
Fenomeni “Moza A.” frymëzon…
nga Smeralda Çaça
Sigurisht që nuk mund të shpëtosh nga videot e Mozës në Fejsbuk, dhe falë saj është ngjallur edhe kërshëria për mendimin kritik, natyrshmërinë karakteriale, batutën, humorin e rafinuar, anti-manierizmat e dukjes, shpirtin rebel, kritikën, vetkritikën, snobizmin fin, etikën, empatinë, komunikimin e kulturuar, shprehjen në publik etj., cilësi të cilat përçojnë një pjesë të sinergjisë së saj universale, qenies, frymës, përvojës, artit, shkrimtarisë dhe kulturës gjithëpërfshirëse, – por kureshtja edhe për librin, intervistat, poezinë dhe pikturën e saj. Edhe pse mund të mos pajtohesh me gjithçka që Mimoza Ahmeti thotë apo bën, në fund të fundit (jo të ditës), ajo mbetet Moza jonë, produkt origjinal nacional dhe jashtënacional, sa autoktone dhe kozmopolite, sa racionale dhe e pakuptueshme, sa konvencionale dhe shpërfillëse ndaj çdo lloj konjukture, sa besimtare dhe supersticioze, sa modeste dhe moderne, sa vetmitare dhe sociale, sa erudite dhe eremite, sa artiste dhe pragmatiste – një thesar i çmuar për shoqë rine tonë, dhe rroftë ai halli personal që e solli në fermen afermere, [ku gëlon jeta e natës], sepse ka ndikuar thellësisht në mendësinë fodulle të këtij programacioni, që ndër vite u ka servirur shqiptarëve vetëm modele të zhgërryera, mediokre, pa brendi, pa formim njerëzor, intelektual jo e jo, anti-modele për shoqërinë, të prirur nga prodhimi i skandalit, pordhacërisë mediatike, provokimit social etj. Shpresoj shumë që fenomeni “Moza Ahmeti” të frymëzoje agallarët e këtij formati televiziv që në seritë e ardhshme të vënë përballë njëri-tjetrit më shumë intelektuale, mendimtare, shkencëtarë, filozofë, teologë, aktivistë, shkrimtarë, përkthyes, studiues, etj në këtë “kafaz” argëtues dhe frymëzues për një shoqëri të bastarduar nga produktet e vulgaritetit, t’i bëjnë sadopak shpëlarje vanitetit kolektiv që na ka pushtuar, dhe t’i kthejnë njerëzit sadopak te libri, kulturimi, artësimi, poetizimi, sepse shoqëria post-moderne e spektaklit, e larguar qëllimisht nga etika dhe estetika, ka etje të madhe për autorin, intelektualin, artistin Njeri, të cilit ia sheh privatësinë, sjelljen brenda mureve, empatinë për tjetrin, intimen, mendimin rreth temave të zakonta e të pazakonta, të mirat dhe të metat, – për t’u orientuar më pas kah vepra e tyre; pra ka nevojë për një model ku sintetizohet e jashtmja me të brendshmen, vepra me autorin. Kujtoj Çarls Dikensin e madh që mahniti mbarë publikun anglez me letërsinë e tij, por në shtëpi sillej si i palaço me gruan e tij duke i shkaktuar asaj vuajtje me pasoja për jetën. Publiku i sotëm do Njeriun e vërtetë në nivel me atë që mendon, shkruan, këndon e përçon. – Me Mozën kam komunikuar thuajse para pesë vitesh, kur më duhej numri i A. Plasarit dhe ajo me shumë “kindness” ma dha, pastaj me atë kureshtjen e saj me pyeti se me çfarë merresha. Kur i tregova, shprehu deshirën për të më patur në emisionin e saj, Transkulturë, por atëherë ndieja se nuk kisha ndonjë gjë për të thënë në një emision të tille dhe kisha femijën e vogël po ashtu. Nga ana tjetër shoh një prirje absurde sot që vetëm për të dalë në TV, njerëzit pranojnë çdo lloj ftese edhe kur shpesh bien në përseritje të vetes apo nuk kanë një ekspertizë profesionalisti, diçka origjinale për të thënë, – një prirje deshperuese, që ka krijuar idenë se duke u bere pullë poste në televizione, duke folur si gjithologë dhe duke thënë nëpër studio gjëra të mërzitshme, që i di çdo njeri me shkollë të mesme, pa pikë emocioni a ndjenje, përkthehet patjetër në sukses, arritje, protagonizëm, – me koston e pakthyeshme të të tingëlluarit bajatë, qesharakë, të papergatitur dhe skematikë. Me të mirat dhe të metat e saj, ne e duam këtë GRUA të mëndafshtë, që bashkë me mimozat e marsit, ka riçelur në pyllin tonë të shkurriqeve të mendimit.