Vetëm përballë frikës – Pjetër Meshkalla – Liria që nuk burgoset nga Robert Martiko

Gazeta

Pjetër Meshkalla s.j. (1901-1988)
Pjetër Meshkalla s.j. (1901-1988)
Vetëm përballë frikës –
Pjetër Meshkalla – Liria që nuk burgoset
nga Robert Martiko

Një shkrim për të kuptuar
se ku ndahen dy botë: Drita dhe Hija.

Në rrëfimin e autorit Eduard Skufi, Atë Pjetër Meshkalla shfaqet fillimisht si një i burgosur që ecën i veçuar në Spaç. Por për ta kuptuar madhështinë e asaj vetmie, duhet të rikthehemi te Shqipëria e kohës. Ishte një shoqëri deri në palcë e mbërthyer nga frika, ku tribunat kërkonin brohoritje, parullat zëvendësonin mendimin, lagjet ishin kthyer në mekanizma të kontrollit të ndërsjellë dhe duartrokitja kolektive në ritual të bindjes.
Në atë vend ku njerëzit druheshin edhe nga fjala e pathënë, Meshkalla bëri të kundërtën: foli. Dhe foli duke e ditur se çmimi pothuajse i sigurt i fjalës së lirë ishte burgu. Ai nuk e kërkoi burgun, por as nuk bëri asnjë kompromis për t’i shpëtuar. Madje, sipas dëshmive të përcjella për të, mendonte edhe për njerëzit që do të gjente atje. Për të burgosurit që kishin nevojë për praninë dhe mbështetjen e tij shpirtërore.
Kështu, ndërsa një regjim i tërë kërkonte t’i mësonte njeriut të kishte frikë, Meshkalla kishte arritur në atë pikë të rrallë të lirisë së brendshme ku frika nuk vendoste për të. Burgu mund t’i merrte vitet, trupin dhe lirinë e jashtme, veçse një gjë nuk mund t’ia merrte. Të drejtën për të vendosur vetë se çfarë njeriu do të ishte.
Në prill të vitit 1967, në kulmin e fushatës kundër fesë, ai i shkroi kryeministrit Mehmet Shehu. Nuk foli vetëm për kishat dhe besimin. Ai paralajmëroi se presioni dhe frika po krijonin një brez pa kurajë civile, oportunist, dhe servil.
Pak javë më vonë u arrestua dhe u dënua përsëri me dhjetë vjet burg.
Kjo është arsyeja pse vetmia e Meshkallës në Spaç merr një kuptim shumë më të madh se vetmia e një të burgosuri. Në një kohë kur turma duhej të pohonte, ai guxoi të mohonte. Kur heshtja siguronte mbijetesën, ai foli. Kur njeriu mësohej të ulte kokën përpara pushtetit, ai pranoi të paguante çmimin e mbajtjes së saj lart.
Nëse do të përdornim vetëm metaforikisht, pa hyrë në thelbin filozofik të tij, konceptin niçean të Übermensch-it – Njeriut që kapërcen vetveten dhe vlerat që turma kërkon t’i imponojë – Pjetër Meshkalla mund të shihej si një figurë shqiptare e këtij vetëkapërcimi. Jo “mbinjeri” në kuptimin e pushtetit mbi të tjerët, por një Njeri i jashtëzakonshëm që kishte arritur një fitore shumë më të vështirë. Të mos sundohej nga frika që paralizonte të tjerët. Mbinjeriu nuk është ai që ngrihet mbi turmën për ta sunduar, por ai që arrin të ngrihet mbi frikën që e mban atë të nënshtruar. Nuk ka nevojë të bëhet pjesë e saj për të mbetur në këmbë. Edhe kur mbetet vetëm, mbetet vetvetja.
Prandaj fjalia që Eduard Skufi sjell nga takimi i tij me Meshkallën është kaq e fuqishme. I moshuar, i përndjekur, i shoqëruar edhe te mjeku nga njerëzit e Sigurimit dhe me sytë e sëmurë, ai nuk ankohet për fatin e vet. I thotë okulistit vetëm se dhimbja e pengonte të lexonte: “Pa leximin… nuk mund të rroj.”
Pushteti i kishte marrë Meshkallës vite nga jeta, lirinë, qetësinë dhe të drejtën për të jetuar siç besonte. Por ende nuk kishte arritur t’i merrte nevojën për të lexuar dhe menduar i lirë. Dhe ndoshta ky është dështimi përfundimtar i çdo represioni. Mund ta detyrojë njeriun të hyjë në qeli, por nuk është e sigurt se mund ta detyrojë qelinë të hyjë brenda njeriut.
Teksa lexoja këtë pjesë të rrëfimit të Skufit, Meshkalla më solli ndër mend edhe tim atë, Dino Martikon. Të dy kishin kaluar nëpër të njëjtin burg, në Vlorë, dhe të dy i bashkonte i njëjti karakter i flaktë. U treguan të pathyer përballë mekanizmit të frikës. Ishin të paaftë për ta blerë qetësinë me nënshtrim. Nuk ishin heronj të një çasti, të ngritur nga një rrethanë e jashtëzakonshme e më pas të kthyer në skllevër të grupit dhe të mendimit të tij, por njerëz që e kishin kthyer qëndresën në mënyrë jetese. Fisnikëria e tyre nuk ishte një gjest i rastit. Bëhet fjalë për një karakter të kulluar.
Jo heronj të çastit, por fisnikë të një jete të tërë.
Kjo është arsyeja pse rrëfimi i Skufit shkon përtej kujtimit të një vizite mjekësore. Okulisti mendonte se po ndihmonte Meshkallën të shihte. Shumë vite më vonë e kupton se kishte ndodhur edhe e kundërta. Njeriu që kishte ardhur për të mjekuar sytë i kishte mësuar mjekut diçka për shikimin. Vetë Skufi e përmbledh kështu këtë përmbysje: atë ditë mjekoi sytë e Meshkallës, por Meshkalla e mësoi atë “të shohë” përtej heshtjes.
Sepse liria e vërtetë provohet pikërisht atëherë kur liria e jashtme është grabitur. Është e lehtë të mendosh ndryshe kur mendimi nuk kushton asgjë. Madhështia fillon kur njeriu e di çmimin e fjalës së vet dhe, megjithatë, nuk e shet atë.
Atë Pjetër Meshkalla ishte një nga ata njerëz.
Në një kohë duartrokitjesh masive, ai nuk duartrokiti.
Në një kohë heshtjeje, ai foli.
Dhe kur e burgosën, burgu mori trupin e tij – por nuk mori dot Njeriun.
Marrë nga Muri i FB, Robert Martiko, 5 tetor 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit