
Historia nuk fshihet dot duke shembur…
nga Adriatik Riza Dosti
Por duke e ruajtur dhe duke i thënë popullit tënd vetëm të vërtetën.
Kur erdhën në fuqi komunistët në pothuajse të gjitha vendet e ashtuquajtura të ish-kampit socialist, si në Rumani, Poloni, Bullgari, Hungari, Çekosllovaki, madje deri edhe në Jugosllavi e Greqi, gjëja e parë që bënë ishte përzënia e mbretërve nga vendi i tyre, mosnjohja më e mbretërive dhe sulmi total për denigrimin, deri në zhdukje, të tyre dhe të krejt familjeve mbretërore.
Dhe për këtë përdorën gjithçka, natyrisht të inspiruar prej bishës gjakatare bolshevike sovjetike, që familjen mbretërore Romanov e vrau dhe e pushkatoi deri edhe te foshnja në djep.
Por më të poshtërit në këtë drejtim u treguan komunisto-bolshevikët shqiptarë, me në krye injorantin Enver Hoxha.
Që në Kongresin e Përmetit, më 24 maj 1944, ky palaço, burracak e antishqiptar, që deri dje kishte marrë falas bursë shteti pikërisht falë Mbretit Zog, i ndaloi këtij të fundit dhe familjes së tij rikthimin në atdhe.
Më pas, për dekada me radhë, ndaj asnjë lloj mbretërie e mbreti, të paktën në Europë, nuk është derdhur e hedhur aq shumë mllef e baltë sa mbi familjen dhe figurën e Mbretit të Shqipërisë, Ahmet Zogut.
U burgosën, u vranë, u internuan e u torturuan pothuajse të gjithë ata që kishin punuar për mbretërinë dhe mbretin shqiptar; e si për “koincidencë”, i shpëtuan shpatës së diktatorit familja Rama dhe ajo Koleka (???).
Parlamenti i Zogut u shndërrua banalisht në teatër kukullash…
Varri i Nënës Mbretëreshë u hodh në erë me dinamit nga partizani Meke me shokë e shoqe.
Pallati mbretëror u mor dhunshëm dhe më pas u quajt, me pompozitet të madh, Pallati i Brigadave…
Rezidenca mbretërore në qendër të Tiranës u kthye në Pallat Pioniersh.
Vila e Zogut në Shirokë u shndërrua në shtëpi pushimi për fëmijët e “lumtur” të Shqipërisë komuniste.
Vila e Zogut në Durrës, dhuratë kjo e tregtarëve shqiptarë për mbretin e tyre, u bë shtëpia e pritjes e Partisë.
Urën e Zogut, një nga kryeveprat botërore infrastrukturore të Shqipërisë së djeshme dhe të sotme, pasuesit e sotëm të komunistëve të djeshëm, jo pa qëllim, po e lënë të shembet.
Monumentet e Pavarësisë dhe të Lirisë, që u ngritën prej Zogut, njëri në qendër të Tiranës, ku sot është Pallati i Kulturës, e tjetri tek ish-shatërvani përballë Akademisë së Arteve, gjithashtu u prishën dhe u hodhën në erë me dinamit.
Edhe Teatrin Kombëtar (Dopo-Lavoron e djeshme), ndërtuar nën kujdesin e veçantë të Mbretit Zog për shqiptarët, e shembët po ju, pasuesit kriminalë të kriminelëve të djeshëm komunistë.
Sot po lexoj se ia paskan vënë syrin për ta rafshuar edhe njërin prej objekteve të pakta historike të kohës së mbretërisë shqiptare dhe të Mbretit Zog, që ka mbetur ende në këmbë.
Fjala është për vilën e tij rezidenciale në Durrës, të cilën, pasi e vodhën barbarisht në ‘97-ën, tashmë duan ta rafshojnë fare, e aty të ngrenë gratacielat e tyre të pista e mafioze…
Por barbarët e kuq harrojnë një gjë thelbësore: historinë e shkruajnë popujt e jo “fitimtarët”, e aq më pak pushtetarët.
Me të mirat dhe me të metat e veta, koha e mbretërisë shqiptare dhe e Mbretit Zog, duan apo s’duan kuqalashët, antishqiptarët dhe historiografia e tyre false e neveritëse, ka një vend të veçantë e shumë të rëndësishëm në historinë 114-vjeçare të Shqipërisë.
Duan apo s’duan injorantët djallëzorë të sotëm, me pushtet e në pushtet, Ahmet Zogu mbetet shqiptari i vetëm dhe burri i shtetit i vetëm që vuri themelet e shtetit të vërtetë shqiptar dhe që bëri çmos, duke respektuar si pak kush tjetër kombin dhe popullin e tij.
Fakti kokëfortë që sot, në varrin e “komandant” Enverit të djeshëm, shqiptarët urinojnë rëndom, ndërsa te shtatorja e Mbretit Zog në qendër të Tiranës vendosin kurora me lule në shenjë respekti e mirënjohjeje, nuk ma do mendja se ka nevojë për komente të tjera e të tepërta.
Historia mund të manipulohet, por ama nuk shembet dot.
Marrë nga muri i FB, A.R.Dosti, 3 prill 2026,