“Statuja e Teutës” – nga Auron Tare dhe një reagim nga Anisa Leka

Gazeta

Auron Tare
Auron Tare
“Statuja e Teutës”
nga Auron Tare dhe një reagim nga Anisa Leka

Një mik shumë i mirë nga Lezha më mori në mbrëmë telefon: -Si je? – më pyeti.
-Mirë, i thashë. Po ti ke humbur fare.
-Shumë punë këtë verë -m’u përgjigj.
Pasi shkëmbyem disa fjalë të përgjithshme, më pyeti
E di pse të mora?
Jo! – i them.
Dua mendimin tënd për këtë statujën që vumë në Lezhë.
Cilën? – e pyeta, pak i hutuar.
Teutën. Mbretëreshën Teutë.
Aaa, po, po… E pashë diku, shkarazi.
-Si të duket? – më pyeti.
Nuk di ç’të them. Nuk kam ndonjë ide të qartë përse dhe për çfarë u vu… – iu përgjigja.
Po është simbol historik. Simbol i forcës ilire. Na duhet ky simbol – më tha.
Po shumë mirë, i them. Nëse ju duhet, pse më pyet mua?
Duke qeshur, ma ktheu
Po dua të di çfarë mendon ti.
Po ç’rëndësi ka? – i thashë, – Nëse ju në Lezhë e vendosët, besoj se keni pyetur ndopak për historinë andej nga Akademia e Shkencave?
Nuk e kam idenë fare – më tha. Por, meqë edhe unë kam kontribuar, doja të dija çfarë mendon ti.
Shiko, – i them duke qeshur, mua Teuta më kujton pak këto Drejtoreshat e sotme që trashëgojnë institucione të mëdha, por në fund arrijnë t’i çojnë drejt falimentimit.
Po pse? më pyeti.
Po ja i them: – “Teuta mori në dorë regjencën e një mbretërie që Mbreti Agron e kishte fuqizuar ndjeshëm. Ai e shtriu sundimin e tij deri ne Epir dhe ushtria e tij vetem pak kohe pasi vdiq pushtoi Finiqin kryeqendren e Epirit. Por Teuta pas konfliktit me Romën, jo vetem e humbi shtetin Ilir por pas saj fuqia ilire nuk ishte me dominuese ne Ballkan. Mos harro ajo njihet si Mbretëresha që preu në Besë legatet romanë, që kishin ardhur ne shtëpinë e saj duke i vrarë ata. Është një autor antik – thashë qe quhet Polibius, i cili na rrëfen se Teuta urdhëroi vrasjen e të dërguarve romak. Roma e konsideroi këtë akt si një shkelje të rëndë të imunitetit diplomatik dhe ai u bë një nga pretekstet kryesore për Luftën e Parë Ilire.
Miku im heshti për pak. Nuk e dija me tha.
Pastaj, disi i mërzitur nga shpjegimi im me pyeti.
Po ti kë do të vendosje?
Unë? – i thashë, – Po Ju në Lezhë doni me shpatë or mik prandaj do të propozoja Mbretin Agron, por më qe ju vutë gruan e tij ndërmend më vjen Bardhyli, Mbretin e Dardanëve. Një nga figurat më të fuqishme ushtarake të botës ilire. Për vite me radhë u përball me Maqedoninë, e cila kishte bërë zap qytetet greke, Bardhyli me fuqinë e tij bëri që Filipi i II, ati i Aleksandrit të Madh të pranonte kushtet e tija,
Po nëse jo, Bardhyli me që qënka nga Kosova? E ngau ai bisedën?
Atëherë do të vendosja Kliti, të birin e Bardhylit, i cili në betejën e Pelionit (rrethinat e Ohrit) u përball me Aleksandrin e Madh, që vetëm pak më vonë do të nisej për të pushtuar Perandorinë Perse dhe e vuri ate në një situatë shumë të vështirë. Kliti dhe aleatët e tij arritën ta detyronin ushtrinë maqedonase të tërhiqej. E ke do thuash ti? Ushtrinë që më vonë do pushtonte botën deri në Indi.
Ashu ee… – më tha i habitur, por ende nuk po dorëzohej.
Po ndonjë tjetër?
Glaukun, i cili pas vdekjes së Aleksandrit, kur në Epir shpërtheu lufta për pushtet dhe Ajakidi humbi fronin, djali i tij i vogël, Pirro, u gjend në rrezik.
Kasandri, që trashëgoi Maqedoninë e Aleksandrit, kërkoi që fëmija t’i dorëzohej. Madje ofroi një shumë të madhe parash atij, por Glauku nuk e dorëzoi e mbrojti dhe më vonë e ndihmoi Pirron të rikthehej në fronin e Epirit.
Por nëse ju, kandidaten e doni patjetër grua… i thashë duke qeshur atëherë do të propozoja Cynanen, princeshën ilire, si një princeshë të edukuar në artin e luftës e cila ndeshej në dyluftime
Kjo qenka histori për statujë! – më tha.
Po. Dhe është disa dekada para Teutës.
Pastaj… pas një pauze më pyeti
Po nga të gjithë këta, cilin do të preferoje ti?
Unë do zgjidhja Gentin e Taulantëve.
Pse?
Genti ishte një Mbret i urtë, i paqëm, i cili shëronte popullin e tij me anë të bimëve medicinale. Një lloj Ylli Merja i kohës së tij, por që nuk u merte të holla atyre që shëronte.
Qeshi me të madhe…
Seriozisht – them – Genti është një figurë interesante sepse nuk lidhet me luftën. Ishte një Mbret që nuk përfaqëson shpatën dhe luftën, por shërimin për popullin e tij.
Miku im heshti për pak, pastaj tha:
Mirë, u pa puna. Na duhet të bëjmë një statujë të dytë në Lezhë.
As mos e merr mundimin, i thashë. Ne kohët tona or mik, askush nuk do simbolin e një burri të urtë që shëron njerëzit e tij
Sot është koha e Drejtoreshave Luftarake që i nxjerrin fundin fondeve dhe falimentojnë shtetin…
Qeshi.
Qesha edhe unë.
Dhe kështu u ndamë.

Anisa Leka
Anisa Leka
…dhe një reagim nga Anisa Leka

Ky shkrim nuk është i bazuar në histori, është qesharak. Dhe është mizogjen.
Le ta themi hapur.
Sepse po flasim për një grua. Dhe kur flasim për një grua, gjejmë gjithmonë mënyrën ta diskreditojmë.
Fundi e tradhton gjithçka: “Koha e Drejtoreshave luftarake që i nxjerrin fundin fondeve…” Ja ku është. Nuk po flitet për Ilirinë. Po flitet për gratë që drejtojnë sot.
Dhe ne kemi diçka për të cilën duhet të ishim krenarë. Në botën ilire gratë mbanin pushtet. Teuta. Triteuta. Etuta. Audata, që e stërviti të bijën në armë. Kinana, që u ndesh vetë në betejë. Provoni të gjeni një athinase që komandon ushtri, ose një romake të republikës që mban magjistraturë. Nuk e gjeni. Kjo është e jona dhe po e përdorim për të bërë shaka me drejtoreshat.
Tani faktet.
Besa! Teuta nuk u dha besë romakëve. Askund. Asnjë burim antik nuk thotë se dha garanci dhe e theu. Plus që Besa është koncept i mëvonshëm.
E kundërta ndodhi: romakët erdhën në oborrin e saj dhe e kërcënuan. Polibi vetë e shkruan, i dërguari i tha se: Roma do ta detyronte të ndryshonte zakonet e saj. Ky është ultimatum, në shtëpinë e saj.
Vrasja. Nuk është e vërtetuar se ajo e urdhëroi. Apiani thotë se anijet ilire i sulmuan të dërguarit gjatë udhëtimit dhe vranë Kleemporin e Isës dhe romakun Korunkan. Anije në det, jo urdhër nga froni. I vetmi që e pikturon skenën si urdhër të sajin, është Polibi, që shkroi shtatëdhjetë vjet më vonë, në Romë, për romakët.
Tre vjet pushtet. Zgjeroi mbretërinë. Mori Finiqin, qytetin më të pasur të Epirit. Theu ushtrinë epirote. Shtriu kontrollin mbi Korfuzin, Dyrrahun, Farin.
Dhe vini re: fushata kundër Epirit ishte e saj. Polibi e vendos pas vdekjes së Agronit. Pra, fitorja që në këtë shkrim i jepet Agronit, është e Teutës. Ia japim burrit fitoren e saj dhe ia lëmë asaj humbjen…
Tre vjet kundër Republikës Romake, e cila brenda një shekulli shkatërroi Kartagjenën, Maqedoninë dhe Greqinë. Nuk humbi Teuta ndaj Romës. Humbën të gjithë.
Standardet e dyfishta. Agroni vdiq nga pleuriti pas një feste me tepri vere, po ai Polib, po ai libër…! Askush nuk e quan atë drejtor që falimentoi institucionin. Demetri i Farit ia dorëzoi Korfuzin romakëve dhe ndërroi krah, tradhtia e vërtetë, nuk përmendet fare.
Edhe Genti, “mbreti i urtë që shëronte popullin”, arrestoi dy legatë romakë si spiunë, shkatërroi Apoloninë dhe Dyrrahun, humbi gjithë mbretërinë brenda njëzet e ca ditësh. U dorëzua dhe vdiq i internuar në Itali.
Pra, krimi për të cilin dënohet Teuta, Genti e bëri vërtet. Dhe fundi i Ilirisë, që i ngarkohet Teutës, ndodhi nën Gentin. Mbretëria ilire vazhdoi gjashtëdhjetë vjet pas saj.
Le t’u bëjmë statuja Bardhylit, Klitit, Glaukut, Kinanës. Të gjithëve. Historia jonë është mjaft e madhe.
Por mos e ndërtojmë nderimin e njërit duke shkatërruar një grua me fjalët e armikut të saj.
Shënim nga Anisa Leka, në shkrimin e Auron Tares, 18 shtator 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit