“Nji intelektual s’mundet me ’u mënjànue e me qindrue indiferent…” – Ernest Koliqi i shkruen Gurakuqit, Ashtës dhe Vuçanit

Gazeta

Prof. Koliqi - Prof. Resuli - Prof. Karl Gurakuqi
Prof. Koliqi – Prof. Resuli – Prof. Karl Gurakuqi
“Nji intelektual s’mundet me ’u mënjànue e me qindrue indiferent…”
Ernest Koliqi i shkruen Gurakuqit, Ashtës dhe Vuçanit

Nji letër e Ernest Koliqit për Karl Gurakuqin, Çesk Ashtën dhe Petraq Vuçanin që ia vlen të lexohet në këto ditë të veçanta për Shqipninë dhe Kosovën.
Të katërt, në kohën e robnisë sovjetike, ishin emigrantë politikë në Itali. Kjo letër e Koliqit asht nji dëshmi e fuqishme e bindjes së tij se, në kohë tragjike për kombin, intelektuali nuk mund të mjaftohet vetëm me veprën kulturore, por e ka për detyrë morale të angazhohet edhe politikisht për lirinë dhe ruajtjen e trashëgimisë shpirtnore shqiptare. Sipas Koliqit, kur kombi robnohet, heshtja e intelektualit bahet faj. Letra asht transkiptue sipas origjinalit gegnisht/shkodranisht, që ruhet në arkivin personal në fondin: Letërshkëmbim në Mërgim, Karl Gurakuqi, Volumi i Parë.

Romë, 21 maj 1951
Shumë të dashun Karl, Çesk e Petraq,
Urimet e jueja më kanë përmallue. Lëvdatat aq të mëdhaja qi më bâni nuk i meritoj, por i kuptoj si shfaqje e sinqertë e zemrave tueja plot ndiesína miqsore ndaj meje. Nji gjâ, veç, mund ta pranoj, pa rá në mëkatin e madhështís, edhe âsht kjo: çdo vepër e ime, ç’se kam marrë mend e shise, i âsht kushtue lulzimit të shqiptarizmit të vërtetë, i cili, për mue, rrâjet e themelet i ka në kulturën e në traditat t’ona. Kam mujtë me gabue, ndoshta shpesh edhe randë, sepse kush vepron bje lehtazi në gjymtime. S’âsht mjeshtri m’u paraqitë i pafajshëm kur rrin njeriu n’amtí të plotë e të vazhdueshme. Ai qi nuk vepron, s’bân as mirë as keq. Ndiç, deshta të tham, qi ndoshta ndonji herë kam gabue, por prej zellit të tepruem, ose prej bindjes se ashtu e lypte e mira e vendit. Sidoqoftë, kur të fashitën pasjonet dhe perdja t’u çelet atyne qi sot gjikojnë jo mbas fakteve, por mbas interesave fasjoze politike, atëherë do të dali në shesh se Ernesti në kohna kritike dishka bâni për kulturën shqiptare. Prap edhe do të vazhdoj me qenë i dobishëm. Fjalët ngushëlluese t’ueja më shtyjnë me vazhdue udhën e caktueme, atë qi ia kam shênjue vetes qyshë në moshën ma të blerume, udhën e veprimtarís në fushën e kulturës. Dikush më këshillon me hjekë dorë nga politika. Ky këshill nuk rrjedh nga ndonjí ndjesi e thjeshtë: Mbas sa miqësh e dashamirësh të vrámë, në kët gjendje tragjike në të cilën ndodhet i kapërthyem vendi i ynë, derisa të drejtat mâ të para njerzore mos t’i këthehen vllaznëvet t’onë të nji gjaku e të nji gjuhe, do t’ishte krim m’u hjekë në njânë anë e m’u marrë vetëm me letërsi. Mjafton me pá Kapidanin e Mirditës qi humbi dy djelm si dy hyj drite, Kolë Bibën qi la në malet si flije n’alterë të Shqipnis djálin e vllánë, e plot tjerë, për m’e ndie veten të detyruem me punue pa u lodhë për lirimin e popullit t’onë. Kjo e sotëshmja nuk âsht nji fushatë politike me rrëzue nji qeveri, kjo âsht kryqëzatë kombtare me shpëtue fisin e bâshkë me të pasunin shpirtnore të trashëgueme. Si mundet nji intelektual m’u mënjànue e me qindrue indiferent para krajatës së pashoqe qi na ka cenue në palc si individa e si pjestarë t’nji kombi? Prandej at këshill tash e marr parasysh vetëm kur të lirohet Shqipnija. Sot, i armatosun me vullnet e me flakë atdhetare, e ndiej për detyrë të luftoj edhe në fushën politike. I puthi dorën me mirënjohje zojës Hanni e juve nga nji nga nji. U marr n’grykë me mall vllaznuer,
i Jueji Ernesti
Marrë nga muri i FB i Romeo Gurakuqi, 7 tetor 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit