
Hija e vetmuar e një fantazme dhe rinia e një kombi!
nga Jozef Radi
Në Shqipërinë e sotme politike, po vërtitet hija e një njeriu të vetëm dhe asgjë tjetër.
S’ka shtet, s’ka institucione, s’ka media, s’ka drejtësi, është vetëm një njeri, ose më mirë fantazma e një njeriu.
Kjo fantazëm shpërndan përmes pallavrash një begati që është veç në mendjen e tij, ndërsa në popull përcjell vetëm: mjerim, mashtrim, frikë, dhunë, terror e braktisje.
E ka mbjellë vetveten në të gjitha institucionet e shtetit dhe hija e tij sot shumëfishohet për mbrojtjen e godinave institucionale që nuk kryejnë asnjë shërbim, veçse brohorasin dhe elozhojnë mirazhet e kësaj fantazme.
Në tempullin e ngujimit dhe vetmisë së tij cinike, s’ekziston as presidenti, as parlamenti, as drejtësia, as akademia, as universitetet, as shërbimi informativ, as mjekësia, nuk ekziston asgjë…
Shkretetirë dhe mjerim institucional…

Ndërsa fantazma e “Shteti jam Unë!” shfaqet mëngjeseve mes mjegullave të gazit lotsjellës dhe vendos letra mbi karrige druri, mbi stola guri e mbi tavolina që rrijnë mbi shkopinj gome, dëshirën fallse të dialogut me rininë, (nënkupto kërkon me të mashtruarit e rradhës) i rrethuar në të katër anët me pulicë e pulishta…
Njeriu më i famshëm i monologjeve në historinë e shtetit shqiptar, po lyp si “Diogjen” dialog!
Shqipëria e sotme duket sikur ka vetëm studentë dhe policë… edhe hijen e kësaj fantazme që gjen strehë nën çdo skafandër e lëshohet si bishë mbi rininë me shkopinj gome, me bombola përcëlluese dhe gaz lotsjellës…
Hija e kësaj fantazme i vërtitet mbarë truallit shqiptar po edhe përtej, në trajtën e një mallkimi riciklik, që s’po i shqitet Shqipërisë pa e kthyer fatin e saj në tragjedi.
U bë kohë, që kjo hije e demantuar dhe e diskredituar, përbuz dhe neverit qenien shqiptare, e si një ogur i zi kërkon ta rroposë këtë vend e të mos i lërë asnjë shtegdalje, veç humnerës…
E pabesueshme!
Asnjë nga institucionet e shtetit, në këtë periudhë të madhe e të gjatë revoltash s’del e t’i thotë diçka, s’del askush t’ia ndalë hovin e marrë(shimit) kësaj hije të dhunshme në bulevardet e Tiranës e në sheshet e gjithë e Shqipërisë.
Duket se hija e zezë e kësaj fantazme prej Pantagryeli i ka përpirë e asgjësuar gjithë institucionet e n’at vetminë mjerane të frikës, vjell vetëm terror me fjalë e me vepra…
Përpëlitet ndër monologë që s’kanë të sosur, e kjo mënyrë komunikimi, si flamë u përcillet tjerëve e të gjithë së bashku shëndrrohen si me shkop magjik, në atavizma dhune në shërbim të kësaj fantazme…
E përsëris: s’ka në horizont as president, as parlament, as organe drejtësie, as SPAK, as opozitë, as shoqëri civile, as ushtri, s’ka as media të vërteta, as pleq të urtë akademie e as malësie t’i thonë: “Po ndalu bre, ta dhezim i duhan…!”
Kjo shkretëtirë e frikshme institucionale, kërkon ta lerë vendin pa të arthme… ndaj është e gjithë rinia në këmbë, e gatshme të vetëflijohet në emër të së nesërmes.
Të gjithë “zogjtë e qyqes” zgjohen mëngjeseve dhe kqyrin n’ekranet e dorës, klithmën e fantazmës. Presin në rresht e në heshtje si manekinë humorin e fantazmës së Njëshit, se mos ai gishti i tij ogurzi, ka “hedhur në kosh” ndonjë prej tyre, apo e kanë rradhën në ditët e më vona…

Ndërsa bulevardi gëlon me rini të rebeluar shqiptare…
Kurrë sheshet as rrugicat e Tiranës s’e kanë pasur një rini të tillë…
Ndaj hija e fantazmës i ka ofruar sistematikisht kësaj rinie: ikjen e tyre o nënshtrimin e verbër, shteg tjetër s’ka lënë! Ndaj e ka shpallur “ikjen e tij” mbasi ta ketë përzënë gjithë popullin e vet!!
Sot, shpëtimin kjo fantazëm duket se po e kërkon te gjakderdhja…
Gjithçka e ngritur me aq gjak e sakrifica ndër shekuj, kjo hije ogurzezë po kërkon ta bëjë asgjë. Ndaj i vërtit gjithë problemet e Shqipërisë rreth një fjale të vetme: “Europa”! Ky kontinent djallzor, (s’po e citoj at frazën Fishtës) që s’qe një ditë i gjallë në 47 vite diktaturë, heshtet dhe i rreh shpatullat kësaj fantazme duke vërtitur ca mekanizma numrash e datash iluzive, vetëm e vetëm për të mos e lëshuar atë. Përmes këtij imazhi mashtrues e iluziv, shpërndahet kjo frymë neodiktature, ku gjithçka flet kundra Evropës, e që përmes emrit të saj, kjo fantazëm kërkon t’i mbulojë njëmijë e një të zezat që i shkakton një populli.
Jo vetëm në Tiranë, jo vetëm në Shqipëri po gjithë shqiptarisë i vërtitet hije e zezë e këtij demagogu që ka tejkaluar çdo cak.
Ai u rishfaqet mëngjeseve si fantazmë, ndër gërmadhat e zjarrit që ka shkaktuar ai vetë, i shton tavolina vetvetes dhe reciton filipiket patriotike ku rreket mjerisht t’i mbrojë më fjalë ato çka shkatërron me vepra, përmes çmendurisë, delirit dhe diabolizmit me një epsh të papërmbajtur kundra vendit të vet.
Hije e frikshme e një fantazme i vërtitet si mallkim Shqipërisë!
Ky brez i ri i, në ndryshim nga të mëparshmit, s’e pranon mashtrimin dhe as i tutet frikës. Ai ka dalë në shesh jo përballë fatit të vet po përballë fatit të një kombi, ndaj është e turpshme për secilin prej nesh, ta jemi soditës të përgjakjes së tij!
Një fantazmë i vërtitet fatit të Shqipërisë!
Ajo është te çdo autoblindë, te çdo ujëhedhës, te çdo polic, te çdo bombë tymuese, te çdo shkop gome që vërtitet në tejkalim të skajmë ligji, te çdo skafandër, te çdo bombol gazi lotsjellës, të çdo plumb gome që ngulet në trupat dhe sytë e rinisë shqiptare…
Mallkim i kësaj fantazme një ditë do të marrë fund.
E s’do mundet kurrë një tjetër fantazmë ta rrënojë rininë e këtij kombi, që ka përcjell murtaja edhe më të zeza se kjo që po kalojmë sot!
Tetor 2026