Mjerimi i Monumenteve të Kulturës… – nga Robert Prennushi

Gazeta

Objekti "Monument Kulture" në dy kohra!!
Objekti “Monument Kulture” në dy kohra!!
Mjerimi i Monumenteve të Kulturës…*
nga Robert Prennushi

Kam pa këto ditë që nji shkodran, natyrisht i shqetësuem, kishte nxjerrë në facebook këte foto të kësaj ndertese që brezi ynë e ka njohtë si Shtëpia e Abatit. Fakti që kjo ndertesë asht në këte gjendje, edhe pse asht shpallë me kohë Monument Kulture e kategorisë së parë, tregon se përgjegjësia e turpi, (- mund ta përdorim këte term? -) asht krejtësisht e pushteteteve vendore të çdo ngjyrë që kanë kalue e që janë.
Çfarë humbim duke e lanë në këte gjendje këtë ndërtesë neoklasike, pjesë e atij vizioni largpamës të Kolë Idromenos, artistit ma të shquem që njihet si ‘krijuesi i pikturës realiste shqiptare’, por këtë herë në rolin e arkitektit të 60 ndërtimeve nën drejtimin e tij, ndërtime që i la qytetit si dhuratën ma të madhe, pengun e tij të dashunisë: Qendrën historike të Shkodrës europiane.
Pra, në këte drejtim “Rilindja Urbane”, në Shkodër kishte kalue në kohën e vet, pra në Kohën e Rilindjes e Pavarësisë.
Çka humbim tue lanë në këte gjendje këte ndërtesë e të tjera me vlera jo vetëm arkitektonike por edhe historike e kulturore? Konkretisht për ndërtesen që po flasim, të lanun në këte gjendje, ne i vemë vizë jo nji vepre që do të na nderonte, por edhe historisë.

"Shtëpia e Abatit"
“Shtëpia e Abatit”

Abati Preng Doçi (1846-1917), klerik katolik, ka qenë nji nga figurat e shqueme të Rilindjes Kombëtare.
Themeloi në Shkodër shoqërinë ‘Bashkimi’ që krijoi dhe Alfabetin e Bashkimit, nji nga tre alfabetet që ju paraqiten Kongresit te Manastirit. Në fakt alfabeti i sotëm asht kryesisht ai i ‘Bashkimit’. Mori pjesë aktivisht në Lidhjen shqiptare të Prizrenit. Që në vitet 1876-77 shkoi tek Mbreti i Malit te Zi për të kërkue armë kundër turqve. U internue nga turqit në Libi, nga ku arriti të ikë. Asht quejtë edhe babai i alfabetit shqip. Shkroi poemen “E vetmja e shoqe” dhe shume vjersha me pseodonimin Primo Doçi. Hapi shkolla edhe shqipe në Mirditë në kohën kur ishte e ndalueme.
Pra, bashkë me ndërtesën ne fshijmë nga kujtesa kolektive edhe kontributin patriotik e kulturor të klerit katolik në historinë e Shqipërisë.
Gjej rastin të publikoj, pa dhanë emën, bisedën private, që kam ba me nji personalitet në Këshillin bashkiak. Me rastin e nderimit të nji figure të njohun e me kontribute e përgëzova, por edhe i kujtova se kishte premtue se do të vinte në vend e do të bante çmos që figura At Martin Gjokës, e kompozitorit dhe e pedagogut të krijuesve që dhanë kontributin ma të shquem muzikën shqiptare të kultivueme në shekullin e kaluem, do të vlerësohej. Arsyetimi i tij: “po i nderojmë sa janë gjallë” asht ma se i drejtë. Madje, mund të shtojmë me humor, pse ata edhe votojnë.
Po të shkojmë me këte logjikë, At Martin Gjokës i takon, jo vetëm që të mos nderohet kurrë, por edhe të harrohet. Kujt i intereson kjo!? Të harrohet përkursori i muzikës së kultivueme shqiptare! Ai që më shumë se 100 vjet ma parë, kur ne sapo kishim njehsue alfabetin, shkroi opera e sinfoni.
Kompozitori At Martin Gjoka, nuk asht as “Artist i merituar”; pedagogu i parë i Zadejës, Daisë, Harapit, Sokolit, Gjonit, Grimcit, etj, nuk asht as ‘Mësues i merituar’.
Por mos prisni që françeskanët o Kisha Katolike t’i drejtohen zyrtarisht pushtetit civil me vlerësue bijtë e vet.
*Titulli Redaksional.
Marrë nga Muri i FB Robert Prennushi, 10 tetor 2026

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit