
Një rikujtesë për pronarët e OJQ-ve
nga Elona Caslli
Së fundmi, nëpër studiot televizive qarkullon dendur teza se protesta qytetare prej më shumë se 100 ditësh ka sjellë një revolucion për faktin se gratë kanë zbritur në shesh të protestojnë.
Unë e kuptoj shumë mirë subjektivitetin në gjykimin e kësaj çështjeje, pasi statusi i rehatshëm i pronares së një OJQ-je, të bën të jesh subjektive dhe të bën të mendosh se historia e revoltës së gruas në Shqipëri fillon me themelimin e një OJQ-je.
Përtej subjektivitetit të pronarëve të OJQ-ve, ekziston një realitet tjetër, i cili na çon pashmangshmërisht tek emri i Musine Kokalarit, e cila revoltën e saj e pagoi me jetë. Na çon tek emrat e qindra grave të cilat refuzuan të martoheshin, të kryenin marrëdhënie seksuale me sekretarët e partive dhe funksionarë të tjerë të aparatit shtetëror në kohën e diktaturës për një të drejtë studimi apo për një transferim në qytet. Këto gra qëndruan dhe sfiduan fatin e tyre me dinjitet në heshtje dhe pa zhurmë deri në vitet ‘90 ku iu desh të kërkonin kohën e humbur të diktaturës dhe të uleshin në auditorët e universiteteve më vonë se kushdo tjetër. Të diplomoheshin, të krijonin familje dhe të mos harronin kurrë të qëndronin gjithmonë kundër ferrit që përjetuan për gjysmë shekulli. Revolta e tyre nuk u shua kurrë edhe në postkomunizëm. Ato ishin të pranishme në çdo shesh dhe në çdo protestë për ta ndaluar të shkuarën të kthehej në të tashme.
E ndonëse tani mund të jenë në moshën e pensionit, vazhdojnë të qëndrojnë përballë pushtetit si një amanet që duhet përmbushur me çdo kusht.
Sigurisht, kjo lloj revolte nuk dokumentohet në tryeza rrumbullake dhe konferenca buzë detit, në video apo fotografi në rrjete sociale, pasi për fatin e keq në Shqipëri të vërtetat e mirëfillta nuk dokumentohen shpesh, por fakti që nuk dokumentohen shpesh, nuk do të thotë se nuk ekzistojnë.
Post Scriptum – Pra, para se të shpallni revolucionin, që zbriti gruan shqiptare në shesh, kuptoni se kjo revoltë ka ekzistuar para se ju të lindnit dhe të bëheshit pronare të OJQ-ve.