back to top
11.5 C
Tirana
E hënë, 20 Prill, 2026

Indro Montanelli shpjegon Musolinin – bisedë e Montanellit me Alain Elkan

Gazeta

Indro Montanelli (1909-2001)
Indro Montanelli (1909-2001)
Indro Montanelli shpjegon Musolinin
bisedë e Indro Montanellit me Alain Elkan
Përktheu dhe përgaditi Jozef Radi

Fashizmi ishte Musolini dhe vetëm Musolini; kush kërkon të tjera gjëra apo tjera burime ideologjike është plotësisht jashtë rruge. Fashizmi ishte Musolini dhe historia e Fashizmit është historia e Musolinit, ose më saktë, historia e dy Musolinëve, madje tre. Sepse ishin tre Mussolinë, në realitet.

Musolini i parë: Restauratori
Ishte Musolini i parë, është Mussolini restaurator. Ai që erdhi në Romë jo i mbajtur në majë të bajonetave prej këmishëzinjve të tij (të cilët mbërritën kur ai ishte tashmë Kryeministër), por përmes një marrëveshjeje me Mbretin dhe karabinierët, siç ndodh gjithmonë në Itali. Ky Musolin, e përmbushi detyrën e tij. Italia ishte një vend në kaos, sepse që nga fundi i Luftës së Parë Botërore nuk kishte pasur më qeveri të afta për të qeverisur – për të njëjtat arsye nuk janë as qeveritë aktuale italiane: qeveri koalicioni që nuk merreshin vesh kurrë me njëra tjetrën.
Në rrugë dominonte dhuna, fillimisht ajo “e kuqe” e më pas ajo “e zezë”, ndërsa ndër ministrite kur ministri i binte këmborës as portierët nuk vinin të dëgjonin atë. Organet e shtetit nuk funksiononin. Erdhi Mussolini dhe duhet thënë e vërteta: Vuri rregullin!
Vështirësia më e madhe ishte disiplinimi i skuadroneve fashiste. Musolini nuk i ka dashur kurrë fashistët – kjo mbetet mes nesh, kjo mund të jetë një tjetër kapitull historie të re për diskutim, – ai i urrente ata. Skuadronet nuk i bindeshin Musolinit, por “Ras-ëve” (krerëve) krahinorë: Farinaccit në Cremona, Balbos në Ferrara, Arpinatit në Bolonja. Mussolini përdori një sistem inteligjent: i kornizoi në një institucion, krijoi Milicinë Fashiste me hierarki dhe disiplinë, gjë e cila i pengoi ata në iniciativat e tyre si koka më vete.
Për më tepër, ai thirri në qeveri njerëzit më të mirë të Italisë, qofshin ata fashistë ose jo:
Alfredo Rocco (që nuk vinte nga fashizmi) por bëri reformën e kodeve.
Giovanni Gentile u thirr për reformën shkollore (e vetmja reformë e mirë e shekullit që ka pasur Italia).
Për ekonominë, për të cilën ai as ia kishte haberin, u besoi njerëzve si Volpi, Beneluce dhe Mennichella, njerëz që s’kishin ndonjë lidhje me fashizmin. Ky Mussolini zgjati 5-6 vjet dhe fitoi konsensusin e pothuajse gjithë Italisë.

Indro Montanelli bisedon me Alain Elkan
Indro Montanelli bisedon me Alain Elkan

Musolini i dytë: Monumenti i vetvetes
Më pas Musolinit i ndodhi ajo që i ndodh gjithmonë dikujt që e ushtron pushtetin absolut për shumë kohë: Ai humbi sensin e realitetit. Ai që kishte qenë një realist dhe politikan i shkëlqyer, po asnjëherë shtetar i mirë u largua nga realiteti dhe u bë ai që Bottai e quante “Monumenti i vetvetes”, O siç e thoshte Grandi “Një karikaturë e vetvetes” ose siç thoshte Balbo: “Një statuje allçie e Rienzo-s që beson se është Jul Çezari”.
Prej këtu lind edhe Perandoria edhe pretendimi për të qenë protagonist i historisë së Evropës, duke e detyruar Italinë të luante një rol për të cilin nuk ishte aspak e përgatitur dhe aspak e aftë. Kjo e bëri atë plotësisht anakronik dhe i burgosur i skemave të veta.

Musolini i tretë: Patetiku i Salò-së
Dhe në fund, Musolini i tretë: Musolini patetik i Republikës së Salò-së. Ai jeton mes gërmadhave të sistemit të tij, i pafuqishëm për çdo gjë. I kalon mbrëmjet me miqtë e vjetër të kohës së gazetës “Avanti” dhe Partisë Socialiste, si Nicola Bombacci apo Carlo Silvestri, duke ëndërruar një fashizëm të ri që në realitet ishte socializmi i vjetër.
Në fakt, ai kishte mbetur gjithmonë socialist në shpirt. Kur erdhi në pushtet, ai donte me çdo kusht një pakt paqeje me socialistët, por ishin skuadristët ata që ia prishën planet. Prandaj, po e përsëris: Musolini nuk i ka dashur kurrë fashistët.
Indro Montanelli bisdon me Alain Elkan mbi figurën e Benito Mussolinit

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.