
Kur lulja e poezisë përkulet para pushtetit
nga Laureta Petoshati
Shkova në atë takim me bindjen se do të dëgjoja një bisedë për letërsinë, për poezinë dhe për misionin e shkrimtarit në shoqëri. Por shumë shpejt kuptova se biseda po merrte një drejtim tjetër. Me shumë kujdes, pothuajse pa u vënë re, tema u largua nga libri, nga Kasem Trebeshina, Frederik Rreshpja e Charles Baudelaire dhe u zhvendos drejt politikës. Nuk ishte një kalim i beftë, por një devijim gradual, derisa në qendër të diskutimit nuk ishte më letërsia, por qeverisja dhe kryeministri. Kjo më bëri të ndalem e të pyes: pse? Çfarë e shtyn një poete të njohur, e ftuar të flasë për letërsinë, ta përdorë atë hapësirë për të folur gjoja shkarazi, padashje, për kryeministrin aktual, për punën dhe përkushtimin e tij? Nuk është çështja nëse një politikan punon shumë apo pak. Kjo i përket debatit qytetar. Pyetja është tjetër: çfarë vendi ka lavdërimi i pushtetit në një hapësirë kushtuar letërsisë? Për dekada kemi debatuar për marrëdhënien e shkrimtarit me pushtetin. Kemi kritikuar Ismail Kadarenë, duke thënë se në periudha të caktuara u afrua me regjimin e kohës. Pikërisht sepse kemi kërkuar që shkrimtari të ruajë pavarësinë e tij morale dhe zërin kritik. Letërsia nuk është krijuar për t’i shërbyer pushtetit, por për ta vënë atë përballë pyetjeve. Po aq shqetësuese ishte edhe ideja se “e gjithë bota është atdheu ynë” dhe se revolucionet duhet të refuzohen. Sigurisht, askush nuk dëshiron luftëra. Por dashuria për atdheun nuk është luftë. Atdheu është gjuha, kujtesa, historia, kultura, rrënjët dhe përgjegjësia jonë ndaj vendit ku jetojmë. Të jeshë qytetar i botës nuk do të thotë të humbasësh vendin nga vjen. Një pemë mund të shtrihet drejt qiellit vetëm sepse ka rrënjë të forta. Edhe një shoqëri ka nevojë për identitetin e saj, për kujtesën dhe për lidhjen me tokën e vet. Edhe fjala “revolucion” nuk duhet të ngatërrohet vetëm me dhunën. Historia njeh revolucione të mendimit, të kulturës, të shkencës dhe të ndërgjegjes qytetare.

Filozofi Isuf Luzaj ka shprehur idenë se Shqipëria nuk kishte bërë një revolucion që ta orientonte drejt zhvillimit moral dhe qytetar. Në këtë kuptim, Revolucioni i Flamingove nuk është një thirrje për përplasje. Ai është një revolucion i ndërgjegjes: mbrojtja e mjedisit, e brigjeve, e natyrës, e kujtesës dhe e të drejtës së njerëzve për të mos u detyruar të braktisin atdheun e tyre. Është një zë kundër harresës. Mund të jesh i hapur ndaj botës dhe njëkohësisht besnik ndaj rrënjëve të tua. Globalizimi mund të sjellë bashkëpunim dhe mundësi, por nuk duhet të kthehet në një arsye për të harruar familjen, kulturën, historinë dhe lidhjen me vendin. Dhe në fund, më vjen ndër mend një simbolikë poetike. Nuk do të përdor një emër, por një figurë. Sepse në letërsi emrat janë të rëndësishëm, por ndonjëherë simboli flet më gjatë se emri. Mimoza është një lule që çel herët, me një bukuri të veçantë dhe një dritë të sajën, por lulëzimi i saj është i shkurtër. Ndoshta pikërisht për këtë ajo mund të shërbejë si metaforë: ka çaste që duken të ndritshme, por që i nënshtrohen gjykimit të kohës. Ndërsa poezia e vërtetë ka një jetë tjetër. Ajo nuk matet me afërsinë ndaj pushteteve të ditës, por me lirinë e fjalës dhe guximin për të ruajtur të vërtetën. Lulet mund të çelin e të veniten, por fjala që mbetet e lirë nuk humbet. Pushtetet ndryshojnë. Emrat ndryshojnë. Por letërsia që zgjedh lirinë i mbijeton kohës. Dhe pyetja ime është kjo: kur lulja e poezisë përkulet para pushtetit, a fiton pushteti një zë më shumë, apo humbet letërsia një zë të lirë?
Marrë nga Muri i FB, Laureta Petoshati, 19 korrik 2026