
Kam frikë nga dhuna e policisë, por jo aq sa të më detyrojë të hesht…
nga Luljeta Progni
Një pyetje drejtuar ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ambasadave të të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian në Tiranë:
A do të më pranonit në vendet tuaja nëse unë vazhdoj protestën time edhe sot në Tiranë kundër një qeverie, për të cilën besoj se është e zhytur në korrupsion? (Nuk është nevoja t’ju rendis rastet. Lista është e gjatë dhe një pjesë e çështjeve janë tashmë objekt hetimesh dhe procesesh gjyqësore).
A do të më pranonit nëse protestoj kundër dhunës policore, kundër plumbave të gomës drejt e në sytë e fëmijëve tanë, kundër një dhune që lë pas plagë dhe kocka të thyera në bulevardin e kryeqytetit?
A do të më pranonit nëse ngre zërin kundër një pushteti që, në vend të përgjigjet përballë qytetarëve, i paralajmëron ata me gjoba dhe me masa edhe më të ashpra dhune? (Dhunë që kryeministri po tenton ta kthejë në ligj).
Unë do të jem sot në shesh.
Do të jem aty sepse besoj se nuk kam shkelur asnjë ligj duke ushtruar të drejtën time për të protestuar. Sepse kjo e drejtë nuk është privilegj që ta jep pushteti, është një e drejtë themelore.
Por pyetja ime për ju nuk është vetëm politike.
Unë jam Luljeta Progni. Jam rritur në diktaturë dhe familja ime ka përjetuar përndjekje. E njoh frikën që prodhon një pushtet ku kundërshtimi trajtohet si faj. E di çfarë do të thotë që historia e një familjeje të lahet me gjak dhe të rëndohet nga padrejtësia. Kam gjyshër të pushkatuar padrejtësisht, prindër të burgosur e internuar.
Prandaj kur dëgjoj kërcënimet ndaj atyre që guxojnë të ngrenë zërin, nuk mund ta trajtoj si një episod të zakonshëm politik. Për mua, është një arsye më shumë për të mos heshtur.
E kam këtë pyetje shumë të thjeshtë për ambasadat e vendeve të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së: a do të më pranonit në vendet tuaja nëse unë protestoj për lirinë, dinjitetin dhe të drejtën për të mos jetuar përsëri me frikën e diktaturës?
Unë do të jem sot në shesh, edhe pse të jem e sinqertë, kam frikë nga dhuna e policisë, por jo aq shumë sa frika të më detyrojë të hesht.
Protestë!
25 tetor, ora 14:00 – Ministria e Arsimit