kanë vuajtur në atë Kamp përqëndrimi, kundër një pushteti që s’ka asnjë empati ndaj krimve të djeshme në njerëz të pafajshëm… (i punuar me IA)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit