Shëmtia e një qyteti barbar – nga Monika Stafa

Gazeta

Monika Stafa
Monika Stafa
Shëmtia e një qyteti barbar
nga Monika Stafa

Në këtë qytet ku pallatet ngrihen me ngut, si pasuri të fituara nga një lojë që askush nuk e di kush e luan, barbaria ka gjetur prej kohësh një banesë të re. Ajo nuk ka më nevojë të trokasë në dyer; hyn lirshëm, ulet në tryezat tona, shfaqet në ekranet tona dhe, më e keqja, kërkon të na mësojë se si duhet të jetojmë.
Ne e shohim çdo ditë. E shohim në fytyrat e njerëzve që kanë harruar të skuqen. Në zërat që bërtasin më shumë se ç’mendojnë. Në duart që drejtohen me lehtësi kundër tjetrit. Në atë indiferencë të ftohtë që është ndoshta forma më moderne e mizorisë.
Dhe arti?
Arti rri diku në cep, si një njeri i varfër që ka ardhur në një banket pa qenë i ftuar. Librat presin në heshtje.
Muzika përpiqet të ngrejë një tingull mbi zhurmën. Piktura vazhdon të kërkojë një fytyrë njerëzore mes kaq shumë maskash. Letërsia ende beson se fjala mund të shpëtojë diçka nga rrënimi.
Por çfarë vlere ka bukuria kur banaliteti bëhet normë?
Ndoshta pikërisht atëherë arti bëhet i domosdoshëm. Jo për të na zbukuruar jetën, por për të na kujtuar se sa e shëmtuar mund të bëhet ajo kur humbasim masën, turpin, mëshirën.
Prandaj ndjej neveri. Jo vetëm nga barbaria, por nga lehtësia me të cilën ajo, po bëhet e jona dhe nga shpejtësia me të cilën po mësohemi me të.
Dhe ndoshta tragjedia e vërtetë nuk është se barbarët janë kaq të shumtë.
E vërteta eshtë se, çdo ditë, po ndihemi gjithmone e më pak të tronditur prej tyre.
Sepse barbaria nuk fiton atëherë kur ajo bërtet më fort se ne.
Ajo fiton në çastin kur ne nuk ndiejmë më asgjë.
Marrë nga Muri i FB Monika Stafa, 1 tetor 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit