Lahuta e Fishtës dhe Hodo Begu – nga Artan Kafexhiu

Gazeta

At Gjergj Fishta - Lahuta e Malcisë
At Gjergj Fishta – Lahuta e Malcisë
Lahuta e Fishtës dhe Hodo Begu
nga Artan Kafexhiu

Gjergj Fishta, një malcor, lindë në Zadrimë, por dukagjinas me origjinë, ishte ndër të paktët shqiptarë, me një eksperiencë të gjithanëshme në jetën shqiptare, kjo në fillimet dhe përgjatë gjysmës së parë të shekullit të XX-të.
I dalluem si fëmijë për zgjuarsi, u përzgjodh prej syut të mprehtë të prelatëve françeskanë, për t’u përgatitë në fushën e teologjisë dhe filozofisë. E nisi jetën si një murg i përulun françeskan, dhe udhët e jetës e çuan deri të shikonte nga afër eksperiencën kishtare e politike amerikane, e në fund duke e mbyllun jetën, si poeti i parë laureat mbarëkombëtar shqiptar.
Sot s’ka mbetur asgjë fizike e tij si hajmali për një kujtesë kombëtare, s’ka as edhe varr, madje edhe zëri i regjistruar i tij, të fut në botë metafizike, me shumë imagjinative e shpirtit e tij malcor, prej ku buronte forca e tij krijuese. Por metafizikisht ai zen një vend që shtrihet në çdo mendje shqiptari, madje edhe në ato mendje të trazuara që ndoshta e urrejnë prej instinkteve militante. Kontributi i tij letrar kapërthehet në tre kategoritë kryesore të letërsisë së tij: poezia epike në stilin e balladave folklorike të malcisë, vargje lirike në damarët e të cilëve ndihet jehona e etnisë shqiptare, thellësia me referenca biblike, dhe se fundi, satira e mprehtë politike dhe qytetare e eseve, dramave të shkruara prej tij.
Lahuta e Malcis mbetet ndoshta vepra më e njohura e tij. Lahuta, nuk pretendon të jetë një kontribut me thellësi filozofike, apo me ndonjë lirizëm të theksuar. Lahuta ka ritmin dhe forcën siç pritet të ketë një balladë epiko-historike, që tregon histori lufte dhe rezistence të etnisë shqiptare.
Pavarsisht se është e pasur në leksik dhe në shprehje idiomatike gege, misioni i poemës se Fishtës është të skalisë në kujtesën kolektive kombëtare, idenë e rezistencës, mbijetesës si etni, luftës për mbrojtjen e identitetin etnik veçanërisht prej sllaveve, a shkijeve siç i thërriste malcori. Fishta është më shumë se një bart, për të mbajtur gjallë idenë e rezistencës, zgjimit kombëtar me vargjet e një ballade, që përveç shpirtit e ritmit luftarak, shfaq edhe një gjuhë të mbushur me humorin sqimatar, urtësinë dhe satirën e idiomës gege.
Për kohën kur ai ishte i pacensuruar, Lahuta e Malcis ishte një burim i natyrshëm e shërbente si hymn reference e një krenarie kombëtare, kënaqesie letrare për shumicën e popullsisë shqiptare, e sidomos asaj gege, që ndjente në shpirt dhe në mendje, gegnishten e tij, dialektin e zgjedhur të balladave me referencat e shumta kriptike, që rridhnin nga gjuha e tij shumë e pasur.
Ka diçka, që e lidh pazgjidhmësisht Fishtën me të parët e mi nga ana e mamës. Një poemë/kangë e Lahutës të Malcis, ku ndër personazhet kryesore, ose më saktë kryesori, ishte Hodo Beg Sokoli, si komandant i Lidhjes së Prizrenit të Vilajetit të Shkodrës, komandant i forcave ushtarake të Lidhjes, ai që mbrojti territoret veriore shqiptare. Një nga këngët poetike, që i kushtohet këtij momenti historik të njohur si Lëvizja e Miletit, ku shqiptarët u rishfaqën në hartën e Europës si etni më vete, është kënga poetike “Kasneci”.
Hodo Beg Sokoli, në vitet e Lidhjes se Prizrenit 1878-80, u përmend e pati jehonë në gazetat kryesore europiane, deri edhe në shtypin amerikan të kohës, për tre gjëra: një fjalim, i cili për herë të parë në historinë shqiptare ngriti peshë e në vemendjen ndërkombëtare identitetin kombëtar shqiptar, ku për herë të parë foli në shesh të hapur, duke qenë ndërkohë kolonel i ushtrisë turke, përveçse ishte shkolluar edhe në Zosimea, për shqiptaret si etni më vete, që nuk duhet t’i bindeshin më sulltanit; ngriti për herë të parë para popullit të Shkodrës e Malcisë, e në historinë postskënderbejane, një flamur që nuk ishte më gjysmëhëna osmane; shkuli spaletat e hoqi uniformën e u vesh me kostumin kombëtar, ashtu siç ai vishej në ambjentet familjare e shqiptare; dhe së treti, u vu në krye të 8000 forcave vullnetare shqiptare duke kontribuar edhe financiarisht për to, në mbrojtje të territoreve shqiptare.
Si zëvendës i tij, u zgjodh Kapidani i Mirditës, Preng Bibë Doda. Sulltani, Hodo Begut, fillimisht i dha titullin Pasha për rolin në mbrojtje të territoreve të Perandorisë, por duke peshuar synimet e tij politike për autonomi, e arrestoi sëbashku me Kapedanin dhe i solli të dy fillimisht në Stamboll. Fati dhe fundi i tij nuk dihet, u pushkatua, u var a u vetvra. Kapidani i Mirditës mbeti gjallë, e pas gati 20 vjetësh ekzili, u kthye në vendin e kullën e vet.

Hodo Sokoli
Hodo Sokoli
Kasneci – Gjergj Fishta…

“….Të gjith lidhë me besë arbnore.
Edhe dyndë janë malet t’tâna,
Kan rrokë huta e prehë tagâna,
E u kà pri, si kà dalë zâni,
Hodo Begu e Kapidani,
Qi për mbret e vende t’veta
Nuk u dhimbet gjâja as jeta.
T’dy bujarë e të dy trima:
Kapidana, si vetima,
Hodo Begu, si Bumbllima:
Nder shtatë krajla u vojt ushtima.
Kan rà n’Tuz, si shqype t’leta,
Veç me pà, mor’ t’u ngjatët jeta…

…Ka rrâ Shkodra turk e i kshtênë:
Turq beglerë e t’kshtêrë reshperë,
Veshë e mbathë si Kapitana
Me çakçirë e me fistâna:
Me tagâna e me shejshâna,
Me martina, me calina,
Me dumbare e alltipatllare,
E me pare e besë shqyptare.
Un këta, drejt me t’kallxue,
Gospodare, un këta i drue…
Përse, kur nji djalë zotni
T’lâje tokë e grue e fmi,
Aj dikû veç ka qitë ceken
mos me kthye, por me bâ deken.
Jo se edhè me dashtë me kthye,
Nji luâ kta kan per krye,
Qi u bje pushkë, po, n’lule t’ballit:
Hodo Begu, sokol malit,
Oxhakzade djalë mbas djalit…
– Lahuta e Malcis, Gjergj Fishta
© Artan Kafexhiu

ps. Një nga arsyet e risjelljes së shkrimit të mësipërm është hasja në një hulumtim tepër domethënës prej studiueses shkodrane, Zenepe Dibra, që jo vetëm konfirmon ngjarjet në fjalë, por jep detaja tepër interesante rreth kontributit të Hodo Beg Sokolit, lidhjet e tij të thella me bajraqet e Veriut, e lidhja e familjes Sokoli me vetë poetin tonë kombëtar, Fishtën. Shkrimin po e postoj pjesërisht në vazhdim.

Zenepe Dibra
Zenepe Dibra
Lidhjet e Shkodranëve me Malësorët – nga Zenepe Dibra

Një lidhje që ka ekzistuar prej shekujsh, për të mbrojtur hapësirën shkodrane nga armiqtë e ndryshëm, e çelnikosur në luftë, në akte besëlidhjesh, në mikpritje, në paqe, në krushqira, etj. Në kryengritjen e v. 1835, organizuar nga popullsia e qytetit të Shkodrës kundër vendosjes së taksave të administratës turke, nën udheheqjen e Hamz Kazazit, u bashkuan me qindra malësorë të zonës Veriore.
Lufta për mbrojen e territoreve shqiptare, si lufta e Shpuzës, e Krricës, e Rzhanicës, e Plavës dhe Gucisë, lufta për mbrojtjen e Ulqinit, për mbrojtjen e Shkodrës, Lufta e Koplikut më 1920, lufta kundër fashizmit, kundër komunizmit tregoi unitet të pashembullt dhe vendosmëri për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë qytetarë e malcorë. Ahmet Pasha, një politikan që dërgoi Porta e Lartë, për të qetësuar popullin e Shkodrës, mbas aktit të Oso Kukës, më 1861, do të shkruante: “…midis dy palëve (qytetarëve dhe malësorëve) ekziston një lidhje dhe një bashkim i fortë që të habit, është e pamundur që ato të ndahen nga njëri tjetri. Sa herë që të huajt mundohen me anë të veprimeve të ndryshme për të dobësuar dhe prishur këtë lidhje, kjo forcohet më shumë”.
Në një nga betejat e zhvilluara në Bajzë të Kastratit kundra forcave ushtarake të Bedri Pashës. Çun Mula kërkoi mbështetjen e kapidan Hodo Beg Sokolit, i cili ishte Komandant ushtarak i Veriut të Shqipërisë me qëndër në Shkodër dhe ai e furnizoi me armatime të shumta për forcat vullnetare që Çun Mula i mblodhi në Postribë, Shkrel dhe Kastrat. Në këtë betejë Bedri Pasha u tërhoq gjë që bëri bujë të madhe. Lufta e Rzhanicës për mbrojtjen e Hotit dhe Grudës tregoi një bashkëveprim forcash të malësorëve, ku i printe Çun Mula me forcat shkodrane të drejtuara nga Hodo bej Sokoli.
Në muzeun e ngritur në Hot të Malësisë së Madhe shumë orendi përfshirë një baule, tavolina dhe rafti i At Gjergj Fishtës ishin ruajtur nga familja e Hodo Sokolit me të cilin Çun Mula, kishte pasur një lidhje të veçantë dhe ishin dhuruar për këtë muzeum.
Ky unitet ka patur dhe sfidat e veta, kur shpesh të huajt u përpoqen ta prishnin me mënyra të ndryshme diversive, tentativa këto të përkohshme, që kurrë nuk e thyen tradicionalitetin historik të saj. Shkodranët dhe malësorët dhanë dhe morën nga njeri tjetri, krijuan krushqira, u banë probatina (lidhje vëllazërie), kumbarira, bënë tregti etj., lidhje këto bazuar në virtutet e njëri tjetrit dhe pa paragjykime. Shumë malësorë erdhën në Shkodër dhe u shkolluan, krijuan familje, ndërtuan lidhje që do vazhdonin gjatë.
Mikpritja e malësorëve e nderoi Shkodrën. Ato priten duke hapur porta e të tyre , udhëtarë, studiues, të huaj, si Nopçen, Durham, Han, Rose Line, e qindra të tjerë të cilët do të shkruanin në veprat e tyre albanalogjike për këtë bujari, fisnikëri, dhe mikpritje të pashembullt. Ka raste kur shkodranët kanë flijuar edhe vehten për të mbrojtur nderin e malësorëve kur ato i kanë rënë në dorë, por edhe shumë malësorë i kanë bërë këto sakrifica për shkodranët e tyre vëllezër.
Familjet e krijuara në Shkodër nga të ardhurit nga malësite, nxorrën personalitete të shquara që kontribuan në krijimin e vlerave, në fusha të ndryshme, si arsim, kulturë, sport. Rastet janë në librin e sipërcituar ku personalitete të urtisë, të burrërisë, me shumë kontribute janë me origjinë nga malësitë tona kreshnike.

Leka Ndoja (Vrethee Lnika)
Lufta e Hodo Pashë Sokolit, pason betejën e Urës së Rrzhanicës ku mposhtet ushtria e Knjaz Nikollës, me 1000 ushtarë. Me këtë lajm Fishta nis kangën Kasneci të Lahutës, me paralajmërimin e nji oguri të zi për luftën e malësoreve dhe qytetarëve të Shkodrës – “N’atë Cetinë, mb’nji kulm t’pullazit,
N’kulm t’pullazit t’sarajit t’knjazit
Po ban sorra “ka” e “ka”.
Veç këto sorrat, more vëlla,
Thonë po ndjellshin ogur t’zi;
Kështu, në mos e thonë n’Shqipni,
Veç me gjasë se edhe n’Mal t’Zi;
Pse sa nisi me vikatë”. Më përpara kanga XIV “Të Urës së Rrzhanicës” jepet mësymja e ushtrisë malasiase mbi Hotin, ku komandanti i garnizonit të Shkodrës Hasan Riza Pasha i organizoi pritën – bashkë me malësoret. Fati i Hasan Pashës dhe Hodo Beg Sokolit mbeti i lavdishëm, por ende në rrethana të pasqarueme njëri në Shkodër e tjetri në dhè të huej. Pastë dritë Hodo Beg Sokoli – martir i përmendun – që atëhere kur Lidhja e Prizrenit për bashkimin e trojeve shqiptare, u shpërnda por u mbajt gjallë nga Hodo beg Sokoli, si komandant u ushtrisë i Degës së Lidhjes për Shkodrën. Duhet përmendë edhe se mjaft krahina nuk morën pjesë në Lidhjen e parë të shtetformimit të shqiptarëve siç e përshkruen me pasion Artani – si pinjuell i denjë i Hodo Sokolit. Së pari në Historinë e Lidhjes se Prizrenit hartu nga Kristo Dako në librin Albania the master Key of Near East – thotë: “Nga ana tjetër, shqiptarët u dëshpëruan nga kërkesat e Traktatit të Shën Stefanit, sepse më se gjysma e vendit të tyre u jepej shteteve të Ballkanit. Nën udhëheqësinë e Abdyl Bej Frashërit, Hodo Beut të Shkodrës, Vaso Pashës dhe Prenk Bib Dodës nga Mirdita u formua një lidhje kombëtare e njohur si Lidhja e Prizrenit, me synimin që të luftohej deri në fund për të mbrojtur integritetin e vendit. Më 17 qershor 1878, treqind delegatë u mblodhën nga mbarë Shqipëria në Prizren.”

Artan Kafexhiu
Si gjithmonë i përpiktë e pasurues me info e komente të vyera. Lidhja ishte momenti që krijoi mitin e qëndrueshëm të një mëvetësie territoriale etnike të shqiptarëve.
Hodoja ishte ai që udhëhoqi qëndresën e vetme ushtarake të shqiptarëve për të mos lejuar copëtimin e vendin. Vetëm kaq mjafton për t’u vërë pjesë e historisë. E duke shtuar të tjerat, figura e tij del më illuminuese si ideolog e udhëheqës.
E së fundmi ishte e vetmja figurë madhore që u sakrifikua deri në fund. Ai nuk u kthye i gjallë në Shkodrën e tij. Gjithë të tjerët u falën. Inati i aktit të tij madhor, për Sulltanin e Pashallarët rreth tij ishte më sfiduesi, e që duhej të bëhej shëmbull linçimi për gjithë të tjerët.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit