
Një thirrje e drejtpërdrejtë për Vlorën në Muajin e Letërsisë
nga Anila Toto
Tetori është Muaji i Letërsisë. Prandaj, kjo është koha që Vlora të bëjë diçka konkrete për letërsinë dhe për krijuesit e saj.
Bashkia Vlorë, ju bëj thirrje të organizoni gjatë këtij muaji veprimtari letrare që t’u kushtohen penave të mëdha të qytetit, si Petro Marko, Ali Asllani, Fatos Arapi, etj, si dhe shumë autorëve të tjerë që kanë nderuar Vlorën dhe letërsinë shqiptare.
Takime me shkrimtarë e studiues vlonjatë, lexime poetike, ekspozita, veprimtari në shkolla e biblioteka dhe një konkurs dinjitoz për krijuesit e rinj duhet të jenë pjesë e një programi të denjë për një qytet me këtë traditë kulturore.
Varfëria në art, aktivitetet mbushëse pa një qëllim ulin cilësinë e artistëve të vërtetë ndër vite, por edhe të brezave që vijnë.
Lini gjurmët tuaja në kohë…
Por jo vetëm kaq, kërkesa ime shkon edhe më tej: Të rikthehet “Konkursi Mbarëkombëtar i Poezisë” në Vlorë.
Një traditë që dikur ekzistonte dhe që për arsye të ndryshme është lënë përgjysmë, duhet të rikthehet dhe të bëhet përsëri një veprimtari e përvitshme, e hapur për poetët dhe krijuesit nga të gjitha trevat shqiptare me një juri të fortë dhe profesionale.
Bashkia Vlorë, hapeni këtë diskutim dhe ndërmerrni nismën.
Komunitetit letrar të Vlorës i bëj thirrje: mbështeteni këtë kërkesë, bashkohuni dhe bëjeni zërin tuaj të dëgjohet.
Ky problem lidhet drejtëpërdrejtë me kulturën dhe zhvillimin e saj në qytet.
Nuk kërkojmë privilegje për askënd, as bamirësi, as shance që na mohohen. Kërkojmë hapësirë, mundësi dhe vlerësim të barabartë për krijuesit, pa dallim dhe pa barriera.
Lirinë e artit krijues të penave të qytetit në aktivitete të hapura e pa asnjë dallim. Unë nuk apo flas vetëm për veten, por për të gjithë ata krijues që kanë nevojë të përfaqësohen denjësisht.
Autoritetet përkatëse duhet të jenë të vetëdijshëm edhe organizatorë. Vlora nuk është vetëm një qytet turistik.
Ajo ka krijuesit dhe përfaqësuesit e saj në letrat shqiptare.
Sepse të kujtosh Petro Markon, Ali Asllanin dhe penat e tjera të mëdha është e rëndësishme.
Por po aq e rëndësishme është t’u japim mundësi penave të reja të lindin, të krijojnë dhe të dëgjohen që ky vend jo vetëm të ruajë traditën, por të ekzistojë, të krijojë, e të prezantohet denjësisht në Shqipëri dhe jashtë saj.
Le të jetë ky Tetor fillimi i një nisme konkrete e të rikthehet “Konkursi Mbarëkombëtar i Poezisë”.
Le t’i japim letërsisë vendin që meriton.
Marrë nga Muri i FB i Anila Toto, 5 tetor 2026