back to top
31.8 C
Tirana
E enjte, 18 Qershor, 2026

Strategji mbijetese në një xhungël sociale – Avni Halimi mbi poezinë e Mimoza Ahmetit

Gazeta

Poetja Mimoza Ahmeti,
Poetja Mimoza Ahmeti,
Strategji mbijetese në një xhungël sociale
nga Avni Halimi
mbi poezinë e Mimoza Ahmetit

Poezia e Mimoza Ahmetit nuk është vetëm një strehë estetike, por, mbi të gjitha, një makineri që e përpunon realitetin dhe e kthen dhimbjen në formë
Poezinë “Letër mamkës” të Mimoza Ahmeti nuk duhet lexuar vetëm si një krijim lirik, por edhe si një radiografi rrëqethëse të një momenti historik ku muret e vjetra të një sistemi antihuman po shembeshin dhe liria po shfaqej me një fytyrë të panjohur, shumë të frikshme. Mund të thuhet se kjo poezi, madje edhe në një kontekst më të gjerë letrar, përbën një nga artikulimet më të veçanta të ankthit përballë lirisë: një liri që nuk përjetohet si bekim, por si një kaos i pakontrollueshëm që e zhvesh individin nga çdo siguri e mëparshme. “Letër mamkës” funksionon si një dokument i gjallë i tranzicionit shqiptar, ku Tirana e shtëpive të ulëta dhe rrugëve të lodhura kthehet në një skenë absurde, mes utopisë së një pallati të vetëm dhe “qukapikëve” të zbehur të rendit që nuk dinë më se çfarë po ruajnë.
Megjithatë, në zemër të këtij kaosi qëndron një bërthamë e paprekur: intimiteti. Forma e letrës drejtuar “mamkës” nuk është një zgjedhje e rastësishme stilistike, por një akt ekzistencial. Ajo krijon një hapësirë të mbrojtur ku subjekti mund të artikulojë të vërteta që nuk i përballon dot në publik. Kjo marrëdhënie sentimentale është një kundërpeshë ndaj shpërbërjes së botës së jashtme, një përpjekje për të ruajtur një vijë komunikimi me një të kaluar që assesi nuk të lëshon. Në këtë kuptim, poezia lëviz vazhdimisht mes dy poleve: një realiteti që po shpërbëhet dhe një intimiteti që përpiqet ta mbajë të bashkuar qenien.
Ahmeti e zhvesh Tiranën nga çdo petk romantik; kryeqyteti këtu nuk është qendra e progresit, por një hapësirë klaustrofobike ku “ngushtësia” nuk është vetëm arkitektonike, por shpirtërore. Pesëmbëdhjetëkatëshi i ngritur si “utopia ime” është një simbol i dyfishtë: njëkohësisht aspiratë dhe ironi, një vertikalitet i vetmuar që nuk arrin të ngrejë asgjë përreth tij. Ndërkohë, figura e “policëve-qukapikë” është ndër më goditëset në poezi: ajo përçon një ndjesi mekaniciteti absurd, një veprimtari pa kuptim, ku rendi publik është reduktuar në një trokitje të zbrazët që nuk prodhon më siguri, por vetëm zhurmë. Kjo është një gjuhë që nuk përshkruan thjesht realitetin, por e deformon atë për ta zbuluar më thellë.
Në këtë peizazh, shteti shfaqet si një prani e rëndë dhe njëkohësisht e zbrazët. “Kurrë shteti nuk ka qenë kaq përballë njeriut” tingëllon si një formulim paradoksal: një shtet që është gjithkund dhe njëkohësisht askund në funksionin e tij thelbësor. Institucionet shfaqen si hije në udhëkryqe ambasadash, ndërsa marrëdhëniet njerëzore degradojnë në një ritëm alarmant. Tradhtia e burrave si modë dhe zbrazëtia e grave si gjendje kolektive nuk janë vetëm gjykime morale, por shenja të një çarje më të thellë, ku intimiteti është infektuar nga e njëjta logjikë që ka shkatërruar rendin dhe vlerat shoqërore.
Një nga vlerat më të spikatura të poezisë qëndron në mënyrën se si artikulon dykuptimësinë e subjektit: rreziku nuk shfaqet thjesht si kërcënim, por njëkohësisht edhe si një forcë joshëse që e tërheq. “Rreziku po më fton duke qeshur” shpreh pikërisht këtë tërheqje të errët, këtë afrim të pavullnetshëm drejt asaj që mund të të shkatërrojë. Edhe dashuria, në figurën tronditëse të “gojës pa dhëmbë”, paraqitet si një energji e çoroditur, që nuk ushqen më, por deformon. Subjekti poetik nuk është as viktimë e pastër dhe as triumfuese e sigurt; ajo lëviz në një zonë të ndërmjetme, ku përballja me realitetin është njëkohësisht rezistencë dhe rrezik për t’u përthithur prej tij.
Ky tension arrin pikën kulmore në pjesën përmbyllëse, ku ndodh një kthesë e theksuar poetike: nga intimiteti rrëfimtar i letrës, poezia shndërrohet në një shpallje të drejtpërdrejtë force. Premtimi për t’i “grirë… si në makinën e mishit në vargjet e mia” është një nga metaforat më brutale dhe më të sakta të funksionit të artit në këtë kontekst. Poezia nuk është më një strehë estetike, por një mekanizëm përpunimi, një aparat që e copëton realitetin për ta rikrijuar atë në një formë të përballueshme. Këtu, akti krijues nuk funksionon si një formë e butë shpëtimi, por si një strategji e ashpër mbijetese. Këtu, akti krijues ndërhyn në mënyrë aktive dhe “të dhunshme” mbi përvojën, e copëton dhe e riformëson atë, në mënyrë që subjekti-krijuesi të mos përthithet e të mos fundoset brenda saj, por të arrijë ta mbajë veten në një distancë kontrolli ndaj kaosit që e rrethon. Megjithatë, ajo që e bën këtë fund vërtet të fuqishëm nuk është vetëm triumfi, por fakti se ai lind nga një gjendje e thellë pasigurie. Individualiteti që shpallet këtu nuk është i konsoliduar; ai është në proces, i çarë, i rrezikuar nga i njëjti realitet që kërkon të përballojë. Kjo e shpëton poezinë nga çdo patetizëm heroik dhe e vendos atë në një dimension më të ndërlikuar, ku rezistenca është gjithmonë e përkohshme dhe e rrezikuar.
Në tërësi, “Letër mamkës” nuk është vetëm një dëshmi e një kohe, por një hartë e brendshme e një subjekti që përpiqet të mos shpërbëhet bashkë me botën që e rrethon. Mimoza Ahmeti nuk shkruan thjesht një letër, por artikulon një mënyrë të të qenit në një realitet të pasigurt, ku fjala mbetet mjeti i fundit për të ruajtur integritetin. Në këtë kuptim, poezia e saj është një akt i vazhdueshëm i përpunimit të kaosit, një përpjekje për ta kthyer dhimbjen në formë dhe për të mbajtur gjallë një zë që refuzon të heshtë.

