
Promemorie për një Memorial
nga Leka Ndoja
79 vite nga Ekzekutimi i parlamentarizmit
dhe i 16 deputetëve & intelektualëve demokratë, 10 tetor 1947
Mbas mbarimittë mbledhjes së dytë të Këshillit të Përgjithshëm N.Ç. që zhvilloi punimet në Berat, në tetor 1944, nisi përçarja mes anëtarëve të Frontit, mbasi pushteti ra tërësisht në duart e Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes. Gjithashtu mbas zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945, dhe zhvillimeve të punimeve në Asamblenë Kushtetonjëse, disa deputetë të quajtur “nacionalistë”, me në krye Riza Danin dhe Shefqet Bejën, kundërshtuan disa projekt ligje që cënonin ekonominë shqiptare dhe sipërmarrjen, sikundër Ligji-n për Tatimin e Jashtëzakonshëm.
Ata u shprehën hapur në Asamblenë e vitit 1945, kundër frymës të vendosjes së sistemit komunist në qeverisjen e re të vendit, dhe të formulimit të Projekt-Statutit të Republikës, mbasi i gjithë pushteti do të binte në dorë të Partisë Komuniste. Filluan debatet në parlament dhe kundërshtia e tyre u shpreh në ligjërata të guximshme dhe nëpërmjet votimeve kundër apo abstenim-it ndaj Projekt-Statutit. Në këtë situatë, kur ligjërimet në parlament krijuan krisje të unitetit të Asamblesë si në rastin e: Riza Danit – me Nako Spirun, nisi gjuha e diktatit dhe e kërcënimit të hapur ndaj “deputetëve liberalë”. Njëkohësisht kishte filluar përpunimi agjenturor për deputetët më të shënuar derisa u inskenua një akuzë policeske duke manipuluar fakte e deklarata kundër “grupit klandestin të deputetëve”.
Për këtë “Grup Deputetësh” u përpunua akuza se “donte të fuste parimet e organizimit të shtetit sipas modelit të demokracisë perëndimore”. Për këtë qëllim, “grupi” pati zhvilluar 4 mbledhje, fillimisht në shtëpinë e Shefqet Bejës në Durrës, në shtëpinë e Deliallisëve në Shijak, dhe në shtëpinë e Sheh Karbunarës. Aty qenë zhvilluar, sipas akuzës: “bisedime midis Shefqet Bejës, Kost Boshnjakut, Selaudin Totos, Salim Kokolarit, Hysen Shehut, Kolë Kuqalit e Riza Danit”, për marrjen e pushtetit me dhunë me ndihmën e “armiqve të arratisur”, në bashkëpunim me anglo-amerikanët.
7 deputetëve rebelë, iu hoq mandati më 7 gusht 1947, nga Kuvendi Popullor.
Më tej, përmes Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit u mblodhën të dhëna se këta deputetë qenë takuar me kreun e Misionit Britanik në Tiranë, gjeneralin anglez Hodgson dhe me përfaqësuesin e Misionit Amerikan, Harry Fultz.
Akuza i ngarkonte të pandehurit: se kundërshtonin Tatimin e Jashtëzakonshëm ndaj tregtarëve; Reformën Agrare; dhe politikën ekonomike të qeverisë, që sipas opozitarëve, do të sillte shkatërrimin e vendit.
Pjesë e akuzës ndaj deputetëve qe Mendimi i këtij grupi se: Shqipëria duhej të shikonte nga Perëndimi “për të gjetur shpëtimin” dhe t’ua lejonte konçesionet e paraluftës anglo-amerikanëve.
Në gjyqin e deputetëve, në vendimin e datës 10 tetor 1947, në grupin e Shefqet Bejës u dënuan me vdekje 16 deputetë; 7 u dënuan me 20 vjet dhe Sulo Konjari me 15 vjet burgim.
Plotoni në praninë e Prokurorit Josif Pashko dhe Dr. Major Ibrahim Dervishit, e zbatoi vendimin e gjykatës më 10 tetor 1947.
Ekzekutimi i të dënuarve është kryer pranë Bregut të Lumit të Lanës, në Tiranë, ku u varrosën në një gropë të përbashkët e cila edhe mbas 79 vjetëve, ende nuk është zbuluar. Gjithashtu u ekzekuan me varje Shefqet Beja në Durrës, Ing. Riza Alizoti në sheshin e Kuçovës, dhe Ing. Sulo Klosi në Rubik.
Deputeti Kol Kuqali, u vra në hetuesi nga Vango Mitrojorgji. Bashkëlidhur me këtë proces, u vranë gjithashtu në hetuesi, Dr. Gjergj Kristo Dako dhe shkencëtari polak Stanislav Zuber. Ish Sekretari i ambasadës së SHBA, në Tiranë për 10 vjet, Loni Adhami, arrestuar në Korçë mbas kunatit të tij Kol Kuqalit, vdiq në hetuesinë e Tiranës si pasojë e torturave.
Kështu numri i viktimave të procesit të Grupit të Parë të Deputetëve arriti në 20 viktima.
Hetuesit e procesit I, të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit: për Grupin e Deputetëve (Grupi i Shefqet Bejës)
Hetuesit dhe Viktimat e Hetuara
Azis Asllani, Mihallaq Ziçishti (Dr. Enver Zazanin),
Dhosi Progri (ing. Sulo Ismail Klosin),
Uran Abdiu (ing. Riza Alizotin dhe Paolo Saggiottti-n),
Isa Agoviku (Paolo Saggiotin),
Angji Faber (Irfan Majunin),
Beso Kallaxhi dhe Ahmet Alushi (Agathokli Xhitonin),
Kapiten Muço Saliu (Muhamet Prishtinën),
Azis Asllani (Rustem Sharrën),
Josif Pashko (Hysen Ibrahim Shehun, Tefik Deliallisin, Pertef Karagjozin, Salim Kokalarin – në Drejtorinë P. Brendshme Durrës),
Vilson Pecani, Vito Pango (Foto Balën)
Syri Çarçani (Abdyl Kokoshin).
Me Vdekje duke u ekzekutuar me varje në litar.
1.Shefqet Beja
2.Riza Alizoti
3.Sulo Klosi
Me Vdekje ekzekutim
4.Selaudin Toto
5.Sheh Ibrahim Karbunara
6.Paolo Saggioti
7.Agathokli Xhitoni
8.Mehmet Prishtina
9.Abdyl Kokoshi
10.Beqir Çela
11.Salim Kokalari
12.Tefik Deliallisi
13.Irfan Majuni
14.Pertef Karagjozi
15.Enver Zazani
16.Hysen Shehu
Për të dënuarit me varje urdhërohet ekzekutimi i Shefqet Bejës në Tiranë, i Riza Alizotit në Kuçovë dhe Sulo Klosit në Rubik.
Me nga 20 (njëzet) vjet burg
17.Foto Bala,
18.Ramazan Tabaku,
19.Rram Marku,
20.Gjovalin Vlashi
Me privim lirie të përjetëshme.
21.Shefki Minarolli,
22.Rustem Sharra,
23.Xhevat Xhafa
Me pesëmbëdhjet (15) vjet burg.
24.Sulo Konjari
Lek Ndoja – materiali i cituar në emisionin televiziv drejtuar nga Nebil Çika në 70 vjetorin e Gjyqit të Deputetëve, me 10 tetor 2017