
Kosova: Popull laik me shumicë myslimane,
apo popull mysliman me fasadë laike?
nga Nosh Mernacaj
Pas shumë rrokadave, Kosova zgjodhi presidenten e re.
Fakti që është grua nuk është shumë i rëndësishëm, sepse kjo është e treta presidente grua. Dy paraardhëset e saj ishin gra dhe kanë pasur sukses të madh në detyrë.
Ajo që bëri më shumë bujë ishte fakti se ajo është katolike në një vend me shumicë myslimane. Në fakt, buja nuk është sepse ajo është katolike, pasi shqiptarët në vetvete nuk e kanë këtë problem. Buja vjen si kundërpërgjigje, ose si përgënjeshtrim i imazhit që të huajt në përgjithësi, por akuzat serbe në veçanti, përpiqen t’i japin Kosovës duke e paraqitur atë si një vend radikal islamik.
As kjo nuk është aspak diçka e re, sepse, po të kujtojmë, edhe UÇK-në u përpoqën ta paraqisnin si organizatë terroriste islamike.
Ajo ç’ka më mundon mua është fakti se ne shqiptarët vazhdojmë të justifikohemi ndaj këtyre akuzave, në vend që t’i injorojmë. “Qentë le të lehin, karvani le të ecë përpara!”
Ndër problemet e shumta që kemi si popull, feja nuk është një prej tyre. Sigurisht që ka individë apo grupe të tilla, por kush nuk i ka?! Ajo që ka rëndësi është se, në thelb, shqiptarët nuk janë as radikalë e as praktikues të devotshëm të ndonjë feje në masë. Ne gëzojmë një respekt reciprok për besimet e njëri-tjetrit, pavarësisht se cilës fe i përkasim.
Rëndësi ka që udhëheqësit fetarë shqiptarë nuk bëjnë thirrje për përçarje, por për bashkim. Ne nuk kemi një udhëheqës fetar që haptazi bëjnë thirrje për gjenocid, siç bën patriarku i Kishës Serbe. Një intervistë televizive e amplifikuar nga një klerik që kërkon pesë minuta fame, apo një postim në Facebook e një individi, nuk përfaqëson ndjenjën e vërtetë shqiptare.
Pra, në vend që t’i tregojmë botës se nuk jemi ashtu siç thonë serbët, le të vazhdojmë punët tona ashtu siç kemi bërë me shekuj dhe t’i tregojmë me vepra. Në fund të fundit, askuj s’i kemi borxh asnjë spjegim.
Urime presidentes dhe popullit të Kosovës!
Nosh Mernacaj