
Cristiano Ronaldo reagon pasi u largua nga Portugalia
“Siç e premtova, kam vendosur të tregoj në vetë të parë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë rrethanat që shoqëruan grumbullimin tim të fundit me Kombëtaren e Portugalisë.
Pas Kupës së Botës 2026, përgatita një letër për popullin portugez, të cilën ende e ruaj. Në të kam fjalët që dua t’ua drejtoj ditën kur të largohem përfundimisht nga kombëtarja.
Menjëherë pas turneut, gjatë fluturimit të kthimit nga Shtetet e Bashkuara, presidenti i Federatës më kërkoi ta rishqyrtoja vendimin për t’u larguar, pasi dëshira e federatës ishte që unë të vazhdoja. Më pas më kërkoi mendimin për emrin e përzgjedhësit aktual, të cilin po e konsideronte si kandidat. Unë i thashë se, sipas mendimit tim, ishte zgjedhja e duhur.
Pak ditë më vonë u takova me trajnerin e ri, i cili më bëri të qartë se më konsideronte pjesë thelbësore të projektit të tij. Ai më prezantoi një plan të detajuar për aktivizimin tim, duke më thënë se do të luaja ndeshjen e parë dhe të fundit të këtij grumbullimi, ndërsa në takimet e tjera do të kishte rotacione për shkak të menaxhimit fizik të lojtarëve.
Madje, më propozoi që të mos udhëtoja me ekipin drejt Norvegjisë dhe Danimarkës, por ta refuzova menjëherë. Nuk mund ta pranoja një privilegj të tillë, sepse si kapiten i ekipit nuk mund të qëndroja në Portugali, ndërsa skuadra luante jashtë vendit.
Në fund, trajneri u pajtua me këtë qëndrim.
Gjithçka vazhdoi normalisht deri në ditën e ndeshjes me Norvegjinë. Gjatë drekës, një ndihmës i trajnerit më tha se trajneri donte të fliste me mua. Për habinë time, më pyeti nëse isha gati të luaja 30 minuta. Edhe pse kjo nuk ishte pjesë e planit tim të rikuperimit, pranova menjëherë. Ai më tha të bëhesha gati sepse do të aktivizohesha.
Pjesa tjetër është e njohur për të gjithë. Vazhdova nxehjen që nga pushimi mes dy pjesëve. Minutat kalonin dhe unë nuk u futa kurrë në lojë.
Për mua, trajneri nuk e mbajti fjalën e dhënë.
Pas ndeshjes nuk shkova të përshëndes tifozët. Ishte një gabim për të cilin mbaj gjithë përgjegjësinë dhe kërkoj falje ndaj të gjithë atyre që na mbështetën në stadium.
Dy ditë më vonë zhvilluam një takim të drejtpërdrejtë me trajnerin dhe Cristiano Ronaldo CR/n. Diskutimi ishte i sinqertë dhe pa filtra. Ramë dakord se mënyra e vetme për ta mbyllur këtë çështje ishte që trajneri të dilte publikisht dhe të shpjegonte të vërtetën: se plani ishte propozuar prej tij, dhe se unë nuk kisha kërkuar minuta loje dhe se kishte qenë gabim të më nxirrte në nxehje pa më aktivizuar.
Madje u përgatitën edhe disa pika që ai do t’i përdorte në konferencën për shtyp, ku theksohej se unë kisha qenë shembullor, besnik dhe profesionist, se nuk kisha vënë kurrë në dyshim vendimet e tij dhe se ai dëshironte të më kishte pjesë të kombëtares.
Megjithatë, konferenca për shtyp nuk shkoi sipas asaj që ishte rënë dakord. Sipas meje, trajneri nuk e respektoi marrëveshjen dhe kjo ishte hera e dytë që nuk mbante fjalën e dhënë. Për këtë arsye vendosa të largohem nga grumbullimi, sepse për mua e vërteta dhe fjala e mbajtur janë themeli i çdo marrëdhënieje.
Edhe atë mëngjes, në një bisedë me Presidentin e Federatës dhe trajnerin, u thashë se nëse nuk më dëshironin më në ekip, mjaftonte të ma thoshin hapur. Përgjigjja e tyre ishte se vendi im vazhdonte të ishte në Kombëtaren e Portugalisë.
Në gati 25 vite karrierë, nuk jam përzier kurrë në vendimet teknike apo taktike të asnjë trajneri. Kam respektuar gjithmonë zgjedhjet e tyre, por kur fjala e dhënë nuk respektohet, ndihem se nuk e kam më vendin aty.
Po ashtu, kërkoj falje ndaj bashkëlojtarëve të mi për largimin nga grumbullimi. Ishte një veprim për të cilin mbaj përgjegjësi të plotë. Megjithatë, ndjeva se qëndrimi im do të dëmtonte grupin dhe bëra atë që kam thënë gjithmonë se do të bëja nëse nuk ndihesha i dobishëm: mora valixhet dhe u largova.
E pranoj se Federata Portugeze e Futbollit duhet ta vlerësojë dhe ta ndëshkojë këtë veprim. Si kapiten i ekipit, përgjegjësia ime është edhe më e madhe dhe rregullat duhet të jenë të njëjta për të gjithë.
Kam dëgjuar shumë diskutime për një ndeshje lamtumire dhe për një largim dinjitoz nga kombëtarja. Mund t’u premtoj tifozëve se do të ketë kohë për një ose më shumë ndeshje lamtumire. Por kur mendoj për kombëtaren, mendoj para së gjithash për garën dhe për të fituar.
Prandaj, nëse jam në formë fizike, luaj rregullisht me klubin tim dhe pasi të kem vuajtur çdo pezullim që mund të më vendoset, do të jem i gatshëm, si gjithmonë, të luaj dhe të fitoj për Portugalinë. Kjo është e vërteta ime dhe asgjë më shumë”