Letër Mamkës – poezi nga Mimoza Ahmeti

Mamka,
mos ta lexoj këtë letër tjetërkush veç teje,
jo se sekrete, por ende nuk jam e fortë plotësisht
për t’i mundur këto që po të them:
Tirana është fare e zakontë.
me ngushtësinë e shtëpive të ulëta,
me udhët e lodhura të dimrit,
me një pesëmbëdhjetëkatësh në qendër
ngritur si utopia ime,
me roje të përforcuara në udhëkryqe ambasadash,
me policë-qukapikë qershori të zbehur.

Diç parandjej, mamka!
Kurrë shteti nuk ka qenë kaq përballë njeriut,
kurrë tradhtia e burrave nuk ka qenë më në modë,
kurrë gjumë më të rëndë nuk kanë fjetur netët
dhe gratë më të humbura, më të zbrazura.

Po të them e dashur, rreziku po më fton duke qeshur
me gojën pa dhëmbë të një dashurie kafshuese
me çarje në karakter,
që është një pjesë e çarjes shoqërore,
po më ofrohen detyra, miq e të njohur të shumtë,
të gjithë të lartë nga emrat, por të ulët nga tensioni i jetës,
përpiqen të më ngrenë duke u kapur pas meje,
po më rrëzojnë ende pa u ngritur.

E dashur, dëgjomë pa shqetësim,
unë do t’i grij, do t’i grij, po të them,
si në makinën e mishit
në vargjet e mia.
Marrë nga Hejza, 24 prill 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.